Standard.al

Sherri për bastin sportiv, vritet me thikë adoleshenti nga Borizani

Elton Qyno

 

vritetFlorind Kadiu u qëllua dy herë pas konfliktit për ndeshjen mes Reali të Madridit dhe Dortmundit

Pranga në mal autorit të krimit. Policia merr në mbrojtje familjen e Durim Xekës

 

Superndeshja Borusia e Dortmundit dhe Reali i Madridit është bërë shkaktare e një sherri mes dy të rinjve në zonën e Fushë-Krujës, njëri prej të cilëve ka mbetur i vrarë. Durim Xaka dhe Florind Kadiu, të dy nga fshati Borizan, kanë qenë së bashku në të njëjtin lokal, ku po shikonin përballjen sportive mes dy ekipeve që luanin në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve. Veç tifozllëkut, dy protagonistët e kësaj ngjarjeje kriminale kishin luajtur dhe loto sportive, ku siç mësohet, Xaka priste të fitonte një shumë financiare, nëse fitonte ekipi i Realit të Madridit, ndërsa Kadiu fitonte lekë, nëse fitonte skuadra gjermane Borusia e Dortmundit. Përgjatë ndeshjes, të dy të rinjtë kanë qenë të elektrizuar në maksimum, për shkak se njëri ndiente shijen e fitores, ndërsa tjetri atë të humbjes. Nisur nga kjo situatë, mes tyre ka pasur përplasje, duke shkëmbyer fjalë të ndërsjella si dhe fyerje personale dhe ofendime. Këto fyerje kanë vijuar akoma dhe më tepër pas përfundimit të ndeshjes sportive, ku dy të rinjtë kanë filluar të gjuajnë njëri-tjetrin fizikisht. Për pasojë, Durim Xaka ka nxjerrë nga xhepi i tij një thikë me të cilën e ka qëlluar dy herë në bark 19-vjeçarin Florind Kadiu. Si pasojë e goditjeve, Kadiu ka humbur shumë gjak dhe ka gjetur vdekjen në spitalin e Krujës. Ndërkohë, autori i krimit, 29-vjeçari Durim Xaka, ka përfituar nga errësira dhe është larguar në drejtim të daljes së fshatit.

Arrestimi në mal

29-vjeçari është larguar me shpejtësi në drejtim të daljes nga fshati Borizan, duke mos rënë në prangat e policisë në kohë. Blutë e komisariatit të Krujës kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë arritur të bëjnë identifikimin e menjëhershëm të autorit të krimit, por pas disa kontrolleve në banesa nuk është arritur të bëhet gjetja e Durim Xakës. Gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, policia e Krujës ka marrë informacione se autori i këtij krimi ndodhej në zonën e malit që ndodhet përbri fshatit Borizan. Nisur nga këto informacione, policia ka angazhuar dhjetëra forca të saj, që kanë kryer kontrolle në zonën e gjelbër. Pas disa orë kërkimesh është arritur të bëhet lokalizimi i vendit se ku qëndronte i fshehur autori i vrasjes së 19-vjeçarit dhe pas disa negociatave me të, është bërë dhe ndalimi i tij, duke u vetëdorëzuar në duart e efektivave të komisariatit të Krujës.

Pendesa për krimin

Menjëherë pas arrestimit të Durim Xakës, ky i fundit është shoqëruar në dhomat e paraburgimit të komisariatit të Krujës, ku edhe është marrë në pyetje për rrethanat dhe motivet e vrasjes së 19-vjeçarit. 29-vjeçari ka treguar përpara ekspertëve se ndiente pendesë për krimin e kryer dhe se e kishte qëlluar adoleshentin në gjaknxehtësi e sipër, pasi ai e kishte ofenduar rëndë, nga anëtarët e familjes së tij. Për pasojë gjakrat mes tyre janë nxehur dhe Durim Xaka ka vendosur ta qëllojë me thikë bashkëfshatarin e tij. Nisur nga kjo situatë, 19-vjeçari ka gjetur vdekjen, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme policia e Krujës ka marrë në mbrojte familjen e autorit të krimit, pas kërcënimeve të vazhdueshme për hakmarrje nga anëtarë të familjes së adoleshentit të vrarë. Për të shmangur çdo konflikt tjetër që mund të përshkallëzonte sherrin mes dy familje, në banesën e prindërve të Durim Xakës janë vendosur efektiva policie, me qëllim garantimin e sigurisë fizike. Të gjithë anëtarët e kësaj familjeje gjatë ditës së djeshme kanë qëndruar të ngujuar në banesën e tyre, në të cilën kanë hyrë vetëm efektivat e komisariatit të Krujës, të cilët kanë bërë marrjen në pyetje të tyre. Ndërkohë, nga ana tjetër, familjarët e të ndjerit Florind Kadiu, janë shprehur se nëse autori i krimit nuk dënohet maksimalisht nga drejtësia, atëherë ata çështjen do e zgjidhin privatisht, duke nënkuptuar për një hakmarrje të mundshme.

 

 

Ngjarja në Korçë

Varet në ahurin e bagëtive 50-vjeçarja

Një 50-vjeçare është gjetur e vdekur dje në mesditë në fshatin Drithas të qytetit të Korçës. Burimet zyrtare të policisë rajonale thanë se shtetasja me iniciale S. F. i ka dhënë fund jetës së saj, duke u vetëvarur në ahurin e bagëtive pranë banesës së saj. Gruaja është gjetur nga bashkëshorti, i cili ka thënë për burimet policore se bashkëshortja e tij kishte disa kohë që vuante nga depresioni. Policia ka ngritur grupin hetimor dhe po mbledh të dhënat në vendngjarje si dhe dëshmitë e fqinjëve të çiftit, për ta zbardhur të plotë ngjarjen. Dyshimet e para flasin se 50-vjeçarja nuk ka arritur të përballojë dot gjendjen e saj të rënduar nga ana psikologjike, duke vendosur të vetëflijohet. S. F. ka ruajtur momentin kur në banesë s’ka pasur njeri nga anëtarët e familjes dhe menjëherë ka hedhur litarin në trarët e ahurit dhe më pas e ka lidhur në fyt atë, duke i dhënë fund jetës së saj.

Trafiku i makinave

Durrës, bllokohen 6 automjete të trafikuara

Gjashtë automjete të trafikuara nga vendet e Evropës Perëndimore janë bllokuar në Durrës. Sipas policisë, një pjesë e mirë e tyre ishin edhe mjete të tonazhit të rëndë. Për to policia ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj tre personave. Materialet procedurale lidhur me rastet iu përcollën për ndjekje Prokurorisë Rrethit Durrës e Krujë për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”, ndërkohë që operacioni në fjalë po vijon ende. Dyshimet e para flasin se pronarët e këtyre makinave, kishin arritur t’i transportonin ato nga vende të Bashkimit Evropian. Këto automjete janë vjedhur në rrugët e disa qyteteve dhe më pas janë sjellë nëpërmjet procedurave mashtruese në Shqipëri, ku në disa raste u janë shitur qytetarëve të ndryshëm. Policia shprehet se ka rënë në gjurmët e një rrjeti të mirorganizuar të trafikut të makinave dhe se nisur nga kjo situatë hetimet në këtë drejtim ende vijojnë.

 

Konflikti për ndërtesën trekatëshe, banorët e nxjerrë jashtë hyjnë në grevë urie

Dhjetëra banorë që u nxorën nga banesat e tyre me forcë nga përmbarimi dhe policia e Tiranës kanë vendosur të hyjnë në grevë urie. Ata kërkojnë nga qeveria dhe bashkia që t’i strehojnë, pasi nuk kanë ku të shkojnë dhe s’kanë asnjë mundësi financiare për të qëndruar me qira. Ata që ndodhen tashmë në grevë, janë katër familje, pasi pjesa tjetër është larguar dhe sistemuar diku tjetër. Të pranishëm për të mbështetur grevën e tyre kanë qenë dy komisionerë të Avokatit të Popullit. Ndërsa kujtojnë se në vendngjarje kanë qenë në mbështetje të tyre edhe deputetë të PS-së dhe Avokati i Popullit Igli Totozani. “I bëj apel shtetit Avokatit të Popullit, ambasadorit amerikan, ambasadave të akredituara në Shqipëri të na ndihmojnë se jemi në rrugë të madhe. Unë jam me dy fëmijë, me një burrë të sëmurë. Ku të shkoj, më mirë të vdes këtu”, – shprehet mes lotëve njëra nga banoret e ndërtesës trekatëshe. Banorët kanë vijuar grevën për rreth 30 minuta, ndërsa policia private dhe ajo e rendit kanë arritur të nxjerrin disa prej grevistëve jashtë. Të vetmit që kanë rezistuar, kanë qenë katër persona, të cilët mendohet se do të nxirren sërish jashtë, duke përdorur forcë. Në rrugë, gjatë mbrëmjes së djeshme, ka pasur edhe persona të tjerë, banorë të ndërtesës trekatëshe, të cilët kanë kërkuar të hyjnë në grevën e urisë, por nuk janë lejuar të hyjnë brenda saj. “Të vijë ambasadori amerikan, se këtu nuk ka shtet, ka korrupsion. Kemi gjysmë ore që e kemi filluar, kam tri ditë që fle në rrugë të madhe, hyra e vetme, kush të dojë të më mbështesë, unë prej këtej nuk dal, lë amanet kalamajtë. Na kanë sharë, nuk ka ardhur asnjë nga pronarët”, – shprehet një tjetër banor.

 

 

Comments are closed.