Votimi i emigrantëve, Berisha: I gatshëm të ulem me Ramën, kreu i PS-së kundër

0
2007

 Ina Jano

 

berishaKryeministri: Qeveria merr përsipër, kudo që janë ata, me shpejtësi të instalojë teknologjinë më moderne, të votojnë online, në ambasada, të votojnë kudo që janë, të votojnë të lirë. Mos ki frikë nga vota e tyre! 

Përurohet rruga Hotolisht – Frare, me vlerë 146 milionë lekë

 

 

Një tjetër propozim për zgjedhjet vjen nga Kryeministri Berisha, për t’u dhënë të drejtën e votës të gjithë emigrantëve që jetojnë dhe punojnë jashtë territorit shqiptar. Duket se kreu i qeverisë ka marrë shkas nga deklaratat e fundit të kryesocialistit Edi Rama, i cili ka deklaruar se Berisha nuk dëshiron që të votojnë emigrantët. Duke i bërë thirrje Ramës për të rënë dakord që ditën e nesërme për votën e kësaj kategorie, lideri i mazhorancës i ka dhënë atij të gjitha garancitë e qeverisë se ajo mundet që t’i organizojë këtë proces në të gjitha ambasadat apo selitë diplomatike shqiptare. “Edhe njëherë i them, gënjeshtra është dobësia më ekstreme e burrit. E dëgjoja një natë, ishte në Milano, u thoshte emigrantëve: Nuk deshi Berisha që të votonit ju. Të dashur miq, po i them nga këtu, para jush: Nuk deshe ti dhe në qoftë se ti ke kthyer mendje, urdhëro ditën e hënë të biem dakord që çdo emigrant, në Itali, në Greqi dhe kudo që ndodhet, në Evropë dhe në botë, të votojë për vendin e tij, të votojë për zgjedhjet e 23 qershorit. Gënjeshtra është ves dhe është një ves i keq i burrit. Urdhëro të biem dakord. I kemi që të gjithë në lista, një për një. Që të gjithë janë në listat e votimit. Qeveria merr përsipër, kudo që janë ata, me shpejtësi të instalojë teknologjinë më moderne, të votojnë online, në ambasada, të votojnë kudo që janë, të votojnë të lirë. Mos ki frikë nga vota e tyre!”, – u shpreh Kryeministri nga Hotolishti, ku përuroi rrugën Hotolosht – Frare.

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kampit socialist. Me anë të një statusi në Twitter, Rama është shprehur kundër këtij mendimi. Sipas tij, këto janë deklarata në hava dhe, në fakt, Berisha ka qenë kundër votimit të tyre për 8 vjet rresht që ka qenë në pushtet. “Çfarë paniku prej verës së vetmisë së madhe! Propozim në hava për votën e emigrantëve, kur e kundërshtoi tetë vjet rresht! Koha për të ikur”, – shkruan Rama. Ndërkohë që emigrantët shqiptarë detyrohen që për çdo proces zgjedhor, minimalisht një herë në dy vjet të kthehen në vend për të votuar. Sigurisht që një pjesë e tyre nuk munden që ta ushtrojnë këtë të drejtë, pasi nuk kanë mundësi të kthehen edhe për shkak të punës apo largësisë. I njohur është edhe fenomeni i vendosjes së autobusëve nga parti të ndryshme në funksion të kthimit të emigrantëve sa për të votuar dhe përsëri për tu kthyer në vendet e tyre të punës. Berisha ka apeluar Ramën që të mos gënjejë dhe të mos përpiqet që të mashtrojë shqiptarët pasi gënjeshtra është vesi më i keq i një burri. Gjithashtu ai tha se po të ishte për Ramën ai do të kishte hedhur poshtë edhe liberalizimin e vizave, edhe anëtarësimin në NATO dhe të gjitha arritjet e tjera të qeverisë.

Përurimi

“Ne zotohemi se gjatë katër viteve që vijnë do të 3-fishojmë grantet për projektet tuaja, në mënyrë që ju të prosperoni, të ndërtoni kopshtet, serat, bahçet tuaja dhe të ecni të sigurt drejt një mirëqenie më të mirë; në mënyrë që ju të zhvilloni potencialet turistike të zonave tuaja të mrekullueshme”, – u shpreh Berisha nga Hotolishti. Kryeministri, në përshëndetjen e tij drejtuar banorëve të kësaj zone, u shpreh se “për ne, nga dita e parë e ardhjes në pushtet e deri më sot, Shqipëria rurale e zhvilluar, fshati shqiptar i zhvilluar përbëjnë kushtin më themelor të një Shqipërie të zhvilluar, të një Shqipërie evropiane”. Ai ishte sot i pranishëm në inaugurimin e përfundimit të rikonstruksionit të rrugës Hotolisht – Frare, në rrethin e Librazhdit, financim i qeverisë shqiptare dhe Fondit të OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), me vlerë 146 milionë lekë. Segmenti rrugor Hotolisht – Frare, me gjatësi 6.2 kilometra, tashmë është zgjeruar dhe pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë kanalizimet e ujërave të bardha, mure mbajtës, vepra arti, si dhe sinjalistikën e nevojshme vertikale dhe horizontale. Pjesë e këtij projekti është ndërtimi i trotuarit pranë shkollës së fshatit dhe urës së re. Kjo rrugë u lehtëson transportin 1500 banorëve të kësaj zone, u krijon mundësi atyre të lidhen me Përrenjasin, Librazhdin dhe Elbasanin. Kjo zonë është e njohur për pasuri minerare kromi dhe ndërtimi i rrugës lehtëson ndjeshëm aktivitetin e shfrytëzimit të minierave, por edhe transportin e mineralit. Fermerët e kësaj zone janë të njohur për prodhimet bujqësore dhe blegtorale, në mënyrë të veçantë për vreshtarinë. Në këto vite, në rrethin e Librazhdit janë ndërtuar e rikonstruktuar mbi 100 kilometra rrugë, 23 shkolla e kopshte, 15 ujësjellës e kanalizime, 17 qendra shëndetësore e ambulanca; mbi 2 milionë dollarë subvencione në pemëtari, vreshta, ullinj, sera; mbi 2 miliardë lekë janë investuar në sistemin e energjisë elektrike. Gjithashtu, po punohet në ndërtimin e 6 HEC-ve në këtë zonë. 

 

PD: Rama harroi 21 Janarin me aleancën e “ngjalave”

Partia Demokratike ka akuzuar dje kreun e opozitës shqiptare se ka harruar 21 Janarin dhe sipas tij është një gjë që ai vetë e deklaroi të enjten në një prej emisioneve shqiptare. Për selinë blu 21 Janari është harruar nga Rama pasi ai ka ndërtuar aleancën e “ngjalave”. Laura Vorpsi, zëdhënësja e PD-së, u shpreh se pasi kryesocialisti dështoi në marrjen e pushtetit me dhunë në këtë datë, tashmë jo vetëm që e ka harruar atë, por vazhdon të habisë gjithë njerëzit duke thënë se nuk i pëlqen që të flasë më për këtë histori. “Z. Rama nuk u ndal këtu, por tha se aleancën e “ngjalave” e ka bërë pikërisht si aleancë shpëtimi për 21 Janarin. Hapur dhe troç, z. Rama manifestoi publikisht të enjten se 21 Janari, atë e tmerron dhe se nuk ka qenë asnjëherë për të një çështje parimi e drejtësie, por mirëfilltas një pjesë e strategjisë se tij për të marrë pushtetin me dhunë dhe më pas për nekrofili elektorale. Është e qartë se për z. Rama, kjo çështje nuk ekziston më. Pasi dështoi të vinte në pushtet me tentativën për puc shteti, që për fat të keq solli viktima dhe pasi 21 Janari nuk e realizoi ëndrrën e tij Kryeministrore, tani, duke iu gëzuar martesës së re të ngjalave, z. Rama kërkon ta fshijë këtë ngjarje”, – deklaroi Vorpsi. Më tej zëdhënësja u shpreh se Ramës i mungon refleksi moral dhe PD u bën thirrje organeve të drejtësisë që të mos ndikohet nga lojërat politike të kreut të PS-së. “Në rrëfimin e tij z. Rama tregoi dhe një herë se i mungon çdo lloj refleksi moral, dhe tashmë është e qartë për të gjithë se ai, si njeriu që manipuloi videon që përdori si pretekst për 21 Janarin, si organizator kryesor i përpjekjes për të ardhur në pushtet me dhunë, si “kameleon” që u përpoq të përdorte dhimbjen e familjarëve të viktimave si mburojë për krimin e tij të shëmtuar, për atë çka meritoi shaminë në fytyrën e tij, po bën çdo gjë për t’i shpëtuar drejtësisë! Këtë e kuptuan më mirë se kushdo vetë socialistët, të cilët treguan një pakënaqësi të paparë në adresat e tij në rrjetet sociale. Revolta e socialistëve ndaj z. Rama, në Facebookun e Twitterin e tij, vazhdon edhe sot, dhe ai nuk e ndal dot me shpjegimet e tij nga salloni mavi, sepse tashmë është e qartë se kush e nisi, kush e organizoi dhe kush po kërkon ta mbyllë 21 Janarin, si një tentativë për marrjen e pushtetit me dhunë!”, – përfundoi Vorpsi.

 

 

Risia

Pyet Kryeministrin në Youtube

Me anë të një videoje shpjeguese, Partia Demokratike ka ftuar të premten të gjithë qytetarët që kanë një pyetje për Kryeministrin Berisha, mund t’ia bëjnë atij në rrjetin Youtube. Zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, në një video disaminutëshe shfaqet duke shpjeguar mënyrën se si do të procedohet me videot dhe adresën se ku ato duhen postuar. Deri pasditen e djeshme në faqen zyrtare në këtë sajt ekzistonin rreth 12 video të cilat shtronin pyetjet e tyre për kreun e mazhorancës, pyetje të cilat me gjasë zoti Berisha do t’u përgjigjet paraditen e sotme. Kryesisht këtë herë ky Town-Hall u drejtohet qytetarëve dhe të rinjve të Fierit e të rrethinave dhe sot në 11:30, Kryeministri do të jetë përballë tyre për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të tyre.

 

 

Mediu: Interesi i të djathtës, në të mirë të shqiptarëve

Partia Republikane prezantoi kandidatin për deputet për Tiranën, Petrit Mancaku. Gjatë një takimi me anëtarë dhe simpatizantë të minibashkisë nr. 5 në Tiranë, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, tha se domosdoshmëri për të djathtën është ndërtimi i një marrëdhënie të drejtë me qytetarët, drejt Bashkimit Evropian, një marrëdhënie e drejtë e të gjitha partive të koalicionit. PR, sipas tij, është një parti parlamentare falë votës së qytetarëve dhe nuk do të verë asnjëherë në diskutim përfaqësimin e saj parlamentar. “Ka vetëm një rrugë koalicioni i së djathtës, ku çdo subjekt të jetë kontribuues dhe një marrëdhënie interesi reciprok në shërbim jo thjesht të mandatit të mazhorancës, por fitores së shqiptarëve”, – tha Mediu.  Në takim strukturat lokale të PR-së shprehën gatishmërinë dhe angazhimin maksimal për të kontribuar në një mandat të tretë për mazhorancën, si partia e dytë e së djathtës. 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency