Tregtia elektronike, si mund të paguash nga celulari çdo mall e shërbim 24 orë kudo në botë

0
184

Ervin Kaduku

cel– Shërbimi më i ri tregtar ka hyrë fuqishëm në Shqipërinë e epokës së internetit

 

 

Si një treg i ri, me hapësira të shumta ende të pashfrytëzuara, tregtia elektronike, veçanërisht pagesat në këtë formë, po kthehet në një fushë të kërkuar për investime. Megjithatë, si çdo fushë e re biznesi, futja në të nuk është edhe aq e lehtë.

I miratuar në vitin 2009, ligji “Për tregtinë elektronike” ka pësuar sërish ndryshime. Ligjvënësit janë duke i diskutuar dhe së shpejti ato do të miratohen. Bëhet fjalë për disa ndryshime që janë diktuar nga tregu evropian dhe që nuk janë reflektuar gjatë hartimit rreth tre vite më parë. Një pikë e rëndësishme e ndryshimeve ka të bëjë me “regjistrin e përjashtimeve”. Ekspertët evropianë kanë sugjeruar se është e nevojshme që çdo kompani që operon në tregun e shërbimeve elektronike duhet të ketë një regjistër të tillë, ku hidhen të gjithë ata konsumatorë që nuk dëshirojnë që të marrin shërbime të tilla pa lejen e tyre, si SMS apo email-e. Pra, “regjistri i përjashtimeve” është ai që mban ofruesi i shërbimit për ata persona që nuk kanë dëshirë të marrin komunikime tregtare të pakërkuara”. Kompanitë do të detyrohen që t’i referohen shpesh këtij regjistri për ta kontrolluar dhe respektuar. Në të janë parashikuar edhe sanksione.

Për një mbrojte më të mirë të konsumatorit në projektligj është shtuar: “Komunikimet nëpërmjet postës elektronike ose me SMS lejohen vetëm me miratimin paraprak të marrësit të tyre”.

Një tjetër risi për këtë projektligj është edhe ndryshimi i pikës 1, të nenit nr. 6, i cili formulohet: “Çdo person fizik ose juridik në Republikën e Shqipërisë është i lirë të ofrojë shërbime të shoqërisë së informacionit pa autorizim paraprak ose ndonjë kërkesë tjetër të ngjashme me të”.

Gjithashtu në këtë projektligj është parashikuar edhe një periudhë tranzitore për zbatimin e nenit 5/1 (ai i ofrimit të shërbimeve të shoqërisë së informacionit nga vendet anëtare të BE-së) në kohën kur Shqipëria do të aderojë në BE.

 

Shqipëria

Hapi i parë i domosdoshëm për tregtinë elektronike ka qenë përhapja e internetit dhe mund të thuhet që aktualisht, Shqipëria është në një nivel mjaft të mirë. Më pas, erdhën shërbime si e-banking apo edhe m-pay. Këto u nxitën edhe nga shtimi i përdorimit të celularëve që në Shqipëri është i lartë dhe zë rreth 87%, një nga shërbimet me shtrirje më të madhe.

Një nga alternativat e sistemit bankar është “mobile banking”, ku nëpërmjet një aplikimi në telefon përdoruesit mund të kryejnë veprime bankare. Tashmë përdoruesit e cilitdo lloj telefoni celular, smartphone ose jo mund të paguajnë faturat utilitare nga telefoni celular dhe të rimbushin kartat e tyre me parapagesë pa asnjë komision

Shqipëria është e pozicionuar më së miri në krahasim me rajonin. Pavarësisht barrierave, tregu shqiptar është mjaft në pararojë në të tilla shërbime. Ka shumë vende në Evropë që ende nuk i ofrojnë këto shërbime, ndërkohë që ka vende që kanë ndërmarrë nisma të ndryshme në fushën e telefonisë së lëvizshme, bankingut etj., siç është rasti i Afrikës. Përdorimi i këtyre shërbimeve ul ekzistencën e parasë “cash” dhe kjo është në dobi të të gjithëve. Njerëzit nuk kanë më kohë, prandaj ata duhet të paguajnë detyrimet e tyre lehtë dhe shpejt. Të gjitha këto shërbime vihen në dispozicion të konsumatorit për t’ia lehtësuar jetën dhe jo për t’ia bërë më të vështirë.

Më parë, korniza ligjore nuk ishte shumë e qartë. Adaptimi i ligjeve është në vazhdim, pasi këto shërbime po kërkohen gjithnjë e më shumë. Do të duhet edhe pak kohë derisa ky aspekt të qartësohet dhe të jetë tërësisht i zhvilluar ashtu siç duhet.

Njëra nga vështirësitë fillestare ka qenë gjithashtu bindja e partnerëve banka dhe operatorë celularë pasi nuk ishte e lehtë asokohe t’u shpjegoje avantazhet që ky shërbim ofronte si për ata vetë, ashtu edhe për klientët e tyre.

 

Risitë

Kur thua “pagesë elektronike”, kjo tingëllon si diçka e “frikshme”. Njerëzit janë mësuar me kontaktet fizike. Megjithatë, ajo që mund të thuhet është se njerëzit janë të mësuar që të përdorin shërbime të operatorëve celularë nëpërmjet menysë USSD në telefonin e tyre. E njëjta teknologji përdoret edhe për shërbimin MPAY dhe kështu adoptimi me të është i lehtë.

 

Tregtia elektronike në botë nuk njeh krizë

Gjatë vitit 2012, shitjet e tregtisë elektronike në botë arritën një shifër rekord. Nuk po flasim për miliona apo miliarda, por për triliardë, pasi kjo është shifra, 1 trilion dollarë, ose rreth 21% më shumë se në vitin 2011. Kjo shifër është parashikuar të arrijë në 1.3 trilionë dollarë gjatë 2013-ës.

Statistikat ofrohen nga kërkimet e “eMarketer”, sipas të cilave ky shërbim nuk do të njohë rënie gjatë këtij viti, edhe pse rritja do të jetë disi më e ulët, në 18.3%. Megjithatë mbeten shifra të “frikshme”. Kjo shifër tregon se ka ndryshim të ndjeshëm të kulturës së blerjes. Kur njerëzit ndryshojnë sjellje, kompanitë e “zgjuara” mbajnë shënime. Konsumatorët kanë lënë mënjanë përvojën e drejtpërdrejtë me shitësin dhe gjithnjë e më shumë po i japin urdhra kompjuterit.

Duke iu referuar përsëri “eMarketer”, edhe shifrat e shitjeve nga celulari kanë shënuar rritje të ndjeshme në krahasim me vitin 2011. Ato u llogaritën në 25 miliardë dollarë. Natyrisht çmimet mund të jenë një faktor. E-commerce do të thotë më pak veprime, më shumë lehtësi në shpërndarje kundrejt dyqaneve fizikë, gjë e cila mund të përkthehet në më shumë efikasitet dhe kosto operative më të ulëta. Edhe në Evropë, tregtia elektronike është duke lulëzuar. Sipas të dhënave të “Ecommerce Europe” (organizata për shitjet online me pakicë) rritja u llogarit në 22% krahasuar me vitin 2011. Kryesisht kjo rritje ka ardhur nga Evropa Lindore dhe Jugore. Gjatë vitit 2012, shitjet u llogaritën në rreth 305 miliardë euro. Vende si Polonia, Çekia shënuan rritje me rreth 25-30%. Pozitive ishte ecuria edhe për Francën (20%), Holandën (10%), Gjermaninë (25%), Belgjikën (20%), Italinë (19%) dhe Spanjën (19%). Sipas “Ecommerce Europe”, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania përbëjnë 70% të totalit të tregut të BE-së.

Ekspertët thonë se rritja e tregtisë elektronike ka të bëjë shumë me besimin dhe sigurinë. U deshën disa vite që përdoruesit e internetit të ktheheshin në blerës online. Kjo shpjegon edhe faktin se vetëm 20-40% e përdoruesve të internetit blenë online. Kjo sjellje nuk është e tillë në vendet e Skandinavisë apo në Holandë e Mbretërinë e Bashkuar, ku 70-80% e përdoruesve janë edhe blerës online. Në këto vende, penetrimi i internetit është në masën 90%. Në to shënohen shifra të larta si të e-commerce ashtu edhe të m-commerce (shitje përmes smartphone dhe tabletë). Ajo që mund të thuhet është se Evropa është tregu më i madh i e-commerce. Për vitin 2012, SHBA llogariti shitje në 280 miliardë euro. Parashikohet që gjatë viteve të ardhshme, shitjet online të përcaktohen në mënyrë determinante nga penetrimi spektakolar i m-commerce. Të gjitha shtetet do të njohin rritje të shpejtë dhe të menjëhershme të këtij segmenti tregu. Sot, 47.6% e evropianëve kanë një smartphone. Konsumatorët janë gjithmonë online. Ata mund të blejnë gjithçka që duan, kurdo dhe kudo. Kjo është sfida e radhës së kompanive që do të duan të jenë inovative.

 

 

 

 

“Pensionet e arta”, ku mund të kalosh pleqërinë si mbret me pak para

Nëse mendoni se si do të jetë jeta juaj kur të dilni në pension, atëherë mësoni se mund jetë edhe e bukur, pa shumë kokëçarje, madje edhe ekzotike, me shumë diell. Është e mundur? Transferohuni jashtë. Këtë mund ta mendojnë edhe ata që sot janë të rinj dhe mund të vënë pak para mënjanë, që do t’ju nevojiten shumë kur të mos jeni më në gjendje të punoni.

Nëse pak kohë më parë, ideja për të lënë pas gjithçka dhe për t’u transferuar në një vend, ndoshta edhe ekzotik, ishte një mendim që mund ta realizonin vetëm ata që i kishin xhepat plot, sot janë të shumtë ata që e quajnë të mundur jetesën në këto parajsa ku kostoja e jetesës është e ulët. Ndoshta ju nuk duhet të prisni deri sa të mbushni 60 apo 65 vjeç, por asnjëherë nuk është vonë. Jo vetëm evropianët, por edhe shtetas të kontinenteve të tjera gjithnjë e më shumë po popullojnë vende si Tajlanda, Indonezia, Santo Domingo, Kosta Rika, Brazili, Ishujt Kanarie, Tunizia, Kenia etj. Janë pikërisht këto destinacione që preferohen më shumë. Shpesh nisin si një udhëtim pak i gjatë, por më pas kthehet në një destinacion për të jetuar përfundimisht. Këtë zgjedhje më shumë po e bëjnë pensionistët, të cilët, edhe pse nuk “notojnë në ar”, kanë njëfarë të ardhure të vënë mënjanë, përveç pensionit të tyre. Me një shumë 600-1,000 euro në muaj mund të jetohet si “mbret” në vende si Karaibet apo edhe Afrika. Mos u frikësoni nga kjo shifër, pasi ka edhe vlera më të ulëta për vende si ato të Amerikës Latine apo Qendrore, veçanërisht Panamaja e Meksika.

Blerja e një pasurive të patundshme, banesë, kushton pak dhe realizohet me procedura të thjeshta. Këto shtete ofrojnë lehtësi fiskale që tërheqin jo pak vëmendjen.

Për evropianët, destinacioni kryesor është Azia, veçanërisht Tajlanda. Pavarësisht krizës dhe kostos disi të lartë të jetës, Malta është gjithashtu e preferuar. Ndër preferencat e evropianëve nuk mbeten pas edhe Polonia e Hungaria.

Natyrisht që një 60-70-vjeçar nuk e ka aspak të lehtë që nga një ditë në tjetrën të ndryshojë tërësisht mënyrën e jetesës, por e sigurt është se në portofol do t’i ngelen para. Në Tajlandë mund të blihet një shtëpi me kushte komode për 20,000 euro, në Bali të Indisë mund të jetohet fare mirë me 800 euro në muaj. Ka edhe aspekte të tjera që duhet të merren në konsideratë, si hapja e një llogarie bankare në vendin ku mendoni të jetoni, sigurimi i mbulimit shëndetësor. Këto vende ofrojnë lehtësi dhe shërbim cilësor për të huajt. Madje mund të përqafoni edhe një filozofi që konsiston në uljen e ritmit të punës për të përqafuar ritme që bazohen te mirëqenia psikofizike.

 

Zbarkim në “ishull”

Të përcaktosh kufijtë e këtij fenomeni nuk është aspak e lehtë. Ajo që mund të thuhet është se më të pasurit preferojnë Azinë dhe Amerikën. Më pas vijnë vende si Tajlanda, Filipinet, Maroku, Republika Domenikane. Për shembull, Santo Domingo, ku ndihma shëndetësore private kushton rreth 600 euro në vit, njeh si vende më të preferuara nga evropianët qytete si Samana, Cabarete e Boca Chica.

Ata që janë më të familjarizuar, që kanë një traditë më të hershme në largimin për të jetuar drejt destinacioneve ekzotike janë anglosaksonët. Mjafton të sillni ndërmend faktin se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej vitesh flitet për “tërheqje e parakohshme jashtë vendit”.

Protagonistë janë gjenerata e cila ka lindur në periudhën mes viteve 1945-1964. Sipas vlerësimeve të revistës “Escape from America” janë me mijëra personat që zgjedhin të ndryshojnë mënyrën e jetesës dhe të largohen drejt një vendi të ri. Në Europë? Qeveritë e kontinentit të vjetër kanë përcaktuar moshën 67 vjeç për të dalë në pension. Ende mungon një strategji e përbashkët, por e sigurt është se gjithnjë e më shumë pensionistë po shkojnë të “fshihen” nën diellin e Karaibeve ose të Lindjes së Largët.

Në forume të ndryshme të specializuara janë të shumtë ata që kërkojnë këshilla e sugjerime se si mund të braktisin gjithçka dhe ku të transferohen. Pyetja më e shpeshtë që bëhet është nëse vendi është i sigurt e nëse ka sistem shëndetësor në nivelin e duhur.

Për shembull, Tunizia ofron një sistem të favorshëm fiskal. Qiraja e një vile llogaritet në rreth 260 euro në muaj, ndërsa mund të hahet mirë jashtë me rreth 7 euro. Mund të përfitohet farë mirë nga shërbimi publik shtetëror, ndërsa një vizitë te mjeku privat mund të llogaritet në më pak se 25 euro.

Tajlanda është një tjetër destinacion ku mund të shkohet për të jetuar të lumtur. Një vilë e marrë me qira në qendër të kryeqytetit kushton 500 euro në muaj. Mund të paguhet një vendase me 10 euro në ditë për të bërë të gjitha shërbimet shtëpiake, si larja e rrobave, e shtëpisë etj. Qetësia dhe siguria janë të garantuara. Në Pattaya mund të blihet një shtëpi për 20,000 euro, ndërsa mund të jetohet fare mirë me 800 euro në muaj.

Bali, gjithashtu tërheq vëmendje. Jashtë zonave turistike, një shtëpi mund të blihet për 40,000 euro. Nëse dëshironi të merrni dikë që të kujdeset për punët e shtëpisë do të duhet ta paguani 60-70 euro në muaj. Natyrisht Bali nuk është më ai i dikurshmi, por ama me 800 euro në muaj mund të bëni një jetë më se komode. Klima është ngrohtë. Nuk është e nevojshme të visheni trashë apo të paguani për ngrohjen.

Në fakt, moti i ngrohtë është një nga arsyet që shtyn pensionistët të zgjedhin destinacionet ekzotike, si ishujt Kanarie, ku 400 euro në muaj janë më se të mjaftueshme për ushqimin dhe 500 euro mund të shpenzohen për shtëpinë. Me pak fjalë, një çift pensionistësh mund të bëjnë një jetë për t’u pasur zili me 900 euro në muaj.

Edhe ishujt e Greqisë, ku rënia e çmimeve llogaritet nga 10-30% bëjnë pjesë ndër vendet e preferuara. Ishulli i Rodosit preferohet për akomodimet me kosto të ulët. Është edhe Kreta ku mund të blihet një vilë e vogël me 80,000 euro.

Ka edhe nga ata që kanë preferuar të transferohen në Santa Kruz të Bolivisë, ku me 6 euro mund të hahet pica dhe të pihet birrë shumë e mirë. Qiraja e një vile me pishinë llogaritet në 200 euro në muaj, ndërsa për ushqimin nuk shpenzohet më shumë se 100 euro në muaj. Edhe sigurimi shëndetësor kushton pak. Për dikë të moshës mbi 65 vjeç, nga 50-100 euro në muaj.

Amerika Qendrore dhe Karaibet tërheqin jo pak. Kosta Rika ka avantazh stabilitetin. Është një shtet ku mbizotëron “e drejta romake”. Një apartament me sipërfaqe 60 metra katrorë mund të blihet për 50,000 euro.

Mund të transferoheni në Tanzani, pasi e ardhmja mund të fillojë edhe në 80 vjeç. Në plazhin e Dar es Salam mund të jetohet me 2-3 euro në ditë. Një shtëpi mund të blihet ose të ndërtohet për 15-20,000 euro. Në fakt, Tanzania zgjidhet nga ata që vlerësohen si “pionierë” të këtij fenomeni. Kenia gjithashtu mund të jetë një zgjidhje. Ka vende të bukura me klimë të mrekullueshme. Me 1,000 euro mund të jetohet mirë. Natyrisht nuk mund të dilet jashtë çdo natë, por ama mund të hash vakte me 50 cent.

Në Cape Verde, me 600 euro në muaj mund të marrësh me qira tri dhoma e një kuzhinë. Jetesa është disi më e shtrenjtë, pasi për të bërë një jetë komode nevojiten të paktën 1,500 euro në muaj. Megjithatë mund të ushqeheni jashtë me 10 euro dhe të bëni plazh edhe në Krishtlindje. Kështu nuk do të ankoheni më për dhembjen e kockave.

Këtë zgjedhje, më shumë po e bëjnë pensionistët, të cilët edhe pse nuk “notojnë në ar”, kanë njëfarë të ardhure të vënë mënjanë, përveç pensionit të tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency