Merkeli si Hitleri?

0

hitler merjkelKriza e euros ringjall mëri të vjetra. Gjithnjë e më shpesh Kancelarja gjermane Merkel paraqitet jashtë vendit si naziste e madje si një Hitler i ri. A nënkupton kjo dështimin e kulturës politike në Evropë? Filloi në Greqi. Tre vjet kanë kaluar qëkurse athinas të zemëruar dolën për herë të parë në rrugë me postera ku Kancelarja gjermane paraqitej me uniformë SS. Qysh atëherë krahasimet me nazizmin nuk kanë të ndalur. Kursi i rreptë i kursimeve i Merkelit në krizën e euros, në sytë e shumë demonstruesve çimenton pushtetin e Gjermanisë në Evropë, dhe risjell në kujtesë pushtimin gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Loading...

Atëherë qindra mijëra grekë u vranë nga gjermanët. Për shembull në 1944 në fshatin Distomo ku ushtarët e Vermahtit dhunuan gra dhe vajza dhe pushkatuan të gjithë banorët që ndodheshin në fshat. Plot 70 vjet më pas shumë grekë e ndiejnë sërish veten viktima: norma e vetëvrasjeve në vend është rritur me një të tretën, më shumë se gjysma e të rinjve janë të papunë. Të pafuqishëm, një pjesë e madhe e grekëve shohin se si kriza po u merr çdo lloj perspektive. Krahas demonstruesve edhe mediet greke nuk mbeten prapa në sulmet e ashpra kundër gjermanëve: emisionet televizive ku krahasimet me nazizmin janë në qendër, kanë aktualisht shikueshmërinë më të lartë.

 

“Gjermania naziste jeton?”

 

Por këto krahasime nuk janë vetëm fenomen grek, ato ndeshen edhe në vende të tjera evropiane qëkurse kriza po zgjerohet. Për shembull në Qipro, e cila nuk ka qenë e pushtuar nga Gjermania. Kur u përhap frika se në shpëtimin e bankave do të merrnin pjesë edhe kursimtarët e vegjël, në rrugë dolën demonstrues të zemëruar që mbanin në fytyrë maska të Merkelit me mustaqet e Hitlerit. Ndërsa në Spanjë së fundi një profesor i ekonomisë shprehej në një nga të përditshmet e mëdha të vendit se Merkeli “ashtu si Hitleri, i ka shpallur luftë pjesës tjetër të Evropës, këtë herë për të siguruar hapësirë jetike ekonomike”. Edhe pse redaksia e gazetës e tërhoqi më pas artikullin duket qartë se klima është e helmuar. Këtu nuk ndryshon asgjë fakti që akuzat për ngjashmëri me nazistët nuk kanë asnjë logjikë historike. “Krejtësisht të papërshtatshme, por psikologjikisht të kuptueshme”, është diagnoza e europarlamentarit Olaf Schwencke (SPD). Sot studiuesi i politikës dhe kulturës është President i Shoqatës gjermane të Fondacioneve Kulturore evropiane (ECF) dhe sjell në vëmendje kujtesën kolektive të atyre popujve, të cilët qenë sulmuar nga nazistët: “Kur shfaqet ndonjë sfidë reagohet në mënyrë të papërshtatshme”.

 

Fundi i kulturës politike?

“Duhej të ishte bërë e qartë pikërisht muajt e fundit se ndihma është një pjesë e solidaritetit evropian dhe jo mburrje e dikujt që tregon se di më shumë”, kritikon Schwencke politikën gjermane. Qëndrimi “ne veprojmë si duhet, bëni si ne”, është rruga e gabuar, thotë politologu.

“Për këtë arsye gjermanët shihen si mësues shkolle, jo vetëm në Greqi”, ishte bilanci i shkrimtarit grek Petros Markaris në gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”. “Thuajse gjithë popujt e Ballkanit e shohin veten si viktima të pafajshme”, ndërsa gjermanët “janë krenarë për arritjet e tyre dhe duan që edhe pjesa tjetër e evropianëve të veprojnë si ata”. Por në këtë mes ata harrojnë “se Jugu ka krejt tjetër kulturë”. Respekti dhe takti në sjelljen me njëri-tjetrin mungojnë. “Kjo tregon se sa i ndjeshëm është llaku kulturor që kemi ngritur në 50 vite integrim”, kritikon Ulrike Guérot, drejtuese e zyrës berlineze të një instituti kërkimor për politikat evropiane. A ka dështuar kultura politike gjermane e dekadave të fundit? Jo, thotë ekspertja për Evropën, kriza ka një dimension që nuk është shfaqur kurrë më parë. “Nuk bëhet fjalë vetëm për një krizë të euros apo për mbingarkesë me borxhe të Jugut. Bëhet fjalë për krizë të kapitalizmit, krizë të bankave, krizë të sovranitetit dhe krizë sistemi”. “Evropa ka investuar shumë në ekonomi, por shumë pak në kulturë dhe në vlerat e përbashkëta”, konstatonte shkrimtari grek Petros Markaris që në fillim të 2012-s. Më vonë do të shtonte: “Do të kishte qenë mirë për të dyja palët nëse në anën e grekëve krahas ndjenjave do të fliste pak edhe arsyeja dhe tek gjermanët arsyeja të shoqërohej nga pak ndjenjë mirëkuptimi”.

 

 

 

 

Londër – Masa sigurie në prag të funeralit të znj. Thatcher

 

Policia britanike forcoi sigurinë në Londër për funeralin e ish-kryeministres Margaret Thatcher. Zyrtarët thanë se nuk ka pasur plane për të anuluar as funeralin dje dhe as maratonën e Londrës të dielën në vazhdën e sulmeve me bomba të hënën në Boston.

Më shumë se 2 mijë njerëz morën pjesë në funeralin e zonjës Thatcher në Katedralen e Shën Palit në Londër. Mbretëresha e Britanisë Elizabeth u bashkua me udhëheqës politikë, dhe personalitete të huaj të famshëm të pranishëm. Trupi i ish-kryeministres u vendos një ditë më parë në pallatin Westminster për të pushuar aty gjatë natës para funeralit dje. Arkivoli i saj kaloi në procesion të mërkurën në mëngjes nga Kapella e Forcave Ajrore Mbretërore për në Katedralen e Shën Palit në Londër ndërsa në të dy anët e rrugës u rreshtuan pjesëtarë të ushtrisë britanike, marinës dhe forcave ajrore. Masa sigurie janë vendosur rreth katedrales përpara ceremonisë. Policia Metropolitane tha se më shumë se 4 mijë policë u dislokuan për të ofruar siguri për funeralin. Zyrtarët britanikë thanë se kanë plane për të rivlerësuar sigurinë për dy ngjarjet masive në Londër këtë javë, pas shpërthimeve në Boston, por shtuan se përgjigja më e mirë për këtë sulm terrorist është që ngjarjet të zhvillohen siç janë planifikuar dhe njerëzit të dalin nëpër rrugë.

 

 

Raketat qëllojnë Izraelin

Dy raketa të lëshuara nga Gadishulli i Sinait, në Egjipt, kanë qëlluar dje vendpushimoren izraelite Eilat, në Detin e Kuq. duke shkaktuar vetëm dëme materiale, njoftoi ushtria e Izraelit, e cila për sulm i fajëson militantët islamikë.

Incidenti riktheu brengat izraelite lidhur me mungesën e sundimit të ligjit në Sinain fqinj, ku grupe të ndryshme militante i kanë shpeshtuar aktivitetet e tyre që nga koha e rënies së regjimit të ish-presidentit, Hosni Mubarak, në vitin 2011.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite deklaroi se të dy raketat u lancuan nga Sinai, dhe se që të dyja ranë në zona të hapura në Eilat. Në kumtesën e postuar në web-faqen e tij, grupi militantë islamik Magles Shoura al-Mujahddin pohon se, për shënjestër kishin vend-pushimoren izraelite Eilat, të cilën planifikuan ta sulmonin me raketa, dhe pastaj të tërhiqeshin.

Ku grup militant ndanë të njëjtën ideologji me rrjetin Al-Qaeda, dhe në mesin të rekrutuarve të grupit ka shtetas egjiptianë dhe palestinezë. Grupi thekson se hakmerret për atë që e përshkruan si “sulme izraelite ndaj protestuesve që po protestonin për vdekjet e palestinezëve nëpër burgjet e vdekjes”. Forcat egjiptian të sigurimit nuk e mohuan mundësinë që raketat të jenë lancuar nga Sinai.

 

Letër me përmbajtje të dyshimtë për Obamën

Një pliko, e adresuar për Presidentin amerikan Obama, e cila përmbante një substancë të dyshimtë brenda saj, është pranuar dje në departamentin postar të Shtëpisë së Bardhë, ku po ekzaminohet aktualisht, njoftoi një zyrtar i Shërbimit Sekret për televizionin “NBC News”.

Në departamentin postar letra e dyshimtë është pranuar të martën, sqaroi zyrtari.

FBI ka njoftuar të martën se një letër, e cila i ishte adresuar senatorit republikan nga Mississippi, Roger Wicker, rezultoi të jetë pozitive në helmin ricinë, që njihet si një helm shumë vdekjeprurës.

Letra ishte ndaluar në zyrën postare në Marilend, e cila merret me skanimin e të gjitha dërgesave të dërguara për Kongresin amerikan. Fatmirësisht, letra kurrë nuk arriti në zyrën e Wicker. Senatori ndërkohë ka falënderuar zyrtarët policorë, dhe ka sqaruar se tashmë ka nisur një hetim për këtë rast. Letra e adresuar për senatorin mbante vulën postare të Memfisit, në shtetin federal Tenesi, dhe në pliko nuk ishte e shënuar adresa e kthimit. Ricina mund të vras brenda 36 orëve. Kundërhelmi ndaj saj nuk ekziston.

 

 

 

 

Loading...