Familja ime falënderon SHBA-në për kujdesin dhe mbrojtjen morale…

0

Mesazh publik falënderimi

Loading...

Nga Kastriot Islami

kastriotNjë takim sa politik dhe miqësor, emocionues e plot ndjenjë, me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA, Jonathan Moore. Nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa ime dhe e familjes sime.

Unë kam pasur shumë takime të nivelit të lartë si ministër i Punëve të Jashtme, si koordinator i Krizës së Kosovës, si ministër i Financave dhe si Kryetari i Parlamentit, me presidentë, kryetarë parlamentesh e senatesh, me Kryetarin e OKB-së, të NATO-s, të BE-së e tjerë e tjerë, me ministra të të gjithë portofolave, deputetë, novelistë e shumë e shumë të tjerë, por ky ka qenë një takim i veçantë, miqësor, i paharrueshëm, sepse zyrtari i lartë amerikan interesohej veçanërisht për familjen time. Jam takuar në takime zyrtare me Colin Powell apo Condoleezza Rice, kam shtrënguar duart me George Bush në Samitin e Bukureshtit të NATO-s, por zyrtari i lartë Moore do të ishte pranë meje pikërisht në momentin kur unë po linçohesha me metodat nga më të paimagjinueshmet të stilit sovjetik, të stilit të revolucionit kulturor kinez, të stilit të kmerëve të kuq, të stilit koreanoverior, të konceptuara, të organizuara dhe të zbatuara nën drejtimin e personit që kërkon të bëhet Kryeministër i Shqipërisë. Sinqerisht, më vinte edhe turp e njëkohësisht jam ndier edhe shumë keq, që unë më duhet të shpjegohesha për veprimet e paimagjinueshme të një individi me të cilin kisha bashkëpunuar… por nuk bashkëndaja më mendime dhe opinione të njëjta dhe për shkak të kësaj ai duhet të përfundonte në veprime ekstreme personale dhe aq më e rëndë, ishin ato kundër familjes sime…

Fare thjesht: Faleminderit SHBA, nga unë dhe familja ime! Faleminderit shumë…

Ja çfarë ka thënë zoti Moore, që tani ne e konsiderojmë si “mikun” e familjes sonë:

“Ne jemi shumë të shqetësuar nga ajo që kemi parë. Ka një nivel të lartë tensioni politik para këtyre zgjedhjeve, sërish, me pikëpyetje e akuza mbi çështjen e ligjshmërisë. Duhet të them se një nga personat me të cilët u takova dje ishte z. Kastriot Islami. Parimet demokratike përfshijnë sigurisht jo vetëm të drejtën e njerëzve për të votuar në zgjedhje por edhe të drejtën e anëtarëve të parlamentit të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre. Ne jemi shumë të zhgënjyer dhe të shqetësuar që kishte presion të drejtpërdrejtë nga protestues para shtëpisë së një anëtari të parlamentit. Presioni kundër tij e familjes së tij është i gabuar”.

Lexojeni me kujdes dhe vëmendje. Lexojeni se është një leksion demokracie. Lexojeni se është një mesazh jo vetëm për mua dhe familjen time, por për të gjithë shqiptarët. Veçanërisht për drejtuesit e partive, për deputetet dhe të gjithë ata që synojnë të merren me politikë. Sidomos të rinjtë, që të mos kthehen në marioneta për të kryer veprimeve kundër parimeve të demokracisë. Lexojeni… Ja çfarë ka thënë zoti Moore:

Së pari, ka kujtuar një parim të rëndësishëm demokratik: …të drejtën e anëtarit të Parlamentit të votojë sipas ndërgjegjes së tij. Të votojë sipas ndërgjegjes së tij dhe jo sipas urdhrit partiak. Të votojë sipas ndërgjegjes së tij dhe jo sipas diktatit të partiak. Të votojë sipas ndërgjegjes së tij dhe jo nën kërcënim politik. Të votojë sipas ndërgjegjes së tij dhe kështu konsiderohet se ka respektuar parimet demokratike, krejtësisht ndryshe nga çfarë deklamon personi që synon të bëhet Kryeministër që i cilëson të gjithë ata që nuk i binden diktatit të tij si “mercenarë, të shitur…” apo që personat e organizuar prej tij i konsiderojnë “tradhtarë”… Të votojë sipas bindjes së tij pavarësisht se si është zgjedhur dhe nga cila parti është zgjedhur. Ky është parim themelor i demokracisë. E kundërta, mandati me urdhër është koncepti jakobin dhe është aplikuar nga partitë fashiste, nga partitë staliniste, dhe sot aplikohet vetëm nga partitë autoritare.

Së dyti, SHBA është shumë e “zhgënjyer nga presion përmes protestës së organizuar para shtëpisë…” Kjo do të thotë se SHBA është e zhgënjyer jo vetëm për aktin por edhe autorët. Konceptuesi, organizatori dhe autori i vetëm është kandidati për Kryeministër. SHBA është e shqetësuar dhe e zhgënjyer për këtë ngjarje. Familja ime tanimë ndihet e qetësuar nga mbështetja që vjen nga SHBA. Ndihet e sigurt se është marrë në mbrojtje morale nga SHBA-ja.

Edhe një herë: Faleminderit edhe një herë SHBA dhe miqve që kanë arritur me mijëra të na telefonojnë e të na mbështesin, të shqetësuar dhe të gatshëm të bashkohen me ne përballë kësaj ngjarjeje të rëndë sulmi kundër demokracisë dhe parimeve demokratike. Ne tanimë jemi të qetë, por nuk mund të mos evokoj diçka shumë të rëndësishme.

Unë do të vazhdoj me vendosmëri të kontribuoj në vendim tim, t’i shërbej vendit tim, të vë në dispozicion të progresit të vendit të gjithë eksperiencën dhe kapacitetet e mia për vendin tim, duke iu bindur vetëm ndërgjegjes sime, vetëm me integritet e ndershmëri, vetëm me qetësi e maturi dhe pa asnjë inat apo ndjenjë revanshi. Unë i konsideroj të gjithë ata që janë ndryshe nga unë, vetëm kundërshtarë në ide e opinione. Unë nuk e përdor kurrë termin “armik, tradhtar, mercenar”… për ata që mendojnë ndryshe nga unë. Unë nuk ndeshem me asnjërin prej kundërshtarëve të mi duke përdorur forcën fizike, fyerjet apo urrejtjen. Pika ime më e fortë është forca e arsyes, është truri dhe në këtë ballafaqim midis njerëzve që përdorin arsyen e trurin, unë jam shumë i vendosur në argumentet e mia dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë ata më të cilët bashkëndaj të njëjtin arsyetim për të konkurruar me të gjithë ata që mendojnë ndryshe.

Së fundmi, por shumë e rëndësishme, që nuk mund të mos e them: Nëse në këtë betejë pas 22 vjetësh përpjekjesh e ballafaqimesh të panumërta do të ndodhë diçka sado e vogël ndaj meje apo familjes sime, nuk duhet të lodheni shumë për të kërkuar autorin. Ai është qartësisht i vetevidentuar dhe vetidentifikuar… “Akuza” ime është paraprake përderisa nuk do të distancohej nga gjithçka ka organizuar dhe/ose nuk do të kërkonte ndjesë publike…

Duke e përmbyllur këtë mesazh publik falënderimi:

Faleminderit zoti Moore!

Faleminderit ambasadës së SHBA në Tiranë!

Faleminderit Ambasadorit Arvizu!

Faleminderit Jeniffer Moore! Faleminderit Ermal!

Faleminderit SHBA…

 

Me shumë respekt, ndjenjë e emocion

Nga Kastriot Islami dhe familja ime…

 

 

 

Loading...