Standard.al

Tregjet botërore, ari, jo më aq “flori” sa më parë

tregjetRënia e çmimeve të arit javët e fundit ka ngritur një hije të zezë mbi ekonominë globale. Disa investitorë kryesorë thonë se zhvlerësimi i arit dhe rëniet e mëdha të çmimeve të naftës dhe metaleve reflektojnë dështimin e Rezervës Federale dhe bankave të tjera qendrore për të nxitur një kërkesë të fuqishme, ndërkohë që kanë injektuar shuma masive parash në sistemin financiar botëror.

Rënia, e cila e çoi arin në humbjen më të madhe të tij njëditore si këmbim ndaj dollarit, nervozoi investitorët, të cilët panë sesi miliarda dollarë fitime u zhdukën në pak ditë, dhe kjo mund të çojë në një rënie tjetër të çmimeve e aseteve.

Disa e shohin këtë lëvizje të arit si një sinjal për goditje të gjerë në ekonomi dhe tregje, i krahasueshëm me rrëzimin e fondit afatgjatë ‘Long-Term Capital Management’ në 1998 dhe madje edhe krizën financiare një dekadë më vonë. Të dyja ngjarjet u paraprinë nga rënie të mprehta të arit.
Dobësia e arit dhe mallrave është “duke ndezur shqetësime rreth rritjes globale”, tha Mohamed El-Erian, shef investimesh në PIMCO, i cili mbikëqyr 2 trilionë dollarë asete. “Mallrat kanë dërguar sinjal për rritjen prej kohësh dhe tani po e dërgojnë edhe më fort”.
Dhe pas rënies së arit, investitorët blenë bono thesari amerikane. Ky lloj borxhi është parë si një mënyrë për t’u mbrojtur kundër çdo rritje në normën e inflacionit që mund të materializohet në një ekonomi më të gjallë.
Rritja e çmimeve të arit në periudhën e pas krizës rezultoi pjesërisht si pasojë e spekulimeve shkaktuar nga shumat e mëdha të parave të krijuara nga politika agresive monetare. Ishte menduar se një kreditim masiv do të mbështeste një “riinflacion” të ekonomisë botërore – por zhvlerësimet e fundit të naftës, arit dhe bakrit sugjerojnë se kjo nuk do të ndodhë.

Nxitimi i kohëve të fundit në sigurinë e bonove të thesarit amerikan – gjë që ka ulur yield-et në nivelet më të ulëta të katër muajve të fundit – është një shenjë tjetër që ekonomia globale është larg nga rimëkëmbja. Thesaret janë parë shpesh si një strehë kur ekonomia është e dobët ose e paqëndrueshme.
Fondi PIMCO, që mban 289 miliardë dollarë asete dhe mbikëqyret nga Bill Gross, e rriti ekspozimin e tij ndaj bonove të thesarit dhe letrave me vlerë të Thesarit në 33% në muajin mars nga 28% muajin e kaluar. Gross tha në “Tëitter” se “ari është tashmë një treg ku duhet të shesim. Blini bono”.
Disa janë duke folur edhe rreth mundësisë se Shtetet e Bashkuara mund të shkojnë përsëri në recesion, edhe pse ky këndvështrim i përket pakicës.

“Nuk është zhurmë. Ka pasoja të rëndësishme”, – tha Komal Sri-Kumar, presidenti i Sri-Kumar Global Strategies dhe një menaxher i portofolit të fondit “TCW Comprehensive Asset Allocation Strategy”.
Fondi Monetar Ndërkombëtar së fundmi e uli parashikimin e tij për rritjen ekonomike globale në 2013 në 3.3% nga projeksioni i tij i mëparshëm prej 3.5%. Kjo ka pak ndryshim nga 3.2% në vitin 2012. Shqetësimet rreth rritjes së ngadalshme janë gjithashtu duke u ngjallur brenda Rezervës Federale. Disa zyrtarë të Fed shprehën shqetësime për mungesën e inflacionit, duke përfshirë edhe më centristët si James, presidentin e FED në Saint Louis, i cili tha se “nëse inflacioni vazhdon të ulet, do të jem i gatshëm për të rritur ritmin e stimulit”.

“Edhe yjet janë rreshtuar” për një rënie të rëndësishme në rritjen e SHBA-së në gjysmën e dytë të vitit, ndoshta edhe një recesion të dyfishtë deri në vitin 2014, tha Sri-Kumar.

E gjithë kjo ngre pyetje në lidhje me efektivitetin e stimulit me para të pompuar në ekonominë botërore nga Fed, Banka e Japonisë, dhe bankat e tjera të mëdha qendrore.
Me qeveritë në vështirësi për të holla, bankat qendrore kanë marrë një barrë të madhe në kthimin e ekonomisë botërore përsëri në një rrugë rritjeje pas shkatërrimit të shkaktuar nga kriza financiare. Nëse ndikimi i këtyre masave, të tilla si blerja e sasive të mëdha të borxheve hipotekore dhe të qeverisë nga FED, nis të tregojnë një rezultat të zbehtë, mund të jetë një shqetësim i madh për investitorët në çdo aset me risk.

 

Ari humb shkëlqimin

Banka e Amerikës – “Merrill Lynch” – kohët e fundit paralajmëroi se ari – i cili u tregtua në $ 1.392 pak ditë më parë – mund të bjerë në $ 1200 para se të stabilizohet, duke përmendur frikën e dizinflacionit të kombinuar me lajmet e shitjes së mundshme të arit nga banka qendrore.
Shitja e arit, së bashku me të dhënat e dobëta ekonomike, rrëzuan pritshmëritë e investitorëve mbi inflacionin afatgjatë në nivelet më të ulëta që nga fundi i verës së fundit.
Diferenca e Yield-eve të letrave me vlerë 10-vjeçare të Thesarit të mbrojtura nga inflacioni dhe letrat me vlerë të thjeshtë 10-vjeçare të Thesarit – që përdoret për të vlerësuar pritshmërinë e investitorëve mbi inflacionin – ra në 2.27 pikë përqindjeje pak ditë më parë, në nivelin më të ulët që nga fillimi i shtatorit, para shpalljes nga ana e FED për raundin e tretë të blerjes së obligacioneve në shkallë të gjerë, të njohura si QE3.

 

 

Dubai, qendra botërore e tregut të floririt

 

Me të drejtë, Dubai njihet si qyteti i arit. Vitin e kaluar Dubai ka tregtuar 1 mijë e 200 ton ar me vlerë të përgjithshme prej 56 miliardë dollarësh. Sipas autoriteteve doganore të Dubait ari është eksporti më fitimprurës pas naftës. Pavarësisht nga fakti se ari nuk nxirret atje, Dubai tani është qendra me rritjen më të shpejtë të tregtisë së arit në botë.
Për më shumë se një shekull tregtarët i kanë mbushur tregjet e hapura në Dubai në kërkim të erëzave, perlave dhe arit.
Dubai, i ndodhur në udhëkryqin mes Afrikës dhe Azisë, ka qenë prej kohësh një qendër e madhe tregtare. Tregtarë nga e gjithë bota mblidhen për të shkëmbyer ar për erëza, hurma dhe perla.
Politikat e tregtisë së lirë kanë inkurajuar sipërmarrësit nga India dhe Irani të hapin dyqane në Dubai dhe shumë shpejtë vendi u shndërrua në një qendër të madhe tregtare.
Sot Dubai është një nyjë e rëndësishme për konsumatorët e mëdhenj nga Kina, India dhe Afrika e pasur me ar.
“Më 2003 vlera e tregtisë së arit ishte rreth gjashtë miliardë dollarë, në vitin 2011 arriti në 56 miliardë dollarë në vit. Nuk ka dyshim se pozita gjeografike e Dubait është faktorë i rëndësishëm por edhe rëndësia që ky vend ka për qendrat tjera tregtare, për prodhuesit tjerë të bizhuterive si Hong Kongu, Malajzia, Kuvajti dhe India, luan një rol të rëndësishëm”.
India është konsumatori më i madh në botë i arit, e pasuar nga Kina. Gjatë dekadës së kaluar kërkesa për ar në Indi është rritur me rreth 13 për qind në vit.
Dubai nuk ka taksë mbi arin dhe kjo e ka bërë atë një nga vendet me çmimet më të ulëta të arit në botë dhe është e lehtë të udhëtosh në këtë vend sepse ka lidhje të mira transporti.
Si rezultat, sipas autoritetit të doganave në Dubai, ari tani është mes mallrave që kanë nivelin më të lartë të eksportit dhe importit në vend.
Dubai ka shfrytëzuar pozitën e tij gjeografike duke ndërtuar fabrika për përpunimin e arit dhe prodhimin e bizhuterive.
Pjesa më e madhe e arit që vjen në Dubai janë copëza të papërpunuara metali që importohen kryesisht nga India. Pastaj, këto copëza ari shkrihen dhe përpunohen në kallëpe me standard të lartë të pastërtisë prej 24 karatësh.
Fabrikat e arit në Emiratet e Bashkuara Arabe përpunojnë deri në 200 ton ar në vit.
Bursa e mallrave të Dubait, e themeluar nga qeveria në vitin 1992 ka krijuar një zonë të lirë tregtare, e cila promovon Dubain si një qendër tregtare globale e arit.
“Dubai është një nyje e rëndësishme lidhëse e cila mund të quhet rruga e re e mëndafshit mes vendeve prodhuese të Afrikës dhe vendeve të tjera konsumuese”, – thotë Malcolm Wall Morris, drejtori i bursës së mallrave.
Ari nuk shitet vetëm si një mall fizik. Tregu i shkëmbimit të arit dhe mallrave në Dubai mundëson shkëmbimin e tij nga gjithë bota. Tregu i aksioneve të arit është i hapur nga ora 6 deri në orën 23 dhe është një nga tregjet e pakta në botë që mund të kap çdo zonë kohore nga Australia deri në Bregun Perëndimor të Shteteve të Bashkuara.
Ari i Dubait është pa taksë dhe 600 dyqanet e shitjes së arit në vend ofrojnë zgjedhje të larmishme të produkteve të arit. Në tregun e hapur të arit janë ndërtuar 300 dyqane në një hapësirë prej kilometër e gjysmë katror.
Duke marrë parasysh se njerëz të kombësive të ndryshme jetojnë në Dubai, dyqanet ofrojnë bizhuteri ari me dizenjo dhe çmime të larmishme.
Shumë turistë, biznesmenë të huaj dhe gra vizitojnë këtë treg.
“Dubai ka koleksione të mira dhe ka varietete nga e gjithë bota. Koleksionet e arit janë me cilësi të mirë dhe kjo është ajo që mua më pëlqen këtu”, – thotë K Ajoy, nga qyteti Siatëll i Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë konsumatorja nga Lagosi i Nigerisë thotë: “Këtu mund të gjejë atë që dua, bizhuteri unike dhe me mbishkrime. Mund t’u them atyre atë që dua dhe ata e bëjnë gati për mua”. India dhe Kina pritet të rrisin importet e tyre të arit gjatë viteve të ardhshme, kështu që mundësitë për shitësit e arit në Dubai janë premtuese.

 

Comments are closed.