U mbajt 11 orë peng në Lazarat, Shele rrëfen dhunën dhe torturat në gjyq

0
155

Sonja Caka

 

lazartDëshmia: Më akuzonin për vjedhjen e një sasie hashashi në fshat, më pas më kërkuan të thosha se e kishte vjedhur një shoku im

Replika me avokatët: Jam unë i dëmtuari zotërinj avokatë, unë kam derdhur gjak, jo ju

Denoncimi: Policët e Gjirokastrës më detyruan të shtoja edhe emrin e Bako Buzhërit, ky nuk ka qenë i përfshirë

Familjarët e të pandehurve më detyruan të nënshkruaja një deklaratë para noterit për t’i falur ata. Kam ikur nga Shqipëria që të jem i qetë

 

U qëndron deklarimeve të dhëna ditën e denoncimit, pavarësisht nga përpjekjet e familjarëve para se të fillonte gjyqi, duke e detyruar të nënshkruante një deklaratë noteriale ku thotë se i fal, madje duke replikuar edhe ashpër me avokatët e të pandehurve. “Jam unë i dëmtuari zotërinj avokatë. Ju rrini qetësisht aty në tavolinë dhe mbroni ata, ndërsa unë kam derdhur gjak. Kam derdhur gjak zotërinj avokatë”, – u është drejtuar Ergest Shele avokatëve të pranishëm dhe ndërhyrjeve të shpeshta të tyre. Dëshmitari i djeshëm ishte një ndër personat e marrë peng dhe të torturuar për 11 orë nga grupi i të pandehurve nga Lazarati, duke i bërë presion të vazhdueshëm të pranojë se u ka vjedhur hashashin në bashkëpunim me disa të tjerë dhe më pas, u kërkuan vetëm të deklaronte se e kishte vjedhur shoku i tij Serian Çelaj. Pranoi ta thoshte atë fjalë, të pranonte se shoku i tij dhe dy të tjerët e kishin vjedhur drogën, por ishte i bindur se vetë nuk kishte lidhje me këtë vjedhje, madje duke i rezistuar dhunës mizore për disa orë. Më pas, dëshmitari deklaroi për gjykatën se ka pasur presion nga familjarët që të tërhiqte denoncimin dhe për këtë është shoqëruar te një noter ku ka firmosur një letër të bardhë, ndërsa i kërkuan të deklaronte se i kishte falur. “E firmosa që të më linin të qetë. Për shkak të kësaj ngjarjeje jam larguar edhe nga Shqipëria dhe jetoj në Athinë të Greqisë”, – sqaroi disa elementë të rëndësishëm pengu Shele.

Denoncimi

Para gjykatës, dëshmitari Ergest Shele denoncoi edhe një skandal, detyrimin nga ana e disa oficerëve të policisë së Gjirokastrës që e morën në pyetje të shtonte edhe një tjetër person në këtë listë pengmarrësish, konkretisht të pandehurin Bako Buzhëri. “Policët që më treguan fotot dhe më morën në pyetje më kërkuan që në listën e personave të përfshirë në këtë ngjarje të ishte edhe Bako Buzhëri. Isha në gjendje jo të mirë shëndetësore kur më kanë marrë në pyetje dhe kam thënë po ishte për këtë person, por në fakt ai nuk ka qenë fare i përfshirë në gjithë këtë histori. Emrin e tij e përfshinë policët”, – denoncoi para togave të zeza dëshmitari-peng, ndërsa shtoi se gjithë të tjerët kanë qenë të pranishëm, e kanë rrahur, qëlluar me thika dhe goditur me çekiç për gati 11 orë ditën që është marrë peng.

Ngjarja

Sipas prokurorisë, personat e rrëmbyer në Gjirokastër dhe të mbajtur peng në një shtëpi të boshatisur në Lazarat, janë Ergest Shele, Velo Shele alias Kosta Agora dhe Resul Goxhaj. Ata kanë denoncuar fillimisht në Policinë e Gjirokastrës, se më 4 mars 2012 janë rrëmbyer dhe janë keqtrajtuar fizikisht nga grupi i Lazaratit, pasi shtatë të kërkuarit dyshonin se të rrëmbyerit kishin vjedhur lëndën narkotike. Referuar dëshmisë të të riut, Alfons Buzheri e ka lidhur Ergest Shelen nga këmbët e duart me tel dhe ka filluar ta godasë me shkelma e grushte, duke i thënë: “Nxirrni mallin, kush e ka marrë”. Në dhomë kanë hyrë edhe Bako Buzheri, Kasëm Buzheri, Bledar Muho, Arbër Meçi dhe një person tjetër i paidentifikuar. Ata e kanë goditur Ergest Shelen me shkelma e grushte, duke i thënë: “Ku e keni mallin”. Më pas, Alfons Buzheri ka vazhduar dhunën mbi Ergest Shelen për ta detyruar që të pranonte se “mallin e kishte vjedhur bashkë me Resul Goxhajn dhe Alban Rustemin”. Sipas hetimeve, Resul Goxhaj i njihte anëtarët e grupit prej shtatë lazaratasish, pasi kishte lidhje shoqërore me ta. Nga dhuna, Ergest Shele është detyruar të pranojë që hashashin e kishte vjedhur bashkë me Resul Goxhajn dhe Alban Rustemin.

Dëshmia

Prokurori i çështjes, Ervin Kondili, e ka pyetur dëshmitarin të rrëfente me detaje çfarë i kishte ndodhur, nëse i njihte të pandehurit dhe çfarë problemesh ka pasur me ta. Para trupës gjyqësore, një ndër pengjet ka rrëfyer me detaje gjithçka, herë pas here duke kujtuar edhe emra apo persona të tjerë të cilët i kishte hasur në këtë ngjarje. “Disa muaj më parë, nuk mbaj mend kur ishte koha, më ka telefonuar Aleksandër Kalemi dhe më ka kërkuar të takoja në Përmet babanë e tij, pasi e kishin grabitur dhe ta ndihmoja. Unë e takova dhe u nisa për në komisariat, ndërsa më parë u konsultova me një të njohurin tim për mënyrën sesi do veproja. Kur isha duke iu afruar komisariatit, më telefonon sërish Aleksandri dhe më thotë se e ka bërë denoncimin në Gjirokastër ndaj dhe të mos e vazhdoja më. Më pas më tha të shkoja në Gjirokastër dhe të flisnim për të gjetur personat që i kishin grabitur të atin. Ditën tjetër shkova bashkë me vëllanë në Gjirokastër. Takova Aleksandrin dhe bashkë shkuam nga Kalaja për të pirë në kafe. Pasi pimë kafen, së bashku u nisëm drejt shkollës “Naim Frashëri” dhe aty ndaloi për pak minuta. Më pas, aty mbërritën me një automjet me targa amerikane një grup djemsh, të cilët i njihja që kur punoja në një lavash aty në Gjirokastër. Mbaj mend që kanë ardhur me makinën 6-vendëshe të Arbër Meçit, ka qenë edhe Kaso Buzhëri dhe të tjerët nuk i mbaj mend. I njihja si fytyra por jo me emra. Kaso Buzhëri qëlloi në drejtimin tim me pistoletë dhe më pas ma vuri në gojë dhe në brinjë armën. Dy të tjerë mbanin thika në dorë. Njëri prej tyre e kishte emrin Meti. Na futën në makinë mua dhe vëllanë, edhe Aleksandrin me ne. Filluan të më qëllonin me thika në gjunjë dhe më kërkonin një sasi droge që u kishte humbur. U thashë që nuk kisha dijeni dhe më qëlluan disa herë mua dhe vëllanë me thikë në këmbë. Më pas u nisën drejt Lazaratit dhe aty në fshat e ndërruan makinën dhe na hipën në një “Audi Q7”, të cilën e kishte Alfons Buzhëri. Na çuan në një shtëpi të vjetër ku ishin vetëm ata dhe ne. Aleksandri iku, nuk di ku. Më pas, mua dhe vëllanë na qëllonin herë pas here me shkelma, grushte e me çekiç. Kërkonin një sasi droge që ishte vjedhur te kjo shtëpi. U thashë që nuk kisha dijeni. Në dhomë ishte edhe një tavolinë dhe ata pinin hashash dhe më qëllonin duke më pyetur se ku e kisha çuar hashashin. Pasi më qëlluan disa orë, ata më kërkuan që të pranoja që e dija se drogën e kishin vjedhur Serjan Çela dhe dy të tjerë, një Alban dhe një Resul. Prej dhunës pranova se e dija që e kishin vjedhur ata. Dy orë para se të më lironin, ata liruan vëllanë pasi kishin marrë vesh që ai rrinte në Greqi dhe kishte pak që ishte kthyer dhe nuk kishte shoqëri me Serjanin. Kur po e lironin i thanë të mos denonconte në polici. Kur isha vetëm, pa vëllanë sollën edhe një djalë tjetër me emrin Resul, të cilin e godisnin pa pushim me shkelma, grushte dhe çekiç dhe më pas edhe me korent, duke e futur korentin dhe ujë. Pastaj mua më larguan nga dhoma dhe më thanë t’i thosha Resulit që të thoshte se drogën e kishte vjedhur Serjani. Shkova dhe i thashë prano që e kanë vjedhur ata, thuaj si të thonë se edhe mua këtë më bënë. U detyrua të thoshte se e kishte vjedhur Serjani. Më pas e liruan, kur mua në dhomën tjetër më sollën një doktor, i cili më qepi çarjet e thikave në këmbë dhe trup. Nuk e pashë doktorin se më kishin mbuluar kokën me një bluzë. Më bënë edhe serum, më liruan edhe mua nga ora 11 e natës. Më hipën në një makinë dhe u nisa për në Gjirokastër. Më pas i hipa autobusit dhe te Uji i Ftohtë më ndaloi policia dhe më shoqëruan në komisariat. Aty pashë Resulin, i cili kishte bërë denoncimin. Më pas më çuan në spital se isha shumë keq dhe aty më kanë marrë në pyetje. Më treguan disa foto dhe unë identifikova ata që më mbajtën peng. Ai që na qëllonte më shumë ishte Alfons Buzhëri”, – mbylli dëshminë i dëmtuari Ergest Shele.

Të pandehurit

Kasëm Buzheri, Bledar Muho, Alfons Buzhëri, Aleksandër Kalemi, Arbër Meçi, Bako Buzhëri, Vullnet Buci

Akuza

“Rrëmbimi i personit”, i shoqëruar me tortura fizike dhe psikike kundër disa personave, parashikuar nga neni 109/3-25 i Kodit Penal

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency