Zjarri përfshin dy depozita karburantesh, 13 zjarrfikëse në luftë me flakët

0
154

Sonja Caka

zjarrfikesPas 3 orësh shuhet zjarri, panik dhe tmerr te banorët e zonës. Policia evakuoi banorët e disa banesave pranë karburant “Gjyzeli”, rrezikoheshin edhe 8 depozita të tjera. Dyshimi, rënia e zjarrit prej një shkëndije elektrike

 

Tmerri dhe paniku kanë shoqëruar për gati 3 orë banorët e fshatit Sallmone të komunës Xhafzotaj, pas përfshirjes nga flakët të dy depozitave të mbushura me karburant. Zjarri pati një përhapje të menjëhershme dhe po rrezikoheshin seriozisht edhe depozitat e tjera me karburant. Paniku i banorëve shtohej, ndërsa zjarrfikëset e ardhura nga Durrësi, Tirana dhe Kruja vijuan luftën me flakët për lokalizimin dhe më pas shuarjen e plotë të tyre. Për disa minuta, banorët e fshatit dhe gjithë strukturat që gjendeshin në vendngjarje kanë mbajtur frymën, pasi flakët ishin vetëm 50 metër larg disa prej banesave. Por, beteja u fitua nga 13 zjarrfikësit dhe forcat e ushtrisë të ardhura në ndihmë të tyre, të cilët brenda dy orëve mundën të lokalizonin plotësisht dhe t’i shuanin flakët e rëna në dy depozitat. Paraprakisht dyshohet për një shkëndije elektrike si shkaktare të kësaj katastrofe në dy depozitat me karburant, të cilat rrezikonin përhapje deri në fshatin Sallmone. Burime nga vendngjarja bëjnë më dije se zjarri ka rënë në depozitat e karburantit të firmës “Gjyzeli”, të cilat ndodhen në rrugën dytësore pranë fshatit Sallmone, pak metra larg autostradës Durrës- Tiranë. Mësohet se zjarri është përhapur nëpërmjet kanaleve nëpërmjet të cilave kalojnë tubacionet e naftës, duke e bërë edhe më të rëndë situatën. Për fat të mirë, raportohen vetëm dëme materiale dhe jo të lënduar në njerëz. Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe është duke u punuar për zbulimin e shkaqeve që çuan në rënien e zjarrit në depozitat me karburant të firmës “Gjyzeli”.

Ngjarja

Rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, punonjës të karburantit të firmës “Gjyzeli” në afërsi të fshatit Sallmone të komunhës Xhafzotaj të Durrësit kanë konstatuar rënie zjarri në këto mjedise, përkatësisht në njërën nga depozitat me karburant. Menjëherë janë lajmëruar zjarrfikëset dhe policia, ndërsa brenda pak minutash u përfshi nga flakët edhe depozita e dytë, ndërsa flakët përhapeshin me shpejtësi, duke rrezikuar seriozisht edhe banesat e fshatit. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po kaq shpejt edhe zjarrfikëset nga Durrësi dhe Tirana. Dhe, ndërsa po shiheshin përmasat tragjike të këtij zjarri të rëndë në depozitat me karburant dhe se shpejtësia e përhapjes së tyre ishte mjaft e madhe, numri i zjarrfikëseve shkoi 13, duke sulmuar flakët nga të gjitha anët dhe lokalizuar ato deri 1 km larg fshatit. Ndërkohë, policia evakuoi banorët e banesave rreth karburantit, ndërsa flakët kishin shkuar deri në 50 metra larg tyre. Sipas burimeve policore, në ndihmë të tyre dhe zjarrfikëseve kanë shkuar edhe automjetet e portit dhe stacionit zjarrfikës nga Kavaja e Kruja, ndërsa atyre u janë bashkuar edhe forca të ushtrisë dhe FNSH-së. Policia ka mundur të bëjë evakuimin e banorëve, si dhe izolimin e zonës në një distancë prej 1 km nga zona e rrezikuar. Në gatishmëri kanë qenë edhe automjetet e spitalit të Durrësit, përkatësisht 3 autoambulanca, por nga zjarri rezultoi se nuk pati persona të lënduar. Nuk dihet ende shkaku i rënies së zjarrit, por policia e Durrësit dhe ekspertë kundër zjarrit vazhdojnë hetimet në vendngjarje. Dëmi i shkaktuar nga djegia e depozitave me karburant është i madh, por akoma nuk ka një bilanc për të.

Hetimi

Policia e Durrësit dhe organi i akuzës së qytetit bregdetar kanë shkuar në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e zjarrit të rënë paraditen e djeshme në karburantin e SMT-së në fshatin Sallmone të komunës Xhafzotaj në Durrës. Sipas dëshmisë së punonjësve të kësaj pike karburanti me 10 depozita në dispozicion, bëhet me dije se fillimisht është parë zjarr në njërën nga depozitat dhe më pas zjarri përfshiu brenda pak minutash të dytën. Frika e përhapjes në 8 depozitat e tjera bëri që të angazhohen 13 zjarrfikëse nga Durrësi, Tirana, Kavaja e Kruja, ndërkohë që në shuarjen e tyre ndihmuan forca të ushtrisë, FNSH-së dhe automjete të Portit të Durrësit. Nga të dhënat e para dyshohet se rënia e zjarrit ka rënë për shkak të një shkëndije elektrike, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe ndonjë shkak tjetër. Megjithatë, do jenë ekspertët ata që do përcaktojnë shkaqet zyrtare të rënies së zjarrit, dëmin e shkaktuar në dy depozitat, si dhe dëmet mjedisore në sipërfaqen ku u shtri përhapja e flakëve dhe karburanti i përzier me ujin.

Ndihma

FA angazhohen për shuarjen e zjarrit në depot e karburantit

Pas marrjes dijeni për rënien e zjarrit në depozitat e karburantit në Maminas, edhe Forcat e Armatosura u angazhuan për dhënie ndihme në shuarjen e flakëve. Mjete dhe efektiva zjarrfikës të strukturave të specializuara të Forcave të Armatosura janë angazhuar menjëherë për shuarjen e zjarrit që ka rënë paraditen e djeshme pranë depozitave të naftës në Maminas. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, me urdhër të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major, Xhemal Gjunkshi, tre mjete zjarrfikëse të Brigadës së Mbështetjes rajonale dhe Brigadës Logjistike kanë ndërhyrë dje në terren, me qëllim neutralizimin e vatrës së zjarrit dhe shuarjen e flakëve. Forcat e Armatosura kanë shprehur gatishmëri të plotë për të vijuar mbështetjen e operacionit në terren me forca dhe mjete, në rast se do të kërkohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme.

 

Detaje

13 zjarrfikëse u angazhuan për shuarjen e zjarrit të rënë në depozitat e karburantit të firmës “Gjyzeli”

3 autoambulanca u vunë në dispozicion nga spitali i Durrësit për t’u ardhur në ndihmë personave që u përfshinë në shuarjen e zjarreve

3 qytete, përveç Durrësit, dërguan mjete për shuarjen e zjarrit të rënë në karburantin pranë fshatit Sallmone

3 ishte numri i mjeteve zjarrfikëse me të cilat Forcat e Armatosura ndihmuan në shuarjen e zjarrit

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency