Ceremonia 5 Maji, në radhët e policisë një tjetër dëshmor

0
143

Sonja Caka

5 majKryeministri Berisha: Ligji do të japë përgjigjen më të merituar ndaj këtij akti kriminal, të rëndë

Precedentët, një efektiv i Task Forcës u përplas në të njëjtën mënyrë në autostradë, dy efektivëve në Peqin u ndodhi e njëjta situatë

 

Më 5 maj, në ditën e përkujtimit të dëshmorëve të atdheut, vendit tonë iu shtua edhe një tjetër dëshmor, sërish në radhët e policisë. I ri në moshë, babai i tre vajzave, 43-vjeçari Selman Lena ka humbur jetën si pasojë e përplasjes me automjet nga një person me precedentë penalë, ndërsa ishte në krye të detyrës, duke patrulluar në orët e vona të natës në postbllokun e ngritur në qendër të Kamzës nga komisariati nr.5. Në ambientet e Drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua dje ceremonia zyrtare në nder të kujtimit të efektivit Lena, duke iu bërë homazhe që nga drejtues të lartë të shtetit, policisë, kolegë të tij, dhe deri te miq, të afërm apo dhe të njohur të tij. Pas ceremonialit zyrtar, 43-vjeçari Lena është përcjellë për në banesën e fundit, pranë varrezave në Babrru. “Inspektor i shkëlqyer i forcave tona të rendit, prind shembullor, qytetar i mrekullueshëm. Lutem së bashku me ta që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar. Sikundër kam besimin më të madh se ligji do të japë përgjigjen më të merituar ndaj këtij akti kriminal, të rëndë. Uroj që shoku i tij, inspektori Preng Lleshi, i cili është në gjendje të rëndë të përmirësohet, të shërohet. Shpreh në emër të qeverisë mbështetjen më të fuqishme ndaj forcave të rendit ndaj efektiva të Policisë së Shtetit. Shpreh bindjen se asgjë nuk do t’i ulë ato në përmbushjen e detyrës dhe të misionit. Edhe njëherë: Ngushëllime”, u shpreh kryeministri Berisha pas homazheve që zhvilloi në nderim të efektivit Lena. Ndërkohë, në fjalën e fundit para përcjelljes për në banesën e fundit, shefi i Komisariatit të Policisë nr. 5 Kryekomisar Rakip Hoxha, duke shprehur dhimbjen për humbjen e Inspektor Selman Lena, evidentoi dhe kontributin e tij ndër vite për garantimin e sigurisë së qytetarëve. “Me ndarjen nga jeta të Tij, familjarët humbën njeriun e tyre të shtrenjtë, ndërsa Policia e Shtetit humbi një nga punonjësit e saj më të devotshëm. Ai ishte një punonjës policie shembullor, që çdo moment të karrierës së tij 22 vjeçare në strukturat e Policisë së Shtetit, nuk reshti së punuari pa u lodhur në ndihmë dhe shërbim të qytetarëve” – u shpreh Z. Hoxha. Gjatë ceremonisë së zhvilluar, Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z.Muhamet Rrumbullaku, i dorëzoi familjarëve të Inspektor Selman Lena flamurin kombëtar me të cilin ishte mbuluar arkivoli i tij dhe kapelën e uniformës së policisë. Ndërkohë që në nderim të Inspektor Selman Lena varrimi është shoqëruar me të shtëna armësh nga një grup efektivësh të policisë. Ndërkohë, mësohet se Policia e Shtetit ka nisur procedurat për shpalljen dëshmor i Atdheut për inspektorin e rendit në Komisariatin e Policisë së Kamzës, Selman Lena. Më herët gjatë ditë së djeshme, drejtues të Policisë së Shtetit kryen vizita në familjen e efektivit të policisë të rënë në krye të detyrës. Inspektori Selman Lena ishte efektiv i Policisë së Shtetit që prej vitit 1991. Në krye të detyrës u plagos dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak, efektivi i Policisë së Shtetit Preng Lleshi.

SHKB, nis hetimet për reagimin e postbllokut

Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ka nisur verifikimet për funksionimin e postbllokut të ngritur në qendër të Kamzës. Në fokus të verifikimeve do të jetë numri i efektivëve që gjendeshin në vendngjarje në atë moment, cili ka qenë reagimi i tyre pas ngjarjes, masat dhe kushtet e mbrojtjes së efektivëve në ngritjen e këtij postblloku për verifikimin dhe ndalimin e personave të dyshuar, të cilat në rastin e aksidentit të Lenës dhe kolegut të tij Lleshi që ndodhet me plagë të rënda në Spitalin Ushtarak nuk ka funksionuar. Ngjarja pritet të jetë objekt hetimi i SHKB-së për reagimin e postbllokut, pasi është rasti i tretë në Tiranë brenda 3 viteve, që në postbllokun e policisë vriten apo plagosen policë dhe autori largohet nga vendi i ngjarjes pa patur asnjë reagim nga pjesëtarët e tjerë të postbllokut.

Precedentët

Disa efektivë të policisë janë përplasur nga automjete me shpejtësi

Një vit më parë ka ndodhur një tjetër tragjedi në rrugë, ku ka humbur jetën në krye të detyrës një oficer policie në autostradën Tiranë-Durrës. Aksidenti me pasojë vdekjen e oficerit S. P, pjesëtar i Task-Forcës së Autostradave, strukturë e Policisë Rrugore, ka ndodhur në vendin e njohur si Qafë- Kashar. Viktima është përplasur nga një makinë e llojit “BMË” me targa italiane, me shofer nga Burreli. Oficeri ka qenë së bashku me disa kolegë të tjerë në një postbllok në autostradën Tiranë-Durrës në momentin kur është përplasur nga makina që po ecte me shpejtësi. Oficeri mori plagë të rënda si pasojë e përplasjes dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Pas arrestimit, autori i kësaj ngjarjeje u mor në pyetje dhe ka deklaruar se prej errësirës nuk e ka parë efektivin e policisë. Dy efektivë policie janë plagosur 2 vite më parë, pasi fuoristrada me të cilën udhëtonin është përplasur nga një makinë. Ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Peqinit, ku një automjet me targa Tirane, i cili po ecte me shpejtësi të madhe ka goditur fuoristradën e policisë, e cila ishte në postbllok. Për pasojë janë plagosur dy efektivët J. Spahiu dhe Q. Molla, të cilët janë dërguar në spital dhe fatmirësisht goditja ka qenë pa pasoja për jetën.

Kush ishte inspektor Selman Lena

Inspektor Selman Lena, i datëlindjes 05.07.1970, ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë, vajza. Inspektori është pranuar në strukturat e Policisë së Shtetit, në vitin 1991  në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Ai ka shërbyer në strukturat e Policisë së Shtetit nga  viti 1991 deri në vitin 2013. Gjatë kësaj periudhe ka kryer detyra të ndryshme në strukturat e policisë, kryesisht në strukturat e sigurisë publike në Komisariatet e Policisë Tiranë. Nga 14.10.2012, ka kryer detyrën e oficerit të patrullës së përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë nr.5. Inspektor Selman Lena, gjatë karrierës së tij 22 vjeçare në strukturat e Policisë së Shtetit, është shquar për profesionalizëm, përgjegjësi e përkushtim në përmbushjen e detyrës në shërbim të komunitetit, deri në çastin kur më datë 04.05.2013 humbi jetën në krye të detyrës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency