BE financon një port hidroplanësh në Vlorë

0
196

Bashkimi Evropian do të financojë projektin e ndërtimit të një porti hidroplanësh në gjirin detar të Vlorës. Drejtorja e portit të Vlorës, Fato Nuredini, tha se projekti do të konkretizohet në bregdetin në afërsi të ndërtesës së Akademisë së Marinës, që është përcaktuar dhe përzgjedhur si mjedisi më i favorshëm dhe me parametrat e duhur.

“Porti i Vlorës ka fituar të drejtën e projektit të ndërtimit të portit të hidroplanëve, pas një procesi përgatitor që ka nisur prej vitit 2009 e në vazhdim, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë”, – sqaron Nuredini. Sipas saj, porti i hidroplanëve është pjesë e një projekti më të gjerë rajonal, që synon implementimin e transportit me hidroplan në zonën e Adriatikut, ku përfshihet edhe provinca e Teramos (Itali). Projekti në nivel rajonal ka për qëllim krijimin dhe zhvillimin e një alternative transporti më të shpejtë, përmes vendosjes së një linje të qëndrueshme me hidroplanë, që aplikohet për herë të parë në vendin tone, duke përfshirë edhe sektorin privat. Për këtë qëllim është krijuar dhe një Komitet Drejtues për Hidroplanet në Zonën e Adriatikut dhe portet përkatëse.
Aktorë dhe partnerë të këtij projekti rajonal do të jenë përveç portit të Vlorës dhe provincës së Teramos dhe rajonit të Pulias edhe portet e Barit dhe të Brindisit (Itali), ENAC (Aviacioni Romë), Ministria e Transportit e Malit të Zi, porti i Pulas (Kroaci), Prefektura e Korfuzit (Greqi).
Me këtë investim, që realizohet në kuadrin e projektit të basenit të Adriatikut për transportin me hidroplanë, parashikohet të ofrohet brenda këtij viti ose fillimit të 2014-ës, një mundësi alternative për lëvizjen e udhëtarëve, turistëve, mallrave.
Në fondin e përgjithshëm, 15 për qind e vlerës do të jetë bashkëfinancim i portit të Vlorës.
Me këtë mundësi, do të ndiqet një përvojë e konsoliduar në këtë lloj transporti që aplikohet në Kroaci e Greqi dhe që është në proces konkretizimi edhe në vende të tjera evropiane.

Projekti është në një fazë të avancuar, që pritet të përmbyllet me përfundimin e dokumentacionit përkatës, shpalljen e tenderit dhe përzgjedhjen e firmave fituese, që do të realizojnë punimet.

 

Nis nga puna impianti i pastrimit të ujërave në Durrës

 

Këto ditë ka nisur nga puna Impianti i Përpunimit të ujërave të ndotura të Durrësit, një investim prej 11 milion euro i qeverisë shqiptare. Drejtori i Ujësjellës Kanalizime në Durrës, Doklead Ademi, deklaroi për median se “sistemi tashmë është funksional dhe fillimisht do të përpunojë ujërat e zeza të qytetit, e më pas edhe ujërat e zonës turistike nga ura e Dajlanit deri tek Përroi i Agait’. Impianti i përpunimit të ujërave të zeza të Durrësit është ndërtuar 5 km larg qytetit bregdetar. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej 70 ha, në kufirin mes zonës industriale të Durrësit dhe komunës së Rrashbullit dhe sipas specialistëve është më moderni ndër 14 impiantet që janë në ndërtim e sipër në territorin e vendit. Impianti ka një kapacitet prej 20 mijë metër kub në ditë dhe ujrat e trajtuara prej tij arrijnë një pastërti prej 97 për qind. Më pas ato mund të derdhen në det pa shkaktuar asnjë shqetësim”, – tha më tej drejtori Ademi.

 

Universiteti Columbia (SHBA): Kriza preku 5.8 miliardë njerëz!

 

Masat e shtrëngimit dhe uljet e shpenzimeve publike nuk kanë goditur vetëm Evropën, por janë bërë të detyrueshme në pjesën më të madhe të vendeve të botës, duke prekur 5.8 miliardë persona. Ata që janë prekur më shumë nga këto shkurtime janë më të dobëtit. Në debatin e muajve të fundit duket se, politikat e masave të shtrëngimit ekonomik janë kryefjala e Bashkimit Evropian. Institucionet evropiane dhe Trojka dallohen për një vizion të njëanshëm të krizës, sidomos kur bëhet fjalë për mënyrat e daljes nga kjo e fundit.

Në këndvështrimin e tyre, disa vende evropiane janë “të padisiplinuar”, kanë shpenzuar shumë për mirëqenien sociale si dhe duhet të rimëkëmbin llogaritë e tyre publike, pavarësisht dënimit që u është bërë nga tregjet financiare. Kjo situatë, duket se nuk kufizohet vetëm në Evropë, pasi shumë prej masave më të ashpra të shtrëngimit ekonomik janë në fuqi në vendet e jugut të botës. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vitin 2013, 119 vende të botës do të kalojnë nëpërmjet ndonjë “rregullimi” të shpenzimeve të tyre publike. Në vitin 2014, numri i vendeve të përfshira do të rritet në 131 dhe kjo prirje do të vazhdojë, të paktën deri në vitin 2016. Universiteti i Columbia-s, në bashkëpunim me Qendrën e Jugut kanë zhvilluar një studim, të titulluar, “Epoka masave të shtrëngimit”, ku përfshihet rishikimi i masave për rregullimin e shpenzimeve publike në 181 vende të botës.

Studimi ka analizuar të dhënat e Fondit Monetar për 181 shtete, duke i përballur me katër periudha si; 2005-2007 (periudha para krizës); 2008-2009 (faza e parë e krizës dhe zgjerimi fiskal); 2010 -2012 (faza e dytë e krizës dhe tkurrja fiskale); 2013-2015 (faza e tretë e krizës dhe përforcimi i tkurrjes fiskale). Fondi ka studiuar 314 raporte, për 174 vende, me qëllim identifikimin e rregullimeve kryesore të marra në shqyrtim, si në veri, ashtu edhe në jug të botës. Masat e shtrëngimit mund të përfshijnë rreth 80% të popullsisë globale në vitin 2013, apo rreth 5.8 miliardë persona. Në masat e zbatuara në vitet 2010-2013, ato më të përhapura janë; eliminimi apo heqja e subvencioneve, dhe ndihmave, në veçanti për bujqësinë dhe ushqimin (në 100 vende); ulja e pagave duke nisur që nga ato në arsim, shëndetësi dhe sektorë të tjerë publikë (në 98 vende); pakësimi i rrjeteve dhe masave të kujdesit social, (në 80 vende); një reformë pensionesh, (në 86 vende); shkurtime në higjienën publike (në 37 vende) dhe një elasticitet më të madh për punonjësit (në 32 vende).

Studimi thekson se shumë qeveri kanë zbatuar edhe masa të tjera – sikur të mos mjaftonin këto që u cituan më lart – me pasoja më të rënda, sidomos për shtresat më të varfra e të dobëta të popullsisë. Ajo që peshon më shumë tek shtresat më të varfra kanë qenë politikat fiskale shumë shtrënguese, apo rritja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe kjo ka ndodhur në 94 vende. Në pjesën e fundit të studimit vihet në diskutim, më shumë ndershmëria sesa vlefshmëria e këtyre vendimeve, duke e parë çështjen nga këndvështrime të ndryshme siç janë; kohëzgjatja; qëllimi që duhej ndjekur; intensiteti i masave të zbatuara; efektshmëria e tyre nga këndvështrimi makro-ekonomik në krahasim me koston sociale. Rezultati është i parashikueshëm.

Pasojat kanë qenë (dhe rrezikojnë të jenë në të ardhmen), në rritjen e papunësisë, varfërisë dhe pabarazisë. Kostot e rregullimit janë shkarkuar mbi sektorët më të dobët, me më pak mbrojtje për sektorin e punësimit. Me fjalë të tjera, përballë një krize të shkaktuar nga një financë të rritur përtej masave, kostoja e rimëkëmbjes është paguar pothuajse e gjitha nga më të varfrit dhe ata më pak të mbrojturit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency