Studime

0
155

studimeKafja e gjelbër e mban diabetin nën kontroll

Pija gjithnjë e më e popullarizuar, kafja e gjelbër, mund t’ju ndihmojë të shkrini kilogramët e tepërt, por është e dobishme edhe për mbajtjen e diabetit nën kontroll. Shoqata amerikane e kimistëve ka publikuar rezultatet e hulumtimeve më të reja sipas të cilave kafja e gjelbër mund të ndihmojë personat me paradiabet për t’u dobësuar (paradiabeti është gjendja e nivelit të rritur të glukozës në gjak, çka do të thotë që edhe nëse momentalisht nuk keni diabet ekziston rrezik i madh që ta keni në të ardhmen), por po ashtu mund të reduktojë nivelin e sheqerit në gjak te personat që tashmë janë të sëmurë nga sëmundja e sheqerit. Efektin e dobishëm ia përshkruajnë përbërësit aktiv të acidit klorogjenik, i cili pengon glukozën-6-fosdatazë në qeliza, ndërsa kjo do të thotë që yndyrat përdoren për krijimin e energjisë, në vend se të ruhen në trup. “Tableta e thjesht, natyrale ose kapsula e cila do të ndihmonte të mbahet sheqeri në gjak nën kontroll dhe njëkohësisht të mundësonte dobësimin do të paraqiste progres shumë të madh në shërimin e diabetit të tipit 2”, pohon Joe Vinson, udhëheqësi i ekipit hulumtues. Ata kanë theksuar një problem lidhur me konsumimin e përhapur të kafes së gjelbër: temperatura e lartë gjatë pjekjes së kokrrës së kafes së gjelbër shkakton shpërbërjen e pjesës së madhe të acidit klorogjenik. Kjo do të thotë që për përftime të plota shëndetësore është e nevojshme të konsumohet ekstrakti i koncentruar i kafes së gjelbër të papjekur.

 

Qumështi i lopës shkakton aneminë tek bebet

Përdorimi i qumështit të lopës te foshnjat më të vogla se një vit nxit aneminë, paralajmërojnë ekspertët. Nutricionistja në spitalin e universitetit “Suleyman Demirel” në qytetin turk Isparta, Aliye Carus, në deklaratën për agjencinë Anttolia ka thënë që fëmijët duhet të konsumojnë sasi të madhe të qumështit dhe që ai – për shkak të proteinave, kalciumit, vitaminave dhe fosforit që i përmban -luan rol të rëndësishëm në ushqyerje. Ajo ka theksuar që sasia shumë e madhe e qumështit të lopës për foshnjat bart edhe rreziqe të caktuara sepse një sasi e caktuar e mineraleve në qumësht parandalon absorbimin e vitaminave dhe mineraleve të tjera si hekuri. “Kur hekuri futet në organizëm, nuk bën të konsumohen ushqimet që parandalojnë absorbimin e tij, dhe këto janë qumështi dhe produktet qumështore. Kështu kur bebeve më të vogla se një vit u jepet për së tepërmi qumësht shkaktohet mungesa e hekurit, respektivisht anemia”, ka thënë Carus dhe ka theksuar që qumështi i lopës nuk rekomandohet t’u jepet bebeve më të vogla se një vit. Mungesa e hekurit shkakton lodhje, dobësi dhe humbje të apetitit. Doktor Harun Tepeli ka thënë që bebeve të cilat janë ndalur së ushqyeri me qumështin e nënës mund t’u jepet jogurti në vend të qumështit, dhe që jogurti nuk bllokon konsumin e hekurit në masë të tillë si qumështi.

 

Ushtrimet fizike riparojnë dëmtimin e trurit, shkaktuar nga alkooli

 

Hulumtimi i ri ka gjetur se ushtrimet aerobike mund të lehtësojnë disa prej dëmeve neurologjike të shkaktuara nga pijet e rënda. Ushtrimet fizike mund të ndihmojnë ish-alkoolistët të kufizojnë dëmin e alkoolit që është bërë me trurin e tyre. Një nga autorët e studimit, Hollis Caroll, nga Universiteti i Kolorados, ka thënë: “Angazhimi në ushtrimin e rregullt aerobik është parë se mund të përmirësojë të mësuarit, kujtesën, dhe vetëkontrollin. Kjo duket të jetë veçanërisht e vërtetë në mesin e njerëzve të rritur të cilët ushtrojnë rregullisht. Studimi gjeti se konsumimi afatgjatë i alkoolit çon në dëmtime nervore që duket e ngjashme me rënien e parë në njerëzit e moshuar. “Kjo sugjeron se individët të cilët kanë përjetuar problemet e trurit nga konsumimi i tepërt i alkoolit, me stërvitje fizike mund të shërojnë ato efekte.” Gjetjet janë për shkak të botuar në revistën: “Alkoolizmi, hulumtime klinike dhe eksperimentale”.

 

“Kultivohet” dhe transplantohet veshka e parë nga laboratori

Nuk ekziston ilaç për dështimin e veshkave. Trajtimet e vetme në dispozicion janë dializa ose transplantimi, të cilat nuk janë zgjidhje përfundimtare. Pacienti në dializë nuk guxon të pijë më shumë se një litër lëng në ditë, derisa veshkat e transplantuara mesatarisht zgjasin prej 10 deri 15 vjet, dhe atë nëse nuk vjen deri te refuzimi i organit. Zbulimi i burimit të ri të organeve zëvendësuese që mund të kultivohen nga qelizat e pacientit dhe që do të zgjasin tërë jetën është hap i madh përpara. Hulumtuesit amerikanë me ndihmën e teknikes eksperimentale kanë marrë veshkën e vjetër të miut dhe nga ajo kanë hequr shtresën e sipërme të qelizave të vjetra dhe kanë ripërtërirë veshkën me ndihmën e qelizave të pacientëve të cilat janë transplantuar më pas. “Shpresojmë që shumë shpejt veshkat e tilla do të munden të marrin tërësisht funksionin e veshkave të shëndetshme”, – ka shtuar udhëheqësi i ekipit shkencor dr. Harald Ott, i cili tashmë ka marrë pjesë në kultivimin e zemrës në laborator. Ai beson që shkenca është afër zbulimit të madh i cili sjell shpresën dhe mundësinë e zgjatjes së jetës së miliona njerëzve që kanë nevojë për transplantim. Kjo teknikë ka përparësi të konsiderueshme në krahasim me transplantimin standard. Përveç që indi do t’i përgjigjet pacientit, ata nuk do të kenë nevojë që të marrin ilaçe tërë jetën kundër refuzimit të organeve, dhe po ashtu në mënyrë të konsiderueshme do të rrisnin numrin e organeve në dispozicion për transplantim, raporton BBC.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency