Partitë dhe të përndjekurit politikë

0
143

te perndjekuritNga Çelo Hoxha

 

Vitin e kaluar Partia Socialiste krijoi një grup pune për çështjen e të përndjekurve politikë. Edi Rama ka folur për ta disa herë qysh atëherë. Keti Bazhdari, drejtuesja e grupit të punës, ka zhvilluar ndonjë tryezë me “përfaqësues” të ish-të përndjekurve politikë dhe ka botuar ndonjë artikull propagandistik. Ata që mund ta besojnë PS-në në këtë pikë janë në shifra të papërfillshme, por ky është një zhvillim politik me rëndësi, sepse ish-të përndjekurit, megjithëse nuk janë të përfaqësuar në ballin e politikës, sërish ia kanë arritur t’i imponohen asaj. PPSH, duke i dënuar dhe PS, si trashëgimtare e saj, duke i injoruar, nuk ia dolën t’i largonin nga skena kundërshtarët politikë historikë të tyre.

Ky zhvillim i PS-së nuk është i sinqertë, sigurisht. Artikulimi i çështjes së të përndjekurve prej saj tregon sa shumë është ngushtuar gara elektorale mes dy partive të mëdha dhe sa e dëshpëruar është PS për të ardhur në pushtet. Ajo që konsiderohet “çështje e të përndjekurve politikë” nuk është një çështje e lidhur me një grup individësh apo klasash, por një vizion politik për shoqërinë shqiptare. T’u premtosh ish-të përndjekurve disa gjëra materiale, siç bën PS, ndërkohë që grupin parlamentar të saj e drejton ministri i Brendshëm i fundit i PPSH-së, partia që i persekutoi ata, do të thotë që PS, edhe sikur t’i realizojë ato që premton për përndjekurit, mundohet t’i kompromentojë ata me qëllim që të mos i cenojnë pushtetin. Me të njëjtën logjikë vepronte edhe Sigurimi i Shtetit, vetëm se ai u premtonte t’i linte të qetë, në shkëmbim të informacionit. Një pjesë e kanë firmosur atë marrëveshje dhe është cinike t’i fajësosh shumë, sepse presioni ka qenë shumë i madh. Mirëpo, pavarësisht nga vazhdimësia e PPSH-së në PS, ajo vazhdon të jetë e ngurtë në një realitet tjetër.

Prej 8 dhjetorit 1990, në Shqipëri ekziston edhe një parti tjetër, ajo që në pjesën më të madhe u ngrit nga vetë të përndjekurit. Ata mund të mos jenë të përfaqësuar fuqishëm në nivelet e larta të udhëheqjes së saj, por kanë ndikim dhe ajo gjithmonë ka qenë më dashamirëse ndaj tyre. Prej saj, në radhë të parë ata siguruan lirinë nga burgjet, internimet dhe paragjykimet e shoqërisë. PD-ja, sigurisht, nuk i ka bërë gjërat siç do t’i dëshironin shumica e të përndjekurve politikë, një vizion për të cilin mua më vjen keq që nuk është zbatuar kurrë, por kjo duhet vlerësuar në kontekstin e ri të shoqërisë. Në radhët e të përndjekurve ka një shumicë që mendojnë (megjithëse e mbështesin pa rezerva) se PD-ja është komuniste, se ka bërë pakt me djallin, se e ka kontrolluar Sigurimi etj., por këto akuza kanë mbetur dhe do vazhdojnë në nivel konspiracioni. Diskutimet konspirative janë të mira për biseda tavoline, por jo për debate publike. Argumenti publik duhet ta ketë publik dhe faktin në të cilin mbështet. PD-ja s’ka nevojë, dhe s’ka pasur kurrë, të krijojë grupe pune për të përndjekurit politikë. Ata janë pjesë e saj dhe ajo ka treguar vëmendje për ta. Shkalla e vëmendjes varet nga niveli i ndikimit që ata kanë brenda asaj partie.

Këtu del në pah roli i shoqatave të të përndjekurve, të cilat, si grupe më kompakte dhe me ndikim më të madh te të përndjekurit, mund të ushtrojnë presion brenda PD-së, gjithmonë në mënyrë konstruktive, që të shtohet përfaqësimi politik i tyre brenda saj. Kjo realizohet, kryesisht, në prag fushatash elektorale, me synim që ata të garantojnë në listat e deputetëve të PD-së propozime direkte të tyre. Deputetë me origjinë të përndjekur ka edhe sot në PD, njerëz shumë të mirë e të aftë, që u dhemb realisht shpirti për fatin e të përndjekurve, por kanë mbërritur aty nga rrethana të tjera. Duke mos qenë propozime të të përndjekurve ata nuk mund t’i kritikosh për pasivitetin e tyre. Përfaqësuesit e të përndjekurve, mendoj unë, duhet të jenë njerëz që e shikojnë atë që dhe unë në këtë shkrim e kam quajtur “çështje të të përndjekurve”, jo si problem të një grupi njerëzish, por si çështje kombëtare. Përgatitja e një ligji për largimin e ish-ministrave të diktaturës nga politika nuk është një çështje e të përndjekurve, por që duhet bërë dhe ata (ose përfaqësuesit e tyre në Kuvend) kanë të drejtën morale ta bëjnë. Ligji i lustracionit, për shembull, është një çështje e ndërlikuar, se nuk gjen shumë miratim edhe brenda PD-së, por është një betejë që duhet të bëhet, që duhet argumentuar, por jo jashtë (ose jo vetëm jashtë) Kuvendit. Beteja për pronën, një çështje e lidhur me të përndjekurit (sepse shumë pronarë janë edhe të përndjekur), nuk mund të bëhet jashtë (ose jo vetëm jashtë) Kuvendit. Dhe këto mund të kërkohen vetëm brenda PD-së. Ata që dalin jashtë saj kanë interesa shumë të ngushta, janë të kompromentuar ose dritëshkurtër. Njeriu duhet të ketë ëndrra të mëdha dhe të realizojë prej tyre sa mundet. Kush ëndërron gjëra të vogla, edhe sikur t’i realizojë tërësisht, ngelet sërish i vogël. Në synim të ëndrrave të mëdha, edhe nëse nuk u realizohen, do të ngelen gjurmët e betejës. Vetë të përndjekurit janë gjurma e betejës së Shqipërisë për lirinë. Kjo nuk është pak. Nëse arrijmë ta imagjinojmë një Shqipëri edhe diktaturë, edhe pa të përndjekur politikë, atëherë jemi në gjendje ta imagjinojmë që Shqipëria do të kishte qenë një diktaturë e përjetshme. Kështu arrijmë të kuptojmë, gjithashtu, që të përndjekurit politikë nuk janë një grupim gjynahqarësh në mëshirë të politikës, por janë përfaqësuesit dhe trashëgimtarët e asaj pjese të shoqërisë që ka pasur dhe ka aspirata të shëndetshme për kombin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency