Një mjedis i menderosur në teatër!

0
173

teaterRegjisori Enton Kaca vazhdon kundër traditës; dance-teatër, me copëza tekstesh të mbledhura e të rrëmuara në ngjarje të aktualitetit të përditshëm mbështet filozofinë e lëvizjes së njerëzve, brenda dhe jashtë, nga periferia në qendër; më 2 maj vjen ajo çfarë sheh e jeton:

 

 Violeta Murati

Derisa zunë vend të rinjtë që u ka dhënë punë Entoni në një grup të vogël për realizimin e shfaqjes, nuk folën pothuaj asnjë fjalë, thjesht nga fytyrat e tyre dilte një lloj ankthi.

Në hollin e Teatrit Kombëtar u improvizua shpejt e shpejt “skena” për konferencë shtypi.

E kemi nisur punën nga zeroja, shpjegon Enton Kaca, së pari regjisori, që e ruan formën eksperimentale në teatër, me shumë fanatizëm, si mënyrë më e mirë për t’iu përgjigjur shqetësimeve për shumë gjëra të përditshme shqiptare.

“Na falni që ju lamë me prit pak, edhe ne jemi pasqyra e asaj që ndodh çdo ditë në Tiranë apo në Shqipëri. Pa dashur t’i anashkalojmë të gjitha ngjarjet e vogla që ndodhin në jetën e përditshme, flas kur jemi këtu brenda në këtë ambient, pasi kur jemi jashtë nuk diskutohet nuk mund t’i anashkalojmë”. Shfaqja për të cilën të vendos direkt në karrigen e publikut, gati si në atë elektrike, është një bashkëpunim me Teatrin Kombëtar dhe quhet “Skica për dramë, konflikt dhe personazhe”. Është një reflektim modest, thotë regjisori, duke e lidhur me momente të caktuara të emigracionit shqiptar, ngjarje të ndodhura në vitet ‘91-‘97 dhe në vazhdim.

Sigurisht për grupin e të rinjve që rrinë gjithë pezëm përballë medias, është më e lehtë jeta në skenë, dhe çfarë ndodh me jetën e tyre reale shumë herë më e lehtë për të “protestuar” në teatër, në një formë kaq të thjeshtë, nëse dikush ua vë veshin, ose kupton. Projekti është pothuajse në frymën e dance-teatër, ka shumë pak tekst. Procesi është punë në progres, nisur me dhjetë veta apo më tepër dhe përfunduar me gjashtë.

Duke shpjeguar këtë proces, Entoni jep paralelen pse ndodh kjo, pa ndonjë arsye, por duke treguar se janë thjesht arsye që njerëzit vendosin të largohen, të ikin nga një vend ose nga një situatë e caktuar; për arsye të panjohura, ose ekonomike më së shumti, apo me arsye që kanë të bëjnë me presionin e mospërputhjes së një mentaliteti të caktuar ambienti apo me rrethanën në të cilën jeton! Ja pse shfaqja nis me disa njerëz dhe përfundon me pak.

“Ky është përgjithësisht një teatër që do flasë shumë pak. Nuk është formë tradicionale e një niveli klasik teatror”, – shpjegon regjisori. Performuesit e shfaqjes janë: Elton Cefa, Milena Nurka, Sueda Hoxha, Ardit Logu, Dorjan Ramaliu, Klaudia Zaçe. Përveç Dorjanit të gjithë të tjerët kanë mbaruar shkollën e koreografisë ose janë duke e mbaruar.

“Ne e nisëm punën si një bashkëpunim personal, jo si iniciativë e financuar nga një institucion që është teatri, një shoqatë artistike, apo kompani e huaj, apo një formë tjetër subvencionuese. Po e quaj një punë private (nuk më pëlqen termi privat, sepse s’dua t’i jap ngjarjes ikonë komerciale) të një situate që ne prodhojmë një performancë për të krijuar një precedent ekonomik. Ky është më tepër precedent shpirtëror, pasi të gjithë ne këtu bëjmë pothuaj punë të tjera jashtë profesionit”, – reagon regjisori.

Regjisori ndan shqetësimin me median se pas kësaj kuinte mundohen të fitojnë jetën e përditshme jo me teatrin dhe në një moment si ky që ndodh rrallë e më rrallë kthehen në skenë.

Gjithmonë plagët janë nën lëkurë – arsyeja pse formatoi Entoni një grup njerëzish, nuk e lidh me pritjen siç bëjnë shumica e artistëve më emër këtu, me dhënien e ndihmës nga institucionet. “Edhe sikur të ndodhë kjo, dihet tashmë se kultura nuk ka fonde të përfillet në masë të gjerë dhe njerëzit të kenë bashkëpunim të mirë. Shumë njerëz njoh që diplomohen në profesionin tonë, prej tyre shumë pak punësohen dhe janë rregullisht në projekte të ndryshme. Për shkak se shteti është i varfër, edhe sikur projekti të ofronte një grup njerëzish njëherë në vit, prapë këta nuk do kishin mundësi të jetonin me këtë punë, ose të kishin një fare jete normale mesatare”, këto janë nga arsyet si e ka zënë brumin për këtë shfaqje, pse tek disa njerëz arsyeja për ta braktisur këtë vend është më e fortë, e tek të tjerë më e lehtë.

Të shfaqësh atë që jeton, nuk është pesimizëm u përgjigjet gazetarëve Entoni. “Nuk jam unë ai që është pesimist. Mbase është vendi i atillë. Ne, në shfaqje përdorim një intervistë të shkurtër audio, një person që është 43 vjeç që intervistohet kur zbret nga anija në shkurt të ‘91 dhe u lutet njerëzve që intervistojnë se, nuk kishin ikur me dëshirë nga Shqipëria, ikën se nuk kishin mundësi, se rronin në kushte të vështira. Kjo është një arsye. Nuk më duket normale që një koreograf apo balerin që ka investuar gjithë jetën të dalë e të punojë më pas në një profesion tjetër. Kjo më duket qesharake për shqiptarët”. Ky kontekst prononcimi lidhet direkt me shqetësimin e grupit të punës, gjendja në të cilën katandisen profilet artistike në një mjedis pa treg pune në art.

Me Entonin është e vështirë biseda midis asaj që do ketë në skenë dhe artistit që ka në krah, e jetës nën lëkurë. Ndaj kjo formë teatrore thotë se i përgjigjet gjendjes së tij artistike, duke kërkuar të jetë më bashkëkohor sa ç’janë frymërat e përgjithshme që shfaqin regjisurën në Shqipëri apo aktrim. “I referohem gjithmonë një teatri më postmodern, postdramatik ku ngjarjet teatrale nuk përkthehen nga një dramaturgji e shkruar fikse në një ngjarje performative teatrale. Por procesi që unë përzgjedh të punoj pikësëpari fillon nga zero, nga një marrëdhënie e përbashkët. Takohen njerëz që mund të kenë dëshirën të punojnë me mua. U paraqes atyre një ide kryesore, një bosht. E nisa punën me një ide filozofike që kishte të bënte me periferinë dhe qendrën. Me ata që shkëputen nga periferia dhe i drejtohen qendrës, kjo qendra e mundësive, ëndrrave, realizimeve e largimit nga diçka që i mban ata të lidhur me një mjedis të varfër shpirtëror, arsimor, ekonomik. Kjo qendra mund të përkthehet në një rezultat pozitiv apo në një ngjarje shumë të rëndësishme për jetën e dikujt, ose personave të ndryshëm. Po në shumë raste mund të kthehet edhe në një mjedis po aq dhe i kalbur dhe i menderosur, ku gjithë ëndrrat e këtyre njerëzve që kanë braktisur vendin kthehen e bëhen iluzione”, – shpjegon Kaca pyetjen mbi formën teatrore, pse shqetësimet e një regjisori vijnë në teatër. Prandaj është kjo paraqitje, e këtij teatri. Po të kishte një dramaturgji fikse, regjisori thotë se do e kishte të pamundur të fliste për disa ngjarje konkrete sociale. Janë ngjarje të vendit tonë. Por kjo po ndodh në gjithë Evropën e sotme, moderne, njerëzit ikin nga fshatrat, periferisë drejt qendrës, qytetit, zonave urbane.

“Gjithsecili shfaq atë që e mundon”, ky rast do të jetë në premierën e shfaqjes më 2 maj, në Teatrin Kombëtar.

 

 

Poezi socrealiste të Fatos Arapit dhe shënime nga anija e mbytur

Punën e ardhjes së tekstit në “Skica për dramë, konflikt dhe personazhe”, regjisori e shpjegon: “Gjatë punës gjeta rastësisht në italisht një libër, antologji e poezisë shqipe e botuar në Itali në vitet ‘70. Aty ishte një poezi e Fatos Arapit. E përzgjodha këtë poezi për ta pasur si pjesë e shfaqjes. Zgjodha disa imazhe, pjesë teksti nga “Këngët e Milosaos” të De Radës, thjesht për një referencë. Tekstet janë të përzgjedhur sporadikisht. Një libër së fundi botuar këtu, Aleksandër Logande që flet për mbytjen e “Katerit të Radës”, në mars të ‘97-ës. U jam referuar dy faqeve tekst në total nga gjithë libri i tij, mbi gjithë ngjarjen nga fillimi. Ne kemi përdorur disa letra që kanë përdorur njerëzit të cilët janë mbytur. Janë ca tekste shënimesh, situata se si përgatiten njerëzit që emigrojnë si i kanë orientimet ku do hanë, ku do flenë ku do shkojnë, sa kushtojnë gjërat e jetës së përditshme, pagesa e një dreke modeste, e një fjetje në pension; is i gjejnë punët, si i hipin trenit… etj., etj. materiale të gjitha janë të punuara në fragmente të ndryshme të cilat krijojnë një linjë.

Nuk ka linjë kronologjike por një linjë logjike të shfaqjes. Kjo skemë është e pasuruar me detaje ku janë shumë fletë, shënime, dhe një element që del shpesh është litari. Dikush ka shpëtuar duke u kapur tek litari. Ka skena si janë trajtuar nga autoritetet italiane të ardhurit nga Shqipëria, çfarë raporti njerëzor kanë krijuar me to; si u hidhej buka, uji… Nuk po ju tregoj shfaqjen, por është vetëm procesi i punës, si pika referimi për t’u ndërtuar një monolog, një ushtrim i përbashkët në grup, për të ndërtuar me objektet një filozofi”.

 

 

Dorjan Ramaliu: Nuk i përshtatemi dot tradicionales!

“Eksperiencës sonë dhjetëvjeçare i bashkëngjitet edhe kjo eksperiencë e re që kemi me Entonin. Është e njëjta mënyrë punë. Nuk i përshtatemi tradicionales, por merremi me gjëra që ndodhin aktualisht. Luajmë më shumë me personazhin se sa me lëvizjen. E gjithë puna është në funksion të personazhit, të mendimit. Punojmë direkt në skenë, nuk është se kemi parapërgatitje. Shtohet një objekt, shtohet një personazh. Çdo gjë rrjedh gradualisht, natyrshëm. Kemi parë disa filmime, prej tyre kemi realizuar edhe skenën”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency