PS vendos tri kushte të reja për tri ligjet e integrimit

0
120

Florenc Drizari

kuvendiPD e PS nuk arrijnë konsensus në seancën e fundit parlamentare për tri ligjet

Palët akuzojnë njëra-tjetrën për dështimin e statusit

 

Beteja e fundit për miratimin e tri ligjeve të integrimit duket se do të zhvendoset nga salla e parlamentit në deklaratat e liderëve politik në prezantime programesh dhe në takime elektorale mes tyre, pasi seanca e parafundit dështoi për të disatën herë në gjetjen e një konsensusi politike mes palëve. Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë mund të mblidhet për të fundit herë në seancë plenare ditën e hënë, gjetja e një konsensusi mes palëve është pothuajse e pamundur për miratimin e kërkesave të Brukselit për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kjo edhe për faktin se një ditë më parë nga salla e parlamentit, kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi i kujtoi mazhorancës tri kushte të opozitës për votimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, që nënkupton votën e opozitës në parlament. Duke replikuar me Kryeparlamentaren Topalli, e cila nga ana e saj përsëriti për të disatën herë kërkesën për votimin e ligjeve me 3/5 në sallën e Kuvendit, Gramoz Ruçi i quajti qëndrime të një retorike propagandistike që nuk e zgjidhin çështjen, pasi sipas tij, tashmë është tepër vonë për miratimin e tyre. sipas Ruçit, që opozita të japë votën e saj në parlament për tri ligjet, duhet të mazhoranca të plotësojë tri kushte të cilat janë: “Ligjin e parë të parlamentit abrogoje, të gjitha nenet e rregullores që janë ndryshuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca aktuale. Jam gati ta votoj. 1. Të cilat kanë qenë të dyja raportet, progres-raportet e Brukselit duke kundërshtuar statusin e vendit kandidat. Po s’kini kohë. 2. Të zbatohen vendimet e pazbatuara të gjykatave në të gjitha nivelet në Shqipëri! Të zbatohen! 3. Statusin e nëpunësit civil, por s’kini më kohë. Pastroni administratën publike me të gjithë të korruptuarit dhe të gjithë militantët partiak. Është e thjeshtë fare”, – deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë. Në replikë me Ruçin, zonja Topalli tha se opozita u tërhoq nga çështja e “Fierit” për të cilën ajo mbajti një qëndrim kundra dhënies së votës për ligjet e rekomanduara për marrjen e statusit. “Z. Ruçi kjo është një temë që unë e kam kërkuar në çdo seancë plenare ku jo për retorikë, por për detyrë dhe përgjegjësi që kemi bërë edhe në betimin e deputetit. Në të gjitha seancat ju keni pas një kërkesë. Fierin. E zgjidhët Fierin? Apo sot ka sebepe të tjera?”, – deklaroi Topalli. Më herët çështja e këshilltarëve të qarkut të Fierit ishte pika e nxehtë e debatit mes mazhorancës dhe opozitës dhe me kalimin e LSI-së në koalicion parazgjedhor me PS-në, çështja u quajt e zgjidhur pasi shumica në këtë qark i kaloi të majtës.

 

 

Kuvendi mban 1 minutë heshtje në kujtim të Fatmir Xhindit

Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi i kërkoi dje një minutë heshtje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, në kujtim të deputetit socialist Fatmir Xhindi, të vrarë më 2 maj të 2009-ës. Deklarata e tij gjeti mbështetjen edhe të mazhorancës ku të gjithë deputetët, por edhe të pranishmit në sallën e Kuvendit, u çuan në këmbë në kujtim të deputetit të vrarë në një atentat kriminal katër vjet më parë. “Pikërisht sot, në datën 2, para katër vjetësh, kur shumë ju këtu nuk ishin në sallë, është vrarë një kolegu ynë dhe katër vjet në pushtet me gjithë premtimet se do ta zbulojnë muaj pas muaji dhe vit pas vitit nuk zbuluam asgjë. Këtu ai ka djalin e tij, i cili nuk është sot në sallë, ka shkuar t’i vendosë buqetë me lute të atit. Minimumi që mund të bëjmë sot është që ta kujtojmë me një minutë heshtje në katër vjetorin e rënies së tij nga dora kriminale”, – ishte fjala e Ruçit në Kuvend. Një qëndrim solidar për zbardhjen e kësaj çështjeje mbajti edhe Kryeparlamentarja Topalli, e cila i bëri ngushëllimet e saj familjes. “Absolutisht ai ishte një koleg yni, një koleg shumë i mirë, për të cilin shprehim dhimbjen më të madhe dhe i kërkojmë prokurorisë që të bëjë detyrën, sepse deri tani ka shkuar shumë vonë zvarritja e këtij procesi. Edhe një herë i bëjmë shumë ngushëllime familjes, ai ishte një koleg yni”,- u shpreh Topalli.

 

PD e PS, konsensus për ligjin e pronave, Mediu kundër

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me konsensus projektligjin “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, ndërkohë që kreu i PR-së, Fatmir Mediu, votoi kundër dhe deputeti i PS-së, Blendi Klosi, abstenoi. Gjithashtu, Kuvendi i Shqipërisë votoi me shumicë votash edhe projektligjin që parashikon legalizimin e ndërtimeve informale të pas vitit 2006. Deputeti i Partisë Demokratike, Osman Metalla, deklaroi se me ligjin e ri, qeveria parashikon të legalizojë më shumë se 80 mijë ndërtime pa leje, duke përfshirë këtë herë edhe atë kategori ndërtimesh që janë në distancë të afërt me akset rrugore kombëtare. Ligji ekzistues, sipas tij, nuk përfshinte në proces legalizimi ndërtimet në distancë më pak se 100 metra nga rrugët kombëtare. “Me ndryshimet e reja ligjore, distanca nga akset rrugore e ndërtimeve që legalizohen shkon në 25-30 metra”, – tha ai. “Përllogariten rreth 30 mijë ndërtime pa leje që janë penalizuar nga fakti se duhet të ruhet distanca 100 metra nga dy anët e aksit të rrugës. Ndryshimet e propozuara i referohen Kodit Rrugor. Reduktohen distancat e ndërtesave pa leje në akset rrugore në të dy anët dhe në distancat 20-30 metra”, – u shpreh deputeti Sybi Hida.

 

 

Zbardhet lista e 8 dëshmitarëve për “incidentin” e Vjenës, në datat 6 – 9 maj thirren në pyetje Rama dhe Ceka

Komisioni hetimor për “incidentin” e ndodhur në Vjenë zhvilloi dje mbledhjen e dytë në të cilën përcaktoi listën e personave që do të raportojnë para deputetëve të Kuvendit. Ashtu siç ka ndodhur edhe në mbledhjen e kaluar, por edhe në qëndrimet që Partia Socialiste ka mbajtur për këtë çështje, deputetët e saj e kanë bojkotuar sërish këtë mbledhje të komisionit. Lista e miratuar një ditë më parë përmban 8 persona që pritet të jenë prezent para komisionit për të dëshmuar mbi ngjarjen, ndërkohë në të spikasin emrat e kryesocialistit Edi Rama, diplomatit shqiptar në zyrat e OSBE-së, Egin Ceka, i ati i tij Neritan Ceka që ndodhet ambasador në Romë, organizatori i aktivitetit ku ndodhi ngjarja, Fate Velaj, ministri i Jashtëm Aldo Bumçi, ambasadori shqiptar në Vjenë Vili Minarolli, diplomati Etrit Bekteshi si dhe deputeti i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri si shoqërues i Ramës në atë aktivitet.

Kryetari i komisionit, Fatbardh Kadilli, tha se listat e dëshmitarëve mund të ndryshojë ngjatë shqyrtimit të informacioneve të marra, ndërsa vuri theksin tek prezenca para komisionit e personave që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen, si Edi Rama dhe Egin Ceka. “Mendoj që fillimisht të procedojmë me kategorinë e parë që janë përfshirë në këtë ngjarje, z. Rama dhe z. Ceka. Njëherësh dhe me personat që kanë dijeni për ngjarjen si z. Bekteshi, z. Fate Velaj si organizator i këtij aktiviteti si dhe z. Gjiknuri që ka qenë prezent në aktivitetin e kryetarit të Partisë Socialiste”, – deklaroi deputeti i Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli. Më pas sekretarja e Komisionit, deputetja demokrate Paulina Hoti tha se lidhur me këtë ngjarje i është dërguar kërkesë disa televizioneve kombëtare për dhënin e materialeve që kanë lidhje me incidentin e ndodhur. “Kemi nisur shkresat për disa televizioni kombëtare si “TVSH”, “TCH”, “TV Klan”, “Abc”, “Ora neps” duke kërkuar prej tyre të gjithë materialin filmik për të cilën kemi objekt hetimi. Në të njëjtën kohë kemi dërguar kërkesë edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme për të paraqitur në komision kopje të korrespondencës së saj me operatorët në Vjenë apo të korrespondencës që ka të bëj me vendin e ndodhur më 24 prill në Akademinë Kombëtare të Vjenës”, – deklaroi Hoti.

Nga ana e tyre deputetët e tjerë të PD-së, anëtarë të këtij komisioni, kërkuan zgjerimin e listës me persona të tjerë që kalë kanë lidhje me ngjarjen ose njohin më shumë rreth kësaj çështje. “Ky komision është shumë i interesuar për të zhvilluar një hetim objektiv. Fakti që objekti i këtij hetimi është kryetari i opozitës, na obligon më shumë për një hetim sa më objektiv dhe transparent. Të gjithë personat e tjerë që kanë dijeni në ngjarjen e ndodhur, janë të mirëpritur pavarësisht se nuk i është përmendur emri në listën që ju paraqitët (Fatbardh Kadillit)”, – u shpreh Osman Metalla. Ndërsa Gerti Bogdani kërkoi thirrjen e deputetit Gjiknuri, në cilësinë e dëshmitarit të ngjarjes. “Për ta bërë sa më transparente këtë ngjarje, kolegu Gjiknuri ka përmendur, deputet i PS-së, që ka përmendur në Kuvendin e Shqipërisë i cili ka qenë prezent në takimin e zhvilluar në Vjenë, kështu që duhet të jenë në personat që duhet të thërritet në komision”, – tha ai. Homologu tjetër i djathtë, Luciano Boçi vuri theksin te mungesa e përfaqësuesve të opozitës dhe tek transparenca që duhet të ketë komisioni në zbardhjen e ngjarjes. “Po shoh që përfaqësuesit e opozitës nuk janë përgjigjur ftesës së mazhorancës për të qenë prezent, do kërkoja që t’i bëjmë një kërkesë për listën e delegacionit që ka qenë prezent me qëllim që ato të thirren”, – u shpreh Boçi. Gjatë incidentit të ndodhur në Akademinë Diplomatike të Vjenës, nga ana e Ministrisë së Jashtme shqiptare dhe mazhorancës u tha se zoti Rama i kishte tërhequr veshin Egin Cekës dhe e kishte dhunuar, pas një debati për problemet në diplomacinë shqiptare. Ndërkaq, nga data 6 dhe 9 maj përcaktohen edhe oraret se kur do të thirren dëshmitarët, ndërkohë që për një përcaktim më të saktë, komisioni bëri me dije se do të njoftojë sërish.

8 personat e thirrur nga komisioni

Edi Rama Kryetari i PS-së
Egin Ceka Diplomat pranë OSBE-së
Etrit Bekteshi Diplomat
Fate Velaj Organizatori i aktivitetit në Vjenë
Vili Minarolli Ambasador në Vjenë
Neritan Ceka Ambasador në Romë
Damian Gjiknuri Deputet i PS-së
Aldo Bumçi Ministër i Jashtëm

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency