Standard.al

Listat e deputetëve ndezin debatet, kundërshtitë ndaj Ramës

kuvendiKreu socialist, Edi Rama, është thuajse në përfundim të përpilimit të listës së plotë të kandidatëve për deputetë të PS-së në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Kryesocialisti pritet të diskutojë me krerët e fushatës në qarqe emrat e përzgjedhur, ku nuk do të mungojnë edhe propozimet alternative. Pas këtyre takimeve, lideri i opozitës do të mbledhë edhe kryesinë, ku do të vendoset përfundimisht edhe lista zyrtare e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste. Kjo mbledhje pritet të zhvillohet me debate mes anëtarëve të forumit të lartë socialist, si për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve, ashtu edhe për lëvizjet me drejtuesit e fushatës në qarqe. Prej kohësh Rama ka hasur në kundërshtinë brenda radhëve lidhur me hartimin e listave të kandidatëve për deputetë. Lëvizjet e drejtuesve të fushatës në qarqe si edhe prurjet e reja kanë ndikuar jo pak në rritjet e pakënaqësive nga një pjesë e mirë e deputetëve aktualë të grupit parlamentar socialist. Anëtari i kryesisë Erion Braçe është shfaqur kritik që në fillim të procesit, duke theksuar se me përzgjedhjen e kandidatëve është shkelur statuti i PS-së, sipas të cilit, duhet të jetë kryesia e PS-së struktura vendimmarrëse për listën e deputetëve. Njëkohësisht, Braçe ka kërkuar që për hartimin e listës të merrej edhe mendimi i bazës, gjë që është kundërshtuar jo vetëm nga kryesocialisti, por edhe nga një numër jo i vogël deputetësh socialistë. Në të njëjtën linjë, anëtari i kryesisë së PS-së, Arben Malaj, ka kërkuar që procesi i hartimit të listave të deputetëve të jetë transparent. Gjithashtu, edhe anëtarja tjetër e kryesisë, Arta Dade, ka shfaqur pakënaqësitë e saj sa i përket këtij procesi, duke pohuar se në listën e kandidatëve nuk duhet të ripërfshihen ata që më parë kanë humbur në zonat e tyre. Pjesa më e madhe e deputetëve aktualë, sipas kryesocialistit, do të jenë sërish pjesë e listës së deputetëve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Krahas emrave të deputetëve, kreu socialist është kundërshtuar edhe lidhur me lëvizjet që ka bërë në qarqe me drejtuesit e fushatës, të cilët kanë një peshë kryesore në përpilimin e listës përfundimtare të PS-së. Largimi thuajse i sigurt i Erion Braçes nga Berati dhe kandidimi i tij në Qarkun e Tiranës ka sjellë jo pak kundërshti, si nga deputeti ashtu edhe baza socialiste e këtij qarku. Në këtë qark, kreu socialist është ende në mëdyshje për kryesuesin e listës, ku në balotazh janë Fidel Ylli dhe Eduard Shalsi. Po ashtu, edhe në Qarkun e Gjirokastrës kanë nisur debate të shumta, nisur nga lëvizja e Arta Dades nga roli i saj si kryesuese e fushatës dhe njëkohësisht listës së deputetëve. Vendin e Dades në Gjirokastër pritet ta marrë deputeti Arben Ahmetaj.

 

 

Comments are closed.