Internet falas Dy orë në ditë, 15 zona në Tiranë shërbim wireless

0
3205

Blerta Mrishaj

bashaKryebashkiaku Basha: Do të mundësojë që këto 15 pika brenda një kohe të shkurtër të shndërrohen në 150 pika deri në një mbulim të plotë të kryeqytetit, në mënyrë që çdokush që gjendet në Tiranë dy orë në ditë, ta ketë të garantuar internetin falas

 

 

Shërbimi wi-fi ofrohet aktualisht te:

Zona e Bllokut (rruga “Brigada VIII”, rruga “Pjetër Bogdani”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Ibrahim Rugova”)

Libri Universitar – Sheshi “Wilson”

-Rruga e Kavajës

-Rruga “Myslym Shyri”

-Rruga “Sami Frashëri”

Zona e Parlamentit

Prapa Muzeut Kombëtar (rruga “Dedë Gjo Luli”)

Stacioni i Trenit (rruga “Reshit Petrela” & bulevardi “Zogu I”)

Tregu Çam (rruga “Çamëria” & rruga “Shyqyri Bërxolli”)

-Liceu & Rruga e Elbasanit

Pranë RTSH-së (rruga “Ismail Qemali”)

Qyteti Studenti – sheshi “Demokracia

Pedonalja / Shëtitorja “Murat Toptani” (3 hotspots)

 

 

Dy orë në ditë në 15 zona të ndryshme në Tiranë qytetarët do të kenë mundësi të përdorin internet falas. Instalimi i shërbimit wi-fi në rrugët, sheshet dhe bulevardet kryesore të Tiranës, përfshirë dhe Qytetin Studenti, do t’u mundësohet kryeqytetasve dy orë në ditë falas në oraret që do t’i zgjedhin vetë ata. Kryebashkiaku Lulzim Basha i pranishëm në ceremoninë instalimit të këtij shërbimi, u ka drejtuar thirrje edhe kompanive të tjera të telefonisë në vend të ndjekin shembullin e një kompanie celulare private, sikundër ka shprehur objektivin e tij që Tirana të ofrojë 24 orë internet falas në të gjitha ambientet e saj publike.

Interneti

“Dy orë falas internet në 15 pika të qytetit është pa dyshim një risi për Tiranën, për Shqipërinë dhe për shumë vende të rajonit, por për mua si kryetar i Bashkisë, kjo ditë kur ne përurojmë këtë shërbim ka dy domethënie. Domethënia e parë ka të bëjë me faktin që ne po hedhim sot hapin e parë në drejtim të masivizimit të përdorimit të internetit nga qytetarët dhe në veçanti nga rinia pa kosto ose me kosto zero, dy orë në ditë. Natyrisht, ky është një hap i parë. Unë besoj se partneriteti me Eagle Mobile dhe Albtelecom do të mundësojë që këto 15 pika brenda një kohe të shkurtër të shndërrohen në 150 pika deri në një mbulim të plotë të kryeqytetit, në mënyrë që çdokush që gjendet në Tiranë dy orë në ditë, të ketë të garantuar internetin falas por po kështu shpreh sot dëshirën time që të shoh në të njëjtën rrugë edhe të tjerët, kompanitë e tjera të rëndësishme të telekomunikacionit dhe teknologjisë së informacionit në Tiranë, që nga kompanitë kryesore të telefonisë celulare e deri tek dhjetëra e dhjetëra, mbi 84 kompani të cilat japin sot shërbimin e internetit në qytetin e Tiranës”, – u shpreh z. Basha. Ndërsa studentja e Universitetit të Tiranës, Jona Lila, shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Basha për nismën që ka marrë për sa i përket punësimit të të rinjve, vlerësoi shërbimin wireless si një ndihmë shumë e madhe që u bëhet studentëve të Qytetit Studenti, aq më tepër që do të jetë dy orë falas, ku sipas Lilës, jo të gjithë studentët kanë mundësi që ta përdorin këtë shërbim përkundrejt pagesave.

Aksesi

Sipas të dhënave të fundit publikuar nga Open Data, vetëm gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, rezulton se numri i përdoruesve të internetit për 100 banorë ka ndryshuar duke pësuar një trend rritës. Sikurse mund të shihet edhe nga grafiku, vihet re një rritje e theksuar e numrit të përdoruesve të internetit në Shqipëri. Gjatë vitit 2010, rreth 43.5% e shqiptarëve (ose rreth 1.34 milionë persona) janë përdorues të internetit, krahasuar me 41.2% në 2009. Ndërkohë në vendet e Bashkimit Evropian, në 100 banorë, 68 janë përdorues të internetit, ndërsa në vendet e Ballkanit, ky tregues është më i ulët (50 nga 100 banorë). Të dhënat tregojnë se numri i përdoruesve të internetit është një tregues shumë i rëndësishëm sepse pasqyron përhapjen e teknologjisë së informacionit në një vend, dhe shkëmbimin e informacionit në rang global.

 

 

 

Votimi PS-LSI

Të majtët shqyejnë derën, Bashkia: Nuk ka pasur mbledhje zyrtare të Këshillit

 

Tension dhe akte dhunë kundër institucionit të Bashkisë së Tiranës dhe punonjësve të saj, këto kanë qenë aktet e këshilltarëve të majtë, të cilët me çdokush kanë kërkuar të zhvillojnë mbledhjen e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e kryetarit Niazi Kosovrasti dhe emërimin në detyrë të Aldrin Dalipit. Një mbledhje e thirrur jashtë radhe nga ana e këshilltarëve të majtë, të cilët nuk kishin njoftuar bashkinë për zhvillimin e saj. Kështu dje në orët e para të së premtes, 31 këshilltarët e majtë i janë drejtuar bashkisë së Tiranës duke konfrontuar me Policinë Bashkiake dhe punonjësit e saj, për lejimin e tyre në ambientet e këshillit, ndonëse nuk kishin njoftuar për të tillë. Duke qenë se nuk i kanë lejuar të hyjnë për shkak të mos njoftimit, këshilltarët kanë shqyer dyert si dhe kanë ushtruar dhunë, duke u mbledhur në ambientet e paradhomës së Këshillit Bashkiak, duke kryer sipas tyre një votim për shkarkimin e Niazi Kosovrastit dhe emërimin në detyrë të Aldrin Dalipit, mbledhje së cilës i munguan 24 këshilltarët e djathtë. Pas akteve dhe shfaqjes së dhënë nga këshilltarët e majtë, Bashkia e Tiranës përmes një njoftimi zyrtar ka reaguar duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë mbledhje zyrtare dhe dhuna e përdorur nga këshilltarët e majtë do të mbajnë përgjegjësi pasi do të kallëzohen penalisht. “Bashkia Tiranë bën të ditur se dje nuk është zhvilluar asnjë mbledhje zyrtare e Këshillit Bashkiak. Bashkia Tiranë njoftoi që dje opinionin publik se nuk ka asnjë njoftim zyrtar dhe të ligjshëm mbi thirrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak për ditën e djeshme. Bashkia Tiranë dënon dhunën e përdorur sot (dje) nga disa këshilltarë, ndaj institucionit të Bashkisë dhe bën të ditur se do të bëjë kallëzim penal ndaj personave përgjegjës. Të gjithë veprimet dhe deklaratat e sotme të disa anëtarëve të Këshillit Bashkiak janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe janë të motivuara nga fryma e konfliktit politik. Bashkia Tiranë i bën thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës të distancohen nga veprime të paligjshme dhe të dhunshme ndaj institucionit të Bashkisë dhe siguron Këshillin Bashkiak dhe qytetarët e Tiranës se përgjegjësit e veprimeve të djeshme antiligjore dhe të dhunshme do të përballen me pasojat ligjore”, – thuhet në njoftimin zyrtar të Bashkisë së Tiranës.

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency