Politika shkurt

0
2488

breguBushati: Statusin dhe negociatat për anëtarësim, brenda vitit të parë të qeverisjes

Në prezantimin e programit të PS-së në Durrës, deputeti socialist Ditmir Bushati deklaroi se me ardhjen e së majtës në pushtet brenda vitit të parë të qeverisjes do të merret statusi i vendit kandidat dhe do të nisin negociatat për anëtarësimin në BE. “Ne jemi zotuar të ndërtojmë një Shqipërië evropiane e cila do të jetë një model frymëzimi në rajon për shqiptarët që jetojnë kudo në këtë copë të Evropës që nuk e kanë marrë ene vendin që duhej të kishin në familjen evropiane. Zotohemi që brenda vitit të parë të qeverisjes të përmbushim reformat që i mundësojnë Shqipërisë marrjen e statusit kandidat dhe nisjen e negociatave të anëtarësimit. Ky premtim bazohet tek programi ynë dhe për të përfshirë drejtpërsëdrejti në këtë proces Kryeministrin e vendit, trupin diplomatik. Të gjithë ata që janë hequr padrejtësisht nga puna do të rikthehen në shërbimin diplomatik”, – tha Bushati.

 

Bregu: Gënjeshtra po kthehet në sëmundje për PS-në

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka reaguar dje ndaj deklaratave të deputetit socialist Ditmir Bushati, duke i cilësuar ato si të pavërteta, pasi, sipas saj, PS mbetet bllokuesja kryesore e ligjeve të integrimit. “Dhe gënjeshtrat nga foltoret e Partisë Socialiste nuk kanë të sosur… Dëgjuam sot nga Ditmiri, kryetar i Komisionit të Integrimit në Parlament, gënjeshtrën që vetëm Ditmiri s’duhet ta thoshte, pasi ai e di mirë, po shumë, shumë mirë, se mosvotimi e bllokimi i 3 ligjeve, me ndërgjegje të plotë nga socialistët, ishte garanci për të mos marrë statusin e vendit kandidat për herë të tretë. E bën me kast? Absolutisht po. Çdo humbje e shqiptarëve, për socialistët, është një shkallare më lart për ëndrrën e tyre të fitores. A sjell statusi i vendit kandidat dhe anëtarësimi në BE më shumë fonde, më shumë projekte, pra më shumë punësim për shqiptarët? Sigurisht që po. A po vazhdon të dirigjojë orkestrën e gënjeshtrave Edi Rama? Absolutisht po. Rama e ka treguar me kohë dobësinë e tij më të madhe- është gënjeshtar e mohues i pashoq. E tha shumë bukur këtë Kryeministri sot. Por shpreh keqardhje që gënjeshtra po bëhet sëmundja që po sëmur keq gjithë pasuesit e tij. Të paktën ju burrat e tjerë të PS-së, mbaheni pak gjuhën e mos kopjoni gjithmonë dështakun! Kini pak më shumë respekt për veten! Se gënjeshtra i ka rrugët e shkurtra dhe të tatëpjetën e merr shumë shpejt”, – shkruante në rrjetin social FB ministrja e Integrimit Majlinda Bregu.

 

Meta prezanton Vasilin në Fier

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, prezantoi nënkryetarin e partisë, Petrit Vasili, si drejtuesin e fushatës në Qarkun e Fierit. Gjatë një takimi të zhvilluar me strukturat e partisë në Fier, Meta vlerësoi se aleanca me Partinë Socialiste është solide dhe e natyrshme, ndërkohë që shtoi se tashmë rotacioni është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Në këtë kontekst, kreu i LSI-së deklaroi se largimet e krerëve të institucioneve në prag të zgjedhjeve parlamentare janë, sipas tij, hakmarrje politike primitive. “Është përgjegjësia ime, i siguroj të gjithë ata që ndeshen me këtë hakmarrje primitive politike, që më datë 24 qershor do të rikthehen atje ku ka qenë. Angazhimi ynë nuk ka të bëjë vetëm me mbështetësit e LSI-së, por me të ardhmen evropiane të vendit”, – tha ai.

 

Bode: Rama e sheh ëndrrën e karriges kryeministrore përmes kolapsit ekonomik

Ministria e Financave ka reaguar në lidhje me deklaratat që kreu i Partisë Socialiste bëri të ditur dje gjatë prezantimit të programit në Durrës, duke theksuar se Rama kapet me mashtrimin e radhës duke folur për ekonominë e vendit, pasi ëndrrën e karriges kryeministrore e sheh vetëm përmes kolapsit ekonomik. “Rama përsëri kapet në flagrancë me mashtrimin e tij të radhës, duke folur për ekonominë e vendit, një fushë ku përçartjet e tij elektorale kanë konfuzionuar totalisht edhe oborrin e tij mavi. Këtë radhë Kasandra Rama implikon dhe FMN-në se po vjen në opsionet e kataklizmës ekonomike që Rama u ka uruar shqiptarëve me kohë. Kjo nuk është një gjë e re për Ramën, i cili ëndrrën e karriges kryeministrore e sheh vetëm përmes kolapsit ekonomik apo gjëmave të tjera që ai i ka parashikuar vendit. Fatmirësisht për shqiptarët, asgjë nuk ka ndodhur dhe ndodh nga paralajmërimet e mallkimet e Kasandrës Rama. Prej katër vitesh çirret se ekonomie e vendit është në krizë apo do bjerë në krizë stinën që vjen. Prej katër vitesh, ku rajoni, eurozona dhe ekonomia globale po përjeton zhvillimet më dramatike, ekonomia shqiptare vijon të ritet si asnjë ekonomi tjetër në rajon apo eurozonë”, – thuhej në reagimin e MF-së.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency