Standard.al

Politika gjen konsensus për bankat, shtyhet nga diskutimet zgjedhore

Ervin Kaduku

 

paraDje në Kuvend ishte parashikuar votimi për ndryshimet në Kodin Civil, të cilat do t’u mundësonin bankave që të përshpejtojnë procedurat për ekzekutimin e kolateralit, një problem që ka bërë që bankat jo vetëm të shohin një rritje të nivelit të huave me probleme (që po i afrohet 24%), por edhe të stopojnë gati plotësisht huadhënien (kredia në 2012-n është rritur vetëm me 2% me bazë vjetore).

Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, Shoqatën e Bankave dhe aktorë të tjerë ka përgatitur propozime për të amenduar Kodin Civil dhe Kodin e Procedurave Civile. Këto amendamente janë të nevojshme për të përshpejtuar ekzekutimin e kolateralit dhe për të stimuluar ekonominë. Por, ndryshime të tilla kërkojnë një shumicë të cilësuar në parlament dhe Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e bankave i kanë apel të gjitha partive politike në parlament që ta trajtojnë këtë çështje si një nevojë ekonomike, sesa një debat politik.

Megjithatë, vëmendja e politikës dje ishte përqendruar në votimin e lirimit nga detyra të anëtarit të KQZ-së, propozuar nga LSI, Ilirjan Muho.

 

Ndryshimet

Në mënyrë të përmbledhur, ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile, të propozuara në projektligjin e miratuar prej disa javësh nga Këshilli i Ministrave kanë për synim shkurtimin dhe thjeshtësimin e procedurave të ekzekutimit të kolateralit, për zbatimin më efektiv dhe lehtësimin e procedurave që ndiqen nga qytetarët.

Ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me shfuqizimin e të drejtës së gjykatave për të ndërhyrë në mekanizmin e ekzekutimit të një titulli ekzekutiv, siç është huaja bankare, për të cilin është dhënë një urdhër ekzekutimi.

Propozimi në projektligj parashikon uljen e vlerës me 50%, të çmimit fillestar të ankandit, duke vendosur një mesatare të pranueshme për debitorin dhe kreditorin, si dhe një çmim më realist për funksionimin më të mirë të ankandeve.

Aktualisht, në ankandin e parë të shitjes së pronës kolateral, çmimi me të cilin fillon ankandin caktohet 20% më i ulët se çmimi i vlerësuar i pronës. Nëse ky ankand dështon, përcaktohet një ankand i dytë për çmimin në të cilin ka sot interpretime të ndryshme nga përmbaruesit. Një interpretim që haset shpesh është ai që e zbret çmimin në ankandin e dytë edhe me 20% duke arritur në një total prej 64% të çmimit fillestar.

Praktika e deritanishme, si edhe dinamikat e tregut tregojnë se çmimi me të cilin fillohet ankandi i dytë është shumë i lartë për të realizuar shitjen e pronës, veçanërisht po të mbahet parasysh që përcaktimi i drejtë i çmimeve të tregut është i vështirë në kushtet aktuale. Për rrjedhojë ankandet shpesh dështojnë si pasojë e këtij çmimi jo realist me të cilin fillon ankandi i dytë.

 

Konsensusi

Forcat politike në Kuvend mendohet se tashmë kanë gjetur konsensusin për Kodin e Procedurës Civile duke pranuar pjesërisht propozimin e Shoqatës së Bankave për lehtësimin e procedurave të kolateralit. Ndryshe nga sa ishte propozuar më parë, palët parlamentare kanë rënë dakord që vlera e aseteve në ankandet e dyta të ulet me 30 për qind dhe jo me 50 për qind.

Pak ditë më parë, komisioni parlamentar i Ligjeve nuk arriti të gjente konsensus për nenin që parashikonte se në rastet kur ankandet e para nuk rezultojnë të suksesshme për shitjen e aseteve, atëherë ankandet e dyta mund të zhvilloheshin 15 ditë më vonë dhe çmimi i pasurisë në shitje ulej me 50 për qind. Ky ndryshim, sipas anëtarëve të Partisë Socialiste në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, krijonte paqartësi dhe mund të zhvlerësonte asetet, duke ndikuar edhe në tregun e pasurive të paluajtshme. Këto kundërshti, në kushtet e nevojës së konsensusit politik për draftin, detyruan kreun e Komisionit parlamentar të Ligjeve Ilir Rusmali që të tërhiqte propozimin dhe të linte në fuqi nenin ekzistues.

Referuar këtij neni, që për sistemin bankar nuk ka rezultuar efikas, në rastet kur prona e sekuestruar nuk shitet në ankandin e parë, ankandi i dytë mund të zhvillohet vetëm pasi të kenë kaluar tre muaj dhe çmimi i ri mund të jetë 20% më i ulët. Por pavarësisht mungesës së konsensusit në komisionin parlamentar të Ligjeve, komisioni i Ekonomisë u përfshi në negociata me Bankën Botërore për të gjetur zgjidhje për këtë çështje. Pas një jave negociatash, anëtarët socialist të Komisionit të Ekonomisë ranë dakord me propozimin që ankandet e dyta të zhvillohen me çmime 30 për qind më të ulëta.

 

 

 

Çeki-Shqipëri, së shpejti marrëveshje për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore

Ministria e Punës ka ndërmarrë hapa konkretë për realizimin e marrëveshjeve bilaterale për mbrojtjen shoqërore, kryesisht me shtetet fqinje, ku edhe numri i emigrantëve shqiptarë është i konsiderueshëm. Këto ditë në Ministrinë e Punës po zhvillohet raundi i dytë i negociatave ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Çekisë. Në muajin maj të vitit 2012 kanë filluar negociatat për marrëveshjen dypalëshe mes dy vendeve dhe raundi i parë është zhvilluar në Pragë, në datat 21-25 maj 2012, me ftesën e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Republikës Çeke. Kjo projektmarrëveshje konsiston në ofrimin e mbrojtjes në aspektin e sigurimeve shoqërore e kujdesit shëndetësor dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura. Gjithashtu, rregullat koordinuese duhet të garantojnë që personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre e të mbijetuarit, të ruajnë të drejtat dhe përparësitë e fituara apo që janë duke i fituar. Bashkimi i periudhave të siguruara sipas legjislacioneve kombëtare të ndryshme të merren në konsideratë, për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre. Aktualisht, ka një marrëveshje në zbatim me Turqinë dhe është në procesin e miratimit nga Këshilli i Ministrave marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës. Janë në proces negocimi marrëveshjet e mbrojtjes shoqërore me Maqedoninë, Rumaninë, Hungarinë dhe Çekinë. Vitin e kaluar filluan negociatat me qeverinë e Luksemburgut, të cilat do të vazhdojnë në shtator të këtij viti.

 

 

 

Comments are closed.