Hyri në fuqi heqja e TVSH-së për bizneset

0
142

Ervin Kaduku

tvshKjo masë vjen në po të njëjtën ditë kur është hequr tatimfitimi prej 10 përqindësh për pagat deri në 30 mijë lekë të reja në muaj

 

 

Duke filluar nga 1 maji, bizneset që janë subjekt i përjashtimit nga TVSH për importin e makinerive e pajisjeve për qëllime investime, do t’i importojnë ato 20% më lirë. Kjo masë vjen në po të njëjtën ditë kur është hequr tatimfitimi prej 10 përqindësh për pagat deri në 30 mijë lekë të reja në muaj. Të dy këto masa bëjnë pjesë në një paketë fiskale të fuqishme, që synon krijimin e mundësive subjekteve privatë në drejtim të rritjes së likuiditetit, ndërkohë që rrit edhe buxhetet familjare të punonjësve që paguhen më pak në Republikën e Shqipërisë.

Sipas kompanisë konsulente UHY Etlite, me anë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 180, datë 13.2.2013 përjashtohen nga TVSH importimi i makinerive dhe pajisjeve në rastet e projekteve të investimit me karakteristikat e mëposhtme:

-Investimi të jetë për projekte me vlerë në ose mbi 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë;

-Investimi te jetë në sektorin e përpunimit aktiv dhe nuk ka rëndësi vlera e projektit.

-Investimi të jetë në sektorin e agrobiznesit, dhe nuk ka rëndësi vlera e investimit;

-Investimi kryhet nga tatim paguesit subjekt të taksës së biznesit të vogël, të cilët importojnë makineri prodhuese në funksion të realizimit të kontratave të investimit të tyre.



Kushtet e grupit A (50 milionë lekë)
Tatimpaguesit e përcaktuar në pikën 1,a), pra grupi i investitorëve që duhet të importojnë pajisje dhe makineri me vlerë 50 milionë dhe mbi këtë shumë, pa TVSH duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave një set me dokumente. Duke filluar me kërkesë me shkrim, së cilës, kur kryhen veprime për herë të parë pranë autoriteteve doganore, i bashkëngjitet një fotokopje e certifikatës së NUIS/NIPT-it. Pastaj me radhë, kopje të marrëveshjes me qeverinë shqiptare në të cilën është miratuar kontrata e investimit ku të jetë e specifikuar vlera e investimit në ose mbi 50 milionë lekë (nëse ka një marrëveshje të tillë), ose kopje të lejes/licencës/autorizimit (vetëm për kërkesën e parë).
Kushti që i ka vendosur të gjithë bizneset në dilemë është pika c, neni 3.1, sipas së cilës biznesi duhet të dorëzojë në dogana kopje të planit të investimit, përfshirë preventivin, ku të jetë e përcaktuar se vlera e investimit është në ose mbi 50 milionë lekë dhe kohëzgjatja e investimit. Pa dashur ta paragjykojmë, por pakkush nga bizneset do të ishte i gatshëm të publikonte sekretet e punës së tij, në një treg me konkurrencë të ashpër. Kjo vërtetohet edhe nga komentet që shoqatat i kanë bërë projektit.
Tjetër kusht lidhet me dorëzimin e kopjes së planit të investimit, përfshirë preventivin, për vitin kur kryhen importet; llojin dhe sasinë e makinerive dhe pajisjeve që do të importohen dhe periudha e instalimit, dhe në fund, vërtetimin nga Drejtoria Rajonale Tatimore se nuk ka detyrime tatimore të papaguara. Për konstatimin nëse ka apo jo borxh doganor, verifikimet kryhen brenda strukturave doganore.
Të gjitha këto kushte përmbajnë kosto për biznesin dhe kohë. Nuk mund të thuhet me ekzaktësi si del biznesi, i fituar nga plotësimi i dokumentacionit apo i humbur, duke pasur parasysh qëllimin final: mospagesën e TVSH.

 

Kushtet e grupit B (fasonët)
Duhet thënë se debati më i madh në fund të vitit 2012, kur nisi diskutimi mbi variantet e reja të ligjit lidhej me grupin e bizneseve përfituese, pasi qeveria nuk u kishte dhënë mundësi kategorisë së prodhuesve të veshjeve dhe fasonëve. Kjo kategori ishte përfshirë në grupin A, pra me kushtin e importit të pajisjes me vlerë 50 milionë lekë. Pas debateve dhe presioneve nga opozita, qeveria e hoqi kushtin e vlerës së importit, duke e lehtësuar këtë sektor.
Po cilat janë kriteret?
Një biznes i sektorit të fasonit duhet të paraqesë, si gjithë të tjerët te dogana një kërkesë me shkrim, së cilës, kur kryhen veprime për herë të parë pranë autoriteteve doganore, i bashkëngjitet një fotokopje e certifikatës së NUIS/NIPT-it. Pastaj të paraqesë një vërtetim nga Drejtoria Rajonale Tatimore ku është i regjistruar që nuk ka detyrime tatimore të papaguara, kopje të Ekstraktit të QKR ku të jetë specifikuar se aktiviteti ekonomik është në fushën e përpunimit aktiv. Verifikimi nëse ka ose jo Autorizimin të lëshuar nga autoriteti doganor si tatimpagues në regjimin e përpunimit aktiv, kryhet brenda strukturave doganore, si dhe kopje të planit të investimit, përfshirë preventivin, për gjithë kohëzgjatjen e investimit.
Gjithashtu, duhet të dorëzojë në dogana kopje të planit të investimit, përfshirë preventivin, për vitin kur kryhen importet, llojin dhe sasinë e makinerive dhe pajisjeve që do të importohen dhe periudha e instalimit, si dhe në përfundim, të përshkruajë në mënyrë skematike dhe narrative skemën teknologjike për çdo element të saj.

 

Grupi C-D (fermerë dhe biznes i vogël)
Të njëjtat kushte janë pak a shumë për këtë kategori biznesesh, pra për fermerët dhe subjektet e vogla. Për sektorin e bujqësisë, rëndësia e heqjes së TVSH-së ka peshë të madhe, aq sa debati mes mazhorancës dhe opozitës mbahet me tone të larta.
Për bujqësinë, pra për agrobiznesin, kushtet janë të njëjta si me fasonin, kurse për fermerin janë vendosur vetëm tri pika kushtesh që janë kërkesa me shkrim te dogana, vërtetimin nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë se është fermer si dhe llojin dhe sasinë e makinerive dhe pajisjeve që do të importohen dhe periudhën e importimit.
Biznesi i vogël, pas kërkesës, duhet të dorëzojë në doganë vërtetim nga Bashkia ose Komuna se është subjekt i taksës së biznesit të vogël, ushtron aktivitet prodhues dhe nuk ka detyrime tatimore të papaguara, por edhe vërtetim nga Drejtoria Rajonale Tatimore, kopje të Ekstraktit të QKR dhe llojin dhe sasinë e makinerive prodhuese që do të importohen dhe periudhën e instalimit. Duke vendosur biznesin e vogël, fermerin dhe fasonin pa kushtin e importimit të pajisjes me vlerë 50 milionë lekë, Ministria e Financave i druhet faktit se mund të ketë manipulime me bilancet.
Me plotësimin e dokumentacionit (kushtet), brenda 15 ditësh kalendarike, Dogana pajis tatimpaguesin me Autorizimin e Përjashtimit nga TVSH-ja në të cilin përcaktohet edhe dega doganore mbikëqyrëse. Një kopje e Autorizimit dërgohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Për çdo import të makinerive dhe pajisjeve, personat e tatueshëm duhet të paraqesin kërkesat e parashtruara në VKM për t’u pajisur me Autorizim përjashtimi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency