Berisha: Pazaret për listat e zeza mes PS dhe LSI bllokuan sërish tri ligjet e integrimit

0
119

berishKuvendi i Shqipërisë nuk gjen konsensusin për votimin e tri ligjeve të integrimit

 

Tri ligjet e integrimit vazhdojnë të mbeten në axhendën e punimeve të Kuvendit, edhe pse seanca e djeshme plenare ishte e fundit për këtë mandat qeverisës. Edhe pse mbledhja e djeshme e Parlamentit kaloi pa debate në miratimin e projektligjeve, tensionet e listave të deputetëve ishin pjesë e diskutimeve mes përfaqësuesve të legjislativit si brenda dhe jashtë sallës së parlamentit. Kryeministri Berisha akuzoi ashpër krerët e opozitës për bojkotin që ata i bënë miratimit të ligjeve. Z. Berisha i quajti pazare për lista të zeza mes LSI-së dhe PS-së mungesën e deputetëve të opozitës në sallën e Kuvendit. Për këtë kreu i qeverisë i drejtoi edhe një kërkesë publike kreut të LSI-së, Ilir Metës.

BERISHA

“Sot jemi këtu për të votuar tri ligjet. Mos u largoni apo i keni çështje pazaresh? Ne do t’i votojmë ato, por vakti që ju largoheni tregon se ju i keni bërë çështje pazaresh. Unë vetëm një kërkesë kam, ndaj z. Ilir Meta, i cili që nga janari i vitit 2012, gjer në ditën e aleancës së tij; Pandeli i ke bërë cilësimin me gjenial, të 1 prillit. Ai ftonte z. Rama të votonte ligjet, tani po ta keni dëgjuar, thotë ftoj z. Berisha të votojë tri ligjet, paçka se z. Berisha dhe ky grup parlamentar ishte i zotuar çdo ditë t’i votonte, por nuk ka rendësi se njerëzit i gjykojnë vetë. Por ajo që ka rëndësi, i kërkoj në mënyrë të prerë: të mos i shndërrojë ligjet në pazar për lista të zeza. Të mos i shndërrojë ligjet në pazar për lista të zeza në kurriz të mbështetësve të tij”, – deklaroi Kryeministri gjatë votimit të ligjeve që ishin në axhendën e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjithashtu, Kryeministri u shpreh i hapur për të votuar miratimin e tri ligjeve të integrimit në çdo kohë që opozita vendos t’i votojë ato. Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë i mbylli punimet ditën e djeshme, kreu i qeverisë tha se tri ligjet do të jenë në axhendë për gjatë gjithë muajit maj.

“Listën e zezë ia ka dorëzuar z. Rama ndaj dhe sot u shty votimi i tre ligjeve. Si Pazar me listën e zezë. Ne në çdo kohë dhe në mesnatë po të duan, ne i votojnë. Natyrisht, përgjegjësia e tmerrshme bie mbi atë (Ramën) që mori peng statusin e vendit kandidat; mbi njeriun që u privoi shqiptarëve qindra e qindra miliona euro investime dhe donacione private të vendeve anëtare të BE-së. Unë, me padurim, prita sot t’i votonim, por prapë vazhdojmë t’i kemi çështje pazaresh. Ne do ta mbajmë çështje të parë të rendit të ditës në çdo kohë. Por siç duket pa përfunduar pazaret me njëri-tjetrin, ligjet nuk do t’i votojnë. E patë si ikën? Po flisnim për tri ligjet. Ikën për të marrë mbi vete një përgjegjësi shumë të rëndë. Por pazaret nuk kanë përfunduar. Edhe kjo është një halë tjetër që u mbeti në fyt atyre. Kështu do të vazhdojë deri më 23 qershor, ditë në të cilën do të marrin përgjigjen përfundimtare nga sovrani i këtij vendi”, – u shpreh Kryeministri. Ndërkaq, deputetët e opozitës në Kuvend nuk replikuan me kreun e qeverisë por ato u larguan nga salla në momentin kur kryetarja e Topalli hidhi në votim draftet që ishin përcaktuar në axhendë.

 

 

Berisha, deputetëve: Nuk është falënderimi i fundit, bashkëpunimi vazhdon

Në mbyllje të votimit në djeshëm në sallën e parlamentit, kreu i qeverisë falënderoi deputetët e mazhorancës për bashkëpunimin e treguar përgjatë këtyre katër viteve duke thënë se bashkëpunimi me ata do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Gjithashtu kreu i qeverisë duke folur për tri ligjet e integrimit, tha se opozita është e ftuar t’i votojë ato në mënyrë që vendi të mos shkojë në referendum popullor. “Nuk është ky falënderimi im i fundit ndaj jush, sepse jam i bindur që bashkëpunimi ynë do të vazhdojë por ne qëndrojmë të gatshëm në çdo kohë për të mbledhur parlamentin dhe për të votuar tri ligjet. Sot e kanë ditë pazaresh dhe nuk vijnë dot. I ftoj ata të vijnë në ditën më të parë kur ta përfundojmë pazaret dhe të votojmë tri ligjet. Pavarësisht se statusi u bllokua, por të shmanget një referendum që i kushton taksapaguesve shqiptar me disa milionë euro për mbajtjen e tij. Shpresoj që së shpejti pala tjetër të rikthehet në karriget e tyre sipas premtimeve që nuk i mbajnë”, – deklaroi Berisha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency