Kazinotë dhe lojërat e fatit, tani edhe nga kompjuteri i shtëpisë

0
133

Ervin Kaduku

kazinoMinistria e Financave pranon se aktualisht lojërat e fatit në formë elektronike, pra nga kompjuteri, nuk është se nuk janë përdorur deri më tani, sidomos ato të basteve sportive, por kanë qenë të pakontrolluara

 

 

Ministria e Financave ka miratuar projektin që rregullon tregun e lojërave të fatit, duke trajtuar për herë të parë edhe mundësinë e “kazinosë elektronike”. Ky projekt tashmë ka kaluar në vëmendje të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, ku është shoqëruar dje me debate të ashpra.

Tregu i lojërave të fatit i ngjason sot sektorit të ndërtimit të shumë viteve më parë, kur kriza nuk e kishte stepur ende. Kudo në rrugë shikon ambiente që ofrojnë lojëra fati, duke nisur me bastet e ndeshjeve, kazinotë dhe bingot. Numri i tyre në rritje nuk i shqetëson dhe aq institucionet mbikëqyrëse të sektorit, pasi sipas tyre, shumë subjekte mendojnë se do të kenë fitime duke marrë licenca dhe duke ofruar si shërbim, por shumë të tjerë e mbyllin pas 3-4 muajsh. Gjatë një periudhe kohe dyvjeçare, që nga ndryshimet e fundit ligjore, tregu i lojërave të fatit, si pasojë e karakteristikave të tij, ka ndryshuar ndjeshëm. Teknologjia e këtij tregu ndryshon çdo ditë, duke bërë një kërkesë të domosdoshme ndryshimin e bazës ligjore dhe rregullimin më të mirë të marrëdhënieve juridike të vendosura në mbrojtje të lojtarit dhe të qytetarit në përgjithësi, thotë Ministria e Financave. Ky institucion ka në varësi Njësinë Mbikëqyrëse të Lojërave të Fatit, që merret drejtpërdrejt me sektorin e bixhozit në vend. Në kuadër të ndryshimeve të sjelljes në treg dhe për ta forcuar më tej kontrollin, ministria ka parë të arsyeshme të fusë në kuadrin ligjor edhe shërbimin e “kazinosë elektronike në distancë”, pra, zhvillimit të lojës online nga kompjuteri, kudo qoftë lojtari. Natyrisht, masat e parashikuara të kontrollit janë më të forta, duke nisur nga mosha e lejuar, verifikimi i identitetit të lojtarit, kushti për të mos përdorur para cash etj.

 

Masat për “kazinonë në distancë”

Ministria e Financave pranon se aktualisht, lojërat e fatit në formë elektronike, pra nga kompjuteri, nuk është se nuk janë përdorur deri më tani, sidomos ato të basteve sportive, por kanë qenë të pakontrolluara. Këto sisteme lojërash lidheshin me shërbime të ofruara nga jashtë, ndërsa kontrolli ishte i vështirë, për shkak se edhe ligji nuk parashikonte procedurën e veprimit. Në projektligjin “Për lojërat e fatit” (nenet 2, 3, 5, 6, 9 dhe 10) është shtuar si kategori loje fati “kazinoja elektronike në distancë”, duke parashikuar dhe mënyrën e licencimit, kontrollin dhe tatimin mbi këtë kategori. Ministria thotë se, sipas kërkimeve të ekspertit të huaj, “Purcell & Associates”, rreth 10% e vëllimit të lojës së kazinosë elektronike në botë qarkullon online. “Nuk shihet ndonjë arsye pse në Shqipëri të mos veprojë po ky vëllim loje, duke sjellë ky fakt domosdoshmërinë e rregullimit të kësaj marrëdhënie”, – sqarojnë Financat. Për këto arsye u shtua kjo kategori e re, duke pasur gjithnjë parasysh që mbrojtja e qytetarit nga mashtrimet dhe aktivitetet e paligjshme, si dhe mbrojtja e vetë lojtarit, duke i ofruar këtij të fundit një shërbim të rregulluar dhe të kontrolluar, janë shtyllat kryesore në të cilat mbështeten dispozitat që rregullojnë këtë aktivitet.

 

Mosha e lejuar dhe cash-i

Projektligji, i cili do të diskutohet këtë javë në Kuvend, synon të rregullojë mënyrën e ofrimit të këtij shërbimi duke pasur si qëllim kryesor mbrojtjen e qytetarit, mbrojtjen e lojtarit dhe kontrollin e mosushtrimit të aktiviteteve të paligjshme me këtë shërbim. Kjo është arritur duke vendosur disa “masa mbrojtëse” si p.sh dokumentimin e lojtarit nëse është efektivisht mbi 18 vjeç (Neni 10/2, i projektligjit), në asnjë rast të mos ketë pagesa në “cash”, por gjithnjë nga llogaritë bankare, duke i bërë transferimet e pagesave lehtësisht të kontrollueshme, mbikëqyrjen e vazhdueshme të çdo transaksioni me anë të serverëve, të cilët duhet të kenë karakteristika të larta teknike, etj. Ministria e Financave thekson se këto të ardhura deri tani nuk mblidheshin, edhe pse ky aktivitet ofrohej për qytetarët shqiptarë. Dhe nivelet e tarifikimit janë përcaktuar duke respektuar praktikat më të mira ndërkombëtare, siç janë evidentuar nga raporti i bërë nga studioja e huaj e ekspertëve “Purcell & Associates”. Sipas këtij studimi, praktika më e mirë ndërkombëtare ka një mesatare taksimi rreth 1-2%, gjë që është reflektuar dhe në këtë projektligj.

 

Niveli i taksimit

– 0.5% të të ardhurave nga arkëtimet për NJMLF-në

– 2% të të ardhurave nga arkëtimet si tatim loje

– 0.2% të të ardhurave nga arkëtimet për bashkitë dhe komunat ku zhvillohet aktiviteti

– 90% e shumave të luajtura u kthehet lojtarëve

 

Lojërat e fatit, larg bankave!

Ndryshimet në ligj përfshijnë të tjerë elementë të rëndësishëm, në kuadër të ndikimeve dhe problemeve sociale që mund të shkaktojë vesi i bixhozit. Ambientet që ofrojnë shërbimin e lojës së fatit nuk duhet të jenë pranë shkollave. Në fakt, ky detyrim është i përcaktuar edhe në ligjin aktual, por në realitet ndodh e kundërta, ku pranë ambienteve të arsimit, sidomos te gjimnazet, dallon qartë distancën e afërt të subjektit privat. Me ndryshimet ligjore të propozuara, saktësohet kushti dhe penaliteti në rast se konstatohen prania e lojërave të fatit në subjektet e arsimit. Kjo vlen edhe për institucionet bankare, që sipas propozimit, aktivitetet e bixhozit duhet të “qëndrojnë sa më larg” tyre. “Projektligji synon gjithashtu, edhe rregullimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale me qëllim goditjen e informalitetit në tregun e lojërave të fatit dhe mbrojtjen e qytetarit, si dhe të lojtarit nga ky fenomen. Ai rregullon edhe marrëdhëniet me subjektet që duhet të pajisen me autorizim për organizimin e lojërave promocionale të fatit”, thotë ministria në variantin zyrtar që i ka dërguar Kuvendit.

 

Kontroll lojërave promocionale

Në nenin 1 janë shtuar në fushën e zbatimit të këtij ligji, si subjekt, dhe shoqëritë që importojnë pajisje për lojëra fati, si dhe ato shoqëri, të cilat kërkojnë ose duhet të pajisen me autorizim për lojëra promocionale fati.

Aktualisht mund të importojë pajisje për lojëra fati çdo kompani që është e pajisur me NIPT-in, por NJMLF-ja nuk mund të ushtrojë asnjë kontroll te shoqëritë importuese që nuk janë të pajisura me leje për ushtrim aktiviteti në fushën e lojërave të fatit. Shpeshherë është konstatuar që pajisje për lojëra fati u shiten personave apo subjekteve të palicencuar për ushtrim aktiviteti dhe për rrjedhojë kanë ndikuar në ngritjen e informalitetit. Shtesa për subjektet që organizojnë lojëra promocionale ka ardhur për arsye se është konstatuar që disa subjekte organizojnë lojëra promocionale, por pa miratim nga ministri i Financave, por nga ana tjetër, NJMLF-ja nuk ka kompetencë të ushtrimit të kontrollit ndaj tyre. Ministria pranon se, shortetë e organizuar nuk janë transparentë, pasi nuk sigurohet kontrolli nga NJMLF-ja dhe administrata tatimore, duke i bërë mjet për mashtrim të publikut, sikurse këto shorte mund të shërbejnë si mjet për mospagesën e detyrimeve tatimore, si dhe për pastrimin e parave nga pjesëmarrësit.

 

Tregu

5.1 miliardë lekë të ardhura

Arka e shtetit vjel jo pak nga aktiviteti i lojërave të fatit, kjo edhe për shkak të taksave dhe tarifave të larta të vendosura, që zakonisht janë fikse. Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, në Ministrinë e Financave thotë se detyrimet tatimore për vitin 2012 janë rreth 5.1 miliardë lekë, ndërsa detyrimet e vitit 2011 kanë qenë rreth 5 miliardë lekë. “Këtë vit ka pasur rënie të xhiros së subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit. Megjithëse në pamje të parë ky konstatim duket si kontradiktor, rritja e detyrimeve tatimore ka ardhur si rezultat i uljes së informalitetit në terren dhe jo si rezultat i rritjes së xhiros”, tha Besnik Çobaj, kryetar i NJMLF-së.

 

 

 

 

Janar-mars 2013, rritet 47% eksporti i mineraleve

Ervin Kaduku

 

Eksportet kanë vijuar performancën e tyre pozitive në tre muajt e parë të vitit, duke u rritur me 17.2% me bazë vjetore për periudhën janar-mars 2013, duke arritur në 53.2 miliardë lekë.

Tre grupmallrat kryesore kanë shënuar tendencë pozitive, ku rekordin vijojnë ta mbajnë eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë, që janë rritur me 47% në 23.4 miliardë lekë, si rrjedhojë e eksporteve të larta të naftës nga kompania Bankers Petroleum.

Në rritje kanë vijuar dhe eksportet e tekstileve e këpucëve, që janë zgjeruar me 4.2% në 16.5 miliardë lekë. Ky zë shënoi rënie përgjatë gjithë vitit të kaluar, por këtë vit eksportuesit duket se po e rimarrin veten, teksa partnerët italianë po rikthehen në Shqipëri, duke iu larguar Kinës.

Grupi i tretë më i madh, ai i materialeve të ndërtimit e metaleve ka parë një rritje të eksporteve me 5% në 7.3 miliardë lekë, si rrjedhojë e ecurisë së mirë të eksporteve të kromit. Edhe ky zë vitin e kaluar shënoi një performancë negative.

Ndërkohë, është shënuar rënie e mëtejshme e importeve, që kanë thelluar ritmet e rënies gjatë muajve të parë të këtij viti, duke u tkurrur me 11% me bazë vjetore për periudhën janar-mars në 105.6 miliardë lekë, sipas të dhënave që janë bërë të ditura nga INSTAT. Ndikimin kryesor në këtë tendencë e ka dhënë ulja e ndjeshme e zërit minerale lëndë djegëse dhe energji, që është tkurrur me 30% me bazë vjetore, në gati 19 miliardë lekë, duke zbritur në gupmallrin e tretë më të madh të importuar, nga vendi i parë që zinte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rënia e këtij zëri lidhet dhe me reduktimin e importeve të energjisë, për shkak të situatës së favorshme hidrike në vend.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency