Basha: Mbajtëm premtimin, kompletojmë mozaikun e objekteve të kultit

0
133

Blerta Mrishaj

bashaKryebashkiaku: Për mua personalisht, besimi që qytetarët e mi më dhanë në datën 8 maj, ishte çelësi për vullnetin, angazhimin dhe bashkëpunimin me Komunitetin Mysliman dhe përfaqësuesit e besimtarëve të Tiranës

 

 

Projekti fitues

-Projekti është hartuar nga studioja arkitekturore “Hassa”, studio që ka projektuar xhami të ndërtuara në shumë vende të botës, si në Tokio (e cila në vitin 2002 është shpallur një ndër ndërtesat më të mira të saj), në Berlin dhe Këln, Gjermani

 

-Xhamia duket sikur është e vendosur mbi një qilim, pasi në katin e parë, me një sipërfaqe prej 3500 metrash katrorë, është projektuar qendra kulturore. Ndërsa sipërfaqja e xhamisë është 2500 metra katrorë. Xhamia e Namazgjasë, sipas projektit të studios së projektimit “Hassa”, është parashikuar që të ketë katër minare. Lartësia e tyre do të jetë 50 metra, ndërsa kupola qendrore do të jetë 30 metra e lartë

 

 

Në mënyrë simbolike është hedhur dje guri i parë i themelit për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës, në sheshin e Namazgjasë. Në prani të drejtuesve të komuniteteve fetare në vend, drejtues të komuniteteve myslimane në Kosovë dhe Maqedoni dhe përfaqësues të trupit diplomatik, Kryeministri Sali Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça firmosën dokumentin themeltar me tekst: “Për inaugurimin e fillimit të Xhamisë së re të Tiranës”. Kryebashkiaku Lulzim Basha duke e cilësuar si një vepër e munguar prej vitesh në kryeqytetin shqiptar tha se besimi që qytetarët e mi më dhanë në datën 8 maj ishte çelësi për vullnetin, angazhimin dhe bashkëpunimin me Komunitetin Mysliman dhe përfaqësuesit e besimtarëve të Tiranës. Ndërsa për kreun e komunitetit mysliman Selim Muça fillimi i punimeve për xhaminë e madhe ishte një eveniment i shumëpritur.

Fetë

“Unë, Selim Muça, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, deklaroj dhe dëshmoj para Allahut, Zotit të gjithësisë, se sot, ditën e 20-të të prillit, të vitit 2013, këtu në Tiranë, në tokën vakëf, tradicionale të Namazgjasë, në prezencën e Kryeministrit të Shqipërisë, shkëlqesisë prof. dr. Sali Berisha, të kryebashkiakut të Tiranës z. Lulzim Basha, të mijëra besimtarëve myslimanë dhe qytetarëve të Tiranës, inaugurojmë fillimin e punimeve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Namazgjasë”. Me këto fjalë e nisi këtë ceremoni të shumëpritur për Komunitetin Mysliman, kryetari i saj Haxhi Selim Muça. Ndërsa kryetari i bashkisë Lulzim Basha i cili rreth 2 vjet më parë premtoi ndërtimin e xhamisë e ka konsideruar këtë moment të rëndësishëm, jo vetëm për besimtarët e shumtë myslimanë të cilët kryenin ritet e faljes në ambiente të papërshtatshme por edhe për vetë kryeqytetin. “Për mua personalisht, besimi që qytetarët e mi më dhanë në datën 8 maj ishte çelësi për vullnetin, angazhimin dhe bashkëpunimin me Komunitetin Mysliman dhe përfaqësuesit e besimtarëve të Tiranës, me qeverinë shqiptare e në veçanti Kryeministrin Sali Berisha dhe të gjithë faktorët e tjerë që bënë të mundur që sot të nisim punën për Xhaminë e Madhe të Tiranës. Krahas kënaqësisë dhe emocionit të thellë që ndiej sot, si kryetar i Bashkisë së Tiranës për nisjen e ndërtimit të kësaj vepre, ndiej po kështu edhe keqardhje për kohën e gjatë që kemi humbur. Jeni dëshmitarë për besimtarët e shumtë, vëllezërit e shumtë që falen në rrugët e Tiranës, në ditë feste apo në ditë të tjera të shënuara dhe kjo vetëm sepse na kishte munguar për një kohë të gjatë, Bashkisë së Tiranës i kishte munguar për një kohë të gjatë besimi, vullneti dhe dashuria për të ndërtuar këtë vepër. Xhamia e Madhe e qytetit, kompleton mozaikun e objekteve të rëndësishme të kultit në kryeqytetin e shqiptarëve dhe shënon një premtim tjetër të mbajtur para njëri-tjetrit dhe Zotit të Madh”, – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

Projekti

Projekti i xhamisë përshtatet me truallin ku po nis të ndërtohet, si dhe në dizajnin e saj reflektojnë trashëgiminë kulturore shqiptare. Projekti i xhamisë së madhe është bërë nga studio “Hassa” e arkitekt Muharrem Senalp, i cili është mjaft i njohur në fushën e ndërtimit të xhamive. Xhamia duket sikur është e vendosur mbi një qilim, pasi në katin e parë, me një sipërfaqe prej 3500 metrash katrorë, është projektuar qendra kulturore. Ndërsa sipërfaqja e xhamisë është 2500 metra katrorë. Xhamia e Namazgjasë, sipas projektit të studios së projektimit “Hassa”, është parashikuar që të ketë katër minare. Lartësia e tyre do të jetë 50 metra, ndërsa kupola qendrore do të jetë 30 metra e lartë. Qendra kulturore, në përbërjen e saj do të ketë sallë konferencash, bibliotekë, muze, por edhe klasa për mësimdhënie. Nga ana vizuale kjo xhami, ndryshe nga projekti i studios BIG që pasqyronte elementë të forta të modernes, është më klasike dhe pasqyron vlera historike të objekteve të tjera të kultit të fesë islame që janë në vendin tonë. Projekti i “BIG-Studio”, ishte projekti fitues i konkursit të organizuar nga Bashkia e Tiranës në maj të vitit 2011, e cila ishte parashikuar të ndërtohej në lulishten mbrapa TOB-it, por për shkak të problemeve me pronësinë u vendos që Xhamia e madhe të ndërtohej te Namazgjaja, ku Komuniteti Mysliman ka dhe pronësinë e truallit.

Kapaciteti

Xhamia e re që do të ngrihet në sheshin e Namazgjasë është projektuar nga studio “Hassa” e arkitektit turk Muharrem Hilmi Shenalp, i cili ka projektuar xhami të ndërtuara në shumë vende të botës, si në Tokio (e cila ne 2002 është shpallur një ndër ndërtesat më të mira të saj), në Berlin dhe Këln, Gjermani, etj. Kjo xhami do të jetë një objekt madhështor me katër minare, me një kapacitet faljeje për 5000 besimtarë njëherësh. Ky objekt kulti do të jetë mjaft kompleks, ku do të funksionojnë vende për marrje abdesi për burra dhe gra, qendër kulturore, dyqane, ambiente shërbimi e argëtimi dhe zyra, salla konferencash, muze, etj. Në krah të xhamisë do të ngrihet edhe godina e re e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Arkitektura nga ana funksionale i përgjigjet më së miri kritereve dhe kërkesave të kohës.

Namazgjaja

Dihet se Namazgjaja ka qenë një fushë karakteristike e Tiranës ku myslimanët kanë falur namazet me rastin e bajrameve. Rrënojat e mureve dhe selvitë qindravjeçare flasin për lashtësinë e saj. Besohet se ajo është e vjetër sa vetë Tirana dhe u caktua si e tillë nga Sulejman Pasha që ndërtoi xhaminë me të njëjtin emër dhe që nga banorët autoktonë të Tiranës njihet si “Xhamia e Vjetër”. Kjo fushë është dëshmitare e ngritjes së flamurit më 26 nëntor 1912, si edhe shumë ngjarjeve të rëndësishme të historisë së qytetit. Këtë ditë kryeqyteti ynë e pret prej 75 vjetësh, kur edhe revista zyrtare e Komunitetit Mysliman “Zani i Naltë” e shtronte si problem në një kohë kur Tirana kishte vetëm disa mijëra banorë dhe kishte 40 xhami. Sot kjo nevojë shumëfishohet dhe tregues është numri i madh i besimtarëve, të cilët përbëjnë shembullin më të mirë të qytetarit model.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency