PS-ja sillet si parti pa elektorat

0

Çelo Hoxha

Loading...

 

psNjë parti serioze, pretendente për të fituar zgjedhjet, nuk e harxhon fushatën duke u përpjekur të tërheqë vëmendjen e elektoratit me truke mediatike. Takimet me qytetarë që pretendojnë se kanë braktisur PD-së apo me të përndjekur politikë, edhe sikur të jenë vërtet takime me ish-anëtarë të PD-së ose me ish-të persekutuar, janë manovra politike që më shumë nxjerrin në dukje brishtësinë e PS-së në këtë fushatë sesa fuqinë e saj.

PS-ja është një nga dy partitë e mëdha në Shqipëri, që pretendojnë, secila për hesapin e saj, se janë partia më e madhe në vend; tjetra është PD-ja. Unë po i trajtoj si të barabarta, por PS-ja nuk sillet si e tillë. Në Shqipëri – dhe kudo në botë – nuk është ndonjë gjë e rrallë të gjesh njerëz të pakënaqur me qeverinë. Edhe anëtarë të partisë kryesore që ka pushtetin. E rrallë është që partia opozitare më e madhe të bëjë fushatë me tipa të tillë, edhe sikur ata të jenë 200 veta në qytet si Shkodra. T’i heqësh PD-së në Shkodër 200 demokratë dhe të pretendosh se po e shkatërron PD-në, është njëlloj sikur të marrësh 200 kova ujë nga deti dhe të pretendosh se e po zbraz nga uji i kripur hapësirën mes dy brigjeve të Adriatikut. Një veprim i tillë nuk e cenon moralisht PS-në, ai e shkatërron atë: e bën qesharake.

Sipas shifrave zyrtare, rezultatet e zgjedhjeve në Shkodër, si parti, për 2009-ën, ishin: PD 56.515 vota, PS 34.296 vota. Epërsia e PD-së ishte 22.219 vota. Sikur t’i heqësh votat e 200 personave që kanë qenë në takim me kryetarin e PS-së të dielën, sërish PD-së i mbetet një epërsi prej 21.819 vota. Edhe sikur familjet e 200 demokratëve të PS-së t’i konsiderosh me 100 votues secilën, PD-së sërish i teprojnë 18.019 vota (diferenca është nxjerrë, pasi i janë shtuar PS-së ato që i hiqen PD-së). Zhvendosja e votave të demokratëve që pretendojnë se kanë braktisur PS-në nuk do të ndihet fare. Largimi i 200 anëtarëve të PD-së do të ishte i ndjeshëm në ndonjë komunë, për zgjedhjet lokale, kurse në zgjedhjet e përgjithshme, duke pasur parasysh dhe numërimin e votave në nivel qarku, ato nuk luajnë ndonjë rol as në qarqe, ku gara mes dy partive kryesore është e ngushtë.

Kaq sa për vlerën e votave që PS mundohet të marrë në mënyrë diversioniste.

Edhe në aspektin propagandistik PS nuk përfiton më shumë. Ata persona që shkojnë në takimet e PS-së janë njerëz anonimë (si shumica e qytetarëve të thjeshtë), të cilët në PD, nëse kanë qenë, nuk përfaqësojnë më shumë se veten. E shumta kanë dhe disa vota në familje. Ata njerëz, po të mos u shkonte Edi Rama në takim, siç shkruan faqja zyrtare e PS-së, nuk do të përbënin lajm për mediet. Dihet, votuesit e thjeshtë (qoftë dhe me teserë) lëvizin nga njëra parti në tjetrën që ndodh rrotacioni në zgjedhje, përndryshe, nëse nuk do të ndryshonin votën njerëzit anonimë, atëherë rezultati i zgjedhjeve do të ishte i pandryshueshëm, pavarësisht sa herë do të zhvilloheshin zgjedhje. Në këtë mënyrë demokracia nuk do të funksiononte. Për largimet, peshë kanë njerëzit me profil më të madh se fshati, lagjja apo qyteti i tyre. Vetëm muajin e fundit PS-së i janë larguar 3 deputetë. Largimi i tyre është rreth shumë herë më i madh se 200 personat që pretendon PS-ja se po i merr PD-së në Shkodër. Një deputet, kur lëviz, mendohet që ndryshon kahjen e disa mijëra votave.

Një truk të tillë mediatik, si ky që po përdor PS-ja, do të ishte lajm, në rast se një parti anonime do t’i merrte 200 anëtarë PD-së ose PS-së. Këtu kurioziteti i njeriut zgjohet. Menjëherë publikut i ngacmohet kureshtja nga pyetjet: Pse kanë ikur këta persona nga PD ose PS? Si ka mundur partia anonime t’i joshë? Çfarë ofron ajo ndryshe nga partitë e mëdha? Si do të reagojë PD ose PS? Dhe menjëherë imagjinata e publikut ndizet dhe ka nevojë për më shumë hollësi të këtij lajmi. Në rastin e PS-së kjo gjë nuk funksionon. Ata që kanë ikur (nëse kanë ikur) nga PD-ja janë njerëz të pakënaqur, që nuk u janë përmbushur interesat dhe (në rastin më të mirë për PS-në) mendojnë se PS do të vijë pushtet, kështu që ata po e vendosin kanaçen në radhë që tani. Por ata dhe mund të jenë njerëz të pakënaqur që bashkohen me PS-në vetëm për shkak të urrejtjes që kanë akumuluar gjatë këtyre tetë viteve të fundit kundër drejtuesve të caktuar të PD-së në Shkodër. Dy që janë cituar në faqen zyrtare të PS-së përmendnin edhe emra drejtuesish që, sipas tyre, “dhunojnë ditë pas dite” lirinë në Shkodër.

Nëse PS-ja e Edi Ramës është shquar për ndonjë gjë, kjo ka qenë mjeshtëria e PS-së. Në këtë rast edhe kjo cilësi e saj ka rënë në nivelin më të ulët. Zyra e shtypit të PS-së ka harruar shembullin klasik për lajmin. Kur njoftojmë se macja gjuan minj, nuk është lajm; kur miu sulmon macen, po.

 

Loading...