Bankat: Ja çfarë do të bëjmë për kreditë e këqija

0

 Ervin Kaduku

Loading...

 

krediFshirja e kredive të këqija duhet të kuptohet qartë si një proces i mirëfilltë kontabël që ndërmarrin bankat, në përputhje me standardet ndërkombëtare si dhe me rregulloret e Bankës së Shqipërisë

 

Shoqata Shqiptare e Bankave, duke marrë parasysh masat e marra dhe propozimet e pranuara së fundmi në lidhje me rritjen e kreditimit nga bankat, dëshiron të ndajë me publikun, qëndrimin e saj lidhur me masat e propozuara nga BSH, Kuvendi dhe administrata shtetërore.

 

Fshirja e kredive të këqija

Fshirja e kredive të këqija duhet të kuptohet qartë si një proces i mirëfilltë kontabël që ndërmarrin bankat, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare si dhe me rregulloret e Bankës së Shqipërisë. Bankat krijojnë provizione në masën 100% për mbulimin e humbjeve nga kreditë e këqija; fshirja e tyre nga librat kontabël është thjesht një procedurë kontabiliteti, që nuk ndikon në të ardhurat e bankave, dhe aq më pak në detyrimet e debitorëve ndaj bankave.

Konflikti aktual qëndron në keqinterpretimin nga Autoritetet Tatimore, të kritereve të parashikuara nga ligji për njohjen e kredive të këqija, p.sh. shterimin e të gjitha veprimeve ligjore. Në mënyrë të gabuar, nuk merren në konsideratë provigjionimi i plotë për kreditë e këqija nga ana e bankave, (ndryshe nga kreditorë të tjerë), apo procedurat shteruese juridike të cilat bankat ndjekin për mbledhjen e tyre, si marrja e urdhrit të ekzekutimit nga Gjykata, dhe ndjekja nga procesi i përmbarimit. Në këtë këndvështrim, njohja e kredive të këqija mund të zgjasë për vite duke ndikuar në cilësinë e portofolit të kredive dhe likuiditetin që disponojnë bankat për kreditim.

Bankat nuk po tentojnë dhe as propozojnë një fshirje masive të kredive të këqija përtej rregullave përkatëse, por kërkojnë një zgjidhje afatgjatë përmes ndryshimeve ligjore të tilla që të mos lihet hapësirë ​​për spekulime dhe keqinterpretim mbi specifikat përkatëse të kontratave të kredisë bankare.

 

 

Ndryshimet rregullative nga Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë ka prezantuar katër ndryshime rregullative për të rritur kreditimin nga bankat, të cilat në përgjithësi janë mirëpritur nga bankat.

Kështu, bankat mirëpritën uljen (në zero) të koeficienteve të rrezikut të aplikuara në kreditë e reja në rast se bankat do të rrisin kreditimin brenda intervalit 4% -10%. Kjo masë u jep mundësinë bankave të rrisin aktivitetin e tyre kreditues pa nevojën për të injektuar kapital shtesë.

Bankat, gjithashtu mirëpritën ndryshimet rregullative që do të lehtësojnë dhe nxisin më tej ristrukturimin nga bankat të kredive të klientëve të mirë në vështirësi të përkohshme.

Po kështu, reduktimi i raporteve minimalë të likuiditetit, do të çlirojë më shumë fonde në dispozicion të kreditimit. Shoqata Shqiptare e Bankave thekson se, në mënyrë që të arrihet efekti i pritur si dhe të mbështetet konkurrenca e ndershme, kjo masë duhet të zbatohet njësoj për të gjitha bankat që operojnë në Shqipëri.

Nga ana tjetër, rritja e koeficientit të riskut (në 100%) për investimet jashtë vendit pritet të ketë pak ose aspak efekt në rritjen e kreditimit. Investimet jashtë vendit janë një aktivitet jofitimprurës (apo edhe me humbje) për bankat. Bankat janë të kushtëzuara të investojnë likuiditetin në monedhë të huaj jashtë vendit për shkak të mungesës së kërkesës për kredi në monedhë të huaj, ndërkohë që mbetet qëllim dhe angazhim i bankave që ti zëvendësojnë këto investime jashtë vendit me projekte të shëndetshme kreditimi.

 

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile

Ndryshimet e miratuara së fundmi nga Parlamenti, një pjesë e mirë e të cilave u propozuan nga AAB, në bashkëpunim të ngushtë dhe me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare si Banka Botërore dhe projektit të BE-së EURALIUS, synojnë zgjidhjen e disa nga çështjeve të rëndësishme që pengojnë procesin e ekzekutimit të kolateralit, dhe si pasojë të gjithë procesin e kreditimit të ekonomisë.

Kryesisht, këto ndryshime kanë për qëllim të vendosin standardet ndërkombëtare ligjore në të cilat mbështetet biznesi dhe praktika bankare, për ekzekutimin eficient të titujve ekzekutive, duke reduktuar mundësinë e përdorimit të masave të jashtëzakonshme, siç është pezullimi i ekzekutimit, si të ishin masa të zakonshme. Këto ndryshime synojnë inkurajimin dhe rritjen e kreditimit, dukë krijuar siguri për të gjitha palët në treg dhe më tepër siguri për publikun investues (depozituesit). Bankat në Shqipëri deklarojnë se janë të angazhuara të sigurojnë kreditimin e nevojshëm për ekonominë, si aktivitet i tyre parësor dhe i natyrshëm, dhe për këtë nevojiten projekte të mira financimi nga bizneset vendase, si dhe një kuadër rregullativ i shëndoshë, i qëndrueshëm dhe i zbatueshëm.

 

 

 

Sigurimet, si po zhvillohet tregu

 

Tregu i sigurimeve, i dominuar nga sigurimet e detyrueshme, ka qenë mjaft kaotik në muajt e parë të këtij viti, me rritjen e pastaj uljen e çmimeve të TPL-së, duke e bërë të vështirë vlerësimin e ecurisë së këtij tregu, apo matjen nëse të ardhurat nga primet reflektojnë situatën reale. Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-mars 2013 arritën rreth 2 miliardë lekë, ose 11.96% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2012, raporton Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Tregu, i dominuar nga sigurimet e detyrueshme, ka qenë mjaft kaotik në muajt e parë të këtij viti, me rritjen e pastaj uljen e çmimeve të TPL-së, duke e bërë të vështirë vlerësimin e ecurisë së këtij tregu, apo matjen nëse të ardhurat nga primet reflektojnë situatën reale.

Sipas AMF-së, gjatë periudhës janar-mars 2013, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 232,784 me një rritje prej 6.36% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 87.61% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë Sigurimet e Jetës me 11.90% dhe Risigurimin me 0.49%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 50.62% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 49.38% të totalit të tregut. Gjatë periudhës janar-mars të vitit 2013, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 593 milionë lekë ose 17.68% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2012.

 

 

Loading...