Raporti zyrtar: Të internuarit jetojnë në kushte kafshësh

0
164

 Çelo Hoxha

dosjeNë Savër të internuarit jetonin në stalla lopësh, në Fier jetonin në stalla së bashku me lopët

 

Ministria e Brendshme e dërgoi në KQ të PPSH një raport për të internuarit dhe emigrantët jugosllavë në rrethet Fier dhe Lushnjë, më 26 mars 1960. Kushtet e banimit dhe të jetesës së të internuarve dhe emigrantëve përshkruhen si shumë të keqija në këtë raport të kohës, por në fakt ajo është tronditëse. Të internuarit jetojnë në kushte kafshësh. Në Savër të Lushnjës, një fshat i banuar nga të internuar, të internuarit jetonin në stalla lopësh, kurse në Fier ata banojnë bashkë me lopët. “Në gjysmën e sallës banojnë individët dhe në gjysmën tjetër lopët”, – thuhet në raport. Në raport, të internuarit nuk quhen as njerëz, por individë. Ata që banojnë në shtëpi – të paktën ky term përdoret në raport – nuk është se janë më fatlumë. “Shtëpitë e banimit pikojnë dhe janë të papërshtatshme nga pikëpamja shëndetësore”, – thuhet në raport. Në disa raste (“ka raste” thuhet në raport) jetonin në një dhomë 10 deri në 15 vetë. Veç kësaj, banorët e shumtë të një dhome në raste të ndryshme ishin një përzierje, familjarët me të dënuarit pa familje (ose individët, siç specifikohen në raport). Përshkrimi i gjendjes “së vështirë” është bërë për kushte moti të favorshme. Në raport specifikohet që aty nuk flitet për periudhën e dimrit, kur thuhet: “Në dimër gjendja e tyre bëhet akoma më e vështirë”.

Në raport flitet vetëm për të internuarit në Fier dhe Lushnjë, por trajtimi kafshëror i personave të konsideruar “armiq” të regjimit, ishte i njëjtë gjithandej, në internim apo në burg qofshin ata. Pak ditë më parë ne botuam një raport të Sigurimit, në lidhje me burgjet dhe kampet e punës, ku, dhe aty, gjendja cilësohej “e keqe”. Në atë raport thuhej se të dënuarit që mjeku u kishte rekomanduar të merrnin mjekim, nuk e kishin marrë atë me muaj të tërë ose për vite. Bëhej fjalë për sëmundje të rënda, të cilat kërkonin ndërhyrje kirurgjikale (operacione) ose mjekime psikike. Aty thuhej, për shembull, që të burgosurit nuk dilnin për ajrim (në oborrin e burgut) për një kohë të gjatë. Nuk respektohej as norma e lejueshme e ajrimit, 2 orë në ditë, megjithëse kjo mund të konsiderohej shumë e shkurtër.

Në lidhje me emigrantët jugosllavë që ndodheshin asokohe në Fier e Lushnjë, raporti e përshkruan gjendjen si të rëndë, por po të krahasohet me të internuarit, të cilët nuk ishin të ardhur nga ndonjë vend tjetër, po të përzënë nga vendbanimet e tyre, ishin më të mira. Për emigrantët, siç thuhet në raport, qeveria ka marrë një vendim t’u japë një shpërblim. Pra, ata kanë pasur një status më të privilegjuar.

Në raportin e sotëm flitet dhe për një sërë masash që ministria u angazhua të merrte, por dihet që kushtet e të internuarve nuk ndryshuan deri në fund. Regjimi vazhdoi të ushtronte dhunë deri ditën e mbrame të tij. Një nga viktimat e më vonshme të atij regjimi u bë dhe autori i këtij raporti, ish-ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu.

 

 

 

DOKUMENTI

 

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E PUNVE TË BRENDËSHME

SEKRETARIATI

NR. 058

 

TEPËR SEKRET

Tiranë, më 26/III/1960

 

KOMITETIT QËNDROR TË P.P.SH.

KRYESISË SË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

 

TIRANË

 

Kolegjumi i Ministrisë Punëve të Brendëshme në mbledhjen e datës 8.III. 1960, mori në shqyrtim gjendjen e t’internuarve në rrethet Lushnje Fier, ku ndodhen shumica dërmonjëse e tyre si edhe gjëndjen e emigrantëve Jugosllavë.

Nga shqyrtimi i kësaj çështjeje kolegjumi konstatoi se gjendja e tyre rezulton si më poshtë:

 

I.- T’INTERNUARIT.

Në gjithë vendin ndodhen 832 t’internuar, prej të cilëve 510 janë në rrethin e Lushnjes, 209 në rrethinë Fierit dhe 113 të shpërndarë në 8 rrethe të tjera. Prej tyre janë internuar për tendencë arratisje 374 persona. Për arsye se u janë arratisur pjestarë të familjes 268 persona dhe për rrezikshmëri shoqërore 190 persona. Përbërja shoqërore e tyre është: 222 të shtresës së pasur, 494 të shtresës së mesme dhe 116 të shtresë së varfër.

Ka 75 familje t’internuara me një numër prej 315 personash dhe 517 të tjerët janë individë.

Konditat e banimit në përgjithësi janë shumë të këqija, si në rrethin e Lushnjes dhe në atë të Fierit. Ka raste që familje prej 10-15 pjestarësh banojnë në një dhomë të vetme. Individët jo vetëm që janë shumë si numër në banesë, por ka raste që banojnë edhe familjarë së bashku me ta. Shtëpitë e banimit pikojnë dhe janë të papërshtatëshme nga pikpamja shëndetësore, si ç’është rasti me fashti Saver të Lushnjes ku janë futur në stallën e lopëve me dritare pa xham ose si në rrethin e Fierit ku në gjysmën e sallës banojnë individët dhe në gjysmën tjetër lopët. Veçanërisht në dimër gjendja e tyre bëhet akoma më e vështirë.

Komiteti i Partisë për rrethin e Lushnjes dhe Komiteti Ekzekutiv nuk e kanë konsideruar këtë çështje të rëndësishme si problem të tyre, por si problem që i takon vetëm Degës Punëve të Brendëshme.

Vendimi i këshillit të Ministrave Nr.306 datës 25.8.1959, me bazë të të cilit të mereshin një sër masash për përmirësimin e konditave të jetesës të internuarve, nuk është zbatuar nga institucionet e ngarkuara për zbatimin e tij.

Për të ndihmuar në përmirësimine gjendjes së tyre, kolegjumi mori një seri masash dhe caktoi detyra për Degët e Punëve të Brendëshme në rrethe lidhur me t’internuarit:

1.- U formua një komision për studimin e hollësishëm të internuarve, i cili deri më 30 Mars 1960 duhet të paraqesë propozimet konkrete komisionit Qeveritar për ata persona që duhen liruar nga internimi ose për kthimin e dënimit nga internimi në dëbim.

2.- Do të udhëzohen Degët e Punëve të Brendëshme në rrethe mbi kriterin që duhet të ndjekin në t’ardhëshmen, duke synuar në kufizimin e internimeve. Kështu përshembull të mos internohen persona për tendencë arratisje nga rrethet në thellësi të vendit etj.

3.- Do të bëhet kategorizimi i t’internuarve dhe për ata me rrezikshmëri shoqërore regjimi të jetë më i fortë dhe konditat më të vështira.

Me gjith’atë ne mendojmë se këto masa do t’ishin të pa mjaftueshme për zgjidhjen e këtij problem të rëndësishëm. Për zgjidhjen e këtij problem propozojmë :

1.- Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.306 datë 25.8.59 të zbatohet mundësishte sa më parë dhe ky vendim t’aplikohet edhe për rrethin e Fierit simbas nevojave konkrete të rrethit.

2.- Komitetet e Partisë për rrethin e Lushnjes dhe atë të Fierit, së bashku me Komitetet Ekzekutive dhe Degët e Punëve të Brendëshme të studjojnë mundësinë për vendosjen në kooperativat bujqësore të atyre t’internuarve që i kanë konditat. Duhet shikuar simbas mendimit tonë, hapja e kredive bankare për ndërtim shtëpijash etj. sepse kooperativat bujqësore nuk i pranojnë pa patur gjë për të futur në kooperativë.

3.- Nga ana e Kyeministrisë të dalë një rregullore ku të përcaktohen kompetencat e Komiteteve Ekzekutive dhe të Degëve të Punëve të Brendëshme lidhur me t’internuarit.

 

II.- EMIGRANTËT JUGOSLLAV

Në gjithë vendin ka gjithsejt 821 emigrantë Jugosllavë, nga të cilët 172 ndodhen në rrethine Lushnjes dhe 297 në rrethin e Fierit. Të tjerët janë të shpërndarë në rrethet e tjerë pa qënë të grumbulluar. Për këtë arsye u muar në shqyrtim vetëm për ata që banojnë në Lushnje e Fier.

Në përgjithësi konditat e banimit nuk janë të mira. Me gjithë që banesat u mermetuan, prapë se prapë nuk janë të përshtatshme, sepse janë baranga të vjetra. Atyre u mungojnë edhe mjetet më elementare të nevojshme për shtëpinë. Vuajnë për zjarr, sepse nuk u sigurohen dru. Numri i atyreve që banojnë në rrethin e Fierit është më shumë nga kapaciteti i të dy barangave që kanë për fjetje. Nuk kanë as vend ku të bëjnë banjë.Shtypi u mungon dhe nuk kanë as kënd të kuq as edhe mundësi për t’u argëtuar në kohën e lirë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave që u cakton atyre një shpërblim mujor ka influencuar pozitivisht tek ata duike përmirësuar konditat materiale dhe u ka ngritur moralin. Mirpo një pjesë e mirë e tyre, sidomos të rinjtë, që kërkojnë të ndjekin shkollat ose disa mësues që kërkojnë të ushtrojnë profesionin, janë të pakënaqur që nuk u jepet kjo mundësi. Ministria e Arsimit dhe e Kulturës nuk e ka zbatuar vendimin e Këshillit të Ministrave dhe nuke ka parë drejtë këtë problem. Elementet titiste i kanë çfrytezuar pakënaqësitë lidhur me këtë çështje si edhe mungesat që kanë për banim dhe përpiqen t’u fusin urrejtjen kundër pushtetit tonë popullor dhe kampit socialist. Kështu shpjegohet që shumica e atyre që ndodhen në Fier kërkojnë të kthehen në Jugosllavi.

Nga ana e Komiteteve të Partisë dhe Komiteteve Ekzekutive të Lushnjes dhe të Fierit nuk është treguar interes për ta. Asnjë punë politike dhe edukative nuk bëhen me ta. Çështja e tyre është konsideruar si një çështje që i përket vetëm Degëve të Punëve të Brendëshme. Nga vetë praktika e punës e deritanishme dhe mungesa e interesimit nga ana e organeve të partisë dhe të pushtetit, tek ata është krijuar mendimi se këtu vetëm organet e Punëve të Brendëshme drejtojnë.

Kolegjumi konstatoi se së bashku me emigrantët Jugosllav në Seman të Fierit ndodhen edhe rreth 10 persona që kanë marrë shtetësinë shqiptare. Për këta u vendos që të hiqen me një herë prej andej.

Gjithashtu kolegjumi vendosi që ta zbusi regjimin për emigranëtë Jugosllav që ndodhen në Seman të Fierit, për të mos u lënë përshtypje atyre se konsiderohen si t’internuar ose që trajtohen më keq nga ata të Lushnjes.

Kjo është gjendja deri në fund të vitit 1959.

Për përmirësimin e gjendjes së tyre mendojmë se është e domosdoshme :

1.- Të krijohet një komision ku të marrin pjesë shokë të aparatit të Komitetit Qëndror të Partisë, të Kryeministrisë dhe të Ministrisë Punëve të Brendëshme për të bërë një studim të hollësishmë lidhur me çështjen e emigracionit.

2.- Të vendoset ndërtimi i banesave në formë barangash si për ata që banojnë në Lushnje ashtu edhe pë rata që banojnë në Fier.

3.- Nga Komitetet Ekzekutive dhe Degët e Punëve të Brendëshme përkatëse të studjohen të rinjtë që mund të dërgohen nëpër shkolla.

4.- Të lejohen të largohen emigrantët me kombësi e shtetësi Jugosllave që kërkojnë të kthehen në Jugosllavi.

5.- Të urdhërohen Komitetet e Partisë për rrethin e Lushnjes dhe atë të Fierit që t’organizojnë punën për edukimin e tyre politik.

6.- Të zbatohet vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 306 datë.25.8.1959 për pjesën lindore me emigrantët.

7.- Paskëtej emigranëtë të drejtohen gjithnjë Komiteteve Ekzekutive të rretheve përkatëse dhe jo Degëve të Punëve të Brendëshme. Ne mendojmë se këto masa do të ndihmojnë për zgjidhjen e këtij problemi shumë të rëndësishëm.

 

MINISTËR i PUNËVE TË BRENDËSHME

GJENERAL- LEITNANT

KADRI HAZBIU ( Firma)

 

(AQSH, F. 14, V. 1960, D. 434)

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency