Reformat Trashëgimia, procedurat e reja që duhet të ndjekin individët

0

Ervin Kaduku

Loading...

testamentiQë nga shtatori, dëshmia e trashëgimisë nuk do të merret më në gjykatë, por tek noteri. Afati i lënë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve që iu bënë Kodit të Procedurës Civile do të shërbejë për përfundimin e të gjitha çështjeve të kësaj natyre në gjykatë, por edhe për trajnimin e noterëve për të dhënë këtë shërbim

 

 

Ecejakeve në gjykata për dëshminë e trashëgimisë po iu vjen fundi. E bashkë me to, edhe kostove të larta që duhet të paguheshin. Duke filluar nga muaji shtator, do të jetë noteri ai i cili do të nisë dhe përfundojë të gjitha procedurat që kanë të bëjnë me testamentet. Nëse këtë gjë e keni parë shpesh të ndodhë nëpër filma, atëherë mësoni se edhe në Shqipëri do të jetë e mundur. Ndryshimet e fundit, të miratuara në Kodin e Procedurës Civile, lejojnë tashmë që ky shërbim të merret me një “ndalesë”. Sipas statistikave, vetëm në një vit depozitoheshin dhe shqyrtoheshin rreth 15.000 kërkesa për çelje të trashëgimisë ligjore. Një shifër e konsiderueshme, që vjen edhe si pasojë e ndryshimit të kulturës për trajtimin e çështjeve të trashëgimisë. Kryetarja e Dhomës së Noterëve, Mimoza Sadushi, thotë se kalimi i dëshmisë te noteri (ashtu siç ndodh rëndom në vendet e tjera), do t’i vijë në ndihmë qytetarit, me shkurtim kohe dhe kostosh.

Deri më tani, dëshmia e trashëgimisë jepej me vendim gjyqësor dhe procedurat zgjasnin me muaj të tërë, madje kishte raste kur bëhej edhe kërkesëpadi e nuk mungonin edhe hetimet gjyqësore.

Qytetarëve iu duhej të kryenin të paktën pesë hapa për të marrë një vendim gjyqësor për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë dhe shpenzonin të paktën 200-300 euro.

Tashmë gjithçka do të thjeshtohet dhe veprimet do të realizohen në pak minuta. Ende nuk dihet se sa do të jenë tarifat për këto shërbime tek noteri, por ajo që thuhet është se kostoja do të ulet ndjeshëm.

“Kalimi i këtij shërbimi tek noteri, thotë znj. Sadushi, bën që qytetarët të mos hasin pengesa të vazhdueshme në realizimin e të drejtave të tyre. Procedurat në gjykata zgjasnin me muaj të tërë, ndërsa ato tani lehtësohen. Të mos harrojmë që e gjithë kjo ka edhe kosto, pasi qytetarët detyroheshin të merrnin edhe avokat për këtë shërbim dhe të shkonin disa herë në gjykatë. Por, duke filluar nga muaji shtator, kalimi i trashëgimisë do të bëhet me një procedurë. Para nisjes së zbatimit është parashikuar që të lihet koha e mjaftueshme për mbylljen e të gjitha çështjeve që janë aktualisht në gjykatë, por edhe trajnimit të noterëve për dhënien e një shërbimi sa më cilësor dhe të drejtë.

Sipas kryetares së Dhomës së Noterëve, në këtë mënyrë do të lehtësohen nga një barrë jo e vogël edhe gjyqtarët, pasi kjo është një çështje thjesht vërtetimi i faktit të vdekjes së trashëgimlënësit dhe përcaktimit të trashëgimtarëve të tij që bëhet vetëm me kërkesën e kërkuesve dhe nuk ka palë kundërshtare. “Nuk është më e nevojshme që të bëhet një proces i tërë gjyqësor kur është një çështje shumë e thjeshtë për t’u trajtuar. Edhe vetë gjykata mbështetej në certifikatat që paraqiteshin nga palët dhe në të njëjtën kohë është një çështje që është lehtësisht e kundërshtueshme. Nëse një nga trashëgimtarët ka pretendime, mund të kërkojë ndryshime. Pra, ka një sërë arsyesh që nxitën përshpejtimin e kalimit të këtij shërbimi te noterët”, – thotë znj. Sadushi. Ishte një nismë që para më shumë se një viti u mor nga Dhoma Kombëtare e Noterëve dhe u përkrah nga Ministria e Drejtësisë dhe u asistua edhe nga ekspertët e huaj të “Euralius”.

 

Avantazhet e një “ndalese”

 

Kalimi i dëshmisë së trashëgimisë te noteri synon ofrimin e një shërbimi më të mirë, më të shpejtë dhe më efikas. Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, përfitues të drejtpërdrejtë janë të paktën 30.000 qytetarë në vit, të cilët i largohen kështu dyerve të gjykatave për t’i zgjidhur çështjet e tyre me më shumë lehtësi tek noterët. Ende nuk ka një vendim se sa do të jenë tarifat te noteri për këto vendime, por mësohet se do të jenë më të reduktuara.

Sa u përket aspekteve procedurale, znj. Sadushi sqaron se çelja e trashëgimisë bëhet vetëm pasi ka vdekur trashëgimlënësi. “Në Kodin Civil trajtohen dy raste të trashëgimisë: ajo ligjore dhe testamentare. Pra, në rastin kur trashëgimlënësi ka lënë testament, do të çelet trashëgimia testamentare. Edhe kjo është një arsye shumë e fortë që kjo dëshmi të lëshohet nga noterët, pasi tashmë kanë ndryshuar edhe raportet shtetas-pronë, ku shqiptarët janë bërë pronarë të pasurive të paluajtshme dhe po i drejtohen gjithnjë e më shumë bërjes së testamenteve”, thotë noterja Sadushi. Sipas saj, te shqiptarët ka nisur të ndryshojë kultura e trajtimit të rasteve pronësore, duke qenë se para viteve ‘90 ata nuk kishin se çfarë të linin në testament. Tashmë ata janë më të ndërgjegjësuar se testamenti është një akt pozitiv. Figura e noterit shfaqet si në rastin kur personi kërkon të bëjë një testament, por edhe kur trashëgimtarët e tij, pas vdekjes së tij do të bëjnë çeljen e trashëgimisë dhe do të marrin dëshminë testamentare. “Nëse flitet për të ardhmen, atëherë mund të them se qytetarët do të jenë më të orientuar drejt testamenteve. Procesi do të fillojë dhe do të mbarojë te noteri”, – thotë znj. Sadushi.

Ajo sqaron se nga ky proces do të krijohet edhe një “bankë” të dhënash. Është parashikuar që brenda regjistrit elektronik të pasurive të paluajtshme të ketë edhe një të veçantë për testamentet, e cila do të mbahet nga Dhoma Kombëtare e Noterëve, pra vetëm ky organizëm do të ketë akses në të. “Çdo noter, përpara sesa të lëshojë një dëshmi trashëgimie, duhet të verifikojë nëse ai qytetar ka lënë apo jo testament dhe e dyta të shikojë në një regjistër tjetër, atë të lëshimit të dëshmive të trashëgimisë nëse është lëshuar nga noter tjetër apo jo. Pra, të shmangen dublimet. Procesi nuk do të krijojë lehtësi vetëm për qytetarin, por do t’i bëjë procedurat më të sigurta. Deri më sot, gjykatat kanë lëshuar çdo ditë dëshmi trashëgimie, pra marrin vendime në një kohë kur s’ka verifikuar nëse qytetari ka lënë apo jo testament. Kemi të bëjmë me vendime të pasakta që lëshohen. Kalimi te noteri do të garantojë edhe dëshmitë e trashëgimisë që do të lëshohen”, – thotë znj. Sadushi.

Po kush lë një trashëgimi? Sipas noteres, ligji shqiptar përcakton qartë rastet kur kemi të bëjmë me një trashëgimi ligjore dhe një testamentare.

“Testatori, pra personi që e bën atë, ndonëse mund të mos përjashtojë asnjë nga trashëgimtarët e tij, me testamentin bën një ndarje në natyrë të pasurisë që lë. Në këtë mënyrë ai shmang të lënit të trashëgimtarëve të tij në konflikt. Në rastin se dikush mund të ketë dy apo tri prona mund ta përcaktojë qartë me testament se kujt ia lë, gjë që bën që trashëgimtarët e tij të jenë më të qetë, pasi në fund të fundit ky ka qenë vullneti i tij. Pra, nuk flasim për një testament që përjashton, por për atë që bëhet për të ndarë pasurinë”, – thotë noterja. Sipas saj, paraqitja te noteri ka edhe avantazhin e marrjes së informacioneve të sakta ligjore për mënyrën se si duhet të veprojë, sesi duhet të hartohet, nëse mendon apo jo të përjashtojë dikë. Të gjitha këto duhet të bëhen të qarta, thotë noterja, pasi kemi të bëjmë me vullnetin e testatorit, por edhe me atë të ligjvënësit.

“Ligji, pavarësisht nëse dikush bën një testament, ka përcaktuar disa kufizime, që duhet të respektohen në testament. Pra, është noteri ai që ia bën të qartë çdo personi se çfarë duhet të shkruajë në testamentin e tij. Duhet të kujtojmë se përballë një noteri, testatori është më i garantuar. Ai e depoziton te noteri dhe ky i fundit është i detyruar që ta ruajë. Edhe në rastet kur testamenti redaktohet, sugjerohet që të bëhet përballë noterit, pasi edhe kur shkruhet me dorë ka disa elementë që duhen respektuar”, – thotë kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterisë. Në Shqipëri, ligji përcakton se çdo person mbi 18 vjeç, që ka zotësi për të vepruar, mund të lërë një testament. Ai mund të ndryshohet në çdo moment.

 

Problemi

 

Deri më sot, gjykatat kanë lëshuar çdo ditë dëshmi trashëgimie, pra marrin vendime në një kohë kur s’ka verifikuar nëse qytetari ka lënë apo jo testament. Kemi të bëjmë me vendime të pasakta që lëshohen

 

Përfitimi

 

Në Kodin Civil trajtohen dy raste të trashëgimisë: ajo ligjore dhe testamentare. Pra, në rastin kur trashëgimlënësi ka lënë testament do të çelet trashëgimia testamentare. Edhe kjo është një arsye shumë e fortë që kjo dëshmi të lëshohet nga noterët, pasi tashmë kanë ndryshuar edhe raportet shtetas-pronë, ku shqiptarët janë bërë pronarë të pasurive të paluajtshme dhe po i drejtohen gjithnjë e më shumë bërjes së testamenteve

 

Ndryshimet

 

Çelja e trashëgimisë

 Sa i takon ligjit të ri, neni 53 është formuluar:

“Noteri, pasi vihet në dijeni zyrtarisht nëpërmjet një kërkese të shkruar nga personat e interesuar: Kontrollon kompetencën vendore të tij në përputhje me parashikimet e Kodit Civil; Dërgon një kërkesë pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë, së cilës i bashkëlidh një kopje të kërkesës së personit të interesuar dhe një kopje të certifikatës së vdekjes së trashëgimlënësit. Pas marrjes së kërkesës, Dhoma Kombëtare e Noterisë kontrollon në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve dhe Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimit nëse trashëgimlënësi ka lënë një testament dhe/ose është bërë çelja e trashëgimisë ligjore apo testamentare nga ndonjë noter. Kështu, brenda tri ditëve pas marrjes së përgjigjes nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, noteri:

a) Drejton personin e interesuar tek noteri, i cili ka çelur trashëgiminë ose pranë të cilit është redaktuar testamenti, nëse ka;

b)Procedon me çeljen e trashëgimisë ligjore/testamentare, në përputhje me parashikimet e Kodit Civil, dhe e regjistron atë në Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimit. Për rastet e trashëgimisë testamentare, noteri duhet të kontrollojë elementet e pavlefshmërisë, parashikuar nga Kodi Civil dhe të lëshojë dëshminë e trashëgimisë vetëm në rast se asnjë prej këtyre elementeve nuk ka prekur testamentin. Në rastin kur testamenti preket nga një element pavlefshmërie, noteri, me vendim të arsyetuar, refuzon lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë dhe i dërgon palët përpara gjykatës kompetente për zgjidhjen e çështjes..

 

Dëshmia e trashëgimisë

Pas nenit 53, shtohen disa nene të tjera me këtë përmbajtje: “Dëshmia e trashëgimisë lëshohet nga noteri në përputhje me rregullat e caktuara në Kodin Civil, si dhe në këtë ligj. Përveç elementeve të parashikuara në nenin 49, të këtij ligji, dëshmia e trashëgimisë duhet të përmbajë:

a) Bazën ligjore dhe elementet mbi të cilat noteri konsiderohet që ka kompetencë territoriale për të lëshuar dëshminë;

b) Të dhënat e kërkuesit: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa dhe marrëdhënia me trashëgimlënësin;

c) Të dhënat e trashëgimlënësit: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa në datën e vdekjes, data dhe vendi i vdekjes;

ç) Të dhënat e trashëgimtarëve: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa;

d) Të dhëna mbi regjimin pasuror martesor të trashëgimlënësit;

dh) Të dhëna mbi padenjësinë ose heqjen dorë nga trashëgimi, nëse ka;

ë) Pjesët takuese të secilit prej trashëgimtarëve;

f) Çdo të dhënë tjetër të kërkuar nga legjislacioni në fuqi.

 

Noteri mban origjinalin e dëshmisë së trashëgimisë dhe i lëshon kërkuesit ose çdo personi që ka një interes të ligjshëm, një ose disa kopje të dëshmisë së trashëgimisë të njësuara me origjinalin. Noteri shënon në një regjistër të posaçëm, të dhënat e çdo personi të cilit i ka lëshuar një kopje të dëshmisë së trashëgimisë.

 

Ndreqja e gabimeve, ndryshimi ose revokimi i dëshmisë së trashëgimisë

Noteri, kryesisht ose me kërkesën e çdo personi që ka një interes të ligjshëm, mund të ndreqë në çdo kohë gabimet e bëra në shkrim ose në llogari apo ndonjë pasaktësi të dukshme të dëshmisë së trashëgimisë. Noteri, me kërkesën e çdo personi që ka një interes të ligjshëm, mund të ndryshojë ose revokojë dëshminë e trashëgimisë në rast se çmon se dëshmia ose pjesë të saj nuk janë të sakta. Noteri njofton menjëherë të gjithë personat të cilëve u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë së trashëgimisë, sipas përcaktimeve të paragrafëve 2 dhe 3, të nenit 53/1, për çdo ndreqje gabimesh, ndryshim ose revokim të dëshmisë së trashëgimisë.

 

Ankimi në gjykatë

Pavarësisht parashikimeve të nenit 41, të këtij ligji, ndaj çdo vendimi të noterit për lëshimin, refuzimin e lëshimit, ndreqjen e gabimeve, ndryshimin apo shfuqizimin e dëshmisë së trashëgimisë, mund të bëhet ankim në gjykatë nga çdo person që ka një interes të ligjshëm, në përputhje me nenin 46 të Kodit të Procedurës Civile. Gjykata, në rast se çmon se dëshmia ose pjesë të saj nuk janë të sakta, ndreq, ndryshon ose shfuqizon dëshminë e trashëgimisë ose urdhëron noterin të ndreqë, ndryshojë a shfuqizojë dëshminë e trashëgimisë.

 

Pezullimi i efekteve të dëshmisë së trashëgimisë

Efektet e dëshmisë së trashëgimisë mund të pezullohen nga:

 

a) Noteri, me kërkesën e çdo personi që ka një interes të ligjshëm, gjatë procedurës së ndryshimit ose revokimit të dëshmisë së trashëgimisë, sipas përcaktimit të paragrafit 2, të nenit 53/2;

b) Gjykata, gjatë shqyrtimit të padisë sipas përcaktimit të nenit 53/3.

Gjykata ose noteri, sipas rastit, njoftojnë menjëherë për pezullimin e efekteve të dëshmisë së trashëgimisë, të gjithë personat të cilëve u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë së trashëgimisë, sipas përcaktimeve të paragrafëve 2 dhe 3, të nenit 53/1, të këtij ligji. Në rast pezullimi të efekteve të dëshmisë së trashëgimisë dhe gjatë gjithë kohëzgjatjes së këtij pezullimi nuk mund të lëshohen kopje të tjera të dëshmisë së trashëgimisë.

 

Një regjistër për testamentet

Pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë do të krijohet Regjistri Kombëtar i Testamenteve dhe ai i Çeljes së Trashëgimit, në të cilin noterët regjistrojnë trashëgimitë ligjore apo testamentare. Regjistri Kombëtar i Testamenteve dhe Regjistri Kombëtar i Çeljes së Trashëgimit administrohen nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë. Rregullat për të dy regjistrat miratohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.

Të gjithë testamentet e nënshkruar pranë noterëve përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të regjistrohen në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Loading...