Rama, i pari në Vlorë, Majko kryeson në Tiranë

0
152

Gëzim Saliu

ramaShanset dhe të rrezikuarit, të fundit në vijën e sigurisë në listat e PS-së

 

Kreu i PS-së, Edi Rama, do të kryesojë listën e forcës më të madhe opozitare në qarkun e Vlorës. Pas thuajse 11 vitesh karriere politike, kryesocialisti do të jetë për herë të parë në sallën e Kuvendit pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Po ashtu, një tjetër surprizë me listat e kandidatëve të PS-së pritet të jetë kryeqyteti, të cilin lideri i opozitës ka vendosur t’ia besojë anëtarit të kryesisë së PS-së, Pandeli Majko. Ish-kryeministri i vendit, i cili prej më shumë se 15 vitesh ka dalë si deputet nga qarku i Korçës, do të jetë kryesuesi dhe drejtuesi i fushatës së socialistëve në kryeqytet.

 

Mëdyshjet

Pas përcaktimit të kandidatëve në disa prej qarqeve të vendit, kreu socialist Edi Rama është në përmbyllje të listës edhe në qarqet ku deri më tani ka pasur mëdyshjet më të mëdha. Krahas kryesuesve të listave, të cilët janë të përcaktuar tashmë thuajse në të 12-ta qarqet, si edhe mbylljes së listave të kandidatëve për qarkun e Shkodrës, Elbasanit, Dibrës, Kukësit, Lezhës dhe Durrësit, kryesocialistit i mbetet të përcaktojë se cilët do të jenë deputetët që do të vendosen sipër vijës së sigurisë në qarqet e mbetura. Tirana, Vlora, Berati, Korça dhe Fieri janë qarqet në të cilat kreu socialist ka përcaktuar deri më tani deputetët e parë që do të vendosen në listë pas kryesuesit, por ende ka mbetur në mëdyshje për emrat që do të përmbyllin vijën e sigurisë.

 

Lëvizjet e fundit

Kur është fakt tashmë se nuk do të kandidojë në qarkun e Tiranës, kryesocialisti është në mëdyshje lidhur me listën e kryeqytetit. Saimir Tahiri, Lindita Nikolla, Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati, Besnik Bare, Vasilika Hysi, Arta Dade, Parid Cara, Sadri Abazi, Dashamir Peza, Artan Gaçi, Arta Dade, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu janë emrat të cilët e kanë të sigurt emrin në listën e kandidatëve. Ndërkohë, emrat të cilët janë ende në dyshim në listën e qarkut të Tiranës, mbetet anëtari i kryesisë Erion Braçe, i cili ka lëvizur nga kandidimi i tij i përhershëm nga qarku i Beratit, Enkelejda Shkreli dhe Arbi Mazniku. Ndërkohë, në listën për qarkun e Vlorës, e cila do të kryesohet nga lidershipi socialist Rama, janë të sigurt emrat e Valentina Leskajt, Arben Malajt, Fatmir Toçit, Luiza Xhuvanit dhe ish-kryeprokurorit Thedhori Sollaku. Ata të cilët rrezikojnë vendin në pjesën e sigurt të listës së kandidatëve janë deputeti aktual Eltar Deda si edhe dy prurjet e reja Edmond Leka dhe Etiona Hoxhaj. Gjithashtu situata duket e paqartë në kampin rozë edhe në qarkun e Korçës, ku krahas kryesuesit të listës Bashkim Fino dhe ndjekësve Olta Xhaçka dhe Ylli Ziçishti, mbeten të pasigurt emrat e Ilir Pendavinjit, Ilir Xhangollit dhe Irena Kallços. Nga këta tre emra në kuadër të një rezultati të njëjtë me atë të zgjedhjeve të 2009-ës, njëri prej tyre më shumë mundësi nuk do të jetë pjesë e kuvendit të ri pas 23 qershorit. Sa i përket qarkut të Beratit, kryesocialisti e ka thuajse të mbyllur listën e kandidatëve me emrat e Eduart Shalsit, Fidel Yllit, Ermonela Felajt dhe Eduard Bejkos. Në këtë renditje, i rrezikuari kryesor mbetet deputeti aktual i këtij qarku Marko Bello. Nga ana tjetër, lideri i selisë rozë ka ende mëdyshje lidhur me listën e kandidatëve në qarkun e Fierit, ku deri më tani janë përcaktuar nga Rama vetëm 5 emrat e parë të cilët janë: Gramoz Ruçi, Eglantina Gjermeni, Ilirian Celibashi, Armando Subashi dhe Ervin Koçi. Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, Partia Socialiste arriti të merrte 9 deputetë në qarkun e Fierit, ku ndër ta ishin edhe emrat e deputetëve aktualë Arben Çuko dhe Pirro Lutaj, të cilët mendohen se do të jenë sërish në vijën e sigurisë.

 

Qarku Tiranë

Pandeli Majko

Sajmir Tahiri

Lindita Nikolla

Fatmir Xhafaj

Ditmir Bushati

Arta Dade

Namik Dokle

Parid Cara

Besnik Bare

Vasilika Hysi

Artan Gaçi

Xhemal Qefalia

Pjerin Ndreu

Sadri Abazi

Erion Braçe?

Arbi Mazniku?

Enkelejda Shkreli?

 

Qarku Vlorë

Edi Rama

Valentina Leskaj

Arben Malaj

Fatmir Toçi

Luiza Xhuvani

Thedhori Sollaku

Eltar Deda?

Edmond Leka?

Etiona Hoxhaj?

 

Qarku Berat

Eduard Shalsi

Fidel Ylli

Ermonela Felaj

Eduard Bejko

Marko Bello?

Stavri Ceca?

 

Qarku Korçë

Bashkim Fino

Olta Xhaçka

Ilir Pendavinji

Ylli Ziçishti?

Ilir Xhangolli?

Irena Kallço?

 

Qarku Fier

Gramoz Ruçi

Eglantina Gjermeni

Ilirian Celibashi

Armando Subashi

Ervin Koçi

Arben Çuko?

Pirro Lutaj?

 

 

 

OSBE, Zannier: Situata parazgjedhore në Shqipëri, shqetësuese

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, deklaroi se situata parazgjedhore në Shqipëri është shqetësuese. Në një prononcim për agjencinë italiane të lajmeve “ANSA”, Zannier deklaroi: “Po ndjekim me shqetësim shenjat e një konflikti politik gjithnjë në rritje, në një kohë që ne presim një proces zgjedhor konkurrues në një situatë jo fort të lehtë”. Sekretari i OSBE-së shkon më tej në parashikimin e tij që e lidh me polarizimin e jetës politike në vend. “Shqetësimi ynë lidhet edhe me përplasjet që mund të minojnë stabilitetin e brendshëm të vendit”, – theksoi ai. Në fund të deklaratës Zannier tha se në Shqipëri, OSBE ka investuar aq shumë dhe nuk është e gatshme të pranojë anulimin e këtij investimi. “Urojmë që tonet e tepruara të nacionalizmit që po përdoren nuk do të kthehen në element të destabilizimit në rajon”.

 

 

 

Meta: Të miratohen tri ligjet para 25 majit

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u bëri thirrje dje krerëve të dy partive të mëdha, Berisha e Rama, si dhe deputetëve të Parlamentit që të votojnë 3 ligjet e integrimit, para shpërndarjes së Parlamentit, që pritet më 25 maj. Sipas Metës, miratimi i ligjeve do të lejonte marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti. “Të bëjmë të mundur që këto 3 ligje të miratohen tani që jemi në mbyllje të sesionit parlamentar, në mënyrë që vendi të sigurojë mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat brenda këtij viti. Nëse nuk tregohet vullnet, çështja e miratimit të këtyre 3 akteve mbetet një përgjegjësi shumë e madhe për parlamentin e ri dhe pak shanse që vendi të fitojë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti”, – tha kreu i LSI-së gjatë një konference për shtyp. Lidhur me miratimin e rregullores së Parlamentit, Meta tha se miratimi i këtij dokumenti me konsensusin e të gjitha partive parlamentare do të bëjë të mundur që Parlamentin i ri pas zgjedhjeve të 23 qershorit të fillojë punën me një rregullore të re sipas standardeve më të mira të parlamenteve të demokracive më të zhvilluara evropiane. “Njëkohësisht lidhur me miratimin e projektligjit për statusin e nëpunësit civil, vlerësojmë se zbatimi i këtij ligji në mënyrë të natyrshme do të ketë nevojë për një periudhe transitore për të rritur garancitë e zbatimit të tij dhe për të garantuar edhe shërbyesit civilë aktual se ligji i ri nuk do të shërbejë si një mjet hakmarrjeje politike. Përkundrazi ligji aktual lejon shtigjet për hakmarrje politike dhe për këtë dëshmitë janë të shumta”, – pohoi ai. Ndërkohë lidhur me ligjin për Gjykatën e Lartë, kreu i LSI-së tha se është i rëndësishëm miratimi i këtij ligji pasi sipas tij Krijimi i Kolegjit Administrativ natyrshëm të çon në rritjen e numrit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë. “Në rast se nuk do të ekzistojë ky vullnet dhe nuk do të tregohet përgjegjshmëria e duhur për këtë kompromis natyrisht që çështja e miratimit të këtyre tre akteve do të mbetet për parlamentin e ardhshëm, por sigurisht që ky parlament do të mbyllte të gjithë aktivitetin e tij, duke marrë përgjegjësi shumë të madhe dhe njëkohësisht një vonesë e mëtejshme vetëm sa do të pakësonte shanset që vendi ta fitojë statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian brenda këtij viti”, – përfundoi apelin e tij kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency