Standard.al

Berisha: Rama ka frikë nga vota, në 23 qershor do ta shërojnë shqiptarët

Gëzim Saliu

imagesKryeministri: Aleanca e Ramës me moton “Qelbësira bashkohuni kundër Berishës”

 

Me ftesën e hapur për të bashkëpunuar me mazhorancën për të mundësuar votimin e emigrantëve jashtë vendit, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, deklaroi dje se kreu socialist, Rama, ka frikë nga vota e shqiptarëve. I pranishëm në rikonstruksionin e rrugës Kodhel – Dajç – Blinisht, kreu i qeverisë tha se qeveria do të garantonte votimin e emigrantëve nga shtëpitë e tyre, në rast se nuk do të haste në kundërshtimin e kryetarit të opozitës. “Është hipokrizi të mbledhësh emigrantët dhe të kërkosh mbështetje në një kohë kur nuk pranon që ata të votojnë. Edhe një herë, këtu nga Blinishti ftoj zotin Rama, urdhëro të votojmë se bashku ligjin dhe le të jetë kjo provë e qeverisë, a do të realizojë dot kjo qeveri apo jo votimin online të gjithë emigrantëve kudo që janë në Evropë dhe në botë. Po ti nuk e bën këtë, sepse midis të gjitha frikave që ti ke, frikën më të tmerrshme e ke nga vota dhe nga kjo nuk të shëroj dot, nga kjo do të shërojnë shqiptarët. Ti në kokë mban një Shqipëri që nuk ekziston”, – deklaroi Berisha.

 

Aleanca

Kreu i mazhorancës qeverisëse pohoi se me moton e tij të bashkëpunimit para dhe paszgjedhor në kuadër të zgjedhjeve parlamentare, kreu socialist ka fyer të gjithë aleatët që bëjnë pjesë aktualisht në koalicionin e majtë. “Aleanca tjetër cila është, më falni të shkojmë para ngjalave një herë. Në qoftë se unë, Sali Berisha, këtu ndonjëherë do shqiptoja: Fundërrina bashkohuni kundër meje, si do t’ju dukej juve, a do t’ju dukej si ndonjë fjalë që nuk duhej ta thosha asnjëherë? Po ja që nuk e thashë unë. Për javë të tëra, hapën shtypin dhe mediat e tyre me moton “Qelbësira bashkohemi për të rrëzuar Berishën” lexoni mediat e tyre, nuk e kam thënë unë këtë, por ideologët më kryesorë të tyre dhe pastaj pasi u bashkuan me të gjithë ato që kanë u ngelën halat e Lalëzit. Unë ia thashë atij dhe po ia them edhe një herë para jush se një nga një, do ia ngec në fyt halat atij. Aleanca jonë është aleanca e vërtetë. Ai rreshton emra, 4 parti komuniste, 3 parti “serial killer” dhe hajdutësh. Ju lutem shikoni listën nga 35 parti që ka në listë, 25 nuk kanë qenë kurrë në zgjedhje. Merrni listën e 2009, pra mashtrojnë me emrat. Por ai le të marrët me mashtrimet, ne merremi me të vërteta, me hallet, me dertet, me projektet, me vizonin, me fitoren e shkëlqyer të 23 qershorit 2013”, – theksoi Berisha.

 

Investimi

Në përurimin e rikonstruksionit të rrugës superstradë Kodhel – Dajç – Blinisht, Kryeministri Berisha tha se në një hark kohor 6-vjeçar, nga 2006 në 2012 në Shqipëri janë asfaltuar, ndërtuar dhe rindërtuar mbi 10 mijë km rrugë. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë ndau me të pranishmit një amanet, siç e cilësoi ai. “Por kam një amanet, populli thotë nuk e tret as dheu. Mirëmbrëma z. Berisha, jam Roland Zekaj, lindur në Bacel, Lezhë, banim në Vareze, Itali. Bëj një xhiro deri në fshatin tim ku për 2 km rrugë bashkëfshatarët vuajnë se rruga nuk është e mirë. Unë i jap fjalën Rolandit projektin e rrugës dhe Rolandit dhe gjithë miqve të tij, në Greqi, Itali e çdo vend të botës se do bëjmë gjithçka që vendet ku jetojnë familjarët e tyre të kenë atë infrastrukturë që kanë ata ku aty punojnë. Kjo është rruga e zhvillimit e ndërtimit të Shqipërisë, rruga e një vendi të zhvilluar”. Rruga Kodhel – Dajç – Blinisht 8.4 km e gjatë, lidh dy komunat jo vetëm me njëra-tjetrën, por dhe me superstradën Lezhë – Shkodër. Kjo rrugë është financuar nga qeveria shqiptare dhe donatorë të tjerë. Investimi i djeshëm në infrastrukturë u bashkëngjitet 500 km rrugë që janë ndërtuar e rindërtuar gjatë këtyre viteve, në Qarkun e Lezhës, nga të cilat 130 km rruge kombëtare, 134 km rrugë rajonale si dhe 236 km rrugë rurale në komuna e bashki.

 

Përurimi, Berisha: Shkollat, me standardet më të larta

Kryeministri Berisha ishte dje i pranishëm në përurimin e rikonstruksionit të shkollës së mesme të bashkuar “Gjovalin Gjadri” në Gjadër, Lezhë. Ai theksoi për qeverinë arsimi ka qenë dhe do të jetë çështja më serioze dhe më themelore. Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet e tij për këtë shkollë, si edhe për cilësinë e mësimdhënies në të. “Unë gjeta këtu një shkollë të pajisur me laboratorët dhe mjetet më bashkëkohore; gjeta laboratorin e informatikës dhe fëmijët që lundronin në internet; gjeta një kabinet jashtëzakonisht të veçantë, atë të artistëve të rinj, të cilët me hedhurina, në mbrojtje të mjedisit, krijojnë vepra të vërteta artistike; gjeta një klasë nxënësit e së cilës flisnin rrjedhshëm anglishten; gjata nxënës të tjerë që me një kompetencë të veçantë flisnin për acidet nukleike, ADN-në dhe ARN-në. Pra gjeta këtu nxënës dhe mësues që zhvillonin mësim të standardeve më të mira”, – u shpreh Berisha, duke shtuar se brenda 2-3 viteve të para të mandatit të ardhshëm do të ndërtohet edhe rindërtohet çdo shkollë. Rikonstruksioni i shkollës së mesme të bashkuar “Gjovalin Gjadri” është financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, një investim me vlerë 22 milionë lekë. Kjo shkollë ka gjithsej 299 nxënës, 36 fëmijë në sistemin parashkollor, 193 nxënës në shkollës 9 –vjeçare dhe 70 nxënës shkolla e mesme.

 

 

Meta: Aleanca “Për Shqipërinë Evropiane” nuk do të bojkotojë zgjedhjet

Nga qytetit i Vlorës, kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se opozita jo vetëm që nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet e 23 qershorit, por u shpreh i sigurt për fitoren e tyre. “Dua t’i them kreut të PD-së nga Vlora të mos shohë ëndrra me sy hapur që opozita do të bojkotojë zgjedhjet, pasi opozita, Vlora dhe Shqipëria duan që zgjedhjet të bëhen sot. Ne duam të nisim një politikë bashkëpunimi edhe me demokratët që sot janë në mazhorancë, pasi ata janë komshinjtë tanë, pasi ata e dhanë maksimumin që mund të jepnin gjatë këtyre 8 viteve, tani është koha për ndryshim dhe përmes këtij ndryshimi do të ketë një bashkëpunim. Ne jemi të sigurt në fitoren e këtyre zgjedhjeve. Aleanca për Shqipërinë Evropiane e nisi fitoren në Shkodër dhe kulmin do ta ketë në Vlorë më 23 qershor. E kemi të pamundur të mundim Berishën në Vlorë 8 me 2, por ju jap fjalën se do e mundim 9 me 3. Ashtu sikurse ju jap fjalën se 12 kandidatët e LSI-së do jenë djemtë dhe vajzat e Vlorës që qëndrojnë dhe jetojnë me hallet dhe shqetësimet e këtij populli të mrekullueshëm. Rroftë Vlora historike dhe fitore për të mirën e gjithë shqiptarëve, gjithë Vlorës dhe të mirën e Sali Berishës”, – deklaroi Meta.

 

Elbasan, Kryeministri: Gratë do të jenë arkitektet e fitores sonë

Në një takim me gratë demokrate të qytetit Elbasanit, Kryeministri i vendit, Berisha, tha se shembja e murit të patriarkisë, rritja progresive e rrogave dhe pensioneve dhe ndërmarrja e të gjitha hapave për të nxitur sipërmarrjen e lirë, e sidomos sipërmarrjen e të rinjve dhe grave do të përbëjnë prioritet kryesore të mandatit të ardhshëm qeverisës. “Në Shqipëri vepron muri i patriarkisë, i sundimit të burrit. E kemi patur e kemi dhe do ta kemi vendosmërinë më të madhe për të luftuar këtë mur 5-mijëvjeçar, është ndërtuar nga të gjitha doktrinat. Aspekt themelor në këtë pabarazi është ai financiar, shprehet me marrjen e përgjegjësisë dhe pushtetit ekonomik të gjithë nga burri. Në vitin 2005 një nga treguesit që më bëri përshtypjen më të keqe kur pashë një studim që tregonte se rroga mesatare e grave ishte 36% më e ulët se e burrave, ndërkohë që në ligj nuk ekziston. Natyrisht roli i qeverisë dhe ekzekutivit është i pamohueshëm, nisëm ta luftojmë këtë hendek, ndikuam fuqishëm, diferenca arriti në 17,7% afër mesatares së vendeve të BE. Në 4 vitet që vijnë mund të ndërtojmë platformën më të shkëlqyer e eficente ndaj murit të patriarkisë, Në këtë betejë të vendosur e seriozë”, – u shpreh kreu i qeverisë. Në bashkëbisedimin e tij me gratë, Berisha u shpreh i gatshëm për të çuar në Kuvend një paketë masash më të ashpra, ndërsa u shpreh i bindur se përsëri ajo do të bllokohet nga Rama. “Së bashku duhet të fitojmë betejën kundër dhunës ndaj jush. Është betejë që do ta fitojmë, Nuk ka më të dënueshme dhe më të papranueshme në këtë shoqëri se sa kjo dhunë. Ne gati për një paketë ligjore, jemi të sigurt që do ta votojë opozita nesër pa këtë bllokatorin që s’do gjë tjetër veçse të bllokojë nga mëngjesi deri në darkë. Kjo paketë është për rreptësimin e qëndrimeve ndaj dhunës së grave. Ai që dhunon duhet ta dijë që ligji do i përgjigjet në mënyrë më të rreptë. Të mbrojmë vajzat dhe gratë që janë objekt agresioni të përditshëm”, – premtoi Kryeministri. Berisha nënvizoi më tej se gratë do jenë arkitektet e fitores së 23 qershorit, ndërsa e cilësoi aleancën tjetër si aleancë të pazareve dhe të lidhjeve me botën e krimit. “Ju do të jeni arkitektet e fitores së 23 qershorit. Aleanca tjetër bazohet në pazare të privuara nga çdo vlerë e moral shoqëror, bazohet në lidhje të tmerrshme me botën e krimit, botë që ka dhe do ketë ligjin dhe vetëm ligjin. Ju ftoj më 23 qershor të bëjmë gjithçka, të votojmë për të ardhmen tonë, për një transformim të mëtejshëm të Shqipërisë. Ka shanse të mëdha, potenciale të jashtëzakonshme”.

 

 

 

Pronarët, Ballës: Po i shmangesh drejtësisë

Dhjetëra familje pronare që kanë hedhur në gjyq për shpifje deputetin e PS-së Taulant Balla, u ankuan dje për këtë të fundit duke theksuar se ai po i shmanget drejtësisë. “Sot përsëri Taulant Balla iu përvodh drejtësisë. Kjo është hera e pestë brenda 4 muajsh që Taulant Balla i përvidhet drejtësisë. Z. Balla para 6 muajsh na quajti mashtrues dhe hajdutë te gjithëve ne, me dhjetëra familje pasardhëse të familjeve të vjetra të Tiranës (ku kemi të majtë dhe të djathtë deri përfshi edhe të shoqen e Marko Bellos si bashkëpronare). Menjëherë sapo u fyem i kërkuam PS të hidhte poshtë me neveri sulmin e ulët dhe të pavërtetë të deputetit të saj si një sulm të padenjë dhe të drejtuar gjithë shtresës së ish-pronarëve, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Duke dashur të trajtojmë çështjen me dinjitet dhe korrektesë kemi përmbi 5 muaj që e kemi hedhur në gjyq për shpifje Taulant Ballën, duke i mundësuar të paraqesë fakte për sulmin e ulët ndaj të gjithëve ne, nëse ka, por ky person vijon t’i përvidhet drejtësisë. Kjo është një sjellje e padenjë dhe e turpshme e një përfaqësuesi të Parlamentit”, – thuhej në reagimin e pronarëve.

 

Bregu: Bllokimi i integrimit, qëllimi i vetëm elektoral i Ramës

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, akuzoi dje kryetarin e opozitës, Edi Rama, si shkaktarin kryesor të bllokimit të votimit të tre ligjeve, që do të çonin Shqipërinë drejt statusit të vendit kandidat për në BE. “200 ditë më parë, Bashkimi Evropian deklaroi se Shqipëria ishte një hap larg marrjes së statusit. Që të kapërcehej ky hap u vendos vetëm një kusht: votimi i 3 ligjeve. Në plot 200 ditë, vazhdimisht e vazhdimisht Rama pati vetëm një impenjim: bllokimin e këtyre 3 ligjeve, bllokimin e aspiratës evropiane të të gjithë shqiptarëve. Në çdo seancë parlamentare, të zhvilluar në këto 200 ditë, Rama e ka refuzuar, i ka thënë me këmbëngulje “Jo” kërkesës së përhershme të mazhorancës, për t’i votuar 3 ligjet. Sot qytetarët shqiptarë kanë 200 arsye për të mos e votuar Edi Ramën. Çdo ditë e bllokimit të statusit kandidat është një arsye më shumë për të mos e votuar Edi Ramën. Vazhdon t’u mohojë shqiptarëve dhjetëra-mijëra vende pune që lidhen me integrimin e vendit në BE. Vazhdon t’u mohojë të rinjve mundësi studimit, kualifikimit dhe karriere profesionale në vendet më të mira europiane”, tha Bregu në një konferencë për shtyp. Më tej ministrja e Integrimit, tha se bllokimi i kryesocialistit nuk lidhet as me moralin dhe as me thelbin e tre ligjeve, ndërsa siguroi se, zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë dita e fundit e bllokimit. “Sot është më e qartë se kurrë se bllokimi i Ramës nuk lidhet as me moralin e as me thelbin e këtyre tre ligjeve. Bllokimi është politika e vetme e tij, është qëllimi i tij i vetëm elektoral”, – deklaroi Bregu.

 

 

 

 

Comments are closed.