Rreziku nga “qeveria e Limprecht-it”

0
170

Agim Popoci

 

qeverisNë vitin 2001, qeveria shqiptare quhej “qeveria Limprecht”, ndërsa qarkullonte legjenda urbane se Kryeministri Meta e kishte mirë me ndërkombëtarët sepse ai çdo ditë takon ambasadorin amerikan. Kjo ide e krijuar nga vet Meta dhe sejmenët e tij, i dha të drejtën edhe të degjeneroj zgjedhjet, dhe më 24 Qershor ta sajoj Dushkun e madh që çuditi dynjanë. Pse e bëri këtë, nuk e kishte të qartë as kryesocialisti Nano, por Meta tashmë ishte në delir dhe besonte se është më i forti!

Por si e krijoi këtë ide një njeri që sapo kishte filluar të ngjitet nëpër shkallët e politikës dhe ishte bërë papritmas edhe kryeministër. Se ambasadori (tashmë i ndjerë) Limprecht takonte Metën në kryeministri, nuk ishte edhe sajesë, duke pasur parasysh kujdesin e përfaqësuesit të një shteti mik, por forca që mori një politikan provincial nga konfidencialiteti i një njeriu modern, i shkaktoi një dëm të pariparueshëm këtij vendi. Madje u lançua edhe ideja se SHBA nuk e don Berishën?!

Kur Nano i piu lëngun kësaj miqësie dhe erdhi në fron, u pa se Meta nuk ishte asgjë tjetër përveç se një kryeministër, i cili ishte besnik ndaj shtetit amerikan, sepse i tillë duhej të ishte. E ambasadori Limprecht, në stilin e tij karakteristik, do të vazhdojë përfaqësimin e shtetit ndoshta edhe duke mos e pasur të qartë se e majta i ka aq shumë frikën dhe është e djathta ajo që e ka për zemër SHBA-në. Në një rast ndërsa po drekoja në periferi të Tiranës, aty erdhi edhe ambasadori Limprecht i cili me stilin e tij më përshëndeti në lëvizje ndërsa unë në shaka e pyeta si është Meta:

-“Mirë, po thotë Nano…,” – dhe buzëqeshi!

Normalisht se ambasadori Limprecht vazhdoj ta takoj kryeministrin e Shqipërisë, ndërkohë mendësia fshatareske e komunistëve shqiptarë se Meta e ka mirë me amerikanët u zbeh gjithnjë e më shumë, sa më shumë që ai i largohej frymës së pushtetit.

12 vjet më vonë, kur ende për fat të mirë SHBA kujdeset për këtë vend me demokraci të brishtë dhe komunistë nëpër këmbë, ambasadori Arvizu mendoj të kontribuoi në një situatë kur LSI nuk e dinte se çfarë po bënte, ndërsa PS fliste për fronte, ’97-ta e marrëzira tjera që dalin nga gojët e bijve të kriminelëve komunistë. Sërish periudhë parazgjedhore, sërish keqkuptim, sërish përgojim të ambasadorit amerikan dhe sërish fryma se amerikanët janë me PS-në dhe jo me Shqipërinë.

 

“Deklarata Arvizu”

Largimi i LSI-së nga koalicioni qeverisës, vetëm 4 ditë pas krijimit të KZAZ-ve vuri në dyshim këtë lëvizje duke u menduar menjëherë tek kompozimi i KQZ-së dhe gjithë sistemit kontrollues të zgjedhjeve. Për t’u sulmuar nuk ishte Meta, por Kryeministri Berisha i cili ishte kritikuar aq shumë për mundësinë që i dha LSI në KQZ. Duke respektuar partnerin e koalicionit dhe duke degjeneruar përbërjen e KQZ, Sali Berisha nuk dyshonte se PD mund të vijë në një situatë kur vota demokrate jo që mund të kërcënohej, por të zhdukej fare nga faqja e dheut. Por, ja që ndodhi, ja duhej marr masa dhe shqetësimi i ngritur për situatën e krijuar nxiti një reagim nga ambasada amerikane mbi “rrezikun e ndryshimit të rregullave në mes të lojës.” Kaq mjaftoi që komunistët e PS-së të fryhen, të kapin çatinë dhe të fillojnë të kakarisin mbi të drejtën e anëtarit të LSI në KQZ, se askush nuk mund ta ndërroj dhe refrene të tilla që nuk ndryshuan asgjë, madje as mendjen e Berishës për një zëvendësim logjik në këtë organ, i cili për fat të keq vazhdon të jetë politik.

Në punë u vunë mediat në duart e PS-së, që nuk janë pak në numër, dhe në shënjestër normalisht që ishte ambasadori Arvizu. Në pyetjen se a është e drejtë të thuhet që PD-ja ka kapërcyer vijën e kuqe duke ndryshuar rregullat e lojës, dhe a do t’i dëmtojë ky ndryshim zgjedhjet e ardhshme, përgjigja ishte e prerë: “Nuk e kanë bërë ende, apo jo?”
E në vërejtjen e gazetarëve se do përpiqen ta bëjnë, përgjigja ishte fatale për rrjedhën e ngjarjeve kur kemi parasysh se në lojë janë po ata komunistë të vitit 2001:Nuk mendoj se ka njeri që do të donte një vendim apo veprim që do ta vendoste Shqipërinë në rrugën e përplasjes me SHBA dhe komunitetin ndërkombëtar; sepse synimi këtu, objektivi janë zgjedhje të lira dhe të ndershme. E gjitha ka të bëjë me procesin, nuk ka të bëjë me rezultatin. Ju faleminderit”

Kaq mjaftoi që dashurinë dhe referimin për SHBA ta bëj si Gramoz Ruçi ashtu edhe djemtë e kriminelëve komunistë që sot ideojnë politikën socialiste, dhe të bien në një delir aq të thellë sa ta sulmojnë edhe në sallën e parlamentit, deputetin socialist, Kastriot Islami.

Prezent në sallë, ambasadori Arvizu, ndoshta ka ndjerë kënaqësi ndërsa ka dëgjuar deputetët komunistë se sa e respektojnë shtetin amerikan. E që kjo nuk ishte e sinqertë dhe këta njerëz si Ditmir Bushati, Blendi Klosi, Iliri Gjoni ose së fundi edhe Saimir Tahiri nuk e dinë se çka është SHBA dhe demokracia e dëshmuan pas procesit të votimit mbi ndryshimin e anëtarit të KQZ nga LSI-ja. Vërtetë Arvizu u pa se ishte i shqetësuar me këtë votim, dhe po vëzhgonte situatën, por pas sulmit që Saimiri me shokë i bën deputetit Islami, ai iku nga salla. Iku duke lënë një grup deputetësh komunistë me ndjesinë se ata janë politikanët që kanë mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe kësaj çështje duhet shkuar deri në fund. E ku ishte fundi, familja e Kastriot Islamit.

 

“Shqetësimi Moore”

 

Shumë shpesh janë irrituar pasardhësit e komunistëve që sot janë në parlament, se pse u përmenden prindërit, dhe veprimtaria e tyre, por 24 orë pas këtij votimi, për veprimin e deputetit socialist Kastriot Islami do të sulmojnë pikërisht familjen e tij. Ky veprim do të bëhet edhe më i rëndë, kur ai, as që u dënua nga partia pasardhëse e Enver Hoxhës, madje për shumicën e deputetëve fjala ishte për një reagim normal.

Që për reagim normal nuk bëhet fjalë, flet edhe shqetësimi i shtetit më mik që ka Shqipëria, SHBA-s i cili dërgoi edhe Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Jugore pranë DASH, Jonathan Moore i cili pas vetëm katër muajsh sheh një Shqipëri ndryshe, e cila përveç tensioneve politike ka edhe njerëz që i kishin thënë se “kurrë nuk mund të punonin bashkë por tani po punojnë së bashku, disa njerëz kanë folur për përvoja të këqija dhe mungesë besimi dhe tani punojnë së bashku.”

Pas skanimit të situatës, zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit nuk kishte se si të flas ndryshe përveç se si një diplomat amerikan, shkurt dhe qartë: “Ndonëse dallojme disa shqetësime për balancën e formimit të KQZ, besojmë se nuk ka argument te fort ligjor, për mënyrën si ka votuar Parlamenti. Megjithatë duam të shikojmë që KQZ të funksionojë, dhe të shikojmë si do zhvillohet procesi i zgjedhjeve.”

Për të qetësuar të gjithë ata që janë shqetësuar nga trumbetimi i komunistëve të PS-së se zgjedhjet do të jenë të manipuluara, ai ka konfirmuar mbërritjen e një numri të konsiderueshëm vëzhguesish për zgjedhjet e 23 qershorit, teksa i ka bërë apel klasës politike që të vërë në vend të parë interesat e vendit. Përveç kësaj, Jonathan Moore kishte mesazh jo vetëm për ata që terrorizojnë njerëzit por edhe deputetët që nuk mendojnë si PS: “Jemi të shqetësuar nga ajo që kemi parë , është niveli i lartë i tensioneve politike. Sërish me akuza për çështjen e ligjshmërisë. Dua të them se dje jam takuar dhe me z. Islami. Parimet demokratike kërkojnë që jo vetëm të zhvillohet zgjedhje, por dhe të bëjnë zgjedhjet e tyre. Jemi të shqetësuar dhe të zhgënjyer se ka pasur presion në shtëpinë e anëtarit të Parlamentit. Duke ushtruar jo vetëm presion politik, por dhe ndaj familjes së tij.”

Kështu, Moore erdhi, tha dhe shkoi, ndërsa qytetarët shqiptarë, duke pasur parasysh përvojën e vitit 2001, dhe atë të votimit të shkarkimit të anëtarit të KQZ shpresojnë që SHBA dhe përfaqësuesi i saj në Tiranë të mos shprehin ndonjë prirje të veçantë për liderët provincial që kanë, sepse jo numërimi i votave por i tërë procesi zgjedhor do të dëmtohet, dhe nuk ka KQZ që do të mund ta kontrolloj. Si rezultat i kësaj situate, sërish do të kemi qeveri si ajo e vitit 2001, “qeveri Limprecht”, pavarësisht se kush do të jetë në krye, Rama apo Meta, mënyra e qeverisjes nuk dallon: kriminale.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency