Në KQZ fitoi morali politik

0
115

kqzBeteja për Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk mund të përfundonte ndryshe. Fitoi morali i përfaqësimit në këtë institucion. Ndryshe nga shumë vende të tjera të rajonit, ishte dëshira e partive kryesore që bënë reformat, që përbërja e këtij institucioni të ishte politikë. Kjo ishte fryma dhe thelbi i vetë kodit zgjedhor, të miratuar nga të dyja partitë kryesore dhe të përshëndetur e mbështetur nga ndërkombëtarët. Dhe duke qenë përbërja politike, nuk mund kurrsesi që shumica në komision të mos vinte nga partitë në qeverisje. Pavarësisht nga vakuumi ligjor. Zhurma e ngritur nga partitë në opozitë nuk kishte as moral, as korrektesë të marrëveshjes së nënshkruar disa vite më parë në pëlqim të plotë. Dhe pseudo-argumentet për gjoja mungesë baze ligjore në largimin e anëtarit të LSI-së nga KQZ-ja ranë, kur u mësua për problemet me integritetin e këtij anëtari në kohën kur ishte prokuror rrethi. Zhurmuesve, dyshes Rama-Meta u ngeli shija e baltës së një beteje të humbur (për të parin, humbja e “n”-të). Si dhe të kundërveprojnë vetëm në mbrojtje të krushqisë që bënë më 1 prill. Kritikuesit e shumtë të këtij bashkimi, që nga dyshja janë cilësuar “pseudo-moralistë të vonuar”, nuk bëjnë pjesë vetëm në kampin e djathtë. Janë me mijëra e qindra mijëra simpatizues të majtë që ndjejnë shijen e tradhtisë me këtë krushqi. Ndërsa dy gjëmëmëdhenjtë nuk pyesin për ta. Asnjë mesazh për sfidat e mëdha të këtij bashkimi zulmëmadh. A thua se mbështetësve dhe votuesve të tyre u kanë për borxh vetëm t’i sjellin në pushtet, të tregojnë me gisht(kuptohet, nëpërmjet telefonatave apo SMS-ve, pse tani pusullat dhe copat e letrave kanë dalë jashtë mode) se cili “meriton” të punësohet në administratën publike. Mirëpo këtë, as Edi Rama, as edhe Ilir Meta, nuk e kanë mundësinë për të qindra mijëra votuesit e tyre. Administrata publike gjithë-gjithë është vetëm 114 mijë vetë dhe çfarë mund të ndërrohen (ikin, pushohen nga puna për arsye nga më të ndryshmet, por sidomos si ithtarë të partisë tjetër) janë jo më shumë se 20 mijë. Kandidatët për këto 20 mijë vende pune, nga ana e tyre, mund të kandisin me një siguri të pranueshme vetëm anëtarët e rritur të familjeve të tyre, le të themi gjithsej rreth 100 mijë vete. Pra, si do t’i bindin të 400-500 mijë votuesit e tjerë për krushqinë që ngjizen? Me pallavrat për integrimin!? Do të jetë e kotë edhe e gjithë strategjia dhe përgatitjet për fushatën zgjedhore që do të bëjnë. Nuk kanë argumente për të kryer një fushatë për të qenë. Fjala vjen, si do ta kritikojnë kundërshtarin e madh, Berishën, për privatizimet dhe koncesionet e katër viteve të fundit, kur në ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ishin për 45 muaj njerëzit e LSI-së, madje edhe vetë Ilir Meta? Socialistët folën për një rilindje, ngritën në formë pikash programi vendosjen e taksës progresive, punësimin, reformën në arsimin dhe shëndetësinë publike. Si do të kritikojnë shëndetësinë publike të 4 viteve të fundit, kur në krye të saj ishin përfaqësuesit e palës tjetër në këtë besëlidhje parazgjedhore, LSI-së? Të gjitha argumentet për një qeverisje më të mirë, më të ndershme, më të tejdukshme dhe më pranë qytetarit bien poshtë. Ngelet vetëm kryeargumenti, mposhtja dhe largimi nga pushteti i kundërshtarit të madh, Berishës. Veçse vështirë do ta kenë të kandisin ata qindra mijëra votues të majtë ose me simpati majtas me këtë lugë gjysmë të zbrazët. Nga ana tjetër, Berisha, kundërshtari i madh, ka tërë moralin e të bërit politikë. Nuk ka lëvizur nga pozicionet e veta, i ka qëndruar gjithnjë besnik besëlidhjeve. Ai mund të bëjë një fushatë të plotë dhe po e kryen. Do të tregohet i kujdesshëm të mbledhë çdo thërrime, parti të vogël e miniparti që nuk e honeps krushqinë e majtë, rrugës. Ka një program të konsoliduar ekonomik, dhe jo pallavra që gjallojnë vetëm mbi vështirësitë e krijuara nga kriza e tejzgjatur financiare dhe ekonomike sot në botë. Nuk është kurrsesi aq i dobët e i pashpresë sa mund të dukej në momentet e para pas 1 prillit befasues. Përkundrazi, është më i qetë dhe më i fortë, pse ka moralin pas vetes.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency