Topalli, opozitës: Votoni tri ligjet, mbylleni me nder! Ruçi: Topin e keni në fushën tuaj

0
130

Florenc Drizari

topalliMbyllet me konsensus për votimin e kodeve, por jo për tri ligjet, seanca e parafundit plenare

 

Tri ligjet e integrimit (rregullorja e Parlamentit, projektligji për Gjykatën e Lartë dhe ligji për statusin e nëpunësit civil) të rekomanduara nga Brukseli si parësore për marrjen e statusit të vendit kandidat, vazhdojnë të shkaktojnë përplasje në deklarata politike mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, replikoi një ditë më parë me kreun e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçin, pikërisht për votimin e tyre. Ashtu siç ka ndodhur edhe më parë në debate mes deputetëve në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, edhe kjo çështje kaloi vetëm me akuza politike për mosmiratimin e ligjeve dhe asgjë konkrete për ulje në bisedime, apo gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme për votimin e drafteve. “Jam dakord z. Ruçi që ne shumë gjëra na ndajnë, por shumë gjëra na bashkojnë dhe kjo është një çështje bazale dhe fondamentale, por unë besoj se një çështje që duhet të na bashkojë janë 3 ligjet për integrimin në Bashkimin Evropian. Ju ftoj edhe një herë siç ju kam ftuar në çdo seancë, që në rendin e ditës vazhdojnë të mbeten tri ligjet e integrimit. T’i votojmë sot se mbase është një nga seancat e fundit të kësaj legjislature. Nuk mund të besoj se socialistët dhe demokratët nuk mund të bashkohen në çështjet e integrimit. T’i votojmë ato pavarësisht se mbi 200 ditë vonesë, t’i votojmë ato”, – deklaroi Jozefina Topalli.

Nga ana e tij kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, u shpreh parimisht dakord me qëndrimin e mazhorancës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por tha se opozita i ka bërë detyrat e saj në raport me Brukselin dhe tashmë tha ai, topi mbetet në fushën e mazhorancës. “Absolutisht po. Çështja e integrimit është një pikë tjetër që na bashkon dhe ne kemi dhënë të gjithë kontributin tonë në të gjitha ato që ka kërkuar Brukseli për të plotësuar ato standarde. Por nuk është faji jonë. Disa herë keni përdorur retorikën si demagogji elektorale për të bërë apel dhe thirrje grupit të minorancës. Është e thjeshtë fare zonja kryetare, por s’keni më kohë… Mos e kërkoni topin në fushën tonë, e kini në fushën tuaj. Kishit mundësi t’i bënit, e kishit këtë shans, nuk e bëtë. S’është faji jonë. Mos kërkoni të hidhni përgjegjësinë këtej”, – deklaroi Ruçi.

Në replikë me z. Ruçi, kryeparlamentarja Topalli i kërkoj atij mbylljen me nder të seancës plenare, duke kërkuar votimin e tri ligjeve. “E pra… mos ndryshoni çdo seancë sebepet. Të jemi seriozë. Është rast për ta mbyllur me nder edhe këtë seancë plenare duke votuar tri ligjet. Në dorën tuaj është. Doni të bllokoni dhe të pengoni? Mund ta bëni, gjithsesi shqiptarët kanë për ta zgjidhur më 23 qershor”, – tha Topalli.

Ndërkaq, pas rekomandimit të statusit të vendit kandidat nga Komisioni Evropian ne mesin e muajit tetor të vitit të kaluar, klasa politike shqiptare nuk gjeti konsensusin për votimin e tri ligjeve të quajtura edhe si “ligjet e integrimit”, duke vazhduar akuzat politike si në përballjet parlamentare ashtu edhe në deklarata në distancë nga të dy liderët politik të PD-së dhe PS-së, por edhe për përfaqësuesve të tjerë politik. Rekomandimi i statusit në javën e dytë të dhjetorit të kaluar nuk u miratua nga Këshilli i Ministrave i BE-së dhe theksi për këtë dështim të radhës të klasës politike në Shqipëri ishte pikërisht mospërmbushja e reformave, si dhe e tri ligjeve të integrimit.

 

Votimi i ligjeve në Parlament

Projektligji “Për burimet e energjisë së rinovueshme”;
– 115 vota pro

Marrëveshja për shkëmbimin e ndërsjellë të të dhënave në çështjet e kontrollit të migracionit dhe çështjet e azilit mes Shqipërisë dhe Austrisë
114 vota pro

Projektligji “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”
– 112 vota pro
– 1 Kundër, Mediu
– Abstenim, Klosi

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482,datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”
117 vota pro

Projektligji për shfuqizimin e shtesave “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”,
– 71 Pro
– 44 Kundër

Projektligjin “Për ndihmën juridike”
– 115 vota pro

Projektligji për ndryshime në “Kodi penal i Republikës së Shqipërisë”,
– 98 vota pro
– 2 kundër, Isaraj, Gjiknuri

Ndryshimet në “Kodi penal i Republikës së Shqipërisë”,
– 99 vota pro

 

 

 

 

 

Debati mes Jozefina Topallit dhe Gramoz Ruçit në Kuvend

Jozefina Topalli: Jam dakord z. Ruçi që ne shumë gjëra na ndajnë por shumë gjëra na bashkojnë dhe kjo është një çështje bazale dhe fondamentale, por unë besoj se një çështje që duhet të na bashkojë janë 3 ligjet për integrimin në Bashkimin Evropian. Ju ftoj edhe njëherë siç iu kam ftuar në çdo seancë, që në rendin e ditës vazhdojnë të mbeten tri ligjet e integrimit.

Gramoz Ruçi: Çështja e integrimit është një pikë tjetër që na bashkon dhe ne kemi dhënë të gjithë kontributin tonë në të gjitha ato që ka kërkuar Brukseli për të plotësuar ato standarde. Por nuk është faji jonë. Disa herë keni përdorur retorikën si demagogji elektorale për të bërë apel dhe thirrje grupit të minorancës. Është e thjeshtë fare zonja kryetare, por s’keni më kohë…

Mos e kërkoni topin në fushën tonë, e kini në fushën tuaj. Kishit mundësi t’i bënit, e kishit këtë shans, nuk e bëtë. S’është faji jonë. Mos kërkoni të hidhni përgjegjësinë këtej.

Jozefina Topalli: Z. Ruçi kjo është një temë që unë e kam kërkuar në çdo seancë plenare ku jo për retorikë, por për detyrë dhe përgjegjësi që kemi bërë edhe në betimin e deputetit. Në të gjitha seancat ju keni pas një kërkesë. Fierin. E zgjidhët Fierin? Apo sot ka sebepe të tjera?

Gramoz Ruçi: Jo s’ka.

Jozefina Topalli: Që të jemi serioz me njëri-tjetrin.

Gramoz Ruçi: S’ka zgjidhje tjetër.

Jozefina Topalli: E pra… mos ndryshoni çdo seancë sebepet. Të jemi serioz. Është rast për ta mbyll me nder edhe këtë seancë plenare duke votuar tri ligjet. Në dorën tuaj është. Doni të bllokoni dhe të pengoni? Mund ta bëni, gjithsesi shqiptarët kanë për ta zgjidhur më 23 qershor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency