COPY PASTE ITALI

0

politikDeri dje, Berisha, në krye të PD-së, kryqëzohej dhe etiketohej “hermetiku” apo “përjashtuesi”, ndërsa PS-ja, një parti shumë më e hapur, që lejonte brenda vetes grupime të ndryshme, mendime ndryshe. Të paktën, sipas analistëve në media, të cilët fatmirësisht janë shumë që mbështesin të majtën, selia rozë, tashmë është shndërruar në partinë e përjashtimeve. Ishte kjo parti, që për herë të parë solli në politikën shqiptare, risinë e bashkimit me element të djathtë, si Ceka, Zogaj apo edhe Imami, pas vitit 1997, dhe më pas e lëshoi atë. Ndërkaq, sot PS-ja qëndron brenda aleancave pragmatiste dhe të imponuara nga jashtë, për të përthithur votën, për hir të numrave.

Loading...

Berisha, me thirrjen e tij të fundit, ndaj njërit prej themeluesve të PS-së, si Kastriot Islami, duket se po e zhvendos përfundimisht PD-në, në një status të ri, duke fituar mbi çdo paragjykim ndaj figurës së tij. Lëvizjet e fundit, të shkapërcimeve të forta partiake, nga të dy krahët politikë, në rastin më të mire, mund të konsiderohen “hapje”, bashkëpunim, aleanca stabilizuese, por në rastin më të keq, shkërmoqe e të gjitha mureve partiake, ideologjike etj., etj.

Cilat janë arsyet se përse lëvizjet në krahët ekstremë mund të përkthehen si negativitet. Ne si copy-paste (ose në gjuhën e përditshme kompjuterike, kopje identike), sidomos e politikës italiane, mund të shkaktojmë të njëjtën situatë që po ndodh në Itali, ku partitë kanë humbur krejt reputacion. Atje, spërdredhjet politike kanë ulur besueshmërinë e këtyre partive, po kjo sidomos tek forcat e treta, që janë më të brishta dhe që lehtësisht bëhen të pabesueshme. Po përmend rastin e trashëgimtarit të demokristianëve të famshëm italianë, Pier Ferdinando Casinin, i cili vërtet i shndërroi në fenomen, marrëveshjet mes palëve kundërshtare, por që e kanë penalizuar jo pak, si forcë politike. Casini, jo shumë vite më parë, përfaqësonte forcën e tretë të djathtë, pas Berlusconit dhe Finit. Sot reputacioni dhe renditja e tij, në partitë e djathta ka rënë ndjeshëm, pasi nuk arriti dot të zgjidhet as si deputet, jo më si forcë politike, një muaj më parë.

Të gjitha partitë, me lëvizjet dhe aleancat ekstreme, rrezikojnë të humbin besueshmërinë në elektorat. Në rastin konkret, në Shqipëri, rrezikon më shumë Meta dhe LSI-ja, si forcë ende e brishtë, e cila me këto lëvizje pa identitet, mund të ulin aq shumë reputacionin, sa të mos e marrin mazhorancën edhe së bashku me PS-në, çka do të sillte atë krizë institucionale, që po përjeton  Italia. Në fakt, në qoftë se në 2005-ën, LSI-ja fitoi 7 deputetë, në 2009 zbriti në 4 deputetë, ku u duk forca reale si parti. Pjesa tjetër mbetet për t’u parë, në qershor, megjithëse duke qenë pjesë e koalicionit, LSI-ja nuk do të mundet, të masë realisht forcën e saj. Në vitin 2013 do të duket qartë forca e të majtëve të bashkuar, pasi për dy zgjedhje radhazi fajin e kanë zhvendosur tek përçarja.

Përsëri, në qoftë se do ta shikonim politikën në Shqipëri si copy-paste e Italisë, atje rikthehet si president Napolitano, për hir të stabilitetit. Bashkohet Berlusconi dhe Bersani, d.m.th. dy forcat kryesore e djathtë dhe e majtë, duke lënë mënjanë Grillinët. Këtë fat mund të kenë edhe forcat e treta në Shqipëri, ku sigurisht, në krye të rrezikut qëndron Meta, i cili po guxon në lëvizjet e forta. Fenomenin e lëvizjeve të forta nuk po e shikojmë tek FRD-ja apo AKZ-ja, ndonëse tentative joshjeje, pati edhe prej tyre. Ata, me sa duket, po i ruhen pikërisht opinionit të analistëve: “Mos merrni seriozisht e majtë, apo e djathtë, se kur puqet AKZ-ja, ekstrem i  djathtë, me PS-në…” Por në lëvizjet e mëdha, që po bën Meta, me forcat e mëdha PD, PS, duhet të presë edhe ndonjë kundërpërgjigje të fortë, nga ana e këtyre të fortëve. Raste ka pasur. Ku i dihet? Ai e ka shijen e hidhur të këtyre marrëveshjeve, që e kanë nxjerrë me gisht në gojë, si në rastin e kodit zgjedhor, apo ndryshimet kushtetuese. Shprehja popullore thotë se, “kur ndeshen luanët, shkelet bari”. Ekuilibrat e mëdha, fatmirësisht apo fatkeqësisht, i bëjnë të mëdhenj dhe forcat e mëdha.

LSI-ja, gjithsesi po bën një lojë të fortë, që mund të rezultojë edhe thikë me dy presa. Mund të jetë ende forca ekuilibruese, por edhe forca që mund të humbasë reputacionin, pikërisht për shkapërcimet e tij. Në këtë moment, do të braktiset nga forcat e mëdha politike. (Këtë e ka kuptuar, edhe Rama i cili po tenton fort, që të shtrijë koalicionin sa më gjerë të mundshëm, pikërisht që AS-i të mos mbetet tek Meta).

Të mbetemi tek copy-paste i politikës Italiane. Grillo është një figure, që po tenton ta spostojë drejtimin e tij politik, jashtë institucioneve, për t’i futur në krizë të gjitha institucionet italiane, duke filluar nga parlamenti, deri tek presidenca. Tentoi fort, që të krijonte krizë tek zgjedhja e figurave kryesore parlamentare, si kreu i parlamentit, apo i zgjedhjes së kreut të shtetit që është Presidenti i Republikës. Grillo dhe grillinët, të cilët deri në ato çaste kishin përthithur vota, përtej të majtës dhe përtej të djathtës, mbetën përtej këtyre forcave. Pikërisht, kjo politikë po e penalizon në elektorat, që në mënyrë graduale, po e bojkoton atë. Ajo që u pa qartë, në manifestimin që Grillo realizoi kundër rizgjedhjes së Napolitanos, është mosmbështetja e elektoratit. Grillo, i cili vetëm para një muaji thithi 24 % të votave, po fillon të tkurret, pasi ka nisur të mos e ndjekë më, pikërisht ai elektorat, që mendoi një politikë ndryshe, por mesa duket jo, jashtë institucioneve.

Rama, që në fillesën e opozitarizmit ka ndjekur një politikë, kryesisht jashtë institucioneve, duke e vazhduar së fundi me kreun e infrastrukturës zgjedhore, siç është KQZ-ja. Idenë e fundit, që edhe me 4 anëtarë, KQZ-ja funksionon dhe çertifikimin në fund të zgjedhjeve, mund ta bëjë kolegji zgjedhor, PS-ja duhet t’a mbajë mirë mend. Lënia bosh e KQZ-së, mund të jetë AS-i nën mëngë që mban kreu i majtë, nëqoftëse nuk fiton zgjedhjet, për t’i konsideruar ato të pavlefshme, sepse janë të pacertifikuara nga KQZ-ja. Por, më e rëndësishmja është tek perceptimi që krijon në elektorat, duke ekzistuar gjithmonë jashtë institucioneve. Ky status nihilist institucional e ka penalizuar atë, si figurë politike, deri më tash, duke i shtuar minuse figurës së tij, me lëvizjen anti KQZ.

Tre janë fenomenet që e kanë futur politikën dhe besueshmërinë partiake në krizë:

1.Spërdredhjet politike, Casini në Itali, Meta në Shqipëri. 2. Politikat ekstreme, Grillo në Itali, Rama në Shqipëri. 3. Figurat absolute të krerëve partiake. Casini prej kohësh ka humbur elektorat, për spërdredhjet politike ndërsa grillinët kanë filluar të humbin besueshmërinë, pikërisht për fenomenin e ekstremizimit të politikës.  Kjo është arsyeja, pse dyshja Rama-Meta të cilët janë të kritikuar, për këto fenomene, rrezikojnë humbje reputacioni dhe mbështetje elektorale, duke e patur tejet të vështirë, që të përmbysin situatën politike. Fenomeni i tretë, janë figurat unike të krerëve partiakë.

Dy janë mënyrat për uljen e pushtetit absolut të liderëve të partive: 1. Aleancat e gjera janë një formë për të ulur pushtetin absolut të liderëve të partive politike, por kur janë reale dhe funksionale. Partitë e vogla kanë një handikap, që e kanë shumë të ulët pragun e besueshmërisë, duke mbetur forca fiktive. 2. Aplikimi i sistemit mazhoritar, ku detyrimisht do të zgjedhësh individin, që do të përballet me kundërshtarin (zgjedhja me lista është shndërruar në farsë, nga ku dalin njerëz partiake, krejt pa identitet, pa integritet, dhe personalitet).

Në Shqipëri, funksionimi dhe kredibiliteti i këtyre koalicioneve me bazë të gjerë, është ende për t’u parë, në vazhdim. Ndërsa sistemi mazhoritar, as nuk përmendet nga asnjë forcë dhe nga askush. Mazhoritari është antipodi i koalicioneve të gjera. Një nga të metat e koalicioneve është se, ka gjasa të prodhojnë fiktivitet, pragmatizëm, ndërsa mazhoritari prodhon më shumë figura reale dhe funksionuese.

Sa ka ndikuar në këtë zallamahi politike sistemi aktual zgjedhor në Shqipëri? Me sa duket, shumë. Me një sistem zgjedhor, ku të gjitha forcat qëndrojnë në një barazi gati perfekte, ku asnjëra nuk merr dot prioritet, partitë detyrohen të hapen. Për hir të numrave, nuk ekziston dot më hermetizëm partiak, nuk ka ngurtësim ideologjik dhe ndarje të qartë: e majtë e djathtë. Në qoftë se të gjitha këto manovra politike (hapjet e menjëhershme po trullosin elektoratin, i cili nuk di çfarë të besojë dhe kë të besojë), do të përkthehen negativisht nga ky elektorat, atëherë do të duhet të ndryshojmë krejt sistemin zgjedhor.

Pse mendoj, që në një moment, sistemi ynë aktual do të prodhojë krizë. Sepse, përsëri si copy-paste, Italia e ka kaluar këtë fazë dhe po shikon që ka prodhuar mjaft kriza, të cilat po i kalon me shumë dhimbje. Sot, Italia ndodhet përpara dilemës që të ndryshojë sistemin dhe të kthehet në një republikë gjysmë-presidenciale, siç është Franca. Të mësojmë nga pësimet.

Sistemi zgjedhor, që do të rikthente ndarjet e qarta, midis krahëve politike do të ishte sistemi i pastër mazhoritar, sistem i parapëlqyer dhe i praktikuar suksesshëm nga anglo-saksonët, që për shumë politikanë të majtë, nuk merret asnjë herë për shembull. Negativja e këtij sistemi është rikthimi i formateve strikte dhe partive të mbyllura, pozitivja është që ridel në skenë individi dhe domosdoshmëria e integritetit të tij,  në mënyrë që të fitojë mbi kundërshtarin.

Mbetet elektorati që do të vlerësojë dhe do të pozicionohet. Është ky elektorat që në një të ardhme mund të  neveritet nga partitë dhe listat partiake dhe të imponojë mazhoritarin e pastër, që përkthehet individ i fortë. Mundet të dalë domosdoshmëri, një rishikim total sistemesh zgjedhore, mbase edhe sistemesh qeverisjeje, presidenciale, parlamentare, formacionesh politike, në të kundërt rrezikojmë, që të kemi të njëjtin fat me Italinë apo Greqinë.

Loading...