Standard.al

Grabitja Sulmohet me leva dhe pistoletë postieri, i marrin lekët e pensioneve

Elton Qyno

sulmiZenel Algjoni është goditur me mjete të forta. Policia shoqëron dhjetë persona të dyshuar

 

Punonjësi i pikës postare në Kukës është plagosur rëndë për shkak të një sulmi me qëllim grabitjen e lekëve të pensionistëve të fshatit Shën Mëri. Babai i tre fëmijëve është sulmuar në mënyrë të befasishme në rrugën që të çon në fshat, ku dy persona nën kërcënimin e armës dhe një leve hekuri, e kanë detyruar postierin të dorëzojë shumën e parave. 50-vjeçari Zenel Algjoni ka bërë rezistencë ndaj dy grabitësve, të cilët kanë filluar të godasin me mjete të forta, duke i shkaktuar fraktura të mëdha në kokë dhe vende të ndryshme të trupit. Pas këtij rrëzimit në tokë të postierit, dy personat kanë hyrë në automjetin e tij privat ku dhe kanë marrë shumën e parave, që do u shpërndahej pensionistëve të fshatit Shën Mëria. Më pas dy autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të shpatit Malor, duke bërë që policia ta ketë të pamundur arrestimin e tyre, të paktën deri në orët e mbrëmjes së djeshme. Shumë persona me precedentë penalë që banojnë në fshatrat e zonën ku ndodhi grabitja janë shoqëruar në komisariatin e Kukësit, por që gjatë marrjes në pyetje asnjëri prej tyre nuk ka pranuar autorësinë e krimit. Ndërkohë që nga një përllogaritje e policisë së Kukësit dhe pyetjes së punonjësve të postës së qytetit, bëhet me dije se postieri Zenel Algjoni ka pasur me vete 1.5 milionë lekë të vjetra, të cilat do j andante pensionistëve të zonës.

Postieri, rëndë në spital

Gjatë grabitjes, postieri ka shumë mundësi të ketë njohur dy autorët e krimit dhe për pasojë ka shfaqur rezistencë fizike ndaj tyre. Nisur nga kjo situatë, Zenel Agjoni, është goditur me forcë me qytën e pistoletë në kokë, dhe më pas është rrahur me një levë. Për shkak të këtyre goditjeve të forta, Algjoni ka pësuar hemorragji të forta në tru dhe pjesë të ndryshme të trupit, dhe menjëherë është transportuar me helikopter në drejtim të Spitalit Ushtarak. Gjatë ditës së djeshme ai i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale por që sipas mjekëve, sërish gjendje e postierit ka shfaqur probleme. Ndërkohë që nga hetimet e kryera, janë ngritur dyshime se grabitësit mund të kenë qenë në makinën e të dëmtuarit në momentin kur ka ndodhur krimi i rëndë. Së bashkua ata dyshohet se kanë bërë një pjesë rruge, ndërkohë që më pas e kanë sulmuar fizikisht, pasi kanë mësuar për prezencën e një shumë financiare. Ky është vetëm një version i policisë, pasi dyshime ekzistojnë edhe për disa të rinj të tjerë, të cilët mund të kenë bërë pritë në rrugë, pasi kanë mësuar se në fshat po vinte punonjësi i postës, që të shpërndante lekët e pensionistëve.

Shoqërohen 10 persona

Dhjetë persona janë shoqëruar gjatë ditës së djeshme në komisariatin e Kukësit, teksa janë marrë në pyete sërish janë lënë të lirë, por që vazhdojnë të mbahen në mbikëqyrje nga policia e qytetit. Gjatë marrjes në pyetje, të shoqëruarit kanë mohuar se kanë marrë pjesë në grabitjen e postierit, ndërkohë që nga ana e saj, policia u ka marrë shenjat e gishtave, për ti krahasuar me ato që kanë konstatuar në makinën e postierit. Dëshmia që mund të hedhë dritë, është e vetë të dëmtuarit, por në kushtet kur ai nuk ka qenë në gjendje të flasë për policinë, agjentët e kësaj të fundit janë fokusuar më shumë në punën operative dhe identifikimit me anë të gjurmëve të gishtave të autorëve të këtij krimi të rëndë.

 

Abuzoi me 13-vjeçarin

Ekstradohet nga Italia pedofili

i dënuar me 20 vjet burg

Një shtetas i dënuar me 20 vite burg për përdhunimin e një të mituri është ekstraduar nga Milano drejt vendit tonë. Shtetasit Altin Muça, 36 vjeç, lindur në Tiranë ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 412 të datës 08 qershor 2000, e ka dënuar me 20 vjet heqje lirie për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur”, parashikuar nga neni 100/2 i Kodit Penal. Ku shtetas, më datë 13 janar 2000, në fshatin Farkë, Tiranë, duke përdorur forcën dhe nën kërcënimin e një arme tip pistoletë, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një të mitur. Menjëherë pas kryerjes së krimit ky shtetas është larguar nga vendi ynë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, më datë 26.11.2012, në Milano, Itali, është bërë arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Altin Muça.

Zjarri në Tiranë

Flakët shkrumbojnë tri biznese afër doganës

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë magazinat e një servisi automjetesh në kryeqytet si dhe dy bizneseve të tjera. Ngjarja u regjistrua në afërsi të zonës së doganës në Laprakë, por nuk dihen me saktësi shkaqet e rënies së flakëve. Pas lajmërimit nga ana e banorëve në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë pesë zjarrfikëse, të cilat arritën të lokalizonin dhe më pas të shuanin flakët. Sipas policisë, ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit ndërsa fatmirësisht nuk mbeti asnjë person i lënduar. Në vendngjarje mbërriti dhe një grup ekspertësh të cilët nisën hetimet për të zbardhur shkaqet që çuan në djegien e magazinës dhe të një pjese të servisit të automjeteve.

 

 

 

 

Comments are closed.