Standard.al

Kombinat, nisin punën 20 autobusë të rinj, Basha: Përmbushëm një premtim

Blerta Mrishaj

bashaDeri në fund të vitit, operatori do të sjellë edhe 16 autobusë të rinj, duke e çuar numrin e përgjithshëm të mjeteve në shërbim të udhëtarëve të linjës Kombinat – Kinostudio në 36

 

 

Merr fund makthi i qindra qytetarëve që çdo ditë udhëtojnë në linjën Kombinat – Kinostudio. Nga dje kanë nisur punën në këtë linjë 20 autobusë të rinj, secili prej tyre me kapacitet me 100 vende. Ndërkohë, mësohet se deri në fund të vitit, operatori do të sjellë edhe 16 autobusë të rinj, duke e çuar numrin e përgjithshëm të mjeteve në shërbim të udhëtarëve të linjës Kombinat – Kinostudio në 36. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka përzgjedhur të udhëtojë personalisht në një nga autobusët e rinj të kësaj linje, të cilën e premtoi rreth dy vjet më parë. Teksa vizitoi ambientet e brendshme të autobusëve, kryebashkiaku Basha deklaroi se ky është një premtim i mbajtur.

Linja

“Dua të shpreh edhe një herë kënaqësinë që ia dolëm brenda një kohe relativisht të shkurtër të realizonim zëvendësimin e linjës së vjetër me këtë linjë të re, me këtë park të ri autobusësh dhe besoj se ky premtim i mbajtur do të mirëpritet nga banorët, por dua t’i siguroj që premtimi tjetër jo vetëm nuk është harruar, por është në rrugë të mbarë, pasi në këtë linjë, ashtu sikundër në dy linja të tjera kryesore të qytetit, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me qeverinë franceze dhe BE po vazhdon projektin teknik që do të çojë drejt vendosjes së linjave të tramit, me qëllim ofrimin e këtij shërbimi evropian edhe në qytetin e Tiranës”, – u shpreh z. Basha.

Deklarata

Kryebashkiaku Basha ka ironizuar edhe qëndrimin e ish-kryebashkiakut Rama, i cili çdo projekt të bashkisë e konsideron si ide të tij, por që nuk e realizoi dot për 11 vite. “Para se të marr autobusin së bashku me bashkëqytetarët e mi, dua të shpreh dëshirën që të mos kemi akuza edhe për këtë linjë, që e “kopjuam” apo që ndodhej në programe, pasi fakti është që kjo linjë ka qenë në gjendje të mjerueshme prej më shumë se një dekade. Fakti është që banorët e kanë kërkuar përmirësimin e shërbimit për një kohë shumë të gjatë dhe fakti është që ky përmirësim shërbimi erdhi atëherë kur bashkia ktheu vëmendjen tërësisht ndaj qytetarëve dhe kështu do të vazhdojë t’u shërbejë qytetarëve, me devocion, me vendosmëri, përtej demagogjisë dhe luftës politike”, – theksoi kreu i bashkisë, Lulzim Basha. Autobusi i vjetër i kësaj linje, në mënyrë simbolike u nis drejt parkut të autobusëve, duke përmbyllur kështu ciklin e shërbimit të qytetarëve dhe autobusi i ri, së bashku me kryebashkiakun Basha dhe pasagjerët e parë, u nis drejt destinacionit të tij. Në të njëjtën kohë, 10 autobusë nisën funksionimin nga Kombinati dhe 10 nga Kinostudioja. Basha shprehu angazhimin e tij për sistemin e punonjësve të këtij parku, i cili prej vitesh është keqmenaxhuar dhe ka grumbulluar shumë borxhe.  Autobusët do të shërbejnë pa ndërprerje nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 24:00 të natës, gjatë verës dhe nga ora 05:30 e mëngjesit deri në orën 23:00 të natës, gjatë dimrit, duke mundësuar kështu harrimin e kushteve të këqija, që ofronte kjo linjë shumë e rëndësishme dhe e përdorur nga qytetarët e Tiranës.

 

Onkologjiku

Austria, pajisje moderne për diagnostikimin e tumoreve

Shërbimi onkologjik në spitalin “Nënë Tereza” në kryeqytet do të kryhet me aparaturat e fjalës së fundit. Financimi në formë kredie prej 2 milionë euro do kryhet nga qeveria austriake. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, Bode, dhe ambasadori i Austrisë në Tiranë, Rauning. “Objektivi i Pprojektit është shndërrimi i shërbimit të Onkologjisë në një qendër kompetence të një mjekimi real, shkencor dhe të parametrave bashkëkohor mbështetur në direktivat e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Programet Kombëtare të Kontrollit të Kancerit. Nëpërmjet projektit do të përfitohet akseleratori, shoqëruar me CT-scaner me lazer, injator kontrasti si dhe dry printer”, – u shpreh Bode. “Ky financim do ndihmojë qytetarët të diagnostikohen në kohë dhe të mjekohen me shërbimin më të mirë”, – deklaroi ambasadori austriak Florian Raunig. Shërbimi i Onkologjisë është i vetmi në të cilin kryhen trajtime si kimioterapia dhe radioterapia. Projekti do të zbatohet nga Ministria e Shëndetësisë brenda 9 muajsh.

 

Studimi

Ndryshimet klimaterike, drejt zhdukjes disa gjallesa

Diskutimet për mbrojtjen e mjedisit dhe ngadalësimin e ndryshimit të klimës zakonisht përqendrohen tek ajri dhe uji. Por fituesja e çmimit prestigjioz të ambientalizmit “Tyler” për këtë vit thotë se duhet gjithashtu të fokusohemi tek sipërfaqja e tokës dhe tek krijesat e vogla që jetojnë në të. Biologia Diana Wall udhëtoi deri në skajet e tokës – në shkretëtirën e Antarktidës, që duket e pajetë – për të studiuar gjallesat në të. “Ajo që gjallesat e tokës bëjnë për ne, është fakti që na ofrojnë shumë përfitime, për të cilat ne nuk mendojmë gjatë. Besoj që gjëja që i habit më shumë njerëzit në lidhje me tokën është kur marrin një grusht prej saj dhe mësojnë se aty ndodhen shumë gjallesa të cilat kanë evoluar me kalimin e kohës. Aty ndodhen zinxhirë ushqimorë, ka vazhdimisht ndërveprime që ndodhin brenda sekondave, për të transformuar ato që ne njohim si gjërat mbi sipërfaqen e tokës”. Studimi i këtyre ndërveprimeve nga ana e saj, gjatë dy dekadave të fundit, është përqendruar tek efekti që ky ekosistem kompleks dhe i brishtë ka për klimën dhe biodiversitetin. Javën e kaluar, puna origjinale e biologes Diana Wall në këtë fushë u nderua me çmimin e mjedisit “Tyler” për vitin 2013, një nga vlerësimet më të larta ndërkombëtare për ambientalizmin. Studiuesja e Universitetit Shtetëror të Kolorados thekson se toka nën këmbët tona nuk është vetëm baltë. “Të gjitha këto organizma në tokë janë duke na ofruar gjëra si pjelloria e tokës, më shumë ushqyes për rritjen e bimëve apo bëjnë të mundur lloje të ndryshme kontrollesh mbi parazitët e bimëve. Një gjë tjetër është se gjallesat e tokës ndihmojnë për të pastruar ajrin dhe ujin”. Biologia Wall thotë se tani shkencëtarët kanë filluar të mendojnë për mënyrën se si kjo “jetë e fshehur në tokë” ndikon në sigurinë e ushqimit dhe në sasitë e dioksidit të karbonit të çliruar. “Organizmat në tokë marrin frymë dhe çlirojnë e depozitojnë dioksid karboni, si dhe depozitojnë lloje të tjera karboni. Nëse prishim atë cikël, atëherë do të kemi më shumë CO2 në atmosferë dhe do të kemi ndryshim më të madh të klimës, që ndikon tek tokat. Pra, kemi ndërveprime të ngushta mes organizmave të tokës dhe atmosferës.

Comments are closed.