Bojkoti i KQZ-së Berisha: Zgjedhja mbetet e opozitës, Rama me skenarin e mosnjohjes së zgjedhjeve

0

Ina Jano

Loading...

berishaKryeministri Berisha, seri përurimesh dhe fillime punimesh për rrugë, ujësjellës dhe argjinatura në jug të vendit

 

E premtja për Kryeministrin Berisha duket se ka qenë ditë përurimesh në jug të vendit, në një vizitë që ai është duke zhvilluar në këtë zonë. Kreu i qeverisë shqiptare nga Gjirokastra ka sulmuar ashpër kreun e opozitës në lidhje me bllokimin e bërë nga ai për institucionin e KQZ-së. Zoti Berisha deklaroi se ajo është një zgjedhje e opozitës, por kjo nuk do ta pengojë qeverinë që të zhvillojë në vend zgjedhje të lira dhe të ndershme. Referuar kreut të PS-së, lideri i mazhorancës tha se ai është duke bërë të njëjtin skenar për bllokimin e zgjedhjeve dhe mosnjohjen e rezultatit. “Tani kapitulluan. Burrat janë për fushëbetejë, nuk janë për të kapitulluar. Beteja elektorale duhet të shkojë deri në fund. Nuk ua mban, tërhoqën komisionerët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kurrë mos i ktheni, po të doni. Zgjedhjet shqiptarët do t’i bëjnë të lira dhe të ndershme. Je i pashpresë, zoti Rama. U bashkuan, e panë që u zvogëluan dhe tani shohin karrigen e amshuar me dylbi. U largohet çdo ditë e më shumë. Absolutisht, po! Dje u ka deklaruar të tjerëve se në rast se nuk fitojë zgjedhjet, nuk do të njohë rezultatin. Cilin po tremb me atë? Kurrë mos e njih rezultatin! Po ta them nga këtu, nga Komuna e Picarit: kurrë mos e njih rezultatin, se nuk çudit asnjeri. Ti je një njeri që përdor çdo pushtet që të kanë besuar qytetarët për të bllokuar këtë vend. Ti ke renditur një seri bllokimesh dhe je unik në Ballkan edhe në Evropë. I tërhoqi komisionerët dhe po bëhej gati, a mund ta imagjinoni ju, të kërkonte shtytjen e zgjedhjeve. I çova fjalë: asnjë sekondë! Po të duash që tani deklaro se nuk do të marrësh pjesë, se në mënyrë absolute qoftë edhe një sekondë nuk shtyhen zgjedhjet. Ai është një njeri që do të prishë çdo proces normal të këtij vendi. Por edhe ky vend, kam bindjen më të madhe, siç besoj tek Zoti, siç besoj tek Shqipëria, do t’i japë atij atë që meriton më 23 qershor”, – tha Kryeministri. Ai nuk la jashtë fjalës së tij edhe koalicionin me LSI-në për të cilin tha është ndërmjetësuar nga kryekontrabandisti Koka, i cili edhe ka qenë i arrestuar 6-7 vjet më parë. “Forcat politike bëjnë zgjidhjen e tyre. Po tani u thoshte të tjerëve se duhet të marrim edhe Ilirianin, se jemi në qeveri. Po nuk mund të jesh edhe qeveri, edhe opozitë. Ose je qeveri, ose je opozitë. Kjo është logjika. Se kush është qeveri dhe kush është opozitë, atë e ka përcaktuar Kushtetuta. Disa ditë më parë i deklarova se ngjalat e Nard Kokës do të ngelin në fyt, i ngeli e para. Prisni, se ju jap fjalën e nderit që një e nga një gjithsecila. Edhe kësaj here do ta ketë shumë të rëndë problemin, se halat e ngjalave nuk dalin kurrë nga fyti”, – pohoi lideri i qeverisë.

Gjithashtu, Berisha përuroi fillimin e punimeve në rrugën Picar – Golem, një investim prej 80 milionë lekësh. Rruga, me gjatësi 4 kilometra, do të ndërtohet sipas parametrave bashkëkohorë dhe urbanizon plotësisht Komunën e Picarit. Po ashtu, lideri i mazhorancës ishte dje i pranishëm në përurimin e argjinaturave mbrojtëse të lumit Drino, në Gjirokastër, investim ky me vlerë 320 milionë lekë. Lumi Drino prej shumë vitesh përbënte problem për përmbytjet që shkaktonte në zonën fushore të Gjirokastrës, por me sistemimin e shtratit të këtij lumi nga ndërhyrjet që u realizuan në periudhën 2011-2012 është mundësuar pastrimi dhe sistemimi i plotë i shtratit të tij në një gjatësi rreth 4.5 kilometra dhe me impakt të drejtpërdrejtë në mbrojtjen nga përmbytja të rreth 2000 hektarëve tokë, si edhe objekteve ekonomike të rëndësishme për zonën.

 

 

Ujësjellësi i Ksamilit

Në Ksamil, shefi i qeverisë përuroi përfundimin e fazës së parë e të dytë të ujësjellësit të Ksamilit. Rëndësia e ujësjellësit, një investim me vlerë rreth 450 milionë lekësh, është jo vetëm lokale, pasi i shërben furnizimit me ujë 24 orë në ditë një komuniteti prej 50 mijë banorësh, por edhe banorëve të përkohshëm që e frekuentojnë këtë zonë gjatë sezonit turistik. Ndërsa e vlerësoi këtë investim tepër të rëndësishëm jo vetëm për përditshmërinë banorëve, por edhe për investitorët në industrinë turistike, Berisha u shpreh se turizmi përbën potencialin më të jashtëzakonshëm të kësaj zone dhe vendit në tërësi. “Zhvillimi i turizmit mbetet për ne një nga përparësitë më madhore. Në katër vitet që vijnë objektivi ynë është: Shqipëria, 7 milionë turistë e vizitorë në vit. Në katër vitet që vijnë objektivi ynë është të paraqesim para tregut të madh turistik botëror, projektet më të mira për zonat turistike nga Kepi i Stillës, në Shën Jozef në Velipojë”, – shpalosi Kryeministri një nga objektivat madhorë për katër vitet e ardhshme, duke garantuar se do të kontraktohen kompanitë më të mëdha të fushës, për të hartuar projektet më të bukura turistike.

 

Berisha, bashkëbisedim me studentët në Sarandë

Gjithçka për arsimin në vend

Kryeministri Berisha, në bashkëbisedimin që pati me studentët e shkollave të mesme, u shpreh se arsimi është një nga pikat kyçe ku qeveria do të përqendrohet në mandatin e ardhëm. “Ne kemi investuar në mënyrën më të fuqishme për një infrastrukturë arsimore më moderne, kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla, kemi arritur rezultate shumë të mira në angazhimin në vitin e parë, parashkollor, kemi arritje shumë të mira, në nivele shumë të larta në përqindjen e nxënësve që kalojnë nga arsimi i detyrueshëm në arsimin e mesëm, në përqindjen e maturantëve që kalojnë nga gjimnazet në universitete. Kemi bërë përmirësime thelbësore në kurrikulat e degëve të mësuesisë, por kemi shumë për të bërë. Kemi rritur rrogat e mësuesve më shumë se të gjithë grupet e tjera të administratës 120 deri në 140 për qind, në varësi nga pozicioni i tyre. Ne besojmë se katër vitet që vijnë duhet të kenë synimin më kryesor rritjen e ndershme të cilësisë së shkollave tona, do të kenë synimin më të rëndësishëm punësimin e të rinjve, që diplomohen dhe natyrisht një jetë cilësisht më të mirë për ta. Këto janë objektivat tona për rininë. Përmbushja e cilësisë dhe rritja e saj nuk është një proces i thjeshtë, nuk është një proces i cili garantohet siç u garantua sasia mbi bazën e vendimeve të drejta qeveritare, sepse unë i qëndroj asaj, çdo i ri i kësaj shoqërie duhet të ketë të drejtë të provojë për të bërë të vërtetë ëndrrën e tij universitare, ëndrra universitare e çdo të riu, është ëndrra më e bukur e tij. Ai kërkon të hyjë në shtëpinë e dijes së kombit të tij dhe kjo është kërkesë fisnike. Çdo i ri, në konceptin tonë duhet të marrë dije, edukim qytetar, formim qytetar, por mundësisht dhe përshtatjen më maksimale me tregun. Drejtim në të cilën nuk mund të them se jemi aty ku duhet, ndonëse universitete tona sot kanë 520 projekte dhe kjo është shumë mirë, të gjitha këto janë përpjekje shumë serioze të ekipeve tona universitare për tu përshtatur me tregun, por a kanë rënë gjithnjë ato në valën e tregut, kjo u takon këtyre ekipeve ti shqyrtojnë në mënyrën më serioze”, – u shpreh Kryeministri.

 

 

 

.

 

Loading...