Shenja pozitive nga ekonomia reale, rritet kreditimi në mars

0
142

Ervin Kaduku

 

rritjeEnde pa u marrë masat ligjore, të parashikuara nga qeveria dhe banka qendrore për lehtësimin e kreditimit të bankave të nivelit të dytë që operojnë në Republikën e Shqipërisë, rritja e kërkesës në ekonominë reale, kryesisht si pasojë e kërkesës nga jashtë, po çon gradualisht në rritjen e sasisë së kredisë së dhënë. Pas dy muajve të parë të 2013-s në staniacion, kredia për ekonominë ka filluar të gjallërohet në mars, teksa bankat duket se e kanë çliruar huadhënien, duke i paraprirë masave të BSH-së për të nxitur kreditimin. Shtesa e huasë në mars ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së financimit të bizneseve, si në lekë, ashtu dhe në valutë.

Bankat kanë treguar se kreditimi mund të vazhdojë të rritet, në pritje që të ndihet edhe efekti i masave nxitëse të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.

Masat rregullatore lehtësuese, që u miratuan zyrtarisht në 27 mars, por që u prezantuan që në fillim të muajit nga guvernatori Fullani, mund të kenë qenë një sinjal që ka shtuar besimin te bankat tregtare për të qenë më aktive në kredidhënie. Për më tepër, rritja e kreditimit ka qenë e shpërndarë në të dy segmentet kryesore të sektorit privat, tek bizneset dhe individët.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huas në fund të muajit mars arriti në 556.6 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej gati 5 miliardë lekësh apo 0.9% në krahasim me një muaj më parë. Në dy muajt e parë të vitit stoku i huas kishte mbetur i pandryshuar, madje në janar ai kishte rënë me -0.6% në raport me dhjetorin 2012.

Në krahasim me fundin e 2012-ës, stoku i huas në fund të marsit u rrit me vetëm 1.8 miliardë lekë, apo 0.33%, për shkak të performancës së dobët të janarit. Një vit më parë këto ndryshime ishin përkatësisht 8.2 miliardë lekë dhe 1.5%, duke nënkuptuar se shtesa e huas për ekonominë ka qenë katër herë më e ulët këtë fillim vit në raport me 2012-ën.

Ndryshimi vjetor i stokut të huas (mars 2013/mars 2012) ishte vetëm 1.2%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 10%.

Pavarësisht fillimit të dobët të 2013-s, masat e fundit që ka marrë Banka e Shqipërisë për ndryshimin e rregulloreve të likuiditetit dhe ndryshimet në kodin civil që do të përmirësojnë procedurat e ekzekutimit të kolateralit pritet që të ndikojnë në përshpejtimin e ritmeve të huadhënies nga bankat.

 

Depozitat

Tendencë e kundërt është konstatuar, nga ana tjetër, për depozitimet bankare. Pas një përmirësimi në shkurt, depozitat në sistemin bankar kanë shënuar sërish një rënie me bazë mujore në mars, duke vijuar tendencën negative që po konstatohet që prej më shumë se shtatë muajsh.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave arriti në 932.5 miliardë lekë në fund të muajit mars, duke rënë me rreth 710 milionë lekë, apo rreth 0.07% në krahasim me një muaj më parë. Tkurrja ka ardhur si rrjedhojë e tërheqjes së kursimeve si në lekë, ashtu dhe në valutë, ku ndikimin më të madh e ka dhënë tkurrja e depozitave nga korporatat jo financiare dhe financiare. Ndërsa individët kanë shtuar pak kursimet në lekë, teksa ato në valutë kanë rënë.

Në fund të muajit mars, depozitat janë rritur me 1.8 miliardë lekë, apo 0.19% në krahasim me fundin e vitit 2012. Një vit më parë ndryshimet përkatëse ishin 9.4 miliardë lekë dhe 1.1%.

Ndryshimi vjetor (mars 2013/mars 2012) ishte 5.4%. Një vit më parë, ky ndryshim rezultoi 10.8%.

Që prej muajit shtator të vitit të kaluar, ritmi i rritjes së depozitave është ngadalësuar ndjeshëm, duke reflektuar vështirësitë nga kriza që po kalojnë konsumatorët, që nuk po arrijnë të kursejnë dhe bizneset, që po zbrazin llogaritë në banka, si rrjedhojë e problemeve të likuiditetit.

Burimi : Banka e Shqipërisë

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency