Speciale Agonia 14-vjeçare e familjarëve të të pagjeturve në Kosovë

0
159

familjeNë Republikën e Kosovës 1.750 persona rezultojnë ende të pagjetur. Institucionet zotohen për zbardhjen e fatit të tyre por agonia shumëvjeçare e familjarëve vazhdon.

Në shtëpinë e Ferdonie Qerkezit në Lagjen Orize të qytetit të Gjakovës, para 14 vjetësh vlonte jeta. Gruaja atëherë 46 vjeçare, jetonte me bashkëshortin dhe katër djemtë, dy prej të cilëve i martoi për një ditë. Pa u bërë viti ndoshta do të bëhej edhe gjyshe, sikur në gjirin e kësaj familjeje të mos plaste kobi.” Me 27 mars 1999, policia serbe e Gjakovës m´i kanë marr e çu n´drejtim t´panjohur burrin Halimin, djemtë: Artanin-24 vjec, Armendin-23, Ardianin-18 , Edmondin-14 vjeç dhe gjashtë mysafirë…Jo, s´kam tjetër fëmijë. Artanin dhe Armendin i patëm martu për një ditë. Nuk me lanë as fëmijë! Nuset pritën pesë vjet e gjysmë dhe morën drejtimin e vet…”, rrëfen Ferdonia, sot 60 vjeçare.

Për t’u pajtuar me fatin asaj iu desh forcë e cila nuk do të mblidhej për vite të tëra. Forcë për të parë në sy realitetin e transformuar nga bashkëshorte e nënë e lumtur në një grua të mbuluar pësë herë në zi. „N´fillim kam mbajt shpresë shumë.. Besoja: I kanë mar, por jane diku gjallë! Pa kurrfarë informate, 5 vjet kam jetu me shpresë të madhe…Kur m´erdhi lajmi për Artanin dhe për Edmondin, vec iu kam lut Zotit me m´i rujt mendt e kresë se ashtë dashtë me e dit se serbi s´i ka marr me i përqafu, por…Artani ashtë gjet n´Vermice të Prizrenit, Edmondi n´Rugovë t´Hasit…”,vazhdon rrëfimin ndër vaje.

 

Republikës së Kosovës i mungojnë edhe 1,750 qytetarë

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZH) pranë Zyrës së Kryeministrit, i themeluar për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, në bashkëpunim me institucionet dhe shoqatat vendore dhe ndërkombëtare, premton përkushtimin e qeverisë së Kosovës në këtë proces të ndjeshëm, thote për DW-në Prenkë Gjetaj, kryetar i këtij komisioni. Sipas tij në Kosovë rezultojne si të pagjetur edhe 1,750 qytetarë: “Gjetjet e mbetjeve mortore janë nga varrezat ilegale individuale dhe masive në Kosovë si dhe mbi 800 mbetje në Serbi. Mirëpo, procesi do të vazhdoje deri në zbardhjen e fatit të të pagjeturit të fundit në Kosovë. Ky proces sigurisht është i vështirë sepse gjurmët e krimeve janë zhdukur edhe me djegie të kufomave në vendet e krimeve, ku permenden edhe furrnaltat, si: Obiliq, Trepçë, Feronikel, Maqkatica, në Serbi. Pastaj ka pas hedhje të trupave në lumenj, liqenj dhe në varreza ilegale masive dhe individuale. Për trupat e djegur të cilët dihen si kanë përfunduar, ekziston një procedurë juridike për t´u shpallur i vdekur. Ndërsa, për mbetjet mortore të gjetura në vendin e djegur, rezultatet e ADN-së varen nga shkalla e dëmtimit të atyre trupave”, thotë z Gjetaj. Sipas tij KQPZH është në kontakt të përhershëm me familjaret e të pagjeturve, të cilët gëzojnë përkujdesjen materiale sipas ligjit për kategoritë e luftës.

Ndërsa, roli kryesor rreth çështjeve për krime lufte edhe më tej vazhdon të jetë tek mekanizmat ndërkombëtarë dhe ky komision varet nga raportet e tyre. “Aktualisht janë 246 mbetje mortore meshkujsh, 157 prej të cilave skelete dhe 89 pjesë skeletore, kurse prej 96 mbetjeve skeletore të femrave, 82 prej tyre skelete dhe 14 pjesë skeletore”, transmeton z.Gjetaj të dhënat e raportit të EULEKS-it.

Sipas raportit arsyeja e mospërputhjes me mostrat e gjakut janë gabimet apo identifikimet klasike në periudhën e pasluftës, mundësia e nxjerrjes së trupave që nuk i takojnë periudhës së luftës si dhe mbetjet e dëmtuara nga zjarri, prej të cilave eshtë e vështirë të nxirren profilet e ADN-së.

Hipoteza të shumta rreth mbetjeve mortore në Morgun e Prishtinës

Me 2008 kur EULEX-i filloi punën me Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës, numri i të pagjetuve kalonte shifrën 2000. Po atëherë u bë e ditur se statusi i qindra mbetjeve mortore njerëzore të paidentifikuara ishte i paqartë dhe fragmentet skeletore kishin mbetur të paidentifikuara për afro një dekadë. Atëherë, Deparatementi i Mjeksisë Ligjore të EULEX-it filloi projektin për rinanalizimin e këtyre mbetjeve: iu përkisnin personave të pagjetur ndonjë nga to; nëse po, pse nuk ishin identifikuar më parë dhe kujt i përkisnin ato mbetje, nëse jo të pagjeturve? Në përpjekje për të zbuluar përgjigjet shkencore, EULEX-DML zhvilloi një plan strategjik. Me kohë, supozimi i vetëm se të gjitha mbetjet kishin profile të plota të ADN-së, me kohë u dëshmua si i pasaktë, ndërsa qasja rast pas rasti, fazat e përshkruara më lart i vuri ndesh me njëra-tjetrën, thotë dr.Arsim Gergjaliu, drejtor i Departamentit të Mjeksisë Ligjore në Prishtinë. Sipas tij zbatimi i planit strategjik të EULEX-it, çoi në një sërë hipotezash:“Hipotezat e punës ishin se disa NN raste nuk i përkasin konfliktit; disa NN mund të jenë rezultat i identifikimeve të gabuara gjatë dhe menjëherë pas konfliktit; mungesa e mostrave të gjakut nga familjet parandalon përputhjen; disa mund t’iu përkasin luftëtarëve të huaj, të cilët asnjëherë nuk janë raportuar si të zhdukur; disa mund t’i përkasin minoriteteve si atij rom, zhdukja e të cilëve duket të jetë raportuar në numër më të vogël se ai faktik. Ndërsa, sa iu përket pjesëve skeletore trupore, këto i përkasin trupave jo komplete tashmë të identifikuar. Veç kësaj, për një pjesë të caktuar skeletore, p.sh.duart apo këmbët, nuk ka siguri se individët e afektuar në të vërtet kanë vdekur“.

 

Maratona 14 vjeçare për të pagjeturit vazhdon

Familjet e personave të pagjetur në Kosove, tash 14 vjet jetojnë në agoninë e enigmës së fatit të të dashurve të tyre. Haki Kasumi, kryetar i Këshillit Koordinues të Asosiacioneve për Persona të Pagjetur, thotë për DW-në:“Institucionet e Republikës së Kosovës po bëjnë përpjekje të pamajftueshme për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Numri i kufomave të kthyera nga viti 2006 ka rënë dukshëm. Raste të proceduara në gjykata kemi pak e të dënuar edhe më pak, sepe ne na është thënë se nuk kemi të drejtë ta bëjmë këtë dhe do të ngrenë procedura në mënyrë kolektive. Mirëpo, dëshmitarët po na vdesin, dëshmitë po na treten dhe kjo çështje për 14 vite qendron afër pikës zero”, thotë z.Kasumi. “Ne do të vazhdojmë të bëjmë trysni te institucionet vendore dhe ato ndërkombtare, për të realizuar të drejtën tonë elementare njerëzore, të paktën për sigurimin e informacionit që na mungon tash e 14 vjet, se ç’ka ka ndodh me familjaret tanë?”, pohon ai.

Sipas raportit te EULEX-it, brenda vitit 2012 ekspertët e mjekësisë ligjore në Prishtinë kanë zhvilluar 46 operacione në terren duke gjetur 20 persona, ndërsa nga mbetjet mortore të 55 viktimave, 39 prej tyre iu janë kthyer familjarëve. Për vitin 2013, janë identifikuar mbi 40 raste me lokacione potenciale për operacione fushore. Ndërsa, sfida më e madhe vazhdon të mbetët qasja në informata të besueshme, që shpien në vendndodhjet e varrezave të mundshme.

 

VV thërret popullin për ta kundërshtuar ratifikimin e marrwveshjes

Subjekti i dytë më i madh në opozitë: Lëvizja “Vetëvendosje”, ka thirrur popullin që të kundërshtojë ratifikimin në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për veriun e Kosovës. Shefi i Grupit parlamentar të lëvizjes “vetëvendosje”, Visar Ymeri dhe deputeti i kësaj lëvizjeje, Glauk Konjufca, të dielën në një konferencë për shtyp, kanë bërë të ditur se ditën kur marrëveshja mes të dyja vendeve e arritur në Bruksel do të sillet për të marrë vulën e Kuvendit të Kosovës, subjekti i tyre do të organizojë protestë në Prishtinë në funksion të kundërshtimit të saj, transmeton Koha.net.

Ymeri u ka bërë thirrje edhe deputetëve të partisë më të madhe në opozitë: Lidhjes Demokratike të Kosovës, që të mos e votojnë marrëveshjen, meqenëse sipas tij, eksponentë të këtij subjekti në vazhdimësi kanë thënë se ani pse janë pro dialogut, si subjekt janë kundër një aranzhimi për veriun në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës.  “Me dymbëdhjetë deputetë të lëvizjes ‘Vetëvendosje’ kundër, dy deputetë të Lëvizjes për Bashkim kundër dhe njëzet e shtatë deputetë të LDK-së kundër marrëveshja nuk do të kalonte”, ka thënë Ymeri.

Deputeti Glauk Konjufca ka thënë se Kosova po  kthehet mbrapa. ” Me marrëveshjen që e ka sjellë kryeministri Thaçi në bashkëpunim me Daçiqin, Kosova kthehet mbrapa pasi Serbia do të ketë kompetenca dhe çka do që të ndodhë në veri nuk do të mund të ndodh pa miratimin e Beogradit. Kjo qeveri vet po e trajton veriun si mos me qenë pjesë e Kosovës” ka thënë Konjufca.

Deputeti i këtij subjekti njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u ka kërkuar akterëve kosovarë të përfshirë në dialog që të zbërthejnë deklaratat dhënë mediave për marrëveshjen e arritur nga ana e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, njëherësh ndërmjetësuese në dialogun Kosovë-Serbi, Catherine Ashton. “Ashton përmendi autonominë dhe tash le ta sqarojnë këta këtë”, ka thënë Konjufca.  Deputetët e Kuvendit të Kosovës javën e kaluar i kanë dhënë mbështetje përmes një rezolute marrëveshjes së parafuar me Serbinë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency