Standard.al

Rama: Ministrat e PS-së, jo deputetë, stonaturat për listat duheshin shmangur

Gëzim Saliu

ramaKreu socialist: Meta përjashtoi praninë e zgjeruar të LSI-së në listat e PS-së

 

Ministrat e qeverisë socialiste, në rast se PS merr pushtetin pas 23 qershorit, nuk do të jenë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Kështu bëri të ditur dje kreu socialist Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, duke theksuar se kjo praktikë do të krijojë një ekuilibër të ri dhe hapësirë më të madhe për kontrollin parlamentar. “E kundërta është e vërtetë, ministrat do zgjidhen mes deputetëve, por me marrjen e mandati të ministrit heqin dorë nga mandati i deputetit. Ata do jenë figura politike, që janë pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes, por do të bëjnë një ndarje të punëve, siç kemi rënë dakord dhe e kemi sanksionuar në marrëveshjen me LSI-në, por edhe në marrëveshje me forcat e tjera të koalicionit, duke bërë që pushtetet (legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor) të bëjnë funksionimin e tyre dhe duke krijuar kështu një ekuilibër të ri dhe hapësirë të madhe për kontrollon parlamentar, por edhe për t’i kryer punët në shërbim të publikut shumë më mirë, duke shtuar numrin e njerëzve tanë pjesëmarrës në këtë hapësirë që nesër do jetë e ndarë mes Parlamentit dhe qeverisë”, – tha Rama.

 

Listat e deputetëve

Megjithëse procesi i mbylljes së listave përfundimtare të kandidatëve për deputetë po hasë në problematika dhe kundërshti të mëdha në selinë rozë, lideri i opozitës tha se çdo punë me listat ka si qëllim çuarjen para të projektit historik të PS-së. Sipas Ramës, kundërshtitë e shfaqura nga deputetët aktuale të PS-së janë të mirëkuptuara, edhe pse, nënvizoi ai, mund të ishte shmangur bërja publike e tyre. “Në raport me listat e natyrshme që të ketë ndonjë stonaturë, dalje publike, i mirëkuptoj stonaturat, edhe pse janë plotësisht të evitueshme. Ne po punojmë dhe po bashkërendojmë idetë dhe sensin logjik të gjithë ndërtimit të skuadrës sonë, ku janë përfshirë drejtues politikë, drejtues lokalë dhe aktorë e faktorë të rëndësishëm të jetës politike brenda familjes sonë politike, por edhe të jetës sociale në zona dhe komunitete të ndryshme. Skuadra jonë kombëtare do jetë në lartësinë e sfidës në çuarjen përpara të projektit tonë historik”, – u shpreh kreu i PS-së. Në këtë kontekst, Rama bëri të ditur se edhe emri i tij do të jetë i përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë, duke siguruar që pas shumë vitesh në politikë, do të bëhet pjesë për herë të parë e Parlamentit shqiptar. “Në sistemin e sotëm pjesa me e madhe e atyre që janë në Parlament, janë deputetë automatikisht, sepse gara zhvillohet mes palëve dhe numri i deputetëve që janë mes hapësirës politike, është një numër i kufizuar. Unë patjetër do jem deputet si shumë të tjerë në skuadrën tonë kombëtare”.

 

Marrëveshja me Metën

Duke nënvizuar se marrëveshja e Partisë Socialiste me LSI-në është e mbështetur tërësisht mbi pikat e parimeve, kryesocialisti Rama zbardhi një detaj të këtij bashkëpunimi lidhur me listat e deputetëve. “Sa i takon skuadrës sonë dhe listave, besoj se është përjashtuar edhe nga vetë kryetari i LSI-së, pjesëmarrja e LSI-së me prezencë të zgjeruar në listat tona. Në fund të fundit, një gjë e sigurt, ne do t’u paraqesim shqiptarëve skuadër konkurruese dhe fituese dhe të aftë për të çuar para projektin për të rilindur Shqipërinë. Nga ana tjetër, do paraqitemi me aleancë për Shqipërinë evropiane, më e gjera që ka pasur ndonjëherë në këtë vend në konkurrim zgjedhor. Si forca e parë e kësaj aleance, jemi të vetëdijshëm për krijimin e një sinergjie përtej PS-së. Do thotë se do jemi ne kohezion dhe bashkërendim me aleatët”, – deklaroi Rama. Sipas kreut socialist, bashkimi PS-LSI nuk është as bashkim mekanik, as aritmetik, por bashkim strategjik me synim afatshkurtër fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit, me synim afatgjatë përsosjen e qeverisjes, duke lënë pas të shkuarën konfliktuale. Ndërkohë, sa u përket kërkesave të partive të vogla në lidhje me marrëveshjen parazgjedhore, Rama tha se është normale që aleatët e vegjël të kërkojnë gjithmonë e më shumë, pasi duan të rriten, por ai siguroi se janë të kënaqura. “Është normale që aleatët e vegjël të kërkojnë më shumë, se duan të rriten. Mua Milo më është dukur mjaftueshmërisht i kënaqur. I rëndësishëm është fakti se me Partinë Demokracia Sociale kemi firmosur një marrëveshje që do i qëndrojmë pikë për pikë. Milo është shprehur i kënaqur, edhe pse do kishte dashur më shumë”, – pohoi kreu i PS-së, Edi Rama.

 

 

Rama: AK, pjellë e Berishës

Në bashkëbisedimin e tij me gazetarët, kryesocialisti Rama ka komentuar edhe largimin e 11 anëtarëve të larguar nga Aleanca Kuq e ZI, duke theksuar se ata janë të mirëpritur në Partinë Socialiste. Ai e cilësoi AK-në e drejtuar nga Kreshnik Spahiu si një forcë politike pranë PD-së. “Të gjithë janë të mirëpritur në partinë tonë, si ata të PD-së ashtu edhe të tjerët. Ata u mikluan dhe u tërhoqën pas në emër të flamurit kuqezi. Mbete për t’u parë kjo forcë. Dyert e PS-së janë të hapura, edhe pse, që në krye të herës kam parë që AK është pjellë e së djathtës, e familjes së Berishës”.

 

Rama: Raporti i BB për analfabetizmin, bombë me sahat. MASH: Rama fyeu nxënësit

Kreu i PS-së, Edi Rama, e ka cilësuar raportin më të fundit të Bankës Botërore për nivelin e analfabetizmit në Shqipëri si një bombë me sahat për të ardhmen e vendit. “Dua të vë theksin tek një e dhënë më shumë sesa dramatike që vjen nga raporti më i fundit i BB, ku vlerësohet se 57% e 15-vjeçarëve janë analfabetë funksionalë, plagë e rëndë që shkon duke u thelluar, por ju siguroj se kjo shifër më ka tronditur thellësisht dhe është një tronditje që bëhet e shumëfishtë kur e sheh këtë nga këndvështrimi i asaj që mund t’i shkaktojë vendit, ekonomisë, një bombë e tillë me sahat”, – tha Rama. Ndaj deklaratave të kreut socialist ka reaguar dje Ministria e Arsimit, e cila i cilësoi ato si fyese për nxënësit. “Rama hodhi një shashkë tjetër në vazhdën e sulmit kundër arsimit shqiptar. Pasi nuk arriti të bindte shqiptarët se 15 në 100 veta janë analfabetë, sot nxori një strategji tjetër se nxënësit, nuk kuptojnë se çfarë lexojnë dhe kjo, sipas tij, bazohet në vlerësimin PISA 2009. Sikur z. Rama të kishte takuar në jetën e tij qoftë edhe dy të rinj nxënës 15-vjeçarë, atëherë do të kishte kuptuar fyerjen që u bën atyre, marrëzinë që thotë për arsimimin e tyre, reformat e bëra në arsim. Pasi ka fyer mësuesit, infermierët, policët, studentët, tani ka nisur të fyejë edhe nxënësit”, – thuhej në reagimin e MASH.

 

Comments are closed.