Standard.al

Dhunoi gruan shtatzënë në muajin e 5-të, dënohet vetëm 2.4 vjet burg

Sonja Caka

dhunoiNjë muaj pas dhunës brutale, Rudina Iljazi humbet fëmijën

Prokuroria kërkoi 5 vjet burg për të dyja veprat penale të kryera nga Iljazi

 

Dhunoi gruan shtatzënë në muajin e pestë, duke passjellë abort të kësaj të fundit një muaj më pas në ambientet e spitalit dhe për këto dënohet vetëm 2 vjet e 4 muaj burg. Për të dyja këto vepra penale, një seancë më parë edhe prokuroria kërkoi bashkimin e dy dënimeve dhe dënimin me 5 vite burg për të pandehurin Olsi Iljazi, masë e cila i ulet në aplikim të gjykimit të shkurtuar. Dy seanca më parë, i pandehuri Iljazi kërkoi që ndaj tij të aplikohej gjykimi i shkurtuar, duke pranuar akuzën dhe gjykimin në gjendjen që janë aktet. Kjo kërkesë e të pandehurit 34-vjeçar u pranua edhe nga gjykata, e cila vendosi dje të dënonte vetëm me 2.4 vjet burg të pandehurin, masë kjo përfundimtare pas uljes së dënimit nga prani i gjykimit të shkurtuar. Një seancë më parë, prokurorja e çështjes, Irena Çunoti, ka lexuar edhe njëherë kronologjinë e ngjarjes, ndërsa ka pohuar se bashkëshorti dhunues akuzohet për dy vepra penale, konkretisht atë të “Plagosjes së rëndë” dhe “Dhunës në familje”. Akuza, duke i kërkuar gjykatës të marrë në shqyrtim edhe humbjen e foshnjës pas dhunës së ushtruar nga 34-vjeçari, ka kërkuar në bashkim të dënimeve për dy veprat penale 5 vite burg për Olsi Iljazin, dënim ky i cili iu ul dje për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi më 12 dhjetor të vitit të kaluar në lagjen nr. 8 në qytetin e Korçës ku 34-vjeçari dhunoi me mjete të forta bashkëshorten e tij shtatzënë Rudina Iljazi, 28 vjeçe, ndërsa dhunës nuk i shpëtoi as vjehrra e tij. Gjithçka ka ndodhur në orët e mëngjesit të datës 12 dhjetor, ku pas një sherri mes nuses dhe vjehrrës, në këtë konflikt ka hyrë dhe i pandehuri Olsi Iljazi, i cili pasi ka mësuar largimin nga banesa të gruas, ka shkuar në shtëpinë e prindërve të saj, ku ka ushtruar dhunë fizike mbi të, duke e qëlluar me një dru zjarri në kokë dhe vende të ndryshme të trupit. Për shkak të goditjeve të shumta, 28-vjeçarja ka pësuar dëmtime në tru dhe ka marrë plagë të rënda në pjesë të tjera të trupit. Për pasojë, Rudina Iljazi është shtruar në urgjencën e spitalit dhe gjendja e saj është përmirësuar, ndërsa nuk mundi të shpëtojë foshnjën e saj, pas abortit të pësuar 1 muaj pas ngjarjes. Ndërkohë që, pas ngjarjes, i pandehuri Olsi Iljazi, në kushte të një gjendjeje të rënduar psikologjike tentoi dy herë vetëvrasjen.

 

Vendimi

U padit për shpifje, dënohet me gjobë 1 milion lekë Hilmi Deda

Gjykata e Tiranës ka shpallur dje vendimin për Hilmi Dedën, vëllain e Hekuran Dedës, një nga 4 viktimat e 21 Janarit. Shtetasi Hilmi Deda ishte paditur për “Shpifje” nga Fatos Skeja, i njohur si truproja i familjes së Kryeministrit Berisha. Pas ngjarjes së rëndë të 21 Janarit, Hilmi Deda ka deklaruar në një media gjatë një interviste se Skeja i ka ofruar para, vetëm që të priste për një kafe Kryeministrin Sali Berisha. Kjo deklaratë është mohuar nga paditësi Skeja, i cili në mars të vitit të kaluar ka paditur në gjykatë vëllain e Hekuran Dedës. Avokati i Skejës ka kërkuar që Deda të gjobitet me 2 milionë lekë, ndërkohë që gjykata e ka gjobitur Hilmi Dedën vetëm me 1 milion lekë. Vendimi u dha mesditën e djeshme nga gjyqtarja Elona Stavri, pas gati një vit procesi gjyqësor ku janë paraqitur prova dhe kundërprova për të provuar dëmin e shkaktuar ndaj paditësit Skeja apo deklarimet e dhëna në media nga i padituri Deda.

 

Vendimi

Komiteti Disiplinor jep vendimet, avokatit të Dajtit i hiqet licenca për 5 muaj

Komiteti Disiplinor, i mbledhur për të shqyrtuar ankesat e Gjykatës së Krimeve të Rënda për 12 avokatë, 11 prej të cilëve të caktuar kryesisht në çështjen e Dritan Dajtit, ka dhënë dje vendimet për ta. Komiteti i ka hequr të drejtën për të ushtruar profesionin e avokatit për 5 muaj Hasaf Hadërajt, avokatit të zgjedhur nga vetë Dajti, ndërsa të njëjtin fat për pak ka rrezikuar të kishte edhe avokati Foti Rustemi. Megjithatë, penalitet ndëshkues është marrë vetëm për avokatin e Dajtit, duke iu hequr licenca për 5 muaj, ndërsa për avokatët e tjerë të thirrur për t’u dëgjuar, Komiteti ka vendosur të rrëzojë kërkesat për penalizim. Pasi ka dëgjuar në dy seanca mbrojtjen e secilit prej tyre lidhur me mosparaqitjen e tyre ne gjyqin ndaj Dajtit, anëtarët e komitetit kanë vendosur ndëshkimet apo mosndëshkimet për secilin prej tyre. Përveç avokatit Hasaf Hadëraj, komiteti mori në shqyrtim edhe avokatët Klojda Dashi, Fatbardha Hajdari, Lin Alija, Foti Rustemi, Lulzim Llangozi, Lazër Sokoli, Klementina Caushi, Ervin Faniku, Liri Vathi, Gjustina Golloshi e Luljeta Ilia.

 

Ceremonia

Presidenti prezanton kreu e ri të Gjykatës së Lartë dhe dy anëtarët

Presidenti i vendit, z. Bujar Nishani, prezantoi dje në Gjykatën e Lartë kreun e ri të saj, z. Xhezair Zaganjori, si dhe dy anëtarët e rinj, gjyqtarët Tom Ndreca dhe Admir Thanza. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, z. Bujar Nishani vuri theksin tek rëndësia e madhe që ka njësimi i praktikave gjyqësore, si dhe problematika që vijon të mbetet, ajo e mbingarkesës së çështjeve. Sipas tij, forca dhe pushteti ligjor që ka Gjykata e Lartë, krijon mundësinë dhe hapësirën që nuk e ka as një organizëm dhe mekanizëm tjetër për të kontrolluar dhe orientuar si dhe përcaktuar mënyrën e funksionimit të gjykatave të Faktit dhe Apelit dhe të punës profesionale të çdo gjyqtari, duke vënë theksin se kjo gjykatë nuk duhet të funksionojë si gjykatë e shkallës së tretë. “Askush nuk mund të ndërhyjë, të shohë, të gjykojë, të analizojë një vendim të çdo gjyqtari të çdo gjykate, kudo që të jetë ai dhe cilit nivel që i përket, as KLD nuk mund ta bëjë këtë dhe asnjë institucion tjetër. I vetmi mekanizëm dhe i vetmi institucion që ka hapësirën ligjore, që ka kapacitetet profesionale është Gjykata e Lartë dhe unifikimi i praktikave gjyqësore është mjeti më efikas për të mos thënë dhe i vetmi pas përcaktimeve ligjore, i cili do të orientojë qartë sesi duhet të sillet një gjyqtar në marrjet e vendimit për çështjet që shqyrton dhe nga ana tjetër është mekanizmi më i mirë për të identifikuar shkeljet ligjore të gjyqtarëve, është mekanizmi më i mirë për të identifikuar vendimet e gabuara, vendimet e padrejta, është mekanizmi më i mirë për të identifikuar shkeljet procedurale që do të thotë është mekanizmi më i mirë për të verifikuar se në çfarë rasti nuk bëhet drejtësi ndaj qytetarit”, – vijoi fjalën e tij kreu i shtetit, ndërsa shtoi: “Prandaj kjo fuqi e madhe e pushtetit ligjor që ju keni në duart tuaja paralelisht me eksperiencën profesionale që keni dhe e udhëhequr nga përgjegjshmëria qytetare që duhet të karakterizojë secilin prej jush është një shans shumë i madh për shoqërinë tonë, prandaj shfrytëzoj këtë rast jo vetëm për të nënvijëzuar rëndësinë e madhe që funksionimi edhe në këtë mënyrë i Gjykatës së Lartë, por edhe për të treguar se ajo shpresë ajo pritshmëri që kanë qytetarët shqiptarë tek sistemi i drejtësisë e ka në të vërtetë një mekanizëm real që mund tua jap këtë lloj pritshmërie dhe këtë lloj zgjidhjeje”.

 

 

 

 

 

Comments are closed.