Xhorxh Bush bashkon presidentët

0
116

bushFrank Shkreli

Bota Sot

 

“Ne besojmë në shoqëri të lira që vlerësojnë bindjet morale. Ne besojmë në tregje të lira private, të njerizuara nga një qeveri e mëshirshme. Ne besojmë në një ekonomi që shpërblen punën e rëndë, në komunitete që mbrojnë të brishtët, si dhe në detyrën dhe përgjegjësinë e kombeve për të respektuar dinjitetin dhe të drejtat e të gjithëve”. Thënie e skalitur në murin e Qendrës së Presidentit Xhorxh W. Bush në Universitetin Metodist të Jugut në qytetin Dallas të shtetit Teksas.
Të ënjtën më 25 prill u inaugurua “Qendra e Presidentit Xhorxh W. Bush”, hapësirë e cila përfshinë Bibliotekën e Presidentit Bush si edhe Institutin Bush, themeluar nga Presidenti dhe Zonja Bush, sipas njoftimit të Qendrës me qëllim për të “vazhduar punën e tyre për përhapjen dhe forcimin e lirisë në këtë vend dhe anë e mbanë botës”.
Në inaugurimin e kësaj qendre, e cila është biblioteka e 14 presidenciale dhe e dyta më e madhja pas bibliotekës të Presidentit Regan – morën pjesë Presidenti në detyrë Barak Obama dhe ish-presidentët Xhorxh Bush plaku, Bill Klinton, Xhimi Karter, si dhe një numër personalitetesh ndërkombëtare, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Rasmusen dhe ish-kryeministrin britanik Toni Bler dhe 15.000 personalitete të ftuar.

Qëllimi i bibliotekave presidenciale është në përgjithësi që brezi i tanishëm dhe brezat e ardhshëm të mësojnë mbi presidentët, historinë amerikane dhe botërore gjatë periudhës që ata kanë shërbyer si presidentë të Amerikës. Qëllimi i Qendrës dhe Bibliotekës së Presidentit Bush, sipas portalit të saj, është që të “shërbejë si burim për studimin e jetës dhe të karrierës së Xhorxh W. Bush, ndërkohë që promovon gjithashtu njohjen më të mirë të zyrës së presidentit, të historisë amerikane dhe të çështjeve të rëndësishme të politikave publike”, gjatë mandatit të tij si president.
Në këtë bibliotekë, sipas drejtorit të saj Mark Langdale, do të ruhen të gjitha arkivat e dy mandateve të administratës Xhorxh W. Bush, informacione digjitale dhe më shumë se 200-milion komunikime elektronike (email), që përbën koleksionin më të madh elektronik të bibliotekave presidenciale, ekspozita që pasqyrojnë vendimet kyçe të administratës Bush si dhe ekspozita digjitale dhe vizuale për t’ia bërë më të lehtë vizitorëve të ndjekin masat dhe vendimet e marra nga presidenti Bush si dhe arsyet dhe parimet që e drejtuan atë në marrjen e vendimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Natyrisht në këtë dokumentacion përfshihen edhe tekste të ndryshme historike, gjithsejtë nja 70 milionë faqe nga zyrtarë të ndryshëm të Shtëpisë së bardhë gjatë presidencës Bush. Si e tillë, kjo qendër u ofron materiale dhe dokumentacion historik të dorës së parë, historianëve, akademikëve, studentëve dhe publikut, të cilët do të përpiqen që vet të rivlerësojnë politikën dhe vendimet, shpesh kontraversale, që ka marrë presidenti Xhorxh Bush dhe të cilat mbeten objekt interpretimesh të ndryshme.
Megjithëse shpenzimet për ndërtimin dhe inaugurimin e kësaj Qendre janë mbledhur nga fonde private, gjithsejtë 500-milionë dollarë, tani e tutje Biblioteka do të administrohet nga Arkivat Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, që kujdesen edhe për bibliotekat e tjera presidenciale, me fjalë tjera nga taksapaguesit amerikanë.
Inaugurimi i kësaj Qendre dhe biblioteke është i rëndësishëm për historinë e Shteteve të Bashkuara dhe për politikat kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë tetë vjetëve të administratës së Xhorxh W. Bush. Njëkohësisht ishte në rast i rrallë që pesë presidentë të Amerikës, anëtarë të një klubi ekskluziv, ishin së bashku dhe të cilët gjatë 25 vjetëve të kaluara kanë përcaktuar politikën e brendshme dhe të jashtme të Amerikës. Gjatë pothuaj tre dekadave të kaluara, ata kanë argumentuar dhe debatuar ashpër me njëri tjetrin. Me gjithë ndryshimet politike midis tyre, gjithmonë duke nënvizuar qëndrimet dhe parimet qeverisëse për të mirën e Amerikës dhe të botës – gjithmonë duke venë dashurinë për Amerikën mbi të gjitha interesat, personale, politike ose partiake. Takimi i pesë presidentëve amerikanë në Dallas në inaugurimin e Qendrës Xhorxh W. Bush, ishte një pasqyrim i demokracisë së vërtetë se me gjithë ndryshimet e mëdha në pikëpamjet politike midis tyre, presidentët amerikanë, mbi të gjitha, tregojnë admirimin dhe respektin për zyrën e presidentit dhe dashurinë për atdheun e tyre, Amerikën. Ky takim, sipas Presidentit Obama – i cili shpesh ka kritikuar politikat e paraardhësit të tij – ishte gjithashtu një moment që ai e cilësoi si një “ditë e veçantë për demokracinë” dhe një rast që ish-presidenti Bill Klinton e karakterizoi si një ditë, “celebrimi për atdheun tonë, të cilin të gjithë ne e duam”. Në fjalimin e tij, Presidenti Obama lavdëroi, ish-presidentin Xhorxh Bush për udhëheqjen e tij pas sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork, për përpjekjet e tij për të luftuar sëmundjen e SID-ës në Afrikë si edhe për politikat e tija të arsimit dhe të imigracionit.
Presidenti Xhorxh Bush në fjalimin e tij përshëndetës tha me sy të përlotur dhe plotë emocion se, “Ia dedikoj këtë bibliotekë me një besim të palëkundshëm në të ardhmen e vendit tonë”, duke shtuar se “ishte një nder të udhëhiqja një vend aq trim dhe aq fisnik siç janë Shtetet e Bashkuara…dhe se pa marrë parasysh sfidat me të cilat përballet vendi, Amerikën e pret një e ardhme më e mirë”. Duke nënvizuar sukseset e administratës së tij, z. Bush tha: “Ne kemi zgjeruar liritë brenda këtij vendi duke rritur standardet në shkolla dhe duke ulur taksat për të gjithë. Ne kemi çliruar kombe nga diktatura dhe kemi shëruar njerëz nga sëmundja e SIDA-s”. Dhe duke folur për sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001, ai tha se, “kur atdheu ynë u sulmua ne morën vendime të vështira për të mbrojtur popullin amerikan”, dhe shtoi se parimi kryesor i administratës së tij ishte zgjerimi i caqeve të lirisë”, përfundoi presidenti Xhorxh Bush.

Ndonëse ky inaugurim u cilësua nga një gazetë amerikane si “një dasmë pa alkool”, ceremonia kryesisht u përqendrua mbi aspektet pozitive të administratës së Xhorxh W. Bush prej dy mandatesh dhe jo mbi çështjet kontraversale siç ishte lufta në Irak.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency