Standard.al

Ndryshon formula e pagesës për sigurimin e makinave


Ervin Kaduku

sigurimiDeri tani ka qenë për të gjithë shoferët njëlloj, tani do të jetë sipas CV-së.

Qëllimi është që secili të paguajë sigurimin e makinës bazuar në historikun e aksidenteve apo shkeljeve të rregullave të qarkullimit, në zonën e banimit dhe në karakteristikat e mjetit, makinat e vjetra do të paguajnë më shumë për t’u siguruar

 

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përfunduar projektin për liberalizimin e sigurimit të detyrueshëm motorik në Shqipëri, për të cilin është asistuar nga Banka Botërore. Nëpërmjet këtij modeli, AMF synon që tregu i sigurimeve, për pjesën e produktit TPL të orientohet drejt tarifave më efektive, që do të hartohen sipas disa elementëve, si historiku i drejtuesit të automjetet, ekspozimi ndaj aksidenteve, mosha etj. Ideja bazë është që personi që ka bërë më shumë aksidente, të paguajë më shumë për sigurimin, që në fillim dhe po kështu kjo lidhet edhe me makinat e vjetra dhe më pak të sigurta,q ë duhet të paguajnë më shumë për t’u siguruar.

Gjatë një konference për shtyp, kryetarja e AMF-së, Enkelejda Shehi, tha dje se “tashmë është hartuar dokumenti strategjik që do të përcaktojë drejtimet kryesore ku do të fokusohen në të ardhmen shoqëritë e sigurimit për të përcaktuar tarifat e sigurimit të detyrueshëm motorik”. Sipas Shehit, liberalizimi i tarifave në Shqipëri ndodhi në një moment kur tregu nuk ishte ende gati dhe kur ligji i parapriu studimeve. Në kushte të tilla liberalizimi çoi në sjellje kaotike të tregut, ku shoqëritë pa një orientim afatgjatë synuan marrjen e tregut dhe ofruan tarifa që u luhatën fort, por që kryesisht kishin tendencë në ulje dhe nën primin e riskut.
Shehi tha se është duke u diskutuar edhe me shoqëritë e sigurimit në mënyrë që të shkohet drejt një primi individual dhe jo me bazë unike, sugjerim që e ka dhënë edhe Autoriteti i Konkurrencës, por që AMF e konsideron si një tejkalim të kompetencave.
Ende nuk ka një afat të përcaktuar qartë se kur do të nisë të zbatohet tarifimi sipas riskut, por znj. Shehi sqaron se AMF është gati dhe tani i takon shoqërive që të krijojnë mundësitë për konsumatorët.
Sipas saj, qasja e sistemit Bonus-Malus do t’u krijojë mundësi shoqërive të sigurimit që të llogarisin tarifa të lidhura drejtpërsëdrejti me historikun e dëmeve të drejtuesit të mjetit.

 

Problemet

Në vitet e e fundit, çmimi i siguracionit te detyrueshëm motorik është ulur në minimum, duke rrezikuar dëmshpërblimin, ndaj AMF u ka sugjeruar kompanive që të mos ofrojnë një çmim unik për çdo automjet apo shofer. AMF dhe Banka Botërore kanë nisur projektin për tarifikimin mbi bazën e riskut, projekti i cili parashikohet të gjejë zbatim brenda këtij viti. Tregu i sigurimeve në Shqipëri paraqet një problematikë për sa i përket luhatjes e çmimeve që ofron. Edhe pse kompanitë janë gjobitur për mungesë konkurrence pasi ofrojnë çmim unik për siguracionet, situata ka mbetur po njësoj.

 

Ndryshimi

Kështu Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të heqë dorë nga imponimi i një çmimi unik minimal të sigurimi të detyrueshëm të makinës, për të gjitha kompanitë e sigurimeve. Kompanive do t’ju kërkohet që të llogarisin secila një prim rreziku ose një vlerë minimale të nevojshme për përballimin e dëmeve. E pyetur nga media, kryetarja e Bordit, Enkeleda Shehi, tha se institucioni i saj do t’i marrë parasysh rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës në këtë drejtim, megjithëse ka rezerva për arsyetimin e ndjekur.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, një prim unik rreziku për të gjitha kompanitë ishte i padrejtë dhe krijonte kushtet për sjellje të bashkërenduara në çmimin final të produktit. Zonja Shehi u shpreh plotësisht në mbështetje të kërkesës së Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për shtrirjen e sigurimit të detyrueshëm për përgjegjësitë ndaj palëve të tjera te mjekët. Madje, AMF kërkon që sigurimi i detyrueshëm të zgjerohet edhe në profesione të tjera të ekspozuara ndaj rreziqeve të ngjashme, si për shembull në Policinë e Shtetit.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare prezantoi dje rezultate të projektit dyvjeçar të ndërmarrë në bashkëpunim me Bankën Botërore, për vendosjen e tarifave të sigruimit të detyrueshëm mbi bazë rreziku. Qëllimi është që secili të paguajë sigurimin e makinës bazuar në historikun e aksidenteve apo shkeljeve të rregullave të qarkullimit, në zonën e banimit dhe në karakteristikat e mjetit. AMF bën të ditur se ky sistem ju është rekomanduar kompanive për t’u ndjekur, por zbatimi i plotë do të jetë proces, pa një afat të prerë kohor.

 

 

Dhoma e Tregtisë, qeverisë: Paguani faturat për shërbimet e kryera!

Media, me sytë nga buxheti i shtetit, paratë disbursohen vetëm për projekte infrastrukturore

 

Qeveria duhet të shlyejë edhe faturat e papaguara për kompanitë e shërbimeve, pasi kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetet e familjeve. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, u shpreh për median dje se institucionet buxhetore kanë devijuar fondet dhe ka më se tetë muaj që këto kompani nuk marrin pagesat për shërbimet e ofruara.

Sipas Jakës, qeveria nuk duhet të fokusohet vetëm në pagesat e kompanive të ndërtimit, të cilat kanë kryer punë publike. Vetëm pak ditë më parë Ministria e Financave njoftoi çeljen e një fondi prej 11.5 miliardë lekësh për pagimin e faturave të prapambetura për kompanitë e ndërtimit që kanë kryer punime publike, kryesisht në infrastrukturë. Në total, pretendimet e komunitetit të biznesit për faturat e papaguara ndaj tyre vlerësohen në rreth 20 miliardë lekë.

Por, kjo nuk duhet të bëhet në mënyrë të njëanshme. Ka kompani të tjera, që kanë kryer shërbime të konsiderueshme për shtetin, por mbeten “me sytë nga qielli”, duke pritur më kot që disa ministri apo bashki të disbursojnë fonde shumë-miliardëshe. Në fakt, e keqja është se për disa kompani të caktuar gjithnjë këto fonde gjenden, ndërkohë që për të tjera përdoret parimi i “Lipe Shtogut” – prapa liste!

Shërbimi është shërbim. Ai, në një ekonomi normale të tregut, duhet të paguhet. Një parim të tillë e gjejmë që në librat e shenjtë të feve kryesore botërore, që janë shkruar mijëra e mijëra vite më parë. Dhe pikërisht për këto ide këto libra u kanë rezistuar shekujve e mijëvjeçarëve.

Në gjirin e medias, së shkruar apo vizive, duket se vitet e fundit ka gjetur të drejtën e qytetarisë – aspak morale dhe aspak ligjore – pagesa “me hatër”. Kështu, gjejmë kompani që marrin të gjithë tenderët për përvjetorin e 100-të të Pavarësisë e të tjera që, ndonëse kanë vite që kanë kryer një punë, harrohen të paguhen nga kalemxhinjtë e shtetit! Gjejmë media që, këto ditë, ndonëse janë gati në faliment, marrin në mënyrë bujare dhe të palogjikshme fonde buxhetore, duke luajtur me rrezikun e falimentit, pranë miqve të tyre në pushtet. Në rast se një media nuk merr fondet pagesë për punën e kryer, ajo nuk mund të mbijetojë gjatë. Por, në këtë kuadër, nuk mund të jenë ca të nënës e ca të njerkës!

 

 

 

 

Comments are closed.