KQZ dhe kriza morale e opozitës

0
115

Çelo Hoxha

 

kqzJavën e kaluar, të hënën, më 15 prill, Kuvendi e kaloi gjithë ditën me diskutime. Siç më thanë, të gjithë deputetët ishin regjistruar të flisnin në atë seancë maratonë dhe të zjarrtë. Objekti i diskutimit ishte zëvendësimi i një anëtari të KQZ-së. Arsyeja: ai ishte i propozuar nga LSI-ja, kur ajo ishte partia e dytë në koalicionin qeverisës. Në fund të marsit, LSI doli nga ai koalicion dhe, logjikisht, kandidati i saj në KQZ (tashmë anëtar i tij) i takonte koalicionit të djathtë. LSI, tashmë e futur në koalicion me PS-në në opozitë, nuk ishte dakord. As PS; të dyja së bashku u larguan nga votimi i anëtarit të ri të KQZ-së, kështu që ai u zgjodh me votat e mazhorancës dhe të disa deputetëve socialistë të distancuar nga PS-ja.

Politika shqiptare menjëherë u tensionua. Ajo arriti në atë pikë sa dhe LSI, ish-aleatja e PD-së për katër vjet në qeveri, filloi të përdorte një gjuhë të ashpër kundër qeverisë dhe personalisht Kryeministrit. Dy ditë më vonë, Ilir Meta, kryetar i LSI-së, u shpreh në lidhje me ndryshimin e anëtarit të KQZ-së: “Kemi një shantazh të qartë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj opozitës për të vënë dorë mbi zgjedhjet, duke vënë dorë mbi qeverinë e pavarur (KQZ) të zgjedhjeve… (Shqipëria) nuk ka nevojë për dhunë, si ajo që u ushtrua me kartonë në Parlament, është momenti për të reflektuar përpara se të jetë vonë”. Ky fragment i fjalës së tij është marrë nga gazeta e LSI-së, 18 prill.

Opozita u mundua ta mbronte anëtarin e LSI-së në KQZ, duke folur për pavarësinë e KQZ-së etj., por e kaloi shumë shpejt gjendjen e saj të zemërimit. Tri ditë më vonë nga votimi, Ilir Meta deklaroi në një televizion se ai nuk e kishte biseduar çështjen e KQZ-së me Kryeministrin Berisha, kur i njoftoi atij vendimin e LSI-së për të dalë nga qeveria, por ajo mund të ishte zgjidhur mes tyre në atë takim. Pra, ai e konfirmoi që çështja e anëtarit të KQZ-së ishte një çështje politike dhe morali (pavarësia e KQZ-së etj). Duke vazhduar në këtë linjë, pardje, 24 prill, LSI i kërkoi KQZ-së që, si partia e dytë më e madhe në koalicionin opozitar, të ketë të drejtë për të propozuar anëtarë të KZAZ-ve në zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas gjasave, ajo do të kërkojë të ketë edhe një anëtar në KQZ, duke ia marrë vendin PBDNJ-së.

KQZ në Shqipëri nuk është formalisht institucion i pavarur. Faktikisht, ai nuk është. Përderisa disa nga anëtarët e tij janë propozime të partive, KQZ nuk ka mundësi të konsiderohet i pavarur. Kjo lloj pavarësie mund të shpjegohet me një shembull pastërtie nga kompanitë që shesin ujë të paketuar. Supozojmë se një kompani shet ujë të paketuar me etiketën “Dajti”, ngaqë e merr ujin nga një burim që quhet Dajti. Po kur kjo kompani i mbush shishet me ujë nga burimet Dajti dhe Korabi, a mund të konsiderohet ujë Dajti i pastër, pavarësisht se në etiketë shkruhet vetëm njëri emër? Sigurisht, që jo. Edhe KQZ nuk mund të konsiderohet e pavarur politikisht, përderisa ajo furnizohet me anëtarë të propozuar nga partitë politike.

Një fakt tjetër që e përforcon faktin se KQZ nuk është e pavarur është edhe kërkesa që PS i bëri dy ditë më parë Kryeministrit që të bisedojë me të për të arritur një marrëveshje për rikompozimin e KQZ-së. Përse i duhet asaj marrëveshja me Kryeministrin, i cili është drejtuesi i një partie politike dhe gjithë koalicionit të djathtë, kur KQZ është i pavarur, siç pretendoi opozita në datën 15? Nëse KQZ do të ishte e pavarur, Kuvendi mund të vazhdonte me rikompozimin e KQZ-së (pas dorëheqjes së disa anëtarëve të tij), duke u bazuar vetëm në ligj. Por, ligji kërkon që disa propozime bëhen nga partitë politike dhe këtu opozita ka nevojë për marrëveshje me kryetarin e koalicionit kundërshtar.

Ekzistenca e një KQZ-je me propozime politike nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe. Një KQZ e balancuar politikisht mund ta bëjë punën po aq mirë sa edhe një KQZ jo politikisht e varur. Varësia politike është pasojë e mosbesimit që ekziston mes partive politike dhe jo se në Shqipëri nuk ka njerëz pa tesera në xhep apo Kuvendi nuk është në gjendje ta krijojë KQZ-në me anëtarë të propozuar nga shoqata civile apo institucione jopartiake. Në Shqipëri është e dyshimtë pavarësia politike e shumë njerëzve dhe dëshmitë nuk mungojnë. Ka pasur shumë raste, edhe muajt e fundit, që gjykatës, prokurorë e gazetarë, të cilët për vite me radhë deklaronin se ishin të pavarur, u futën në listat e partive politike. Më të shumtët, për të mos thënë të gjithë, janë futur në listat e opozitës.

E gjithë sjellja e opozitës në çështjen e KQZ-së tregon krizën morale të opozitës, e cila nuk u përmbahet rregullave të lojës, të shkruara e të pashkruara, por ngre kauza sipas interesave të çastit. Kriza morale e saj është dëshmuar që në formimin e koalicionit, kur pranoi të bashkohej me LSI-në. Në 21 janar 2011, u vranë 4 socialistë, sepse morën pjesë në një protestë kundër qeverisë, ku i kërkonin Kryeministrit Berisha të largohej nga pushteti se aleatët e tij (ministrat e LSI-së) ishin të korruptuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency