Standard.al

Biznesi kërkon ndërhyrje ligjore në ndihmë të subjekteve

Ervin Kaduku

nderhyrjePropozimi: Të pezullohen taksat pagesa nga biznesi, kur shuma e detyrimit që sistemi i buxhetit të shtetit i ka një kompanie, është më e madhe se shuma e detyrimeve tatimore që kompania ka për të shlyer

 

 

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe përfaqësuesit e shoqatave të sipërmarrjes private kanë paraqitur dje publikisht disa kërkesa për ndryshime ligjore në ndihmë të bizneseve, duke vlerësuar me objektivitet krizën ekonomike si dhe pasoja e saj në ekonominë shqiptare, duke vlerësuar si fenomen negativ daljen e mjeteve monetare jashtë sistemi bankar shqiptar, si dhe jashtë kufijve të Shqipërisë në shuma të konsiderueshme etj.

 

Shtyrja e pagesave

Dhoma e Tregtisë kërkon ndërhyrjen me akte ligjore që mundëson kompensimin ose pezullimin e afateve të pagesave për detyrimet tatimore si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatim Fitimi në favor të të gjitha kompanive private, kur shuma e detyrimit që sistemi i buxhetit të shteti i ka këtyre kompanive, është më e madhe se shuma e detyrimeve tatimore që kompanitë kanë për të shlyer.

Nga ana tjetër, kërkon që të aplikohet fuqia vepruese e ligjit për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor për vitet 2011 e 2012.

 

Konfidencialiteti i të dhënave

Ligji duhet të garantojë që punonjësit e administratës të mos nxjerrin të dhëna konfidenciale, duke parashikuar që, në rast vërtetimi të shkeljes së konfidencialitetit, punonjësi i administratës publike që ka kryer shkeljen të gjobitet me një rrogë mujore që i mbahet menjëherë në pagën e muajit pasardhës, si dhe me paralajmërim për pushim nga puna. Në rast vërtetimi të përsëritjes së shkeljes së konfidencialitetit ose shkeljes së konfidencialitetit për një kompani apo person tjetër nga i njëjti punonjës, punonjësi i administratës publike që ka kryer shkeljen të largohet nga puna.

 

Detyrimi tatimor

Dhoma e Tregtisë propozon që tatimpaguesit të cilët për periudhat tatimore deri më 31.12.2010 kanë deklaruar shumën e detyrimit tatimor më të vogël se detyrimin real, kanë të drejtë të vetëdeklarojnë detyrimet tatimore pranë zyrës së tatimeve, deklarime këto që duhet të verifikohen dhe legjitimohen nga zyra e tatimeve nëpërmjet kontrollit. Tarifa që aplikohet në këto raste do të jetë 30% e detyrimit duke falur pjesën tjetër të detyrimit, gjobat dhe kamatëvonesat.

Ndërsa, për tatimpaguesit biznese të cilët për periudhat tatimore deri më 31.12.2010 kanë deklaruar shumën e detyrimit tatimor më të vogël se detyrimin real, ata duhet të kenë të drejtë që brenda periudhës së këtij ligji të paguajnë sipas qarkullimit të tyre tregtar tarifën e përcaktuar si më poshtë:

a)         Për sipërmarrësit që sipas qarkullimit tregtar arrijnë deri në 200 milion lekë xhiro vjetore të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 1 milion lekësh.

b)         Për sipërmarrësit që sipas qarkullimit të tyre tregtar arrijnë nga 200 deri në 500 milion lekë xhiro vjetore të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 2 milion lekësh.

c)         Për sipërmarrësit që sipas qarkullimit të tyre tregtar arrijnë nga 500 milion deri në 1 miliard lekë xhiro vjetore të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 3 milionë lekësh.

d)         Për sipërmarrësit që sipas qarkullimit të tyre tregtar arrijnë nga 1 deri në 10 miliard lekë xhiro vjetore të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 5 milion lekësh.

e)         Për sipërmarrësit që sipas qarkullimit të tyre tregtar arrijnë mbi 10 miliard lekë xhiro vjetore të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 10 milion lekësh.

 

 

 

Comments are closed.