Elton Qyno
Luan Koka, del nga Spiatli Ushtarak transportohen në Turqi për një ndërhyrje kirurgjikale
Vështirësia e hetimeve, pasi dëshmitarët janë larguar jashtë shtetit. Nuk dihen adresat
Kur po mbushet një javë pas atentatit mafioz të kryer në afërsi të liqenit artificial ndaj biznesmenit të betonit Luan Koka, ky i fundit ka dalë nga spitali ushtarak, për tu vizituar në një spital më të specializuar në Turqi. Drejtori i kompanisë “Shkodra Beton” është larguar në drejtim të Turqisë, dy ditë më parë, ndërkohë që mjekët e spitalit Ushtarak, bënë të pamundurën duke i hequr tre nga plumbat, dhe rikuperuar dëmtimet në pjesën e brendshme të barkut. Policia e Tiranës, ka arritur ti marrë vetëm disa fjalë, Luan Kokës, por që në fakt ai nuk ka qënë në gjëndje të kujtojë atë që i ka ndodhur mbrëmjen e plagosjes me armë zjari nga një i ri, ende i paidentifikuar nga ana e policisë. Për të hedhur dritë mbi autorët dhe organizatorët e këtij krimi të rëndë, policia dhe prokuroria e Tiranës, ka shtrirë hetimet në qytetin e Beratit dhe atë të Fierit. Tashmë për këtë çështje janë rihapur dy dosje të tjera vrasjesh të pazbardhura. Viktimat janë të afërm e familjarë të një grupi të njohur pas vitit 1997 në zonën e Fierit. Edhe pse familjarët e Luan Kokës ose Lulëzim, në dëshmitë e tyre janë shprehur se nuk kanë dijeni për hasmëri të hapura mes 46-vjeçarit të plagosur mbrëmjen e të martës në Tiranë, policia i është rikthyer ngjarjeve që lidhen me vrasjen e Petrit, ose siç njihej në Berat, Tit Kokës, vëllait të Luan Kokës.
Hetimi asnjë prespektivë
Për shkak se të dyja ngjarjet si ajo e ndodhur në Berat por edhe në Fier kanë ndodhur disa vite më parë, burime pranë policisë shprehen se e kanë thuajse të pamundur për të gejtur dëshmitarët. Kjo për shkak se disa prej tyre dhe më kryesorët janë larguar jashtë shtetit, duke bërë që policia nuk ka asnjë dijeni mbi adresat e tyre. Nisur nga kjo situatë hetimi në këtë drejtim mund të cilësohet pa prespektivë për sa I përket zbardhjes së emrave të autorëve që organizuan dhe qëlluan mbi biznesmenin e ndërtimit Luan Koka. Policia shprehet se veç pistës së hakmarjes, një tjetër pistë është dhe ajo për shkak të pozicionit të të dëmtuarit në kompaninë e “Shkodra Beton”. Duke qënë administerator i një kompanie tepër të njohur në fushën e prodhimit të betonit, Luan Koka, mund të jetë qëlluar edhe si rezultat i konkurencës mes firmave. Për këto dyshime, policia dhe prokuroria janë duke hetuar në mënyrë operative, por që ende nuk kanë arritur të gjejnë provat e nevojshme,që do të shërbenin si indicie për vijimin e hetimeve në këtë pistë. Luan Koka, është qëlluar mbrëmjen e të martës, teksa ishte nën shoqërinë e Rifat Rustemit, një efektivi të Gardës së Republikës. Përpara se të qëllohej, biznesmeni Koka, ka qënë nën shoqërinë e fëmijëve të tij, të cilët fatmirëisht janë larguar disa minuta para se babai i tyre të qëllohej me armë zjari katër herë në trup.
Vrasja e Petrit Kokës
Vrasja në vitin 1999 e vëllait të Lulzimit është pjesë e legjendave urbane të zonës. Bën fjalë për një gangster në atë kohë, siç konsiderohej Tit Koka dhe një të riu anonim, të cilin fati 14 vjet më parë e çoi pranë Titit. Ky e ka thirrur në rrugë dhe e ka urdhëruar t’i blinte një paketë cigare, urdhër të cilin i riu se ka pranuar. Për këtë fakt Titi e ka qëlluar me shpulla, po vetëm pak orë më pas i riu u kthye dhe e ekzekutoi me kallash. Legjenda urbane tregon sesi dikush që u fuste frikën edhe gangsterëve më të mëdhenj të Beratit, u vra nga një i ri i panjohur. Ky i fundit kërkoi strehim dhe mbrojtje te njerëzit e të ëmës, të cilët kishin lidhje të ngushta me pjesëtarë të një bande mjaft të fuqishme në atë kohë në Fier. Sipas policisë të paktën 2 familjarë të të riut dhe me lidhje farefisnore me pjesëtarët e kësaj bande u vranë më pas, ndërsa banda e Fierit për shkak të rivalitetit të fortë me grupet e Beratit, nuk u rikthye të merrte hak. Policia ka rihapur dosjet e vrasjeve për të hetuar zinxhirin e krimeve që vijnë pas ekzekutimit të Tit Kokës, pasi është edhe pista kryesore e hetimit për plagosjen e të vëllait. 14 vjet më pas Lulzimi paraqitej si një biznesmen me të ardhura të mira që vinin nga biznesi i betonit dhe ndërtimeve në Tiranë, pasi drejtonte një nga kompanitë më të rëndësishme në kryeqytet.
Arrestimi Tiranë
Kapet me armë, i kërkuari nga Interpol
Ilirjan Papa është arrestuar këtë të shtunë pasi ishte në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Sipas policisë së Tiranës, ndalimi i këtij shtetasi u bë nga efektivët e Komisariatit nr.2 në kryeqytet. Në momentin e ndalimit, mësohet se Papës iu sekuestrua edhe nëj armë zjarri tip pistoletë. Gjatë arrestimit ai ka qënë në një lokal në Tiranë, por gjatë ndërhyrjes së oficerëve të policisë, Papa nuk ka bërë asnjë rezistencë ndaj uniformave blu. Sipas burimeve, Ilirjan Papa është dënuar nga drejtësia shqiptare, pasi rezultonte të ishte pjesë e një grupi kriminal që kryente trafikimin e drogës. Dënimi i këtij personi është bërë në mungesë, dhe se pas disa vitesh është bërë e mundur arrestimi i tij. Blutë kanë shoqëruar Papën për të nisur procedurat e izolimit në qeli të tij. Ndërkohë që një process tjetër ligjor ka nisur ndaj Ilirjan Papës, për akuzën e “Armë mbajtjes pa lejë”.
Dhuna në familje
Policia:Brenda tre muaj rregjistrohen 586 raste
Vetëm brenda këtij 3-mujori, në vendin tonë janë shënuar 586 raste të dhunës në familje, ndërsa 78 përqind e kësaj dhune mbetet me bazë gjinore ndaj femrave. Shefja e sektorit kundër dhunës në familje në Policinë e Shtetit, thotë për “AS” se ka një sensibilizim me shtimin e rasteve të denoncuara, ndërsa për herë të parë ka ndryshuar diçka pasi më parë dhuna e ushtruar ndaj femrave ka qenë në përqindje më të lartë. “Gjatë këtij 3-mujori rezulton që 78 për qind e personave të dëmtuar në familje i përkasin gjinisë femërore dhe 22 për qind i përkasin gjinisë mashkullore. Në fakt, gjatë këtij 3-mujori ky raport ka ndryshuar, diçka në favor të femrave sepse në vitet e mëparshme, ky raport ka qenë 82-83 për qind, e personave të dëmtuar ishin femra dhe 18-19 për qind ishin meshkuj”,-thotë Alma Gjurgji. Sipas Gjurgjit, ndryshimi i ligjit dhe konkretisht parashikimi i dhunës në familje si vepër penale ka bërë që policia me nismën e saj të referojë në Prokurori 190 raste të dhunës në familje.
Raporti i DASH, Totozani: Analiza e vërtetë, plan pune për institucionin tonë
Pas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi gjëndjen sociale, ekonomike dhe politike në Shqipëri ka reaguar dhe Avokati i Popullit, i cili e ka quajtur raportin një analizë të thelluar dhe tepër të detajuar mbi gjëndjen e brendshme të vendit, duke shtuar se gjatë këtij viti ky raport do të bëhet një plan pune për institucion që ai drejton. Institucioni i Avokatit të Popullit ka vlerësuar raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri,duke e cilësuar atë një vlerësim real të gjendjes së këtyre të drejtave. Nëpërmjet një deklarate, kreu i këtij institucioni Igli Totozani tha se e vlerëson këtë raport si një dokument pune shumë të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes të të drejtave dhe lirive të njeriut. “Ne konstatojme se Raporti i Departamentit të Shtetit është një vlerësim dhe analizë e thelluar dhe e vërtetë e gjendjes së të drejtave të njeriut në vendin tonë dhe se në të gjejnë pasqyrim të gjitha problematikat dhe shqetësimet e ngritura edhe nga institucioni ynë si gjendja e minoritetit rom dhe atij egjiptian, problemet e personave me aftësi të kufizuar, gjakmarrja dhe pasojat e saj, gjendja e të drejtave të njeriut në vendet e kufizimit të lirisë, të drejtat e komunitetit LGBT, dhuna në familje dhe veçanërisht ajo ndaj grave”,-tha ai. Në raportin vjetor për të Drejtat e Njeriut nga Departamenti i Shtetit në SHBA, theksohet se të drejtat e njeriut vijojnë të shkelen me raste dhune e abuzimi si te komunitetet rome, edhe te gjina femërore dhe të miturit. Për këto veprime abuzime, në raport i bëhet thirje zyrtarëve të institucioneve të marrin masa të menjëhershme për ndalimin e këtyre fenomeneve dhe përdorimin e programeve siociale, me qëllim ardhjen në ndihmë të kësaj shtrese.