Standard.al

E qara shpëton minorenen nga abuzimi i një pedofili

Elton Qyno

pedofiliNgjarja në Delvinë, Eqrem Muho gënjeu 6-vjeçaren me karamele dhe tentoi abuzimin

 

Një 70-vjeçar ka tentuar të kryejë marrëdhënie intime me një vajzë minorene 6-vjeçare. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Delvinës, ku i moshuari ka përdorur një taktikë mashtruese, duke e gënjyer vajzën se do t’i jepte karamele në shtëpinë e tij dhe sapo e ka çuar në banesë, ka filluar ta prekë të miturën në vende intime. Sipas policisë së Delvinës, i moshuari ka shfrytëzuar momentin kur e mitura nuk ka qenë nën kontrollin e prindërve të saj, por ka qenë duke luajtur me një fëmijë tjetër poshtë pallatit të banimit. Në mungesë edhe të personave të tjerë të mëdhenj në rrugë, i moshuari ditën e diel, ka vendosur të mashtrojë të miturën, duke e marrë atë në banesë dhe menjëherë ka filluar ta prekë në organet intime. Vetëm e qara me zë të lartë ka shpëtuar 6-vjeçaren nga abuzimi seksual. Pas kësaj, 70-vjeçari është përpjekur ta pushojë, duke i premtuar se nuk do t’i bënte gjë dhe më pas e ka lënë të lirë. Pas kësaj situate, vajza e mitur u ka treguar prindërve të saj se çfarë kishte ndodhur e më pas ka drejtuar forcat e policisë drejt hyrjes ku strehohej i dyshuari, i cili nuk kishte njohje të mëparshme me të dëmtuarën. Në këto kushte, duke u bazuar te dëshmia rrëqethëse e vajzës, policia ka arrestuar Eqrem Muhon, pavarësisht se ai ka pretenduar se nuk kishte abuzuar me të miturën.

Ngjarja të dielën

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth mesditës së të dielës në një lagje të qytetit të Delvinës, kur vajza e mitur, vetëm 6 vjeçe, kishte dalë të luante me bashkëmoshatarët e saj në një oborr të vogël. Kur ajo ndodhej bashkë me një fëmijë tjetër, aty ka kaluar 70-vjeçari, i cili ka filluar t’i thotë fjalë të bukura të miturës dhe e ka puthur në faqe. Më pas, sipas të dhënave nga policia, ai e ka ftuar vajzën e vogël në banesën e tij, që ndodhej në pallatin përballë oborrit, ku po luante 6-vjeçarja. Fillimisht, vajza e mitur nuk ka pranuar të ngjitet tek shtëpia e tij, por më pas ka mbetur e vetme, pasi shoku që po luante me të, ishte larguar. Në atë kohë, 70-vjeçari ka dalë në ballkonin e pallatit dhe e ka joshur sërish vajzën, duke i thënë se do t’i jepte karamele në shtëpi, nëse ajo ngjitej lart. Vajza është mashtruar prej tij, kështu që ka pranuar të shkojë në banesë. Sapo ka mbërritur te dera, 70-vjeçari e ka futur brenda dhe, sipas policisë, ka kryer veprime të turpshme ndaj vajzës, duke tentuar ta mbajë me fjalë të ndryshme.

Dëshmia para mësueses

Nga dëshmia e vajzës mësohet se Eqrem Muho ka filluar ta zhveshë, por e mitura ka qarë me zë të lartë. Në këto kushte, sipas kallëzimit, Eqrem Muho e ka lënë të lirë vajzën, e cila ka shkuar menjëherë në shtëpi dhe u ka treguar prindërve se çfarë kishte ngjarë. Policia tha se menjëherë pas njoftimit të prindërve të vajzës, në komisariatin e Delvinës janë thirrur mësuesja dhe drejtorja e kopshtit të vajzës dhe në prani të tyre, ajo ka rrëfyer makthin e përjetuar. Megjithatë, ajo është shprehur se nuk ia dinte emrin të moshuarit abuzues, por i mbante mend shtëpinë. Menjëherë, policia ka marrë vajzën e mitur dhe është nisur për të zbuluar banesën e të dyshuarit. Vajza i ka dërguar direkt në derën e Eqrem Muhos, i cili nuk ka bërë rezistencë, kur ka parë uniformat blu. Ai është shoqëruar për në ambientet e policisë, ku është marrë në pyetje me orë të tëra, para se të vendosej arrestimi i tij. Sipas policisë, në momentin, që ai ka kryer veprime të turpshme me të miturën ndodhej i vetëm në shtëpi, pasi bashkëshortja nuk ndodhej aty, pasi kishte shkuar për një vizitë dhe ai ishte në dijeni të këtij fakti. Megjithatë, gjatë marrjes në pyetje, Eqrem Muho nuk e ka pranuar akuzën e ngritur nga vajza e mitur.

Puthja

Sipas grupit hetimor, ai ka pranuar faktin se kishte puthur në faqe të miturën dhe e kishte thirrur lart në banesë, por jo për të kryer veprime të tilla ndaj saj. Por, dëshmia e tij nuk ka qenë bindëse për policinë, aq sa ka qenë deklarata e 6-vjeçares në prani të mësueses dhe drejtores së kopshtit, kështu që është vendosur arrestimi i 70-vjeçarit.

 

Vrasje apo aksident

Mister vdekja e 24-vjeçarit në Tiranë

Një 24-vjeçar ka gjetur vdekjen në rrethana misterioze në rrugën “Besa”, që ndodhet afër zonës së “Frigoriferit” në Tiranë. Viktima quhet Ervin Merdini dhe gjatë ditës së djeshme ka qenë duke ecur me biçikletë, kur papritur është rrëzuar në rrethana misterioze dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia që ka shkuar me shpejtësi në vendin e ngjarjes, ka bërë shoqërimin e disa personave, të cilët gjatë tregimit të ngjarjes, kanë dhënë dy versione. I pari ngre dyshime se 24-vjeçari është qëlluar në mënyrë të befasishme nga një person me thikë dhe më pas është larguar me shpejtësi në drejtim të rrugicave të lagjes, ndërkohë që versioni i dytë flet se 24-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme, si pasojë e rrëzimit nga biçikleta dhe se gjatë këtij moment në trup atij i ka hyrë një hekur, që ishte i salduar në timonin e biçikletës. Ky version është më i besueshëm nga ana e efektivëve të komisariatit nr. 4, të cilët pas verifikimeve të bëra në vendin e ngjarjes, kanë konstatuar se vetëm në hekurin e salduar kishte shenja gjaku.

 

Arrestimet

Kukës, pranga tre personave për mashtrim

Policia e Kukësit ka arrestuar tre persona për mashtrim të qytetarëve me synim përfitimin financiar. Autorët e këtij rrjeti janë shtetasit Blenard Kallja, 49 vjeç, nga Paskuqani; Dhimitri Ropi, 33 vjeç, nga Korça; dhe Greta Pindari, 24 vjeç, nga Korça. Aksioni u ndërmor pas denoncimit të një banori i cili i tha policisë se kishte rënë pre e mashtrimit, nga tre personat, të cilët i kanë marrë më shumë se 3 mijë dollarë dhe nuk ia kanë kthyer më. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e kaluar në një nga lagjet periferike. Policia pas denoncimit të viktimës së mashtrimit, ka bërë të mundur identifikimin e autorëve, të cilët janë prangosur nga uniformat blu në flagrancë. Mashtrimin ata e kanë bërë në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe tashmë pritet që të dalin përpara togave të zeza për veprën penale të “Mashtrimit”.

Ngjarja në Durrës

Keqtrajtoi taksistin, arrestohet autori

Një taksist është mashtruar nga një 30-vjeçar, i cili e ka grabitur dhe e ka rrahur. Sipas policisë së Durrësit Sabri Verteniku kishte telefonuar I. Xh., 28 vjeç, për shërbim taksi me qëllim transportin drejt spitalit të një të afërmi të tij. Por teksa taksisti ka shkuar në banesë është ushtruar dhunë ndaj tij e më pas Verteniku i ka grabitur edhe makinën dhe është larguar me shpejtësi. 28-vjeçari është dërguar më pas në spitalin e Durrësit ku ka marr dëmtime në kokë dhe në trup. “Nga puna hetimore e bërë u konkludua brenda një kohe të shkurtër identiteti i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit Sabri Verteniku; u bë shpallja në kërkim dhe duke qenë se me gjithë masat e ndërmarra në kohë nuk u bë e mundur kapja e këtij shtetasi, vijon puna në këtë drejtim”, – bën të ditur policia e Durrësit.

 

Besart Ndreu ishte dënuar për plagosje. Ngjarja, për hasmëri

Laç, vritet në atentat ditën e lirimit

nga burgu, shoku i viktimës plagoset rëndë

Pikërisht ditën kur ka dalë nga burgu, ka mbetur i vdekur në vend si rezultat i një atentati të organizuar nga disa persona që mendohet se janë hasmët e tij. Besart Ndreu është qëlluar me plumba kallashnikovi, teksa ishte duke dalë nga ambientet e një lokali. 25-vjeçari ditën e djeshme e kishte ditën e parë të lirisë, pas daljes nga burgu ku ishte dënuar me disa vite heqje lirie për akuzën e plagosjes me armë të një personi nga qytetit i Laçit. Mirëpo, siç duket, rreth ditës së daljes nga qelia janë informuar dhe hasmët e 25-vjeçarit, të cilët pikërisht ditën e lirimit kanë vendosur të hakmerren, duke e vrarë Besart Ndreun. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 20:10 të mbrëmjes së djeshme pranë shkollës së Sanxhakut, ndërsa në këtë atentat ka mbetur i plagosur dhe një shtetas 22-vjeçar, që quhet Klentin Bajraktari. Krismat e armës kanë alarmuar banorët e lagjes, ndërkohë që plumbat kanë tejshkuar trupin e Besart Ndreut dhe atë të Kleanti Bajraktarit. Të dy të rinjtë kanë qenë duke dalë nga ambientet e një lokali, kur papritur janë ndeshur me plumbat e kallashnikovit. Autori i krimit nuk i ka lënë kohë të reagojnë për t’u fshehur, për shkak se ka qëlluar pa paralajmërim. Si rezultat i kësaj ka mbetur i plagosur rëndë objekti i këtij atentati, Besart Ndreu, i cili pas transportimit në Spitalin Ushtarak, ka gjetur vdekjen në sallën e operacionit. Ndërkohë, në gjendje të rëndë vazhdon të jetë edhe 22-vjeçari, shoku i viktimës, i cili sipas policisë së Laçit, nuk ka qenë objektiv, por ka marrë plumba, pasi ka qenë shumë afër me objektivin e këtij krimi të rëndë. Viktima ditën e djeshme sapo kishte dalë nga burgu, ku ishte dënuar për një plagosje. Pikërisht kjo është edhe pista kryesore që policia lidh vrasjen e tij. Dyshimet flasin për një hakmarrje dhe se ditën e djeshme janë shoqëruar disa persona që kanë qenë hasmë e 25-vjeçarit, por gjatë marrjes në pyetje të tyre, ata kanë mohuar të kenë kryer krimin e rëndë. Gjatë mbrëmjes së djeshme uniformat blu kanë mundur të arrestojë autorin e ngjarjes. Ai është Albert Tuci, 22 vjeç, i cili ka pasur një konflikt të hershëm me viktimën Ndreu. Ai ka pritur që viktima të dalë nga burgu e më pas të lajë hesapet me të.

 

Comments are closed.