Standard.al

Ekskluzive Kreditë e vështira, si mund të ristrukturohen, hapat që duhet të ndjekin klientët

Ervin Kaduku

kreditDel vendimi i Bankës së Shqipërisë për administrimin e rrezikut të kredisë. Rastet kur mund të rinegociohet me klientin një kredi e dhënë dhe kushtet e saj

 

Si do të veprohet, në rastet kur një kredimarrës ndodhet në vështirësi financiare – të përkohshme ose jo – dhe e ka të vështirë, në mos të pamundur të paguajë këstet e kredisë së marrë? Për një familjar kjo është një pyetje jashtëzakonisht e rëndësishme, por, po aq e rëndësishme për vijueshmërinë e aktivitetit të tij privat është edhe për një biznes, që ka marrë miliona euro nga bankat dhe tani ndodhet në vështirësi, pasi ka rënë kërkesa, p.sh. e klientëve të huaj të tij, të kapur nga kriza globale e rajonale. Për të gjithë ata, që mendojnë se një situatë e tillë nuk ka asnjë lloj zgjidhjeje, duket një fije shprese. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur më datë 27 mars të këtij viti të ndryshojë një nen tek rregullorja e saj e mëparshme “Për administrimin e rrezikut të kredisë”, të miratuar me vendim të Këshillit Mbikëqyrës nr. 62, datë 14.9.2011, e ndryshuar, duke caktuar kushte dhe norma të reja kur dhe si mund të rinegociohet kredia midis bankës dhe kredimarrësit. Njohja me këtë ndryshim mund të krijojë lehtësira edhe për ata, që ndodhen aktualisht në fazë “acarimi” me bankën kredidhënëse, duke qenë se kjo e fundit këmbëngul për rikthimin e parave të marra, plus interesat e kredisë, përndryshe do të vejë dorë mbi kolateralin e lënë peng.

 

Kur ristrukturohet kredia

 

Bankat, në marrëveshje me kredimarrësin, mund të ristrukturojnë kredinë, sipas kritereve të përcaktuara në manualin e kredisë, të miratuar nga organet e saj drejtuese. Ristrukturimi i kredisë mund të kryhet dhe kur, mbështetur në analizat e tyre, bankat gjykojnë se në të ardhmen gjendja financiare e kredimarrësit do të përmirësohet ndjeshëm, ose të ardhurat nga veprimtaria e tij do të rriten në mënyrë të konsiderueshme dhe se kredimarrësi do ta paguajë (shlyejë) të gjithë kredinë sipas kushteve të reja.

 

Deri në ç’masë mund të negociohet

 

Kredia e ristrukturuar nuk mund të klasifikohet më lart se një kategori nga kategoria, në të cilën është klasifikuar përpara ristrukturimit. Kjo, deri në plotësimin njëkohësisht të kushteve të mëposhtme:

Kredimarrësi ka shlyer në mënyrë të rregullt këstet (kryegjë dhe interes) për një periudhë prej gjashtë muajsh nga data e ristrukturimit

Kredimarrësi ka shlyer në mënyrë të rregullt të paktën tri këste (kryegjë dhe interes)

Kredia, e cila para ristrukturimit klasifikohet në kategoritë “të humbura”, “të dyshimta” ose “nën standarde”, nuk mund të klasifikohet, në asnjë rast, më lart se kategoria “nën standarde” deri në plotësimin e kushteve të sipërpërmendura

Kredia, e cila para ristrukturimit klasifikohet në kategoritë “standarde” ose “në ndjekje”, nëse ristrukturohet për herë të parë, ruan të njëjtën klasë dhe për të krijohen fonde rezervë për mbulimin e humbjeve të mundshme nga kreditë, me një normë jo më të vogël se 10 për qind për kryegjënë dhe interesin, deri në plotësimin e kushteve të sipërpërmendura

Kredia, e cila para ristrukturimit klasifikohet në kategoritë “standarde” ose “në ndjekje”, nëse ristrukturohet për herë të parë, ruan të njëjtën klasë dhe për të krijohen fonde rezervë për mbulimin e humbjeve të mundshme nga kreditë, me një normë jo më të vogël se 10 për qind për kryegjënë dhe interesin, deri në plotësimin e kushteve të sipërpërmendura

Kredia “e pastruar”

Kredia e ristrukturuar, me plotësimin e kushteve të përcaktuara sa më lart, klasifikohet duke zbatuar kriteret e përcaktuara në këtë rregullore.

Afati

Këto ndryshime hyjnë në fuqi duke filluar nga data 15 maj 2013 e në vijim.

 

 

 

Comments are closed.