Liga e Kampioneve Bajerni i merr nderin dhe skeptrin e kampiones Barçës

0
126

Barcelona v FC Bayern Muenchen - UEFA Champions League Semi Final: Second Leg

Bajern Mynih ka vërtetuar përsëri se është superior ndaj Barcelonës, duke turpëruar edhe një herë katalanasit, këtë radhë në tempullin e tyre, “Nou Camp”, falë fitores 3-0 që ka mbyllur çdo diskutim të mundshëm se kush është skuadra më e mirë. Ekipi i Jup Hejnkes triumfon në total me rezultatin 7-0, duke shkuar në finalen përballë Borusias si favorite kryesore. Dihej që Barça kishte një detyrë të vështirë, por dukej qartë se askush prej katalanasve nuk besonte në një përmbysje të mundshme, aq sa edhe trajneri Vilanova vendos të mos rrezikojë Lionel Mesin, duke lënë në stol argjentinasin(do të futej në pjesën e dytë vetëm nëse spanjollët do të kishin mundësi të kthenin këtë takim). Katalanasit shfaqen pa fantazi dhe shumë të parashikueshëm, aq sa në pjesën e parë, lojtari më i mirë i tyre është Zherard Pike, i cili shpëton portën e tij në dy raste të pastra të Myler e Roben. Në pjesën e dytë, me Mesin që vazhdon të qëndrojë në pankinë, pritet një reagim i katalanasve, por Bajerni përfiton nga çekuilibrimi i vendasve për të shënuar golin që i jep fund dyshimeve që në minutën e 49-të. Roben merr një pasim të gjatë dhe pas një kontrolli perfekt, kryen lëvizjen e tij të zakonshme, me depërtim nga e djathta në qendër, duke gjuajtur me të majtën i pashqetësuar për të dërguar topin në rrjetë. 1-0 për Bajernin dhe “Camp Nou” është në heshtje, pasi tifozeria vendase ka kuptuar se ëndrra mbaroi dhe 6 gola ndaj këtij Bajerni janë të pamundur ti bëhen. Edhe Vilanova dorëzohet, duke hequr nga fusha Çavin, për të mos e rrezikuar më shumë pas dëmtimit të kohëve të fundit. Ndonëse në fushë hidhet Sançez, një sulmues tjetër, është Bajerni që vazhdon të sulmojë dhe të krijojë rrezikshmëri, duke gjetur golin e dytë në minutën 72, me Pike që dërgon në portën e vet topin që po mundohej të largonte pas një harkimi të Riberi. Kapitullimi total i Barcelonës firmoset në minutën e 76-të, kur përsëri Riberi lëshon një top perfekt për Myler, i cili me kokë dërgon sferën në rrjetë dhe feston bashkë me shokët e tij këtë fitore bindëse. Skuadrat thjesht shtyjnë minutat e mbetura në fushë, ndërsa me vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit Skomina, katalanasit largohen kokulur, duke kuptuar se vitet e tyre kur cilësoheshin si skuadra më e fortë në botë kanë mbaruar dhe për më tepër, ai që i bëri ata më të fortët, vitin tjetër do të ulet pikërisht në stolin e këtij Bajerni, që për momentin duket i pandalshëm.

Megjithatë, në një finale gjermane gjithçka mund të ndodhë, sidomos duke parë bilancin e viteve të fundit të bavarezëve me Borusia Dortmund, e cila i ka krijuar gjithmonë vështirësi. Gjithçka do të zbulohet në finalen e 25 majit, kur futbolli gjerman do të përjetojë një nga netët më të shndritshme të viteve të fundit në nivel klubesh. Ky takim u ndoq me interes edhe nga kryeministri, Sali Berashi. Ky i fundit, teksa po kthehej nga Korça, ka komentuar në faqen e tij zyrtare në Facebook :”Ndeshja e parë në jetën time që e ndjek duke udhëtuar. Une vendosa të kaloj nga entuziazmi korçar i fitores së zgjedhjeve të ardheshme në entuziazmin e njërës prej ndeshjeve më të forta të viteve të fundit, në të cilën unë do të jem si gjithnjë me fituesin”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency