Për tri javë merret kësti i dytë për të gjithë ish-të përndjekurit politikë

0
206

ish te perndjekuritDriçim Çaka

Merret pagesa e këstit të dytë për 800 ish-të përndjekur

Brenda 2013-ës parashikohet dhënia e këstit të tretë

 

Pagesa e radhës për ish-të përndjekurit politikë do të merret brenda tri javëve të ardhshme. Ky ishte premtimi që ka bërë ministri i Financave, Ridvan Bode, në një komunikim online, ku ka theksuar se deri tani procesi i dëmshpërblimit po ecën normalisht. Numri i dosjeve që presin dëmshpërblimin, është ende i lartë, por Bode ka theksuar se shumë shpejt të gjithë do të marrin këstin e dytë. Sipas ministrit të Financave, në total janë paguar 5700 dosje nga rreth 10.700 që janë në proces për të marrë këstin e radhës. Siç dihet, të parët që marrin dëmshpërblimin, janë personat që kanë vuajtur dënimin dhe vazhdojnë të jetojnë akoma. Për këtë kategori thuajse është mbyllur pagesa për këstin e dytë dhe shumë shpejt do të fillojë dëmshpërblimi për këstin e tretë. Ndërkohë, nga sot rreth 800 ish-të përndjekur mund të marrin lekët e këstit të dytë. Ka qenë vetë Bode i cili në një komunikim në Facebook ka theksuar se pagesa për këtë grup është hedhur që dje dhe nga sot secili mund të tërheqë paratë nga banka. Çdo person që gjen emrin në listën e miratuar nga Ministria e Financave, duhet të paraqesë pranë bankës numrin e llogarisë që ka hapur në momentin kur ka plotësuar dokumentet për të marrë këstin si dhe fotokopjen e kartës së identitetit.

 

Fondi për ish-të përndjekurit

 

Në buxhetin e vitit 2013 për ish-të përndjekurit politikë qeveria ka parashikuar 3 miliardë lekë. Nëpërmjet këtij fondi pritet të merret kësti i dytë dhe i tretë brenda këtij viti, ndërkohë që këstet e radhës do të marren brenda viteve të parashikuara në ligjin “Për ish-të përndjekurit e epokës së komunizmit”. Sipas burimeve, kësti i tretë do të jepet në muajt e ardhshëm dhe radha për pagesën do të jetë e njëjtë me radhën që është ndjekur kur është dhënë kësti i parë. Aktualisht numërohen 23 vendime të Këshillit të Ministrave për dëmshpërblimin e të dënuarve në kohën e komunizmit. Përmes këtyre vendimeve u është njohur e drejta e dëmshpërblimit 11.729 ish-të dënuarve. Në muajt e fundit është vazhduar pa ndërprerje pagesa për këstin e parë, që ka sjellë dhe likuidimin total të këtij kësti, ndërkohë që është në vazhdim shlyerja e këstit të dytë për ish-të dënuarit që janë gjallë dhe veçanërisht ata të dënuar me sëmundje të rënda. Vetëm një javë më parë, Ministria e Financave publikoi listën më të madhe të nxjerrë kohët e fundit, me 1000 ish-të dënuar apo trashëgimtarë që merrnin këstin e dytë të pagesës. Dëmshpërblimi për ish-të përndjekurit ka nisur në mars të vitit 2009 dhe sipas parashikimeve, do të mbarojë pas 8 vjetësh, në vitin 2017. Për ata ish-të përndjekur që janë gjallë, do të merret pagesa deri në vitin 2016. Pagesa është llogaritur që të jepet me 8 këste në total.

 

Problemet

 

Pavarësisht se qeveria ka miratuar një skemë të saktë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, një numër i madh familjarësh kanë abuzuar me trashëgimtarët e tjerë, duke marrë këstin edhe për motrat apo vëllezërit e tyre. Këtë fakt e konfirmon vetë sektori i pagesave për ish-të përndjekurit, që thekson se shumë persona janë ankuar se familjarët e tyre kanë marrë edhe pjesën që nuk u takon. Kjo është rregulluar nëpërmjet krijimit të një llogarie me vete për çdo trashëgimtar që është ankuar pranë sektorit të pagesave.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency