Rusia, bursa universitare dhe pasuniversitare për të rinjtë shqiptarë

0
177

bursaRusia, si çdo vit, ofron për të rinjtë shqiptarë mundësinë e përfitimit të bursave. “Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Federatës Ruse u akordon kandidatëve shqiptarë, për vitin akademik 2013-2014, 15 bursa shtetërore për studime në institucionet arsimore shtetërore të arsimit të lartë të Rusisë për llogari të buxhetit federal, për vitin akademik 2013-2014 ofron 10 bursa për studime universitare në programet e studimit bachelor, specialist dhe magjistraturë si dhe 5 bursa për studime pasuniversitare në programet e aspiranturës (internaturë, ordinaturë) dhe të doktoraturës”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit. Kandidatëve fitues u paguhet bursë shtetërore mujore. Akomodimi në konviktin e institucionit arsimor ofrohet me të njëjtat kushte si për shtetasit e Federatës Ruse. Bursa që përfiton një student në Rusi është tepër simbolike, ndaj për të përballuar një jetesë modeste studentit do t’i nevojiten të paktën 400 euro në muaj. Të gjithë studentët që nuk flasin gjuhën ruse duhet t’i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës, i cili fillon në 1 shtator 2013. Mosha e rekomanduar për kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet universitare ose për programet e studimit të nivelit master është deri në 25 vjeç, për kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet në aspiranturë deri në 35 vjeç, ndërsa për doktoraturë ose stazh deri 45 vjeç.

 

Të interesuarit për këto bursa studimi duhet të dorëzojnë brenda datës 03.05.2013 në Ministrinë e Arsimit dokumentet e mëposhtme:

Për studime universitare:

  1. Formularin të plotësuar nga kandidati me një fotografi me ngjyra, që ndodhet bashkëlidhur këtij njoftimi; në formular të jepen të paktën 2 zgjedhje për studime; të plotësohet edhe kodi i degës përkatëse sipas informacionit që gjendet në faqen http://www.russia.edu.ru/enter/2013/;
  2. Kërkesën për studime, duke specifikuar dy degë të preferuara, në të cilën kandidati dëshiron të studiojë. Në kërkesë të jepet një adresë kontakti email dhe numër telefoni;
  3. Vërtetimin e notave për tri vitet e para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Ky vërtetim duhet të jetë i firmosur nga drejtoria ose zyra arsimore e rrethit përkatës;
  4. Fotokopjen e pasaportës (pasaporta duhet të jetë e vlefshme për një periudhë kohore deri në një vit e gjysmë pas hyrjes në Rusi);
  5. Raportin mjekësor për aftësi studimi;
  6. Raportin mjekësor për virusin SIDA;
  7. 7 fotografi 4 cm x 6 cm.

Për studime pasuniversitare:

  1. Formularin e plotësuar të kandidatit me një fotografi me ngjyra;
  2. Kërkesën për studime, duke specifikuar degën në të cilën kandidati dëshiron të studiojë. Në kërkesë të jepet një adresë kontakti email-i dhe numër telefoni;
  3. Fotokopjen e noterizuar të diplomës së shkollës së lartë;
  4. Listën e notave;
  5. Dy rekomandime nga profesorë të universitetit;
  6. Listën e artikujve shkencorë të botuar (nëse ka të tilla) ose një përshkrim të shkurtër të temës së studimit të ardhshëm;
  7. Fotokopjen e pasaportës (pasaporta duhet të jetë e vlefshme për një periudhë kohore deri në një vit e gjysmë pas hyrjes në Rusi);
  8. Raportin mjekësor për aftësi studimi;
  9. Raportin mjekësor për virusin SIDA;

10. 7 fotografi 4 cm x 6 cm.

 

 

 

Aftësi e kufizuar, Ksera: Mundësi punësimi për çdo person

 

Në aktivitetin e zhvilluar nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara me temë “Fuqizimi ekonomik për personat me aftësi të kufizuara”, ministri i Punës, Spiro Ksera, vuri edhe një herë thekësin te punësimi i personave me aftësi të kufizuara. “Është e drejta juaj që të keni mundësinë të punësoheni në vende pune të përshtatura dhe të aksesueshme”, – iu drejtua ministri përfaqësuesve të personave me aftësi të kufizuar pjesëmarrës në aktivitet, “por të gjithë duhet të kuptojmë që për të arritur deri te punësimi i plotë e i përshtatshëm duhen bërë përpjekje nga secili prej aktorëve, institucionet shtetërore, shoqërisë civile, organizatave të biznesit si dhe të gjithë shoqërisë, pasi shpesh herë punësimi juaj ndeshet me barrierat e mentalitetit të kësaj shoqërie. Gëzimi i shërbimeve mbështetëse është gjithashtu një e drejtë shoqërore për të kompensuar çdo pengesë të mundshme që ne ‘njerëzit me aftësi të pakufizuara në dukje’ kemi krijuar, duke mos u treguar aq të vëmendshëm sa duhet. Aksesi në hapësirat publike është një e drejtë që ne duhet ta kemi gjithmonë parasysh, sa herë që ndërtojmë një godinë të re apo sa herë që mendojmë të ‘modernizojmë’ një të vjetër”, – theksoi Ksera gjatë fjalës së tij. Ministri i Punës falënderoi Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadorin Alexander Arvizu, pjesëmarrës në aktivitet, për mbështetjen e ofruar dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me USAID-in dhe donatorë të tjerë për realizmin e projekteve dhe programeve që janë të fokusuara tek rritja e aksesit dhe integrimi i kategorive në nevojë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency