Standard.al

Mashtroi biznesmenin e skelave arrestohet laçiani Rasim Mali

Elton Qyno

skelaMali i mori skela me vlerë 49 milionë lekë dhe më pas i shiti në biznese të ndryshme

Petrit Syla, biznesmeni i “Tërbunit”, lidhi kontratë me autorin e krimit

 

Një person që ka mashtruar presidentin e klubit të futbollit të Tërbunit, shtetasin Petrit Syla, është arrestuar nga ana e policisë në qytetin e Laçit, për shkak se gjykata e ka dënuar me 10 vite burg. Syla është administratori i kompanisë “Skela Syla” sh.p.k dhe se së bashku me shtetasin Arben Frroku financojnë klubin e futbollit të Tërbunit në Pukë. Biznesmeni i njohur në fushën e ndërtimit është mashtruar nga një person i quajtur Rasim Mali, me banim në qytetin e Laçit, i cili është arrestuar nga ana e policisë së kryeqytetit për akuzën e mashtrimit. Arrestimi i tij është bërë gjatë ditës së djeshme në Laç, ndërsa nga hetimet e kryera është mësuar se Rasim Mali i ka marrë me qira një sasi të konsiderueshme skelash ndërtimi në kompaninë e biznesmenit Petrit Syla dhe më pas këto materiale ai i ka shitur në qytete të ndryshme, duke bërë që paratë e fituara t’i merrte të gjitha për vete. Sasia e sendeve të marra me qira dhe e shitur në bazë të aktit të ekspertimit të kryer mbi bazën e dokumenteve të paraqitur nga shoqëria “Skela Syla” sh.p.k, janë të vlerës prej 4.926.600 parash, ndërkohë që shitja e tyre nga ana e të pandehurit, është në një shumë më të vogël parash.

Mashtrimi i biznesmenit

I arrestuari Rasim Mali është me banim në Laç dhe gjatë viteve 2010 dhe 2011, ai është paraqitur tek shoqëria tregtare “Skela Syla” sh.p.k, ku ka kërkuar atje që të marrë me qira skela dhe pajisje të tjera, të cilat jo vetëm që nuk i ka kthyer, por ai i ka shitur në vazhdimësi tek persona të ndryshëm kundrejt shumave të parave të ndryshme, në qytete të ndryshme në Shqipëri. Ai, për të mos rënë në sy tek kjo shoqëri, ka shtyrë edhe dy persona të tjerë, shtetasit Gazmir Sallaku dhe Ermal Demiri, të njohur të tij që të shkonin dhe të merrnin sende me qira, ku pasi i kanë marrë ia kanë dhënë atij, duke mos u provuar dijenia e tyre për aktivitetin që i pandehuri kryente me to, ku edhe ato i pandehuri i ka shitur. Sasia e sendeve te marra me qira edhe e shitur në bazë të aktit të ekspertimit të kryer mbi bazën e dokumenteve të paraqitura nga shoqëria “Skela Syla” sh.p.k, janë të vlerës prej 4.926.600 parash, ndërkohë që shitja e tyre nga ana e të pandehurit, është në një shumë më të vogël parash. Kështu nga dëshmitë e dhëna nga shtetasit Petrit Syla dhe Eduart Nikolli, përkatësisht ortak dhe administrator i shoqërisë “Skela Syla” sh.p.k, ka rezultuar se i pandehuri Rasim Mali është paraqitur tek ata ku iu ka kërkuar marrjen me qira të skelave në kohë të ndryshme, ku ka paguar konkretisht qiranë dhe ato janë dhënë për tu përdorur në një kohë të caktuar. Ai ka shkuar në vazhdimësi me pretendimin se skelat i ka në punë dhe i duheshin për ndërtim.

Shitja në zonën e Burrelit

Gjatë hetimit janë identifikuar, janë pyetur dhe thirrur në gjykim në cilësinë e dëshmitarëve shtetasit Haxhi Dani e Flamur Reçi me banim në fshatin Gjorëm, Kurbin, Eduart Piroli, fshati Katund i Ri, Xhorxh Hysku, me banim në Laç, Mithat Gjoka, me banim në Manëz, Durrës, Sadik Milkurti, me banim në Burrel, Zenel Karaj, me banim në Manzë, Fran Nikolli, me banim në Laç, Gëzim Xhixha me banim në Mamurras, Fatmir Tali, me banim në Fushë-Krujë, Dritan Vathi me banim në Fushë-Krujë, nga dëshmia e të cilëve rezulton se ata kanë blerë nga i pandehuri Rasim Mali në shuma të ndryshme parash skela dhe sende të tjera, nga rezulton se i pandehuri iu ka thënë atyre versione të ndryshme në lidhje me origjinën e tyre dhe arsyen e shitjes së tyre, se i përkisnin vëllait të tij që ndodhej në Greqi, se ai ka falimentuar dhe arsye të tjera.

 

Ngjarja në Tiranë

Tri aksidente me pasojë plagosje në Tiranë

Dy aksidente kanë ndodhur në Unazën e Re në Tiranë, në segmentin që lidh Doganën me Pallatin me Shigjeta, ndërsa një tjetër në Vorë, në autostradën Tiranë-Durrës. Në aksidentin e parë të përplasje së dy motorëve dy persona janë dërguar në gjendje të rëndë në spital, ndërsa në përplasje e një triçikli me autobusin, ka pasur një të plagosur rëndë në spital. Në aksidentin e Vorës, kur një kamion “Saurel” goditi nga pas një kamion tjetër, pësoi plagë të rënda dhe ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën drejtuesi i Saurelit. Lidhur me këtë tre aksidente në vendin e ngjarjes kanë mbërritur me shpejtësi strukturat e policisë rrugore të cilat kanë bërë hetimet e nevojshme dhe shoqërimin e drejtuesve të mjeteve në ambientet e komisariatit.

 

Ngjarja për 1 Maj

Tentoi të përdhunonte minorenen, arrestohet

Një 29-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Korçës pasi ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me një 16-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur rrugës për në fshatin e Moravës, ku Dhimitraq Gulimaçi ka tentuar të kryejë marrëdhënie me S. S 16-vjeçe. “Në datën 1 maj 2013, ora 21:30, u arrestua në flagrancë shtetasi Dhimitraq Gulimaçi, 29-vjet, banues në lagjen nr. 1 Korçë, sepse rreth orës 09:00, të po kësaj date, në lagjen 3, në rrugën që të çon në malin e Moravës, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën S. S., 16-vjeçare. Vepra penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç, e mbetur në tentativë”, – bën të ditur policia. Ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje i riu ska pranuar autorësinë e krimit.

 

Djegia e autobotit

Dyshime për zjarrvënie të qëllimshme

Një autobot i ngarkuar me lëndë djegëse ka marrë flakë pranë një pikë karburanti në fshatin Belinë. Shkak i zjarrit mendohet të ketë qenë një shkëndije elektrikë në pjesën e pasme të automjetit. Zjarrfikëset e kompanisë private e cila ka depozitat pranë vendit të ngjarjes kanë ndërhyrë duke shuar flakët. Forcat e policisë së Fierit po hetojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Autoboti i përfshirë nga flakët ka rrezikuar përhapjen e zjarrit në depozitat e pikës së karburantit dhe të një kompanie private. Dyshimet e para flasim për një ngjarje aksidentale, ndërkohë që nuk përjashtohet dhe mundësia e një akti të qëllimshëm. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të cilat të ndihmuara dhe nga ato të biznesit privat, kanë mundur të shuajnë zjarrin e rënë në autobot.

 

 

Pas gjetjes së trupit, tenton vetëvrasjen edhe burri

Vret veten 22-vjeçarja rome në Korçë

 “Alban, më fal për këtë veprim që po kryej”

 

“Alban, më fal për këtë veprim që po kryej!” Këto kanë qenë fjalët që 22-vjeçarja Qamile Siriani i ka shkruar bashkëshortit të saj pak minuta para se t’i jepte fund jetës, duke u vetëvrarë me një armë zjarri. Ngjarja u regjistrua rreth orës 10:15 minuta në fshatin Ravonik të rrethit të Korçës, ku 22-vjeçarja, nënë e një djali, i ka dhënë fund jetës në banesën e saj, një ndërtesë e vjetër, pranë repartit ushtarak. Vjehrra e Qamiles tregon se vajza ishte nga Berati dhe kishte vetëm një muaj që ishte martuar me djalin e saj, ndërkohë që fëmijën e kishte nga martesa e parë. “Nuk e di as vetë përse e kreu këtë veprim. Ishin vetëm një muaj të martuar dhe duheshin shumë. Nuk e di se çfarë të them. Unë dhe djali ishim në pazar kur na lajmëruan se Qamilja kishte vrarë veten. Nuk e di se ku e gjeti armën. Ne ishim të ndarë, pasi ajo kishte dëshirë të jetonte me bashkëshortin më vete”, – shprehet Ruzhdie Siriani, vjehrra e 22-vjeçares, Qamile Siriani. Ndërkohë, është ngritur grupi hetimor, që po merret me sqarimin e plotë të ngjarjes dhe rrethanave se përse 22-vjeçarja, nga komuniteti rom, i ka dhënë fund jetës. Në pyetje janë marrë disa persona të cilët kanë treguar se mes çiftit nuk ka pasur konflikte, por e reja vuante presionin e të vjehrrës së saj, e cila nuk e pranonte për shkak se ajo kishte fëmijën me një person tjetër. Nisur nga kjo situatë, policia e Korçës ka marrë në pyetje dhe shtetasen Ruzhdie Siriani, e cila ka mohuar një gjë të tillë. Pritet që në ditët në vijim të merret në pyetje edhe bashkëshorti i viktimës, i cili për shkak të gjendjes së tij tepër të rënduar është shtruar në spitalin rajonal të Korçës.

 

Comments are closed.